Kulturë

Ekspozita e Galerisë – alarm për veprat, thirrje për statusin e artistit

Descriptive Text

Galeria Kombëtare e Kosovës, në Ditën Botërore të Artit, ka ekspozuar 20 vepra nga koleksioni i saj prej mbi një mijë sosh e këtë e ka bërë me thirrjen për nevojën urgjente të restaurimit të tyre. Gjendja e fondit është cilësuar e mjerueshme. Në ekspozitën në të cilën ka marrë pjesë edhe ministri i Kulturës Hajrulla Çeku, është shtruar edhe kërkesa për statusin e artistit me një ligj të veçantë

Derisa në katin e parë, qysh nga fundi i dhjetorit vazhdojnë të qëndrojnë të ekspozuara 36 grafika të artistëve me nam, vepra të fondit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, edhe njëzet të tjera janë nxjerrë nga koleksioni i këtij institucioni që prej janarit numëron mbi një mijë.

Të enjten, ato kanë zënë vend në katin e dytë të GKK-së. Nëpërmjet tyre vjen një kapitull i krijimtarisë së pionierëve të artit pamor shqiptar. 15 prilli që në të gjithë botën shënohet si Dita Botërore e Artit, është shënuar edhe në Kosovë me iniciativën e Këshillit Drejtues të Galerisë Kombëtare të Kosovës së bashku me Asociacionin e Artistëve Vizualë të Kosovës. Me këtë shkas, është bërë edhe thirrja për një përfshirje më të gjerë të artit vendor në arenën ndërkombëtare. E për këtë organizatorët e ekspozitës kanë pasur edhe disa kërkesa që lidhen me pasurimin dhe ruajtjen e fondit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, si dhe hartimin e ligjit për statusin e artistit në Kosovë.

“Gjendja e fondit është e mjerueshme, nëse nuk e restaurojmë. Ne e kemi një plan të cilin do t’ia dhurojmë ministrit për ta shpëtuar fondin”, ka thënë piktorja Zake Prelvukaj, kryetare e Këshillit Drejtues të GKK-së, teksa ia ka prezantuar veprat e ekspozitës ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Në veprat e ekspozuara takohen teknika e stile të ndryshme të disa prej artistëve më me nam, të cilat pasurojnë fondin prej një mijë veprash të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Ani pse ekspozita nuk ka qenë e njoftuar për publikun e gjerë, ata që ia kanë mësyrë gjatë së enjtes Galerisë, kanë pasur mundësi të shohin veprat e artistëve Tahir Emra, Engjëll Berisha, Rexhep Ferri, Ibrahim Kodra, Xhevdet Xhafa, Omer Kaleshi, Nebi Muriqi, Muslim Mulliqi e Hamdi Bardhi. Punimet artistike të pionierëve të artit pamor janë shikuar nga një numër i vogël i njerëzve në ngjarjen e cila nuk ka zgjatur më shumë se gjysmë ore. Por, organizatorët e kanë vlerësuar si një shënim simbolik të kësaj dite që vlerësohet e veçantë edhe për komunitetin artistik në Kosovë. Ata tutje kanë thënë se kjo ngjarje është shënuar edhe duke parë nevojën e integrimit dhe të përfaqësimit të artistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.

{gallery}

Në veprat e ekspozuara takohen teknika e stile të ndryshme të disa prej artistëve më me nam shqiptarë, të cilat pasurojnë fondin prej një mijë veprash të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Kamuran Goranci, udhëheqës i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës, ka bërë thirrje për hartimin e ligjit për statusin e artistit në Kosovë


Lidhur me këtë kanë theksuar nevojën për anëtarësimin në asociacione dhe shoqata në mbarë botën nën ombrellën e UNESCO-s.

Kamuran Goranci, udhëheqës i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës, ka bërë thirrje për hartimin e ligjit për statusin e artistit në Kosovë.

“Arti është fuqia më e madhe që i bashkon njerëzit në këso krizash që janë më sfiduese për të gjithë botën, prandaj ne si Asociacion i Artistëve Vizualë të Kosovës përpiqemi që edhe artistët e Kosovës të kenë pjesëmarrjen në organizata dhe shoqata ndërkombëtare të artit por ne si hap të parë duhet sa më parë të krijojmë një ligj për statusin e artistit të pavarur, ashtu siç e kanë të gjitha vendet e zhvilluara të Evropës”, është shprehur Goranci.

