Kulturë

“+18” si thyerje e teatrit tradicional me mëkatin universal

Descriptive Text

Në koncept regjisorial e si frymë nuk ka ardhur si risi vetëm për teatrin e qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu”, por edhe për skenën teatrore vendore në përgjithësi. “+18” thyen tabu e krejt këtë në zbërthim të mëkatit si pikë e përbashkët pavarësisht gjeografisë

Midis dy kulturave krejtësisht të ndryshme, fati njerëzor është ai që i bën bashkë dy individë. Si qenie prej mishi e gjaku – pavarësisht gjuhës të cilën e flasin dhe besimeve – mëkati është pikëtakimi i tyre.

Ky ishte rrëfimi që Edmondi i Amerikës dhe Edmondi i Kosovës – njëri personazh i dramaturgut David Mamet e tjetri i atij shqiptar Arian Krasniqi – kumbuan me të ngjashmet e dallimet në skenën e teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu”.

Për dy orë heshtja ra te publiku dhe “zërat rrëfyes” filluan të flasin në premierën “+18” të së mërkurës, nën regjinë e Qëndrim Rijanit.

Gjithçka nisi te një problem, për të qenë pararendëse të një fati të kobshëm, që gjatë shfaqjes s’dihet nëse individi e zgjedh apo Perëndia e përcakton. Dy burra – njëri i huaj e tjetri shqiptar – kanë të njëjtën dëshirë, ndarjen nga gruaja.

Mospërmbushja shpirtërore e seksuale bëhet mollë sherri në familjet e të dyve, teksa prishja e një vazoje te pjesa e parë dhe e lavatriçes te pjesa e dytë bëhet zbrazja e vogël, për problemet e mëdha që rrojnë në brendinë e dy Edmondëve.

Në këmbim të kërkesës së tyre për ndarje dhe mosrikthim në shtëpitë e tyre, ata fitojnë atë që deshën – lirinë. Mirëpo, kjo nuk i ngjante fluturimit të lirshëm në botën e beqarëve, por thellim në skutat e errëta të jetës.

Kësaj radhe secili në pjesën e vet vendos që ta shpërblejë veten, ndërkaq adresë për këtë e kanë një bordel. Dy Edmondët hyjnë në një botë ndryshe nga ç’janë mësuar. Kërkojnë kënaqësinë seksuale te prostitutat, mirëpo nuk kanë mjaftueshëm para.

Pikërisht në këtë mes shfaqet një dimension ndryshe. Me motive prej realitetit të jetës së shumëkujt, shfaqja shpalos dimensione artistike mes të pathënave dhe shthurjes e çrregullimeve.

Këto të fundit vijnë në skenë pikërisht në momentin kur dy protagonistët kryesorë, palumturinë e tyre dhe vrapimin pas diçkaje që do t’i kënaqë, i kthejnë në drejtim të të qenët kriminel.

Reagimet e tyre shkojnë përtej normales, duke bashkëdyzuar artin dhe psikiken në një vend. Të ulur në autobus, Edmondit amerikan i ngjan si nëna e tij, njashtu sikurse edhe atij shqiptar në pjesën e dytë. Insistimi i tyre i vazhdueshëm bën që gruaja e moshuar të ndihet e penguar dhe ta shprehë këtë. Mirëpo revoltën e këtyre dy plakave Edmondët e shndërrojnë në tentim vrasje, duke i kërcënuar me thikë në fyt.

Nga rrafshi social shfaqja depërton edhe në atë personal, në dhomat e tyre të hotelit ata komunikojnë me dy gra. Të dyjave ua tregojnë historinë e përballjes me të moshuarat në autobus, teksa arsye logjike për veprimet e tyre s’mund të gjejnë.

“Kam pirë më shumë kafe se ç’duhet”, thotë njëri. “Ka shumë njerëz në këtë botë, andaj e bëra”, justifikohet tjetri.

E në mesin e rrëfimit me to ato nuk kundërshtojnë, përkundrazi shprehin lirinë bohemiane të njeriut për veprim. Kur gratë tregojnë se këtë e gjejnë vetëm kur janë duke luajtur në teatër, të dy shprehin dëshirën e tyre për t’i parë ato duke aktruar. Mospërmbushja e kësaj kërkese i bën ata që t’i fyejnë duke i përqeshur: “Ti je kameriere, s’je aktore”. Kështu edhe nis fati i dy kriminelëve, të cilët vrasin pa mëshirë gratë.

Ngjarja shkon nga parehatia shpirtërore te kulti fetar. Aty provohet të gjendet një copëz drite. Kisha për Edmondin amerikan, xhamia për Edmondin kosovar bëhet dera tjetër ku trokitet, por më kot.

Dyshja jep mesazhin universal të të qenit njeri para çdo përkatësie tjetër. E në këtë rast edhe shpagimit të veprimeve të veta. Në një qeli të njëjtë, ata gëzojnë fatin të cilit s’ia gjejnë fillin e paracaktimit.

S’pranojnë këshilla për të dalë prej këtij rrethi. Kontestojnë ekzistimin e Zotit. Herë edhe e pranojnë atë, por jo edhe qëllimin e mirë të tij.

“A mos vjen Zoti ta jetojë dënimin këtu për mua?”, thotë njëri. “Nuk mund të vendosim për fatin tonë, po të mundnim do të ishim vetë Zoti”, përfundon tjetri.

Skutat e errëta të “undergroundit”

Për regjisorin Qëndrim Rijani, i ka ikur koha teatrit moralistik. Kjo ishte edhe arsyeja pse ai vendosi të sjellë diçka ndryshe për publikun e Gjakovës, duke shpresuar që ky rrëfim të takohet edhe me pjesë të tjera të publikut.

“Shfaqja në konceptin e vet nuk ka dalje nga skena. Fillon shfaqja dhe gjithsecili është hallka prej ku funksionon”, ka thënë regjisori nga Shkupi.

Ai thotë se përgatitja e “+18” ka pasur vështirësi, për vetë faktin që sjell diçka krejtësisht ndryshe nga ç’jemi mësuar të shohim.

“Shfaqja në vetvete është shumë e angazhuar, e vrazhdë, futet nëpër skutat e errëta të asaj që ne e quajmë ‘underground’ të shoqërisë sonë”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër, si një regjisor rreth të 30-ave, ai thotë se përgatitja artistike e tij duhet të përshtatet me moshën që ka dhe jo të ndjekë format tradicionale.

“Shfaqja është një trajtesë e tillë mes zhvillimit e heshtjes. Më e vështira është të thyerit e tabusë që krijohet. Është e tillë që do të sjellë publik të ri në teatër”, ka përmbledhur Rijani.

Në pjesën regjisoriale, një pikë tjetër e fuqishme ishte edhe përputhshmëria e lëvizjeve të aktorëve me ndriçimin, që në këtë rast sjell natyralitetin e fenomeneve natyrore në pjesët ku luhet mes shiut e vetëtimave. Muzika mes ekzekutimit të instrumenteve të ndryshme përgjatë shfaqjes e bëjnë “+18”-shin të ketë estetikë.

Image

E mira, e keqja dhe realiteti i përbashkët

I gjithë ansambli i trupës rezidente të Teatrit të Gjakovës luajti në këtë shfaqje.

Edi Kastrati, drejtor i teatrit “Hadi Shehu”, i cili pati edhe rolin Edmondit shqiptar, ka theksuar se regjisori Qëndrim Rijani ia vë vetes një cak dhe dëshiron ta arrijë atë.

“E mira e kësaj shfaqjeje është se e mira dhe e keqja janë të njëjta kudo që shkon, sikurse në shqiptari njësoj edhe në botën e jashtme”, ka thënë Kastrati.

