Kulturë

Grupi i 21 aktorëve bojkoton e kërkon anulim të konkursit të “Dodonës”

Janë 21 aktorë që në shenjë kundërshtimi kanë nënshkruar një ankesë ku kanë kërkuar anulimin e konkursit për 5 aktorë rezidentë të teatrit të qytetit “Dodona” dhe rishpalljen e tij me të tjera kritere. Nuk e kanë ndërmend të konkurrojnë, përderisa, pos numrit të vogël, kanë përmendur disa arsye për të cilat e kundërshtojnë konkursin

Kanë protestuar dy herë para Komunës së Prishtinës për të kërkuar hapje të konkursit për aktorë në ansamblin rezident të teatrit “Dodona”. Por asnjëri nga grupi i aktorëve prishtinas s’do të konkurrojë në konkursin e hapur para dy javësh e që mbyllet sot. Përtej kësaj, në shenjë kundërshtimi janë 21 veta që në formatin e peticionit kanë nënshkruar një ankesë ku kanë kërkuar anulimin e konkursit dhe rishpalljen e tij me të tjera kritere.

Obligimet e aktorëve që pranohen në punë, mungesa e udhëheqësit artistik të Teatrit dhe fakti që me konkurs nuk përmbushet numri që përcakton Ligji për teatro sa i përket ansamblit rezident, janë shqetësimet e ngritura në ankesën që sipas formularit i është dorëzuar Komunës së Prishtinës me 29 prill. Një pjesë tjetër e komunitetit artistik dhe vetë teatri “Dodona” të mërkurën kanë shpërndarë konkursin duke bërë thirrje që të interesuarit të aplikojnë, pasi pasditen e sotme (e enjte) përfundon afati.

Sipas konkursit kërkohen 5 aktorë për ansamblin rezident të “Dodonës”. Ky institucion komunal aktualisht ka të punësuar 4 aktorë. Sipas Ligjit për teatro, këto institucione publike të qyteteve duhet të kenë të paktën 10 aktorë në ansambël rezident e maksimum 20. Vetëm Teatri Kombëtar gëzon të drejtën dhe detyrimin të ketë 30. Këtë e ka përmendur në ankesë grupi i aktorëve. Aty citohet neni ligjor që bën këtë përcaktim.

“Neni i lartcekur është në përputhshmëri me ankesën tonë, ngase aktorët e Komunës së Prishtinës apo që jetojnë në Prishtinë në krahasim me teatrot e komunave të tjera janë mbi 7 fish më shumë në numër”, shkruhet në ankesë.

I janë referuar Ligjit edhe kur kanë paraqitur pikën tjetër nëpërmjet së cilës e kontestojnë konkursin. Sipas Ligjit për teatro që është në fuqi qysh prej vitit 2012, “anëtarët e komisionit profesional përzgjidhen nga Këshilli Drejtues i teatrit nga lista prej së paku tetë (8) kandidatëve, të propozuar nga udhëheqësi artistik”. Bëhet fjalë për komisionin i cili i vlerëson në audicion konkurrentët për aktorë në ansamblin rezident. “Dodona” nuk ka udhëheqës artistik. Grupi i aktorëve që janë ankuar këtë e ka paraqitur si “konflikt të kompetencës”.

Sipas konkursit, aktorët e angazhuar do të luajnë në të gjitha shfaqjet në të cilat i angazhon regjisori, po ashtu do të luajnë në studio apo lokacion tjetër varësisht nga nevojat që paraqet produksioni.

“Animon kukullat, pjesë të dekorit dhe rekuizitat, merr pjesë në të gjitha provat e caktuara në shfaqjet në të cilat është i/e angazhuar sipas orarit të provave (puna në tavolinë, puna me lektor, puna me regjisorin në tekst, puna në skenë me koreografin, puna me bashkëpunëtorin e muzikës, trajnerin kondicional) e të tjera”, shkruhet në konkurs.

Nënshkruesit në ankesë nuk janë pajtuar me këto obligime.

