Kulturë

Tenori nga Kosova – Don Ottavio në Hamburg

Universiteti i Arteve dhe Muzikës në Hamburg po bën përgatitjet e fundit për premierën e “Don Giovannit”, e rolin e Don Ottavios ia ka besuar Granit Musliut. “Shfaqja e kësaj opere për mua ka një rol shumë të rëndësishëm për faktin se gjatë kësaj kohe shumica e teatrove në botë janë të mbyllura, prandaj ndihem shumë me fat të jem pjesë e kësaj shfaqjeje dhe të performoj përsëri, ndonëse pa publik”, ka thënë Musliu për KOHËN

Don Giovanni është në shtëpinë e komandantit me synimet që ta bëjë për vete vajzën e tij, Donna Anna. Ajo mundohet që t’ia heqë maskën gjersa thërret për ndihmë. Giovanni duke ikur takohet me komandantin me të cilin nis dyluftimin. Kur Donna Anna e sheh të atin e vrarë i kërkon të fejuarit të saj, Don Ottavios, që të marrë hak.

Kështu nis rrëfimi i operës “Don Giovanni” të kompozitorit austriak Wolfgang Amadeus Mozart. Opera që premierën e pati më 29 tetor të vitit 1787 në Pragë është fort e njohur edhe sot, e cilësuar si një nga operat me të mira të Mozartit dhe ka qenë një burim studimi për shkrimtarë e filozofë të ndryshëm. Të shtunën kjo operë do të jepet edhe nga Universiteti i Arteve dhe Muzikës në Hamburg. E në rolin e Don Ottavios do të debutojë tenori nga Kosova, Granit Musliu.

Opera në këtë skenë universitare vjen si bashkëpunim midis studentëve, por edhe profesionistëve të kësaj fushe si Nataliya Bodanova (që luan Donna Annan) e angazhuar në Teatrin e Lübeckut, një ndër teatrot më të njohur në Gjermani, ku ka performuar edhe tenori nga Kosova, Ramë Lahaj. Koncerti do të mbahet në sallën e Universitetit të Hamburgut dhe do të transmetohet live në uebfaqen e Universitetit këtë të shtunë.

Tenori i ri nga Kosova, i cili po ndjek studimet në Degën e Këndimit, në Universitetin Shtetëror të Muzikës në Hamburg, ka thënë se ftesa për të kënduar këtë rol ka ardhur nga dirigjenti Ulrich Windfuhr, i cili është po ashtu profesor i dirigjimit në Universitetin e Arteve dhe Muzikës në Hamburg.

“Shfaqja e kësaj opere për mua ka një rol shumë të rëndësishëm, për faktin se gjatë kësaj kohe shumica e teatrove në botë janë të mbyllura, prandaj ndihem shumë me fat të jem pjesë e kësaj shfaqjeje dhe të performoj përsëri, ndonëse pa publik”, ka thënë ai.

Ka treguar se ai po vijon studimet në Hamburg, në klasën e baritonit Geert Smits me të cilin ka punuar edhe rolin e Don Ottavios, në konsultime po ashtu edhe me profesoreshën e tij, Caroline Merz.

Musliu, i cili ka ditë që ka filluar përgatitjet për këtë koncert, ka thënë se kjo performancë ka rëndësi të për të.

“Veçanërisht në zhvillimin tim artistik, sepse ka kërkesa të mëdha teknike dhe muzikore, të cilat natyrisht se janë edhe sfida të mëdha për mua si tenor, por të cilat i kam punuar me dy profesorët e lartcekur”, ka thënë ai.

Në janar të vitit të kaluar Musliu qe në mesin e studentëve më të mirë. Në garën e këndimit “Mozart Preis”, nga 15 studentë sa ishin në garë, zuri vendin e dytë. U prezantua me tri arie të njohura të kompozitorit austriak Wolfgang Amadeus Mozart, “Cosi Fan Tutte”, “Die Zauberflöte”, “Don Giovanni” e me këngën gjermane “An Chloe”, po ashtu nga Mozarti. Në këtë garë u vlerësuan nga profesorët e Universitetit, përfaqësues nga Shtëpia Shtetërore e Operës së Hamburgut, por edhe nga profesionistë të tjerë të kësaj fushe, të cilët ishin ftuar nga Universiteti për të bërë vlerësimet.

E në muajin dhjetor të vitit të 2019-s tenori Musliu ishte solist në “Meshën në C mol” të Mozartit në koncertin që u mbajt në kishën “St. Philippus Kirchengemeinde” në Hannover të Gjermanisë. Pjesëmarrja në këtë koncert kishte ardhur si rezultat i rekomandimeve që kishin bërë profesorët. Aftësitë e tij në këndim patën shtyrë profesorët që ta vënë Musliun në kontakt me dirigjentin Jan Behnken, i cili e pati ftuar që të këndonte si solist në koncertin e 8 dhjetorit të atij viti. Në koncertin e titulluar “Musik die gut tut”, Musliu këndoi përkrah dy sopranove gjermane, Cornelia Samuelis dhe Mine Yücel, si dhe Mathis Koch (bas).

Granit Musliu u lind në Mitrovicë, në vitin 1998. Shkollën fillore dhe të mesmen i ka përfunduar në vendlindje dhe pastaj ka studiuar solokëndim në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Musliu, po ashtu, është anëtar i rregullt i Filarmonisë së Kosovës që nga viti 2016. Në korrik të këtij viti ishte pjesë e edicionit të 20-të të festivalit “Soirées Lyriques de Sanxay”, që u mbajt në teatrin antik në Sanxay të Francës dhe solli operën “Aida” të Giuseppe Verdit. Në këtë operë Musliu pati rolin e priftit. Performoi krahas yjeve të muzikës klasike, si Elena Guseva, e cila solli Aidën e Olesya Petrova në rolin e Amnéris. Pjesë e kësaj opere ishin edhe Sophie Marin-Degor, Irakli Kakhidze, Vitaliy Bilyy In-Sung Sim, Nika Guliashvili, Luca Lombardo e të tjerë. Kjo ishte hera e dytë që ai u bë pjesë e këtij festivali pasi që kishte marrë pjesë edhe më 2018.