Kulturë

Çështja e Hamamit të Madh aktivizon Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore

Projekti me të cilin Hamami i Madh i Prishtinës me një milion euro të Kosovës e të Turqisë rrezikoi të shndërrohej në Muze të Hamamit të Pushtuesit, ka gjasë të bie në ujë, nëse kësisoj vendos organi i Ministrisë së Kulturës. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka vendosur që ta shqyrtojë gjithë lëndën, pasi ka vërejtur disa parregullsi e do të “ankohet ndaj vendimit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve”. Krejt këtë rast Komuna e Prishtinës e zbërtheu si gabim teknik ka shpalosur letra e dokumente

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka vendosur që të mos qëndrojë duarkryq në raport me zhvillimet e fundit sa i përket projektit për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës. Ky organ në kuadër të Ministrisë së Kulturës ka vendosur që ta shqyrtojë gjithë lëndën. Deri te ky vendim ka ardhur, pasi sipas fotografive të publikuara nga Komuna e Prishtinës, synohej që monumenti pesëshekullor të shndërrohej në muze të hamamit të një prej sulltanëve më famëkeq të Perandorisë Osmane.

Të mërkurën e javës së kaluar, Komuna e Prishtinës dhe agjencia qeveritare turke për zhvillim dhe rindërtim – “TIKA” kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për bashkëfinancim të restaurimit të Hamamit të Madh. Në fotografitë e publikuara nga vetë Komuna shihej se monumenti do të shndërrohej në “FATIH HAMAMI MÜZESİ”. Do të ishte “Muzeu i Hamamit të Pushtuesit”. Epitetin pushtues, sulltan Mehmeti i Dytë e kishte marrë pasi kishte pushtuar Konstandinopojën, Stambollin e sotëm. Reagimet ndaj këtij projekti ishin të shpejta dhe të forta. Projekti u pa si tentim për t’i ngritur muze “gjakpirësit më të madh të popullit shqiptar”, siç vlerësoi arkeologu, Haxhi Mehmetaj.

Por, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i ka kërkuar Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve lëndën për restaurimin e objektit të ndërtuar në shekujt XIV dhe XV.

“Ne jemi duke e shqyrtuar këtë lëndë. Kemi vërejtur disa parregullsi. Siç është duke shkuar shqyrtimi, ndaj vendimit të IKMM-së do të ankohemi në shkallën e dytë, pra në Komisionin e Ministrisë së Kulturës”, ka thënë Imer Hakaj, drejtor i Inspektoratit.

Të hënën drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i ka përcjellë KOHË-s, vendimin me të cilin është miratuar projekti i restaurimit.

“Aprovohet projekti kryesor i restaurimit të Hamamit të Madh në Prishtinë”, shkruhet në pikën e parë të vendimit të nxjerrë në ditën e 26-të të qershorit të vitt 2020. Hajrullahu nuk ia ka përcjellë KOHË-s edhe projektin.

“Projektin e kam të pamundur t’jua bashkëngjes, pasi është shumë voluminoz”, ka thënë ai nëpërmjet postës elektronike.

KOHA të hënën ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës në kopje të memorandumit me TIKA-n. Njëkohësisht, janë kërkuar edhe disa sqarime nga TIKA. Deri të hënën vonë nuk janë përgjigjur. E ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka kërkuar kohë që ta bëjë të ditur qëndrimin e MKRS-së.

Vetë komunarët kanë dalë me qëndrime të ndryshme në lidhje me projektin.

Gabim në prezantimin e videos e keqkuptim, e kishte quajtur Komuna e Prishtinës tentativën që me projektin restaurues të Hamamit të Madh Prishtinës – hartuar e projektuar nga agjencia turke TIKA – monumenti të bëhej “FATIH HAMAMI MÜZESİ” (Muzeu i Hamamit të Pushtuesit). Qeveria lokale, ka dalë me sqarim të premten pasdite, dy ditë pasi KOHA raportoi për projektin që e tjetërsonte monumentin edhe në emër, e që nxiti reagimin e menjëhershëm të historianëve e opinionit publik.

“Krejt ky keqkuptim i opinionit publik ka ndodhur shkaku që ne, me gabimin tonë, kemi përdorur një video të vjetër prezantimi të restaurimit të projektit”, kishte shkruar Adrian Berisha, drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës. Tjetër qasje kishte pasur të mërkurën e kaluar kur midis TIKA-s dhe Komunës qe nënshkruar memorandum i bashkëpunimit, me të cilin qenë dakorduar për projektin njëmilionësh. Vetë Berisha e kishte shpërndarë foton e videon ku në ballë të monumentit shihej edhe mbishkrimi “FATIH HAMAMI MÜZESİ”. Me pohim i ishte përgjigjur edhe pyetjes në rrjete sociale nëse mbishkrimi do të ishte edhe në shqip e që i bie “Muzeu i Hamamit të Pushtuesit”.

