Kulturë

Cima i humorit nën okupim, në luftë e paqe

Dhuntia e tij prej gaztori i dhuroi publikut të qeshura edhe atëherë kur ishte ora e lig e historisë. Humorin dhe shakatë nuk i lëshoi nga goja as kur virusi COVID-19 po ia mpakte fuqitë e po ia merrte frymën. Aktori humorist nga Drenica, Rasim Thaçi - Cima, që krijoi një trashëgimi të tërë parodish e humori në seriale e skeçe humoristike – është vlerësuar si ikonë e artit komik shqiptar. Disa orë pas vdekjes nuk kanë munguar as krahasimet me Chaplinin, Buster Keatonin e Boratin, e megjithatë e veçanta e humorit të tij mbeti interpretimi tejet origjinal që me gjuhën e shakasë dhe parodisë përcolli kohërat e vështira

Me sakon e kuqe e të verdhë me kutiza, prania e tij linte kudo vazhdën e vet në buzagazin e njerëzve. Nga tavolina kafenesh, në lagje, në ekipin e futbollit dhe mes të njohurish e panjohurish, trashëgimia e tij që në të gjallë u ndërtua si një nga figurat më të dashura për publikun shqiptar.

Rasim Thaçi - Cima – aktori me dhunti prej gaztori – ishte protagonisti në qindra skeçe humoristike, burleska e shfaqje televizive.

Pas dy javësh ballafaqimi me virusin COVID-19, që po ia mpakte fuqitë e po ia mekte frymën, artisti i njohur mesditën e së premtes është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare. Mandata është dhënë fillimisht në faqen e tij në Facebook, e cila menaxhohet nga familja e ngushtë e tij.

“Ju njoftojmë se sot, më 26 mars, ndërroi jetë më i dashuri ynë - Rasim Thaçi”, thuhet në njoftimin e familjes Thaçi.

 “Lutem për ju…”

Me komunikimin e pandërprerë që e mbajti me publikun nëpërmjet mediave sociale, humoristi Rasim Thaçi prej javësh po merrte trajtim me oksigjen për shkak të infektimit me koronavirus. Me gjithë përmirësimin fillestar, gjendja e tij kishte nisur të përkeqësohej – çka bëri që të shtrohej në repartin e Klinikës Intensive në QKUK.

Me ndihmën e djalit, Artanit, Thaçi nga shtrati kishte gjetur kohën për t’iu drejtuar ndjekësve të tij në rrjetet sociale, duke falënderuar doktorët dhe infermierët.
“I lutem Zotit së pari për shëndetin e të gjithë pacientëve e po ashtu edhe të doktorëve me stafin e tyre që po rrezikojnë për ne, e të dalim faqebardhë nga kjo situatë”, kishte shkruar nga Klinika Infektive.

“Ëndrra që u realizua pjesërisht”

I lindur 71 vjet më parë në katundin Vukoc (Komuna e Drenasit), si i dyti në një familje me shumë fëmijë, Thaçi i përshkruante vitet e fëmijërisë si të vështira mes skamjes e kushteve të rënda për jetesë.

“Fëmijëria ime ka qenë e vështirë”, niste ai fillin e rrëfimit jetësor në emisionin “PRO X” në Kohavision të dhënë në vjeshtën e vitit 2016.

Që në vegjëli, drenicaku i ri ishte i dhënë pas topit – një ëndërr që vite më vonë do t’i realizohej vetëm pjesërisht. “Rrallëkujt i realizohet ëndrra”, tregonte Cima për kohën kur luajti për ngjyrat e “Prishtinës” dhe “Flamurtarit”.

Një lëndim i rëndë në gju do të bënte që ta braktiste përgjithmonë ëndrrën e saponisur në fushën e blertë.

Gjithnjë sipas rrëfimit të tij në vetën e parë, kjo nuk e ligështoi shpirtin e tij përherë gaztor.

Kur zhanre si komedia, skeçet humoristike e burleskat ishin ende në shpërgenj, publiku do të njihte për të parën herë Cimën në projektin filmik “Treshi përsheshi”: tok me aktorin Ibrahim Krajkova-Leci dhe Sevdai Radogoshin-Qumili, ai u bë treshja simpatike që parodizoi dhe vuri në lojë, nëpërmjet humorit, mikorkozmosin social të kohës.

