Kulturë

Kosova me “C0ntainp0rary” në Venecie thërret për ide mbi urbanizimin

Duke përdorur fantazinë, një objekt i zbrazët që mbushet gjithnjë me përmbajtje shërben si thirrje për t’u mbushur me ide e reflektime mbi rolin e urbanizimit global. I dalë nga konteksti i peizazheve urbane në Kosovë, por me një histori të tërë pas vetes, kontejneri kthehet në një përbashkues të përpjekjeve të arkitektëve, artistëve dhe komunitetit për t’u dhënë përgjigje sfidave të kohërave të jashtëzakonshme. Kështu, projekti “C0ntainp0rary”, nën kurimin e arkitektit Maksut Vezgishi, mëton të sjellë përgjigje mbi atë se si mund të jetojmë së bashku

Me këmbë të mbarë ka nisur hapërimi i radhës artistik i Kosovës në më të madhen ngjarje të arkitekturës në botë. Me hapjen zyrtare gjatë të premtes, hapësira e ndarë në “Arsenale” ka tërhequr një numër jo të vogël të interesuarish. Është vepra “C0ntainp0rary”, nën kurimin e arkitektit Maksut Vezgishi, nëpërmjet së cilës Kosova përfaqësohet në edicionin e 17-të të bienales së njohur në Venecia.

Gjithçka kishte filluar me një kontejner, nga të shumtët që figurojnë në peizazhet urbane në Kosovë. Nëpërmjet tij dhe transfigurimeve të tij, ekipi nga Kosova reflekton në dimensione globale për t’i gjetur përgjigje pyetjes: “Si mund të jetojmë së bashku?”

Në hapjen zyrtare ishin edhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, si ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe ai i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Kontejneri si pikënisje

Një model i bardhë kontejneri brenda Pavijonit të Kosovës ka qenë “objekti” kyç me anë të të cilit arti e arkitektura kanë bashkuar fuqitë dhe kreativitetin në shërbim të gjetjes së ideve për urbanizim të qëndrueshëm. E atmosferës brenda Pavijonit të Kosovës në Arsenale i ka dhënë një frymë kërkimi e pikëpyetjesh edhe muzika e bërë nga Elvis Bytyqi dhe Gjulian Bytyqi.

Kuratori i projektit, arkitekti Maksut Vezgishi, ka shpjeguar se si gjithnjë është tërhequr nga temat urbane në arkitekturë. Gjithçkasë i kishte paraprirë një diskutim mes miqsh mbi atë se çfarë po ndodh me natyrën dhe si po reflektohen ato shndërrime te njerëzit.

“U mundova që patjetër t’i përkushtohesha kësaj teme në aspektin urbanistik”, ka thënë Vezgishi për KOHËN.

Nga ajo pjesë e përvojës artistike si arkitekt, ai e dinte qysh në fillim se pavijonet në një bienale si kjo janë ose shumë të forta, ose shumë minimaliste. Por, tani çështja ishte si të gjendej një objekt që do të hulumtohej?

Image
“Kur e gjeta kontejnerin, për mua çdo gjë ka qenë e zgjidhur”, ka treguar arkitekti Maksut Vezgishi historinë tashmë të bërë realitet me “C0ntainp0rary” në Pavijonin e Kosovës që zyrtarisht u hap të premten në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie. Megjithatë, projektimi nuk kishte qenë aspak i lehtë përderisa nuk e kishte parë paraprakisht hapësirën ku do të prezantohej. “Kontejneri është i zbrazët, sepse secili e mbush me mendimet e tij”, ka thënë ai

“Zbrazëtia që mbushet me mendimet e secilit”

“Kur e gjeta kontejnerin, për mua çdo gjë ka qenë e zgjidhur”, ka treguar Vezgishi historinë tashmë të bërë realitet. Megjithatë, projektimi nuk kishte qenë aspak i lehtë përderisa nuk e kishte parë paraprakisht hapësirën ku do të prezantohej. “Kontejneri është i zbrazët, sepse secili e mbush me mendimet e tij”.