Në sqarim kishte ndërruar qasje, por tërthorazi e kishte zbardhur se TIKA ka synuar që Hamamit t’ia ndërrojë emrin.

“TIKA ka bërë kërkesë për restaurim të objektit dhe në këtë kërkesë kanë paraqitur edhe idenë e ndryshimit të emrit të Hamamit të Madh të Prishtinës; Kërkesa për restaurim është aprovuar, por kërkesa për ndryshim të emrit është refuzuar nga Instituti Kosovar për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) duke u thirrur në faktin se nuk mund t’i ndryshohet emri një objekti kaq të rëndësishëm”, kishte shkruar ai teksa ishte zotuar: “Pra, Hamamit do t’i mbetet emri ashtu siç e ka: Hamami i Madh i Prishtinës”.

Krejt në hyrje të sqarimit të tij, Berisha kishte përshkruar gjendjen e Hamamit teksa kishte kërkuar përgjegjësi.

“Në këtë gjendje Hamami ka ardhë si pasojë e intervenimit në periudhën e vitit 2009-2012. U mbetet institucioneve përkatëse për me e zbulu se kush e ka fajin për këtë gjë”, ka shkruar ai.

Po atë ditë në mbrëmje, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte reaguar dy orë pas Berishës. Por, në sqarimin e tij kishte demantuar zyrtarin e vet. Përderisa drejtori i Kulturës, Adrian Berisha – duke e përmendur katër herë kërkesën – e pranoi se ka pasur kërkesë të TIKA-s që Hamamit t’i ndryshohet emri, ndryshe kishte shkruar shefi i tij.

“Nuk kanë kërkuar e as që kërkojnë që Hamami të jetë Muze e as që të quhet në një mënyrë apo tjetrën. Nuk do të jetë as Muze i Sulltanit e as Muze i dikujt tjetër. As që është diskutuar ndonjëherë”, kishte shkruar ai.

Ka qenë vetë qeveria lokale e cila qysh më 2007, ia dha teposhtën këtij projekti. Një prej fajtorëve të shkatërrimit në emër të restaurimit për të cilin u shpenzuan 800 mijë euro është edhe vetë Komuna, e cila asokohe krye më vete e nisi projektin. Qeveria aktuale me kryetar Shpend Ahmetin, deri më tash nuk bëri asnjë hap për këtë monument.

Në Hamamin e Madh të Prishtinës të ndërtuar në shekujt XIV dhe XV, gjatë viteve 2007-2009 ishte punuar hartimi i planit të konservimit dhe restaurimit – fazë kjo e financuar nga CHwB/Sida, duke angazhuar një ekip ekspertësh nga Turqia. Projekti i hartuar me ndihmën e ekspertëve turq konsiderohej se jo vetëm që nuk përkonte me vlerat autentike të monumentit, por edhe ishte një përkthim i keq prej turqishtes.

Kompania “Arda Rei” kishte nisur punët restauruese. Madje, përfaqësuesit e saj gjatë përgatitjes së monumentit për restaurimin në muret e brendshme kishin zbuluar një pikturë murale me përzierje të dy ngjyrave themelore – kaltër e verdhë.

“Pas përzgjedhjes së kompanisë fituese për zbatimin e këtij projekti është parë që kjo kompani nuk ka asnjë përvojë në punë konservuese/restauruese”, thuhej në një raport të datës 12 dhjetor të 2013-s të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. Komisioni i monitorimit përbëhej prej institucioneve qendrore dhe atyre komunale të kulturës, si dhe nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës.

Hamamit të Prishtinës autenticitetin ia humbi krejtësisht me ndërhyrjet e vrazhda kompania “Daja Rrah”, kur i betonoi muret e jashtme.

Në shtatorin e vitit 2012, Isa Mustafa, si kryetar i Komunës së Prishtinës, do ta vizitonte Hamamin e Madh të Prishtinës dhe do të thoshte se pas përfundimit të punimeve objekti do të shndërrohej në muze neolitik.

Me urdhër të ish-ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, punimet në Hamam janë ndërprerë tri herë. Për herë të fundit në mars të vitit 2013, për të mos rinisur më.