Image

“Nuk u ndal në kohët më të vështira”

Deri në orët e vona të mbrëmjes të së premtes, rreth dyzet mijë komente ngushëlluese janë afishuar në faqen e tij në Facebook.

Me nismën e kryeministrit Albin Kurti dhe organizim të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, të shtunën pranë Teatrit Kombëtar të Kosovës, në orën 9:00, do të mbahen homazhe për artistin tashmë të ndjerë. Sipas njoftimit të familjes, në orën 13:00 do të bëhet përcjellja e fundit në varrezat e vendlindjes së tij, Vukoc.

Nëpërmjet një ngushëllimi, Ministria e Kulturës ka vlerësuar se ndarja nga jeta e ikonës së artit komik shqiptar, Rasim Thaçi, është humbje për të gjithë.

“Kultura dhe arti shqiptar kanë humbur njërin ndër yjet e tij më të mëdha. Me talentin e tij depërtoi thellë në kujtesën tonë. Me përkushtimin e tij të pashoq arriti të krijojë aq shumë role sa nuk mund të numërohen dot”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të ministrit Çeku.

Sipas telegramit ngushëllues, Thaçi është vlerësuar si model i një artisti që u bë shkollë dhe frymëzim për artistët e tjerë.

“Ai veproi dhe nuk u ndal edhe në kohët më të vështira nëpër të cilat kaloi populli shqiptar i Kosovës, duke treguar dashurinë që kishte ai për popullin e tij dhe guximin për idealet tona”.

Telegrami ngushëllues vijon tutje me vlerësimin se Thaçi la pas vetes një korpus të madh të krijimtarisë, që do të mbetet “gjurmë e pashlyer në kulturën dhe artin tonë”.

“Ne do ta kujtomë me pietet veprën dhe krijimtarinë e tij”, thuhet në fund të telegramit të institucionit më të lartë të kulturës në vend.

“Na bëje të qeshnim, e sot na bëre të qajmë”

Artistë, kolegë e të njohur të aktorit kanë vlerësuar njëzëshëm kontributin e tij shumëvjeçar në televizion e pjesë humoristike.

Me një dedikim prekës, aktori nga Gjakova, Sevdai Radogoshi, ka thënë se lajmi i duket i pabesueshëm.

“Fjalët nuk po i gjej për ta shprehur dhimbjen për ty”, ka shkruar Radogoshi, i cili për vite me radhë kishte interpretuar Qumilin në serialin “Treshi përsheshi”.

Teksa e ka vlerësuar rolin e tij si baba shembullor e të përkushtuar, ai ka shtuar se “kujtimet tona së bashku nuk kanë fund”.

Duke bashkëndarë për publikun një fotografi nga vitet ’90, këngëtari Sinan Vllasaliu ka bërë një kushtim të shkurtër: “Rasim, shumë kemi qeshur bashkë, por sot më bëre me lot”.

Po kështu edhe regjisori, Ben Apolloni ka thënë se “bota jonë e varfër me buzëqeshje, qenka varfëruar edhe më shumë”.

“Guximi për humor”

Duke u kthyer pas në vite, Mustafë Halili – i cili kishte qenë skenarist në serialet “Qesh e ngesh” e “Treshi përsheshi” – e ka vlerësuar Cimën si mik e bashkëpunëtor të shkëlqyeshëm.

Në një bisedë për KOHËN, ai ka thënë se aktori i ndjerë nuk ngurronte që të përsëriteshin xhirimet disa herë ashtu që gjithçka të dilte sa më mirë.

“Ai bëri histori dhe vepra e tij jeton nëpër shiritat e celuloidit dhe arkivat e televizioneve dhe produksioneve”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, humori kërkonte guxim, sepse edhe kohërat ishin të vështira.

“Dhe të thuash që shteti ose pushteti po e bën këtë ose atë jashtë vullnetit të popullit, nuk ishte e lehtë asokohe”, ka thënë Mustafa.

Tutje, ai ka përmendur një teori në art e film, sipas së cilës më vështirë është të bësh audiencën të qeshë sesa të qajë.

“Rasimi i ka pasur karakteristika të veçanta, si mimikën, gjestet, artikulimin dhe shtruarjen e mendjes së tij në ato që interpretonte. Ishte e pamundur të mos qeshje”, ka shtuar Mustafa.