“Kjo vjen si pasojë e përgjegjësive kualifikuese ekzistuese të trupës ekzistuese të sektorit profesional të kukullave, që ushtrojnë detyrën me sukses, ligjërisht ndeshet me baraspeshën e pozitave të njëjta të kërkuara me konkurs, meqë konkursi kërkon aktorë rezidentë me kualifikim të tjetërsuar me përgjegjësi shtesë dhe jo të barabartë me trupën rezidente ekzistuese”, shkruhet në ankesën e nënshkruar, midis të tjerash, nga Ilir Prapashtica, Dardan Gashi, Naser Rafuna, Fiona Gllavica, Edon Berveniku, Molikë Maxhuni, Besfort Daka, Irena Aliu e Leonit Maloku.

Krejt në fund të ankesës kërkohet anulimi i konkursit dhe rishpallja e tij. “Kështu, në afatin kohor ligjor, kërkojmë përgjigje ku në të kundërtën, forma e ankimimit do të bëhet në organet tjera kompetente”, shkruhet në ankesë.

Por në Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës kanë thënë të mos kenë pranuar ndonjë peticion a ankesë.

“Ende nuk kemi marrë zyrtarisht peticion”, ka thënë Adrian Berisha, drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës. Komuna e Prishtinës kishte ngelur e fundit sa i përket punësimit të aktorëve në teatrin e qytetit. Pavarësimi buxhetor ka bërë që të hapet konkursi.

ImageObligimet e aktorëve që pranohen në punë, mungesa e udhëheqësit artistik të Teatrit dhe fakti që me konkurs nuk përmbushet numri që përcakton Ligji për teatro sa i përket ansamblit rezident, janë shqetësimet e ngritura në ankesën e nënshkruar nga 21 aktorë, me të cilën kundërshtohet konkursi i “Dodonës”

Deri te pavarësimi buxhetor është arritur pasi Komisioni i Granteve në kuadër të Ministrisë së Financave në prill të vitit 2019 ka aprovuar financimin komunal për teatrot sa u përket viteve 2020-2022. Me miratimin e buxhetit për vitin e kaluar, në mars, tetë teatrove të qyteteve u është hapur rruga që të shpallin konkurse për staf rezident. Teatrot e tjera angazhimin e ansamblit rezident e kanë përfunduar vitin e kaluar. Asnjë prej tyre nuk ka mundur që të ketë mbi 12 aktorë të përhershëm.

Drejtori i teatrit “Dodona”, Visar Krusha, është prej atyre udhëheqësve që kanë kontribuar që të arrihet deri te mundësia që teatrot e qyteteve të kenë ansambël rezident. Ai në ditën e hapjes së konkursit kishte sqaruar arsyet e pamundësisë së punësimit të më shumë aktorëve.

“Të gjitha teatrot e qyteteve në maksimum mund të punësojnë deri në 22 persona, përfshirë aktorët, administratën, teknikët, do të thotë i gjithë stafi i institucionit. Ne në ‘Dodonë’ jemi 17 veta. Me këta pesë edhe ne bëhemi 22. Ka shumë aktorë që kanë nevojë për punë dhe janë të mirë. Numri pesë është shumë i vogël”, kishte thënë ai në emisionin “Express” të KTV-së.

Për hapjen e konkursit ishin interesuar edhe vetë aktorët. Duke kërkuar këtë konkurs, 15 aktorë me filikaça kishin zhurmuar para Komunës së Prishtinës në shtator e dhjetor të vitit të kaluar.

Paraprakisht aktorët kishin mbajtur një konferencë për media më 5 gusht. Meqenëse nuk ishin plotësuar kërkesat e tyre, aktorët kishin mbajtur në duar thirrjet “#përteatrindodona”. Paraprakisht kishin pasur edhe një lloj proteste në rrjete sociale.

“Dodona” si teatër i qytetit është themeluar në nëntor të vitit 1986. Prej pasluftës asnjëherë nuk e ka kompletuar ansamblin rezident të aktorëve.