Duke iu kthyer në retrospektivë kujtimeve nga libraria e gjyshit, ai e kishte ndarë mendjen që ta përdorte fantazinë për një objekt të përditshëm, të paidentifikuar, që lundron, fluturon, zbret e nuk dihet se çfarë bëhet me të.

Sipas kuratorit, objekti është “steril, por ka reflektime e shenja sinjalizimi që regjistrojnë hyrje-daljet”, duke e bërë me dije se koha e tashme është krejtësisht e jashtëzakonshme.

“Nëse u kthehemi ëndrrave që kishim si fëmijë dhe lumturisë që e projektonim përpara, mendoj se kjo është rruga më e mirë dhe më e bukur për të qenë të lumtur”, ka shtuar ai.

Gjithnjë sipas Vezgishit, kryepyetja “Si mund të jetojmë së bashku?” lidhet me gjestin e parë që bëhet në raport me një objekt.

“Në rastin tonë kjo është artistike, por në komunat tona kur projektojmë kurrë nuk e gjejmë mënyrën se si i projektojmë dhe peizazhet lëvizin dhe ndërrojnë”, ka thënë Vezgishi.

“Arti e arkitektura – medium për sfidat globale”

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka vlerësuar se Bienalja e Venecias është një ngjarje e rëndësishme që mundëson shpalimin e prodhimi artistik nga Kosova në nivel ndërkombëtar. Ai, po ashtu, e ka vlerësuar edhe faktin që arkitektët tanë kanë prani edhe në ekspozitën qendrore të bienales të kuruar nga arkitekti me nam, Hashim Sarkis.

“Ne si institucione po e bëjmë punën më të mirë në mënyrë që arkitektët e artistët tanë të na përfaqësojnë në mënyrë të denjë në arenën ndërkombëtare, në mënyrë që arti e arkitektura të shërbejnë si mediume të rëndësishme për t’i trajtuar sfidat globale me të cilat ballafaqohet njerëzimit sot”, ka thënë Çeku.

Sipas ministrit të Kulturës, pyetja se si mund të jetojmë së bashku në një botë të sfiduar nga zhvillimet aktuale “mund të gjendet më së miri në një bashkëpunim mes arkitektëve, artistëve dhe komunitetit”.

“Ne si institucione zotohemi ta bëjmë pjesën tonë të punës dhe bashkërisht të arrijmë të zhvillojmë modele të jetesës së qëndrueshme për shoqërinë në përgjithësi”, ka shtuar Çeku.

“Toka është shtëpi”

Image
Edicioni 17-të i Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës ishte shtyrë për sivjet për shkak të pandemisë. Bienalja tashmë ka hapur dyer për vizitorë, duke lënë prapa atmosferën e paqartësive në përgatitje, e duke shtruar pyetje nëpërmjet projekteve arkitekturore që sfidojnë kufijtë e imagjinatën

Ndryshe në edicionin e sivjetmë, të 17-in me radhë, po marrin pjesë 112 pjesëmarrës nga 46 vende të ndryshme të botës. Me komisionere Jehona Shytin nga MKRS, ekipi i Kosovës përfshin ekspozuesit: Vildane Maliqi, Argjirë Krasniqi, Feray Dervis, Recep Kerkezi dhe Gëzim Radoniqi.

Projekti “C0ntainp0rary” i mëshon rolit të urbanizimit global dhe procesit të planifikimit e krijimit të mjediseve të qëndrueshme.

“Toka është shtëpi. Roli i urbanizmit është të krijojë mjedise të qëndrueshme që e lidhin njeriun me natyrën. Biodiversiteti planetar është misioni më fisnik i arkitekturës”, thuhet në përshkrimin kuratorial për Pavijonin e Kosovës.

Në terma konceptual, të afishuar edhe në faqen zyrtare të Bienales, thuhet se përreth kontejnerit mbetet i hapur një peizazh ngrehinash që ofrojnë mundësi të reja për përdorimin e hapësirave për eksperimentim, socializim, reflektim, aktivizëm, shpresë, ide dhe qëllime të reja.