“Kosova u bë me e varfër…”

Duke shprehur pikëllimin për lajmin e ikjes së humoristit të njohur, pretendentja për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar se Kosova u varfërua duke mbetur pa aktorin dhe njeriun e mirë që fali shumë kujtime.

“Humori i tij ishte dritë edhe në ditët tona më të errëta, ishte rezistencë ndaj sistemit shtypës, ishte shpresë për ditë më të mira! Ai na bëri të qeshnim gjithë jetën e tij”, thuhet në afishimin e bërë në faqen zyrtare të Osmanit në Facebook. “Ne sot jemi të pikëlluar, sepse ikja e Cimës do ta lërë një zbrazëtirë të madhe. Por ne do ta kujtojmë përherë me mall humorin e tij!”

“Humor politik edhe kur nuk dukej i tillë”

Në një dedikim të bërë me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Rasim Thaçi - Cima, tok me Lecin dhe Qumilin ishin treshi i artë i humorit tonë popullor nën okupim.

Sipas tij, humori i artistit të njohur ishte thellësisht politik edhe atëherë kur nuk dukej i tillë.

“Çdoherë ka pasë porosi të mprehta brenda skeçeve të tij. Humorin që e bënte ‘Treshi Përsheshi’ gjatë viteve '90 nuk ishte thjesht zbavitje, por aktivizëm politik. Humori që thumbon në shenjë shpeshherë është më i guximshëm se një mijë deklarata”, ka thënë Konjufca.

Në shkrimin e tij, ai ka theksuar se i ndjeri Thaçi humorin e kishte ideal: “mbi të gjitha ai bënte humor të këndshëm në llogari të vetes: veçoria më e sinqertë e një humoristi të mirë”.

“Veçantia e humorit të Cimës qëndron në hapjen e një dimensioni përtej përmbajtjes, diskursit dhe dialogut. Ai e ka inauguruar komiken e gjestit, situatës dhe akrobacionit. Me frizurën e tij ekstravagante dhe kostumin e paharrueshëm me kutia na ka bërë të qeshim po sikur Buster Keatoni”, ka përfunduar Konjufca në shkrimin e tij.

“Refuzoi ta ndalte buzëqeshjen”

Vargut të ngushëllimeve i janë bashkuar edhe figura të tjera të politikës. Kreu i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka evokuar momente kur pinte kafe me aktorin e njohur në një nga kafenetë në “Bregun e Diellit”.

“Për gjeneratën time, por edhe shumë të tjera më pas, të cilat ndiqeshin e përndiqeshin nga pushtuesi serb e ku ëndrrat kishin nisur të veniteshin, Cima me miqtë e tij, Lecin e Qumilin, nuk na lanë asnjëherë të humbim shpresën”, ka shkruar Hoxhaj.

Ai ka theksuar se Cima refuzoi të ndalte buzëqeshjen, “sepse e dinte se një popull kishte sytë nga ai”.

“Me ikjen e tij, sa të hershme aq të padrejtë, ne humbëm Çaplinin tonë shqiptar – por jo edhe buzëqeshjen, sepse këtë na mësoi Cima”, ka përfunduar Hoxhaj.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka përkujtuar kur disa javë më parë i kishte ndarë Thaçit mirënjohje për vepër jetësore në sport.

“Para se të ishte Cima i ekraneve tona, profa ishte profesor i Edukatës Fizike edhe në shkollën time Xhevdet Doda”, ka shkruar Ahmeti në faqen e tij në Facebook.

I pari i Prishtinës ka vlerësuar se humori i Cimës ishte i tillë që nuk hezitonte ta thoshte realitetin në mënyrën më brutale.

“E njoha nga shumë kënde, por ishte i njëjti. COVID-i po merr jetë çdo ditë. Shpesh po i lexojmë vetëm si numra, por lajmi i sotëm na përkujton se sa afër e kemi virusin, sa i rrezikshëm është dhe se nuk fal. Sigurt se mesazhi i profes do të ishte të kemi kujdes më shumë”, ka thënë Ahmeti.

Me një ngushëllim të shkurtër, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se aktori i ndjerë “mbushi ekranet tona kur në televizione u ndalua fjala shqipe”.

Edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, e ka cilësuar atë si aktor të madh që me personazhin e tij fiktiv Cima i bëri të gjithë të qeshnin.

“Fizikisht ai nuk është më me ne, por biografia tij e pasur dhe emri tij i njohur do të jetojnë përgjithmonë”, ka shkruar Pacolli.