Kulturë

Filarmonia e Kosovës nesër mban koncert orkestral

Filarmonia e Kosovës në bashkëpunim me Degën e artit muzikor të Fakultetit të Arteve nesër do të mbajnë një koncert duke filluar nga ora 20:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha se bashkëpunimi me Fakultetin e Arteve është bërë traditë dhe se në këtë koncert do të prezantohen tre studentë të diplomuar të Fakultetit të Arteve, transmeton kp.

Koncerti i dirigjuar nga dirigjenti, Hajrullah Syla do të fillojë me flautisten, Arzie Rifatin, pastaj do të vazhdoj me pianistin, Melos Buza.

“Ky koncert është vazhdimësi dhe traditë që tashmë realizohet vit pas viti nga Filarmonia së bashku me degën e artit muzikor, Fakultetit të Arteve që tregon një përkushtim institucional ndaj kuadrit të ri me që siç e dimë edhe Filarmonia e Kosovës, përbërja e saj dhe anëtarët vijnë pikërisht nga ky institucion arsimor, dhe natyrisht ne e konsiderojmë që është shumë e dobishme për të dyja palët ky bashkëpunim që vazhdon dhe do të vazhdoj edhe në të ardhmen”, tha Jashari.

Koncerti do të fillojë me veprën orkestrale të Musolskit, më pas do të prezantohet flautistja Arzie Rifati me pjesë të Mozartit, për të vazhduar me Melos Buzën me pjesë të Çajkovskit, dhe do të përmbyllet me veprën simfonike të Eriks Medison që do të drejtohet nga dirigjuesi, Hajrullah Syla.

Solistja, Arzie Rifati tha se është përvojë e re për të dhe se i duhet që të përformojë me koncentrim të madh.

“Është një sfidë për mua por njëkohësisht një bashkëpunim shumë i mirë i ofruar ndonjëherë për studentët e akademisë së muzikës, besoj që do të jetë në rregull nesër me koncertin”, tha Rifati.

Gjatë kësaj konference pianisti Melos Buza ka shpalosur pjesën e tij që do të luaj gjatë këtij koncerti. Ai tha se do të luan në piano pjesën orkestrale nga kompozitori rus Çajkovski.

Profesoresha e Fakultetit të Arteve, Leja Haxhiu-Pula duke i përgëzuar pjesëmarrësit për koncertin shpreson që ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje.