Kulturë

Rita Ora si shqiptare në Ferizaj – promovim i traditës dhe gruas së fortë

Descriptive Text

Nderimi i Rita Orës për sukseset e saj – duke e paraqitur një Ritë të suksesshme, një bukuri femërore shqiptare dhe bukuri tradicionale – ka qenë synimi i pesëshes së artisteve për muralin që u finalizua për dy ditë në qendër të Ferizajt. Vetë këngëtarja e njohur të enjten ka mbetur pa fjalë për veprën dedikuar asaj, në të cilën paraqitet me veshje që thurin elemente tradicionale shqiptare

Vepra e pesë artisteve nga Kosova e kanë lënë pa fjalë Rita Orën. E krejt puna është kryer vetëm për dy ditë. Imazhi i Orës me veshje që thurin elemente tradicionale shqiptare – shkëputur nga kënga e fundit “Bang” – ka rrokur vëmendje të madhe, pasi këngëtarja ka shpërndarë fotografi të muralit të punuar nga Lebibe Topalli, Pranvera Sylejmani, Rrezarta Halili, Rema Salihu dhe Emina Deda, në murin anësor të një ndërtese fare pranë qendrës së qytetit të Ferizaj.

Rita Ora e ka shpërndarë në llogarinë e saj në Instagram një fotografi të muralit, duke thënë se e ka lënë gojëhapur. Artistet e “Mural Festit” kanë zgjedhur qëllimshëm lokacionin, ku ndodhen dy kafene me emra e stil britanik. Më fort i ka shtyrë mesazhi që ka përçuar Ora për kulturën shqiptare në videoklipin e fundit.

“Murali është përfunduar në kohë rekord – për dy ditë punë intensive. Mendoj se është bërë një punë e jashtëzakonshme për këtë afat kohor, duke pasur parasysh që veshjet kishin shumë detaje. Megjithatë, puna është bërë me kënaqësi të madhe”, ka thënë Halili në një intervistë elektronike për KOHËN. “Sa i përket mesazhit, mendoj se vetë Rita është ajo që na ka bërë të ndihemi krenarë, duke përfaqësuar një femër të fortë, që ia doli t’i arrijë majat e suksesit, dhe e dyta që të japim mesazhin tonë si femra se nuk është aspak sfidë që ne të punojmë në skele, në këtë kohë kur po ballafaqohemi me debate të ashpra sa i përket barazisë gjinore”.

Image
Imazhi i Orës me veshje që thurin elemente tradicionale shqiptare – shkëputur nga kënga e fundit “Bang” – ka rrokur vëmendje të madhe (Foto: “Mural Fest”/ FB)

Në faqen zyrtare të “Mural Festit” – që përbëhet nga rreth 95 për qind gra të gjeneratave të ndryshme – është thënë se përderisa viteve të fundit është ngritur përfaqësimi i grave në hapësira publike dhe biznese, “’Mural Fest’ vazhdimisht angazhohet dhe kontribuon në këtë aspekt, gjithmonë përmes aktiviteteve artistike”.

“Prej vitesh është shpallur lufta për barazi gjinore dhe vajzat e gratë po triumfojnë dukshëm në çdo sferë. Rita Ora, përveçse ka dëshmuar veten në fushën e muzikës me suksese të shumta, ajo së fundi, përmes projekteve të saj, ka risjellë në pah edhe artin tradicional që po shkon drejt harresës”, shtohet në faqen zyrtare të “Mural Festit”, që synon ta transformojë Ferizajn në “Qytet të Muraleve”.

Lindita Nuli–Grajçevci ka komentuar në Facebook poshtë fotografive të muralit: “Wow, respekt, me u tregu do arrogantëve se gruaja e ka vendin ku ajo do....”.

“Ju lumtë! Po, kjo është mrekulli. Vazhdoni ta zbukuroni qytetin me njerëz që kanë vlerë. Një bravo e madhe për të gjithë”, ka shkruar Nora Shaqiri.

Topalli ka thënë se nëpërmjet artit kanë dashur ta nderojnë Rita Orën për promovimin e vlerave dhe kulturës shqiptare në botë.

“Ne, grupi i pesë artisteve të qytetit, kemi dashur ta nderojmë Ritën për sukseset e saj, duke e paraqitur një Ritë të suksesshme, një bukuri femërore shqiptare dhe bukuri tradicionale”, ka thënë Topalli.

Në shkrimin shoqëruar poshtë fotografive në Facebook thuhet se ndërthurja e bashkëkohores me tradicionalen ndihmon në ripërtëritjen e kësaj fushe artistike dhe se “kjo patjetër ndihmon që të njihen edhe vlerat dhe kontributi që gratë kanë dhënë në fushën e artit, përmes kultivimit të artit në tekstil dhe punëdore të tjera”.

“Rita në këtë rast po ndihmon edhe në ngritjen e vetëdijes dhe ‘Mural Fest’, përveçqë kishte për qëllim të nderojë atë me këtë mural, shfrytëzon figurën e saj për të shpërndarë këtë mesazh”, thuhet në njoftim.

Image
Murali është përfunduar në kohë rekord – për dy ditë punë intensive (Foto: “Mural Fest”/ FB)

Topalli, drejtoreshë ekzekutive e “Mural Festit”, ka thënë se puna e madhe prej dy ditësh për ta kryer veprën është kryer me “vullnet e dashuri”.

“E rëndë ndoshta në fillim, sidomos derisa vendosëm përfundimisht me punu një figurë si Rita, sepse çdo portret ta punosh është përgjegjësi, e lëre më në një hapësirë të madhe një figurë si Rita”, ka thënë ajo.

Artistet ferizajase planifikuan që vepra të përfundohej për Ditën e Gruas, porse u detyruan ta shtynin realizimin për shkak të motit të lig. “Ne e kemi pasur idenë shumë më parë. Tendenca e fundit qe 8 Marsi, por shkaku i motit dështoi dhe i erdhi momenti në këtë kohë. Unë dua t’i falënderoj çikat pjesëmarrëse, që u bashkëngjitën vullnetarisht në projekt”.

Por, Fatlum Rexhepi i është kthyer në Facebook debatit për origjinalitetin e veshjeve të Rita Orës në spotin e këngës së xhiruar në Bullgari. “Me veshje bullgare a?!! Nuk e di e kujt ke kjo ide palidhje, ma mirë me pas pikturue cullak se me këto veshje”, ka shkruar ai.

Topalli së pari kujton se si vetë Rita Ora na e uroi në Instagram në shqip e anglisht përvjetorin e pavarësisë më 17 shkurt, duke e shoqëruar postimin me fotografi me veshje të disenjatorit Valdrin Sahiti.

“Sa i përket veshjes, vetë Rita ka deklaruar se është veshje shqiptare, ani pse spoti është realizuar në Bullgari. Ndoshta për këtë gjë ka pasur lajthitje apo mendime të ndryshme”, ka thënë Topalli. “Ose besoj se jemi në dijeni të gjithë se ndikimet në kulturat ballkanase kanë reflektuar gjithmonë te njëra-tjetra”.