Ka thënë se fuqia e artit gjatë pandemisë është bërë më e pranishme se kurdoherë dhe ky organizim në këtë ditë vjen edhe si homazh për rezistencën e artistëve gjatë pandemisë. Mbyllja e muzeve, teatrove, galerive, sallave të filmit dhe koncerteve, si dhe anulimi i shumë aktiviteteve, sipas tij, i kanë zhytur institucionet kulturore në pasiguri.

“Përmbushja e këtyre sfidave për mbajtjen gjallë të artit, tani edhe për të ardhmen, mund të bëhet vetëm përmes politikave kulturore të gjëra për t’i ndihmuar komunitet krijuese që t’i kapërcejnë krizat dhe të mbrojnë dhe përmirësojnë statusin e artistëve”, ka thënë Goranci.

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, në vizitën e tij të parë si ministër në Galerinë Kombëtare të Kosovës ka thënë se do të krijojnë një model më të avancuar të dialogut dhe të realizimit të punëve të përbashkëta.

“Jam i bindur që të gjitha sfidat do t’i kalojmë bashkë, jo sepse ka ndërruar titullari i një institucioni, por sepse është krijuar një hapësirë për t’i kanalizuar të gjitha gjërat e mira që ekzistojnë në këtë sektor. Jemi të lumtur që edhe ne si Kosovë jemi pjesë e kësaj ngjarjeje me synimin që nga kjo ngjarje të vazhdojmë edhe me hapa të tjerë të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e artit”, ka thënë Çeku.

Sipas tij, duke ekspozuar thesarin e vet, GKK-ja me këtë ngjarje simbolike i është bashkuar shënimit të kësaj dite në mbarë botën.

Por, sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, Naim Spahiu, është e rëndësishme që të thellohet bashkëpunimi në mënyrë që artit kosovar t’i shtrohet rruga që të ketë një trajtim të njëjtë me vendet evropiane.

“Ne nëse duam të dalim në arenën ndërkombëtare, ne i kemi disa kritere që duhet t’i realizojmë ato. Statuti i artistëve është shumë i rëndësishëm. Ne bashkërisht me Ministrinë, Asociacionin dhe Këshillin Drejtues do të mundohemi që t’i shtyjmë këto gjëra përpara që artistët ta kenë një lloj komoditeti që fillimisht ta kenë një ombrellë në vendin e vet që më pas të dalin jashtë, pse jo dhe në UNESCO”, ka thënë Spahiu. Pavarësisht që ky institucion kulturor nuk ka sjellë asnjë aktivitet përgjatë këtij viti, ai ka thënë se po përgatiten që së shpejti ta prezantojnë ekspozitën “Synime”.

Sipas kritikut të artit, Shkëlzen Maliqi, fondi i GKK-së në vitet 1979-1991 është pasuruar sistematikisht me fonde të konsiderueshme, kurse më pastaj shënon ulje, me ndërprerje dhe ngecje të konsiderueshme, kështu që nuk është koleksion reprezentues për artin e pasluftës.

“Tani që GKK-ja ka hyrë në decenien e pestë të rrugëtimit si institucion i rëndësisë së veçantë kulturore, është e domosdoshme që të vetëdijesohemi për këtë diskrepancë frapante për të marrë mësime nga periudha entuziaste, në mënyrë që boshllëqet e koleksionit të plotësohen edhe me vepra të artit të periudhës së paraluftës, e sidomos të pasluftës”, kishte shkruar Maliqi në katalogun e ekspozitës “Koleksioni i grafikës”.

Fondi prej rreth mijë veprash i Galerisë Kombëtare të Kosovës, në janarin e këtij viti u pasurua edhe me 125 veprat që u bartën prej hotelit “Grand”, duke finalizuar kështu një proces gjashtëvjeçar.

Disa herë udhëheqësit e GKK-së kanë alarmuar se s’kanë kushte për ruajtjen jo vetëm të atyre që morën në fillimvit, por të krejt fondit që u krijua prej se u hap ky institucion më 1979. Ish-strehimorja në “Breg të Diellit”, ku kanë nisur punimet për adaptim në maj të vitit të kaluar e që më pas t’i jepet në shfrytëzim GKK-së, ishte përmendur si opsion, por aty nuk ka vend për ekspozim as për 40 vepra. Ndërsa ideja për muze të artit bashkëkohor tash e më shumë se 15 vjet është vetëm premtim.

Asociacioni Ndërkombëtar i Artit së bashku me UNESCO-n themeluan Ditën Botërore të Artit, dhe për të shënuar atë zgjodhën 15 prillin, për nder të ditëlindjes së Leonardo da Vinçit.