“Njerëzit kanë përdorur kontejnerët të paktën për 100 mijë vjet, e me gjasë edhe për miliona. Të parët kontejnerë duket se janë zbuluar me qëllim të ruajtjes së ushqimit. Zhvillimi i kontejnerëve të tillë ishte i një rëndësie të madhe në evoluimin e popullatave njerëzore dhe ishte një sjellje krejtësisht risuese”, thuhet tekstin që jep një nga videot e afishuara në faqen “labiennale.org”.

“Të parët kontejnerë të gjetur në natyrë ishin kunguj të zbrazët, shembuj të të cilëve janë gjetur në kulturat e hershme autoktone. Ata më pas u pasuan me shporta të thurura, dru të gdhendur dhe qeramikë. Sot, në kohërat tona, ne strehohemi, lundrojmë, fluturojmë e jetojmë në shtëpitë tona, hotele në transit dhe kontejnerë për ta qëmtuar universin”.

Edicioni 17-të i Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës ishte shtyrë për sivjet për shkak të pandemisë. Bienalja tashmë ka hapur dyer për vizitorë, duke lënë prapa atmosferën e paqartësive në përgatitje, e duke shtruar pyetje nëpërmjet projekteve arkitekturore që sfidojnë kufijtë e imagjinatën. Edhe kuratorët janë sfiduar deri te konkretizimi i projekteve për shkak të kufizimeve me masat kundër pandemisë. Bartja e ekipeve realizuese, pajisjeve dhe materialeve ka qenë pengesë e madhe. Por, në fund të fundit, ato janë kapërcyer. Kuratorët janë munduar t’u japin përgjigje problemeve të reja që bota vendos para arkitektëve.

Ndonëse numri i turistëve në Venecia ende nuk është i madh – pasi hapja graduale e vendit ka filluar më 30 prill – megjithatë një lumë njerëzish është drejtuar qysh të premten paradite nga Arsenale – që cila bashkë me Giardinin janë dy hapësirat ku shtrihet ngjarja e madhe – pos atyre gjithandej qytetit që themelet i ka mbi ujë e numëron 391 ura.

Pikërisht në Arsenale gjendet edhe Pavijoni i Kosovës. Zë vend midis pavijoneve të Kuvajtit dhe Irlandës.

Kosova nuk është e panjohur për Bienalen Ndërkombëtare e Arkitekturës, ashtu sikurse as edhe për atë të Artit.

Në të parën debutoi më 2012, me veprën “Punuesi i filigranit”, që pati kurator Përparim Ramën. Për komisar ishte caktuar arkitekti Bekim Ramku. “Punuesi...” mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi e kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar). Kulla e punuar nga 720 stola përcillte historinë arkitekturore të Prizrenit. Vënia në dukje e ndryshimeve që ka pësuar ky vend gjatë një shekulli ka qenë ajo që ishte prezantuar në konceptin kuratorial. Më 2016, sherri i Ministrisë së Kulturës, Kosova s’u përfaqësua. Në edicionin e 16-të të Bienales së Arkitekturës në Venecia 2018, kuratore e Pavijonit të Kosovës ishte artistja Eliza Hoxha, me temën “Qyteti është gjithandej”. Shpaloste rrëfimin për kohën kur hapësirat private në Kosovë ishin shndërruar në publike. Koncentrohej te vitet ’90, te shtëpitë-shkolla, po kishte edhe si pikë reference ngjarje të ndryshme kur shqiptarët ishin dëbuar nga institucionet.

E në Bienalen Ndërkombëtare të Artit, për herë të parë, vendi u përfaqësua më 2013 nga artisti Petrit Halilaj, me instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër po nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Me izolimin e kufijtë u mor edhe Flaka Haliti më 2015, në “Spekulim në të kaltër”. Më 2017, Sislaj Xhafa me “E humbur dhe e gjetur” ngriti zërin për të pagjeturit nga lufta e fundit në Kosovë. Dy vjet më vonë, në edicionin e 58-të, me “Albumin familjar” të Alban Mujës u shpalosën dhimbjet e refugjatëve të luftës së viteve 1998-1999.

“Si mund të jetojmë së bashku?” është pyetja me të cilën Bienalja Ndërkombëtare e Arkitekturës në Venecie i pret vizitorët ta gjejnë përgjigjen deri më 21 nëntor.