Kulturë

“Vera andrron detin” testohet në SHBA në pritje të premierës

“Seattle International Film Festival” ka bërë të ditur emrat e kineastëve, projektet e të cilëve janë përzgjedhur për forumin “New Works-in-Progress”, që do të mbahet prej 15 dhe më 16 prill. Në mesin e dy projekteve, është edhe projekti filmik “Vera andrron detin”, nën regji të Kaltrina Krasniqit. “Jam e interesuar të shpalos një histori universale dhe shpresojmë që kjo platformë do të na ndihmojë ta bëjmë pikërisht atë”, ka thënë Krasniqi për KOHËN. Ka treguar se janë në fazën përfundimtare dhe se përzgjedhja në kuadër të këtij projekti do të thotë paketim dhe parapërgatitje për plasim në festivale dhe në tregun ndërkombëtar

Për regjisoren Kaltrina Krasniqi, filmi “Vera andrron detin” është goxha profesional, pasi që nëpërmjet tij ka mësuar shumë për të ëmën, sfidat e saj, por edhe të grave të tjera në gjithë botën në synimet e tyre për pavarësi ekonomike. Së fundi, projekti i saj filmik është bërë pjesë e dyshes së përzgjedhur për forumin “New Works-in-Progress” të “Seattle International Film Festival” (SIFF). Sivjet, forumi është shkurtuar nga katër projekte në vetëm dy, ndërsa SIFF u anulua vitin e kaluar për shkak të pandemisë. Sesionet që do të mbahen në formë virutale do të zhvillohen prej 8 deri më 18 prill.

Regjisorja Krasniqi ka thënë se “Vera andrron detin” është në fazat e fundit të procesit dhe se tani kanë nevojë për distribuim dhe shitje. Shpreson se në këto dy aspekte do ta ndihmojë edhe selektimi në këtë forum, mentorët e të cilit pritet që të bëhen të ditur së shpejti.

“Vera andrron detin” shpalos një rrëfim më Kosovën bashkëkohore. Një grua 64-vjeçare, interpretuese e gjuhës së shenjave, duhet ta sfidojë burrin e saj patriarkal për ta mbrojtur vajzën e tyre të cilën ai e ka zhbirësuar. Vera është e martuar me Fatmirin, një gjyqtar i pensionuar, në një martesë ku ai kontrollon gjithçka dhe ajo asnjëherë nuk e vë në pyetje autoritetin e tij.

Megjithatë, gjithçka ndryshon kur Fatmiri vendos ta ndajë trashëgiminë, në të cilën nuk e përfshin as gruan e as vajzën që e kanë rritur. Ky është projekti debutues për Doruntina Bashën si skenariste dhe Kaltrina Krasniqin si regjisore në film të metrazhit të gjatë. Për këtë projekt, me producent Shkumbin Istrefin, Qendra Kinematografike e Kosovës i ka ndarë 130 mijë euro me konkursin e vitit të 2015.

“Seattle International Film Festival” mbahet çdo vit në Washington që nga viti 1976. Përveç filmit kosovar, pjesë e forumit “New Works-in-Progress” është edhe dokumentari “Walk by Me” (i njohur më herët me titullin “Trans*Formed”) nën regji të Lisa Leeman. Dokumentari tregon për takimin e regjisores me animatoren Gabi P. dhe rrëfimi endet midis të kaluarës dhe të tashmes duke eksploruar moshën, artin, qëndrueshmërinë, besimin, filmbërjen dhe kufijtë e paqartë për të realizuar një dokumentar.

Anëtarëve të forumit “New Works-in-Progress” do t’u kërkohet që të nënshkruajnë një marrëveshje, në mënyrë që diskutimi të mbetet një hapësirë konfidenciale për kineastët gjatë procesit krijues.

Sa i përket përzgjedhjes, regjisorja Kaltrina Krasniqi ka thënë se "Vera andrron detin” është një projekt në të cilin është duke punuar që prej vitit 2014.

“Jam e interesuar të shpalos një histori universale dhe shpresojmë që kjo platformë do të na ndihmojë ta bëjmë pikërisht atë”, ka thënë ajo. Ka treguar se janë në fazën përfundimtare dhe se përzgjedhja në kuadër të këtij projekti do të thotë paketim dhe parapërgatitje për plasim në festivale dhe në tregun ndërkombëtar.

“Përzgjedhja e projektit tonë në këtë kategori, sidomos duke pasur parasysh konkurrencën e madhe, do të thotë se rrëfimi i filmit rezonon me audienca globale dhe ka të ardhme në festivale dhe platforma të tjera”, ka thënë ajo. Sipas saj, pas gjashtë vjetësh punë intensive, ky është një hap me shumë rëndësi dhe po ashtu hapi i fundit para premierës që do të jepet në pjesën e dytë të këtij viti.

Drejtoresha artistike i SIFF-së, Beth Barrett, në një komunikatë për media ka thënë se janë të entuziazmuar që Forumi po kthehet këtë vit.

“Të jesh në gjendje të mbështesësh këta kineastë të talentuar në këtë kryqëzim të rëndësishëm të projekteve të tyre është një nder. Thellësia e angazhimit dhe diskutimit është unike, dhe audiencat tona të SIFF vlerësojnë që janë në gjendje të marrin pjesë në hartimin e së ardhmes së këtyre filmave”, ka thënë ajo. Sidoqoftë ka thekuar se kjo përvojë virutale nuk është e njëjtë sikur pjesëmarrja fizike por shpresojnë që të marrin sa më shumë dialog në mes të filmbërëve, mentorëve dhe audiencës.

“Mbi të gjitha këto janë rrëfime universale për një audiencë universale”, ka thënë ajo.

Në kuadër të forumit “New Works-in-Progress” më herët pjesëmarrës ka qenë drama “Retablo” (Peru-Gjermani-Norvegji) e Alvaro Delgado Aparicio që u shfaq në vitin 2018 në Berlin e SIFF, pastaj “Lina from Lima” (Kili-Peru-Argjentinë) e María Paz González që në vitin 2019 u shfaq në Toronto dhe Goteborg dhe dokumentari amerikan “The Silk And The Flame” i Jordan Schiele, i cili u shfaq më 2018 në Berlin dhe “Hot Docs”.