Kulturë

Ekspozita “Ta luftojmë harresën” hapet në sheshin e Prishtinës

Refugjatët në kampe, nëna me fëmijë në krahë nëpër male, shtëpi të rrënuara, masakra njerëzish, kolonat e stërzgjatura me njerëz, ushtarët e UÇK-së duke ndihmuar nënat shqiptare, janë vetëm disa nga pamjet që janë pasqyruar në një ekspozitë nga eksodi dhe kthimi i shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999.

Në shënimin e Ditës Botërore të Refugjatëve ekspozitën në sheshin “Nëna Terezë” e ka hapur kryetari i AAK-së dhe pretendenti për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, transmeton KP.

Haradinaj me këtë rast tha se duhet të punohet që mos të harrohet ky gjenocid.

Në hapje të ekspozitës, Haradinaj nuk ka lënë pa përmendur edhe formimin e Qeverisë për të cilën ka thënë se do të formohet në afatet e parapara.

Ekspozita me titull “Ta luftojmë harresën” është hapur nga Departamenti i Diasporës pranë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe sipas organizatorëve qëllimi i saj është që të mbetet gjithmonë në kujtesën e njerëzve gjenocidi serb ndaj popullit shqiptar.