Përderisa ka pohuar se pavarësisht “risive” që kanë sjellë në natën e 26 majit në skenën e këtij teatri, sërish do të vazhdohet me frymën tradicionale.

“Është një dimension tjetër i teatrit, megjithatë teatri do të ketë edhe lloje të tjera të shfaqjeve”, ka thënë Kastrati.

Aktorja Yllka Lota në rolin e gruas shqiptare, Glena, ka thënë se beson që kjo shfaqje ka qenë reflektim i reales.

“Secili mund ta gjejë rrjedhën e jetës së tij sado pak te personazhi kryesor”, ka thënë ajo.

Mbushja e sallës me plot njerëz e kanë bërë atë të ndiejë emocion të veçantë, njësoj si motivet ndryshe të kësaj shfaqjeje.

“Nuk është si ato tjerat që janë bërë në skenë”, ka thënë Lota, kur ka folur për “+18”.

Bujar Ahmeti (Edmondi amerikan) ka pak a shumë të njëjtat emocione si kolegia e tij.

“Duartrokitja është gjithmonë një pagesë shumë e madhe për aktorët, s’ka gjë më të mirë që të ndodhë”, pohon ai.

Mirëpo, pavarësisht suksesit të shfaqjes te publiku, ai ka një kërkesë drejtuar institucionit.

“Kemi nevojë për një teatër, për një objekt që t’ia dedikojmë Gjakovës”, ka thënë Ahmeti.

Kontesti shqiptar përballë atij amerikan

Dramaturgu Arian Krasniqi, që ka përshtatur pjesën shqipe me atë amerikane të David Mamet, ka thënë se ky kombinim ka qenë përvoja e tij e parë, të cilën e quan “eksperiment dramaturgjik”.

“I kemi dy tekste paralele, dy personazhe kryesore që i ndjek fati i njëjtë në dy vende të ndryshme, por që mëkati i bashkon”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se nëntëdhjetë për qind e tekstit të huaj është ruajtur, ndërkaq te pjesa shqiptare janë përshtatur me motivet e kontekstet vendore.

“Mendoj që është bërë një gërshetim i mirë dramaturgjik për të treguar se edhe urrejtja, dashuria, mëkati janë universale kudo që ndodhin”, ka thënë Krasniqi.

Mirëpo edhe përballë paraleles së tërhequr në dy vende të ndryshme e me fate të njëjta ekzistojnë dallime.

“Ato janë etno-psikologjike dhe sociologjike në kuptimin e sjelljes së karakterit, motivit”, ka thënë Krasniqi.

Pavarësisht zgjatjes në kohë të ekzekutimit të shfaqjes, dramaturgu beson që dinamika dhe ritmi nuk e kanë lënë që të ndihet si monotone.

Mundi artistik i aktorëve, regjisorit e dramaturgut u shpagua nga reagimi i publikut. Dëshmi për këtë u bë qëndrimi i tyre për pesë minuta rresht në këmbë, duke u kombinuar me duartrokitje të fuqishme.

Në mesin e shumë artistëve të tjerë, të cilët ishin stacionuar në Gjakovë për ta parë premierën, ishte edhe aktori Fatmir Spahiu.

“Ka kohë që nuk kam kaluar në ndonjë shfaqje më mirë. Ishte një produksion i jashtëzakonshëm që s’e kemi parë nëpër teatrot tona”, ka thënë Spahiu.

Sipas tij, qyteti i Gjakovës njihet për traditën teatrore, mirëpo në vlerësimin e tij ky ishte një version ndryshe.

“Për mua është një dimension ndryshe, loja e aktorëve e sidomos roleve kryesore dhe të tjerëve. Unë po dal me një shije shumë të mirë të Teatrit të Qytetit të Gjakovës”, ka thënë ai.

Shfaqja “+18” pritet të jepet edhe në Prishtinë, teksa synim tjetër i Teatrit të Gjakovës është edhe shëtitja e saj në festivale të ndryshme.