Kulturë

“Quo Vadis, Aida?” nuk arrin të triumfojë në “Oscar”

Filmi i suksesshëm “Quo Vadis, Aida?”, ku luan edhe aktori Alban Ukaj, nuk ka arritur të dalë fitues në garën për filmin me të mirë ndërkombëtar në “Oscar”. Këtë çmim prestigjioz e ka fituar filmi “Another Round” nën regji të Thomas Vinterberg.

Regjisorja e filmit “Quo Vadis, Aida?”, Jasmila Zhbaniq, e kishte cilësuar filmin si “më shumë sesa film” për t’i përkujtuar botës se gjenocidi i ndodhur në Srebrenicë nuk duhet dhe as nuk mund të harrohet. E drama në kohëzgjatjen e saj prej 1 orë e 41 minutash, sipas një recensioni në “Guardian”, paraqet “një rindërtim shterues të masakrës së Srebrenicës gjatë luftës në Bosnjë”.

Mostriumfimi i “Quo Vadis, Aida” ka ngjallur reagime nëpër rrjete sociale. Shumëkush e ka cilësuar këtë si një veprim të pritshëm nga “Academy Award”.

“Me ‘Time’ që nuk mori çmimin për dokumentarin me të mirë dhe me ‘Quo Vadis, Aida?’ që nuk mori çmimin për filmin me të mirë ndërkombëtar, ju e dini që jeni duke shikuar ‘Oscarin’#tradicional”, ka qenë një koment i David Naimon në Twitter.

Në shtetin që përjetoi gjenocid nga forcat ushtarake dhe policore serbe, nominimi ishte përjetuar si një sukses i madh për të thënë në mënyrë artistike të vërtetën e Srebrenicës. Kjo ishte hera e dytë që një film nga Bosnia ishte nominuar për “Oscar”, pas atij të vitit 2002 “No Man Land” i cili edhe arriti të shpërblehet në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”.

Aktori shqiptar që jeton në Sarajevë, Alban Ukaj në këtë film portretizon përkthyesin me emër Tarik.

“Unë kam një rol modest, por të cilin unë e dua shumë. Luaj rolin e njërit prej dy përkthyesve, të cilin e njoh edhe personalisht e që i kanë shpëtuar gjenocidit në Srebrenicë. Ia kam lexuar dy librat që i ka shkruar dhe ka qenë përgjegjësi goxha e madhe”, pati thënë ai në një intervistë për “Express” të KOHËS me rastin e nominimeve për “Oscar”. “Quo Vadis, Aida?” ai e pati konsideruar si njërin prej projekteve më sfiduese dhe më me përgjegjësi që ka pasur ai personalisht, po edhe shumica e kolegëve që janë në film.

“Është vënë re ai tension edhe gjatë provave të leximit, por edhe gjatë provave në lokacionet autentike ku është xhiruar. Nuk është vetëm një film, është pak përtej filmit. Është një homazh për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës”, pati thënë ai.

Sipas tij, filmi është edhe një thirrje për përgjegjshmërinë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka bërë një lëshim të pafalshëm kur bëhet fjalë për gjenocidin e Srebrenicës.