Kulturë

Pas ndërtesës së Teatrit, Tirana nis shembjen e maternitetit “Mbretëresha Gjeraldinë”

Pa u bërë një vit prej kur Tirana ka humbur një ndërtesë ikonë, siç ishte ajo e Teatrit Kombëtar, kryeqyteti i Shqipërisë është dëmtuar prapë në trashëgimi kulturore. Qeveria ka nisur rrënimin e një prej dy ndërtesave të Maternitetit “Mbretëresha Gjeraldinë”. Katërmbëdhjetë vjet më parë, pikërisht në mars të vitit 2007, ndërtesa kishte marrë statusin e monumentit të kulturës së kategorisë së dytë.

Nisja e rrënimit të shtunën ka nxitur reagime në Tiranë. Vlerësohej si një prej ndërtesave moderne të ndërtuara në fund të viteve ’30 dhe në fillim të viteve ’40 të shekullit të kaluar. Por, Qeveria që udhëhiqet nga kryeministri Edi Rama ka vendosur që objekti të zëvendësohet me një spital të ri gjinekologjik.

Projekti i ndërtimit të objektit tre katesh është realizuar nga Instituti i Ndërtimit, që deri në nëntor të vitit të kaluar drejtohej nga inxhinieri Agron Hysenlliu, i cili vdiq si pasojë e infektimit me koronavirus.

Nga ajo që shihet nga tabela në hyrje, rikonstruksioni i plotë dhe ndërtimi i objektit të ri tre katesh do të kërkojnë tre vjet dhe kapin shumën prej 4 milionë eurosh.

Sipas të dhënave për ndërtesën, reparti i parë i Maternitetit në Tiranë është inauguruar më 7 Maj 1937, në atë që sot është bulevardi “Zogu I”.


Ndërtimi i themeleve të “Shtepisë së Nanës dhe Fëmijës” ka filluar në fund të vitit 1938 nga firma italiane “Motta Scandurra”. Punimet përfunduan në fund të nëntorit të vitit 1942.

Një tjetër ndërtesë e atyre viteve është shembull në maj të vitit të kaluar. Errësira kishte qenë aleate e pushtetit në Shqipëri për të çuar përpara një “projekt të madh”. Ora 04:00 e mëngjesit të së dielës së 17 majit kishte aktivizuar Policinë, fillimisht për të bastisur ish-ndërtesën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Pasi u nxorën jashtë artistë e qytetarë të tjerë që po bënin rojë në ndërtesë, u hap rruga për hapin e radhës. Buldozerët i dhanë goditjen e fundit objektit 80-vjeçar, duke rrënuar bashkë me të një pjesë të historisë së Luftës së Dytë Botërore, të urbanizmit të kryeqytetit, disa gjyqeve të regjimit të pasluftës e së paku 75 vjetëve të institucionit më të lartë teatror në Shqipëri. Alarmi qysh në mëngjesin e hershëm mblodhi qindra qytetarë përballë kordonëve të Policisë së numërt. E reagimet kundër këtij veprimi mbërritën deri në mediat më prestigjioze ndërkombëtare. Me mbrojtësit e Teatrit ishin rreshtuar edhe disa zyrtarë shteti e pjesëtarë të komunitetit artistik në Kosovë.

Veprimet e pushtetit midis të tjerash, asokohe u cilësuan edhe si sulm ndaj idesë së teatrit dhe demokracisë. Shoqërimi për në Polici i rreth 30 vetave që ishin brenda ndërtesës, përplasjet midis forcave të rendit me protestuesit mbyllën ditën, kur pushteti i tanishëm u krahasua me atë totalitar të viteve ’60 që rrënonte objektet e kultit. Por, për dallim nga e diela, asokohe veprohej ditën.

Artistët Neritan Liçaj, Edmond e Robert Budina ishin midis atyre që koha e rrënimit të objektit të Teatrit Kombëtar i ka gjetur në stacione policore. Atje kanë qenë edhe disa deputetë të opozitës. Kordonët policorë nuk kanë qenë të lejuar t’i kalojnë as gazetarët. E përplasjet midis protestuesve e Policisë kanë vazhduar gjatë gjithë ditës. Në mbrëmje, protestuesit kishin ndezur qirinj tek objekti që s’është më. Ky akt shënoi edhe humbjen e një beteje prej 27 muajsh të atyre që synuan ta mbronin objektin. Ende nuk ka ndonjë afat për nisjen e ndërtimit të objektit të ri teatror.