Kulturë

Anulohet projekti turk për “Muzeun e Hamamit të Pushtuesit” [dokument]

Vendimi nëpërmjet të cilit ishte miratuar projekti i agjencisë turke për zhvillim dhe rindërtim – TIKA për restaurimin e Hamamit të Madh në Prishtinë është anuluar. Projekti nuk do të realizohet. Ky vendim është marrë të hënën pasdite nga Komisioni i Ministrisë së Kulturës për Shqyrtimin e Ankesave kundër vendimeve të Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve.

Vendimi vjen pas ankesës që ka bërë Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në MKRS dhe gati tri javë pas nënshkrimit të memorandumit për bashkëfinancim të projektit midis Komunës së Prishtinës dhe TIKA-s turke. Sipas fotografive të publikuara nga Komuna, monumenti do të shndërrohej në “FATIH HAMAMI MÜZESİ” (Muzeu i Hamamit të Pushtuesit).

Komisioni i Ministrisë së Kulturës e ka aprovuar si të bazuar ankesës e parashtruar nga Inspektorati i trashëgimisë kulturore

“Anulohet Vendimi nr. 22/2020, i datës 23.06.2021 i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për aprovimin e projektit kryesor për konservimin/restaurimin e asetit të trashëgimisë kulturore në mbrojtje – Hamami i Madh i Prishtinës”, shkruhet në pikën e dytë të vendimit. Për këtë projekt MKRS-ja kishte pranuar edhe një ankesë tjetër të bërë nga disa profesorë të Universitetit të Prishtinës. Vendimi ka hyrë në fuqi të hënën, kur edhe është nënshkruar nga anëtarët e Komisionit dhe është protokolluar. Komisioni ka gjetur një varg shkeljesh administrative dhe profesionale në vendimin e IKMM-së dhe projektin për restaurim dhe konservim të Hamamit të Madh.

Sipas vendimit të marrë nga Komisioni në përbërje të Vjollca Aliut, kryesuese dhe anëtarëve Merita Augustini-Ndrecaj dhe Bislim Bislimi, është vërtetuar se pjesa arsyetuese e vendimit të IKMM-së nuk është e hartuar në përputhje me kërkesat e përcaktuara me Ligjin për procedurën administrative. Aty shkruhet se “udhëzuesit për Trashëgiminë Kulturore – Mjete Teknike për Mbrojtjen dhe Menaxhimin e Trashëgimisë, të punuara në vitin 2012 në kuadër të programit PCDK të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe implementuar nga Këshilli i Evropës si dhe të fuqizuara me Rregulloren (MKRS) NR. 06/2017, përmbajnë sqarime të mjaftueshme se çfarë dokumentacioni duhet të hartohet gjatë përgatitjes së një projekti të konservimit”.

“Ndërkohë, projekti i dorëzuar nga TIKA, është punuar në formë të projektit kryesor dhe në mënyrë mjaft të detajuar, megjithatë, bazuar në udhëzuesit e përmendur më lart, vërehet qartësisht se nuk janë respektuar të gjitha obligimet e përcaktuara në udhëzues dhe këto mangësi do të përshkruhen ashtu siç janë gjetur në projektin e dorëzuar dhe atë të përmbledhur...”, shkruhet në vendimin ku vetëm në arsyetim janë gjashtë faqe. Hulumtimi arkivor – bibliografik, dokumentimi grafik dhe fotografik i gjendjes aktuale, sqarimi i propozimeve, zgjidhjeve restauruese e konservuese, paramasa dhe parallogaria te pjesa që ka të bëjë vetëm me sasinë e materialeve dhe llojeve, plani dinamik dhe projekti për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen dalin të jenë mangësitë e projektit të aprovuar nga IKMM.

“Nga raporti i dorëzuar nga kompania projektuese, për pjesën e cila ka të bëjë me hulumtimin historik të ndërtesës, vërehet se projektuesi nuk është bazuar në dokumentacionin/raportet e institucioneve kompetente për Trashëgimi Kulturore në Kosovë. Në shkresat e lëndës askund nuk janë ofruar dëshmi në lidhje me gjendjen burimore të ndërtesës së Hamamit të Madh”, shkruhet në vendim. Në vendim sqarohet se lënda e dorëzuar e përmban analizën e materialeve dhe të dëmeve të gjendjes aktuale, por jo edhe vizatimet grafike të gjendjes aktuale të përcjellë me dimensione e fotodokumentacion të gjendjes reale.

“Pas shqyrtimit të projektit në tërësi, sidomos të ndërhyrjeve konservuese / restauruese të parapara nga kompania projektuese, është vërejtur që për dy pozicionet e fundit mungon arsyeshmëria e përzgjedhjes së opsionit për eliminimin e lagështisë, mungon faza e strukturës, faza e instalimeve të ujit dhe kanalizimit, si dhe faza e punëve makinerike”, shkruhet në vendim. Bile sipas Komisionit, asnjë pozicion i propozuar për konservim e restaurim nuk është shoqëruar me dëshmi përcjellëse.

