Kulturë

Elbenita Kajtazi - soliste në festivalin ku debutoi si artiste e re

Në festivalin ku ishte paraqitur si një artiste e re e kishte marrë pjesë për të mësuar nga muzikantët me nam në botën operistike, Kajtazi rikthehet si soliste në vepra që mbesin në piedestal të muzikës klasike. Sopranoja shqiptare tashmë ka nisur përgatitjet për paraqitjen si soliste në uverturën “Egmont”, Op.84 të Ludwing van Beethovenit dhe në veprën “Missa in tempore belli” të Thomas Hardyt

Sopranoja Elbenita Kajtazi ka nisur përgatitjet për festivalin ku para pesë vjetëve u paraqit si artiste e re. Kajtazi tashmë nga Festivali nuk konsiderohet një soprano e re me potencial të jashtëzakonshëm. Ka marrë epitetin e sopranos së jashtëzakonshme që po lë gjurmë në skenën operistike. Është në mesin e emrave me të cilët Festivali i Salzburgut në Austri po krenohet që i ka në programin me të cilin do të shënojë shekullin e parë. Kajtazi do të ketë dy paraqitje si soprano, në uverturën “Egmont”, Op.84 të Ludwing van Beethoven dhe në veprën “Missa in tempore belli” të Thomas Hardy.

Festivali për shkak të pandemisë nuk arriti që të realizonte programin e vitit të kaluar. E, sipas njoftimit, plani është që këtë vit të shfaqen vepra të edicionit që nuk u mbajt, por edhe të tjera duke e zgjeruar festimin nga 17 korriku deri më 31 gusht.

“Të shpresojmë që ne do të mund të ndjekim ngjarjet e verës të lirë nga hija e pandemisë dhe të shënojmë shekullin e ri të Festivalit me rikthimin e vetëbesimit”, është shkruar në deklaratën e lëshuar nga Bordi i festivalit që përbëhet nga politikania Helga Rabl-Stadler, pianisti Markus Hinterhäuser dhe menaxheri kulturor Lukas Crepaz. Këtë e dëshiron edhe sopranoja Kajtazi, e cila rikthehet në atë që konsiderohet Festivali më i njohur i muzikës klasike, operistike.

Festivali sipas programit do të kthehet te ideja fillestare, si një projekt që i dedikohet paqes përmes shpirtit të arteve. Festivali përmes programit të tij nxit mendim rreth tri pyetjeve: Çfarë është festivali, cili është misioni i tij dhe çfarë mund të bëjë arti. Përgjigjet sigurisht do të zbërthehen përmes interpretimeve. Salzburgu, qyteti i lindjes së kompozitorit të famshëm Wolfgang Amadeus Mozart, do të jetë nikoqiri i Festivalit që shtrihet në gjithë qytetin, duke sjellë opera, koncerte, masterklasa dhe ngjarje të tjera me fokus muzikën klasike. Kajtazi do të ketë rol në gjithë këtë. I është përveshur punës për të studiuar veprat të cilat do t’i interpretojë.

“Është një privilegj i madh dhe kënaqësi e madhe pasi që është një ëndërr që po më rirealizohet”, ka thënë ajo për KOHËN.

Para pesë vjetëve Kajtazi ishte pjesëmarrëse nëpër masterklasat që mbaheshin në kuadër të Festivalit. E po ashtu, për herë të parë u ngjit në skenë përkrah tenorit me nam Placido Domingon. Pati rolin e Crobyle në operën “Thias” të kompozitorit të periudhës së romantizmit Jules Massenet. Për paraqitjen e saj, Kajtazi mori komente pozitive edhe nga shumë kritikë të muzikës klasike. Qe një shtytje e madhe për të sukseset që erdhën me pas nga Kajtazi. Pas dy vjetëve arriti në gjysmëfinale të garës së njohur “OPERALIA”, themeluar në vitin 1993 nga vetë Placido Domingo për të promovuar dhe ndihmuar talentet e reja në botën e operës.

“Një eksperiencë e jashtëzakonshme ku për tre muaj çdo ditë kam mësuar diçka të re dhe kemi shikuar të gjitha shfaqjet, dhe ishte një mësim shumë i rëndësishëm”, ka thënë Kajtazi.

E këtë vit koncertet ku do të performojë Kajtazi janë shënjuar në kalendar për muajin korrik. Bëhet fjalë për kompozimin e realizuar gjatë Luftërave Napoleonike, uverturën “Egmont”, Op.84 nga kompozitori gjerman Ludwing van Beethoven me nëntë pjesë, për sopranon shqiptare, narratorin dhe orkestrën simfonike. Në të Beethoveni kishte shfaqur zemërimin e tij për vendimin e Napoleon Bonapartes për të kurorëzuar veten perandor. Uvertura u bë një himn jozyrtar për revolucionin hungarez të vitit 1956.

Në anën tjetër “Missa in tempore belli” e kompozitorit anglez Thomas Hardy njihet edhe si “Paukenmesse”, për shkak të përdorimit dramatik të tupanëve. Është një nga 14 veprat e tij më të njohura me prapavijë meshë. Edhe këtu Kajtazi është në rolin e sopranos. Solistët e veprës (soprano, alto, tenor dhe bass) shpesh paraqiten si një ansambël ku mungojnë ariet.

“Ka një dallim të madh, atëherë isha një artiste e re dhe pa eksperiencë në këtë drejtim dhe kam shkuar që të mësoj nga artistët e mëdhenj të cilët merrnin pjesë, ndërsa këtë herë jam pjesë e atyre artistëve, jam një prej atyre artistëve”, ka thënë Kajtazi me krenari kur e ka krahasuar pjesëmarrjen e parë me ftesën e sivjetme. Ka arsye për këtë. Rrugëtimi i saj ka qenë i suksesshëm dhe pa dyshim që ajo kthehet si një artiste e plotësuar dhe jo si një artiste e re që merr pjesë në masterklasa për të mësuar.

Kajtazi është këngëtarja e vetme lirike shqiptare që është bërë pjesë e këtij festivali. Deri tani, përveç saj, pjesë e këtij festivali ishte edhe violinisti Shkëlzen Doli si anëtar i Filharmonisë së Vjenës.