“Po ashtu edhe për elementet e reja që propozohet të vendosen si në eksterier ashtu edhe në enterier, si ulëset, lavamanët, platforma nga mermeri, dyert hyrëse, oxhaku, gjysmë kati nga druri, etj., nuk ka të dhëna se ku është bazuar hartuesi për t’i rikonstruktuar”, shkruhet në vendim kur ceken mangësitë e projektit. Aty sqarohet se në bazë të Ligjit për trashëgimi kulturore përdorimi për qëllim përfitimi ekonomik apo kulturor të një aseti të trashëgimisë kulturore arkitekturore autorizohet me leje të shkruar nga IKMM në konsultim me Qendrën Rajonale përkatëse, në një procedurë të veçantë.

"Me këtë Komisioni konstaton se IKMM, duke e aprovuar shfrytëzueshmërinë në këtë mënyrë, ka vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, shkruhet në vendim. Palët kundër këtij vendimi mund të iniciojnë konflikt administrativ me padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të vendimit.

Në ditën e 24-t të marsit të sivjetmë, Komuna e Prishtinës dhe TIKA kishin nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit për bashkëfinancimin e projektit që llogaritej të kushtojë 1 milion euro. Komuna do të jepte 500 mijë euro. KOHA kishte raportuar se historianë e profesionistë të trashëgimisë kulturore kundërshtonin që Hamami të shndërrohej në “Muze të Hamamit të Pushtuesit”. Monumenti pesëshekullor do të bëhej Muze i Hamamit të një prej sulltanëve më famëkëqij osmanë. Bëhet fjalë për Mehmet Fatihun, pushtuesin e Kostandinopojës, Stambollit të sotëm dhe njëkohësisht pushtuesin e viseve të Ballkanit.

Më pas kishin reaguar edhe zyrtarët komunal. Drejtori i drejtorisë së Kulturës, Adrian Berisha kishte thënë se TIKA ka kërkuar emërtim të ri të Hamamin, por ky propozim nuk ishte pranuar. Kurse pak pas tij brenda të njëjtës ditë, kryetari Shpend Ahmeti kishte thënë se ndërrimi i emrit nuk ishte kërkuar asnjëherë. Që të dy kishin shpërndarë fotografi dhe video të projektit që e bënte monumentin muze të hamamit të një prej sulltanëve më famëkeq.

Në këtë monument të ndërtuar në shekujt XIV dhe XV gjatë viteve 2007-2009 ishte punuar hartimi i planit të konservimit dhe restaurimit – fazë kjo e financuar nga CHwB/Sida, duke angazhuar një ekip ekspertësh nga Turqia. Projekti i hartuar me ndihmën e ekspertëve turq konsiderohej se jo vetëm që nuk përkonte me vlerat autentike të monumentit, por edhe ishte një përkthim i keq prej turqishtes. Ishin shpenzuar 800 mijë euro.

Kompania “Arda Rei” kishte nisur punët restauruese. Madje, përfaqësuesit e saj gjatë përgatitjes së monumentit për restaurimin në muret e brendshme kishin zbuluar një pikturë murale me përzierje të dy ngjyrave themelore – kaltër e verdhë.

“Pas përzgjedhjes së kompanisë fituese për zbatimin e këtij projekti është parë që kjo kompani nuk ka asnjë përvojë në punë konservuese/restauruese”, thuhej në një raport të datës 12 dhjetor të 2013-s të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. Komisioni i monitorimit përbëhej prej institucioneve qendrore dhe komunale të kulturës, si dhe nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës.

Hamamit të Prishtinës autenticitetin ia humbi krejtësisht me ndërhyrjet e vrazhda kompania “Daja Rrah”, kur i betonoi muret e jashtme.

Me urdhër të ish-ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, punimet në Hamam janë ndërprerë tri herë. Për herë të fundit në mars të vitit 2013, dhe nuk kanë rinisur më. Gjendja e tanishme e këtij objekti është e rëndë. Përveç problemeve me të çara në fasadën që ia mbuloi autenticitetin, ky monument pesëshekullor ka probleme edhe në hapësirën brenda.

Në shtatorin e vitit 2012, Isa Mustafa, si kryetar i Komunës së Prishtinës, do ta vizitonte Hamamin e Madh të Prishtinës dhe do të thoshte se pas përfundimit të punimeve, objekti do të shndërrohej në muze neolitik.

“Trashëgimia kulturore pa kufij” ishte tërhequr nga projekti për restaurimin e Hamamit tre muaj pasi kishte nisur puna.

{gallery}