Kulturë

Arabët dhe hebrenjtë – miq të shqiptarëve

Një histori e miqve dhe armiqve

Pranimi, njohja e ndërsjellë dhe hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, nxiti një valë të madhe të debateve në rrafshin ballkanik dhe botëror. Në këtë rrëmujë, ditëve të fundit, më të zëshëm janë Turqia dhe vetë shteti palestinez me përfaqësuesin e tij në Beograd, Nabhan. Por, në gjithë këto debate na intereson pozicioni i Kosovës. Ky konflikt, gjenezën e ka në Lindjen e Afërt, kurse i mundon këto dy etni tash e dy mijë vjet .

Për shqiptarët, edhe arabët edhe hebrenjtë janë miq. Ne nuk duhet ta paragjykojmë konfliktin e tyre. Ata duhet t’i zgjidhin problemet e tyre ballë për ballë, me dialog.

Shqiptarët nuk kanë mbajtur anën e dikujt

Nga ana tjetër, pyetja jonë është se si këta dy popuj janë bërë armiq? Përgjigjja më e shkurtër është se kjo rrjedh nga identitetet e tyre të polarizuara. Historikisht kjo armiqësi është më e gjatë sesa perandoritë romake apo turke, më e gjatë sesa kolonializmi. Pra, kemi të bëjmë me një rreth të vrazhdë të dhunës i cili daton nga kohët e lashta biblike dhe në të cilën janë ngatërruara elementet politikë, religjiozë dhe etnikë. Në esencën e këtij problemi dhe dhune janë të involvuara në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthore edhe SHBA-ja, Britania e Madhe, Rusia dhe Shtetet arabe

Konflikti arabo- izraelit, një konflikt teologjiko-politik

Çështjet e konflikteve ndëretnike, ndërfetare janë çështje të trajtuara në një mënyrë të veçante nga aspekti i filozofisë politike. Bile ai në vazhdën e trajtimit të konflikteve arabo-palestineze mund të flasim për një histori të armiqve të përbetuar siç ishte Hanibali kundrejt Romës. Prej aty vjen edhe thënia “Hanibal Ante Portas”. Pra kjo është thirrje për rrezikun nga armiku. Kjo ndoshta është ndarja më e vjetër e shkruar e miqve dhe armiqve.

Përderisa për mikun ka definime të ndryshme për armikun ata janë të mangëta sose janë të kufizuara. Në dictionary.cambridge.org/ miku definohet si një person që ju e njihni mirë dhe që ju pëlqen shumë, por që zakonisht nuk është anëtar i familjes suaj: Nëse e marrim si shembull të definimit filozofik të armikut atëherë Tomas Hobs në veprën e tij “Levijatan” thotë se armiku më i madh i natyrës është vdekja, ose “armiku është këtu, këtu në errësirën e mosdijes tonë natyrore”.

Si problem filozofik marrëdhëniet hebraike-arabe janë të natyrës teologjike-politike. Shqiptarët në aspektin historik kanë qenë përherë larg këtij konflikti. Vetë çështja është e një karakteri të thellë politik sepse ndërlidhet me atë se çfarë është miku duke bërë krahasim në rastin e parë kur e konceptualizojmë atë dhe në rastin e dytë kur mundohemi të ndërtojmë mozaikun e armikut. SHBA-ja është miku dhe mbrojtësi më i madh i shqiptarëve dhe hebrenjve. Lufta aty është e karakterit territorial; se e kujt është Palestina, një problem shekullor që përsëri nuk është problem qe ne mund të ndikojmë duke mbajtur anën e dikujt në këtë zënkë historike. Në esencë këtu kemi të bëjmë me një konflikt i cili shihet si konflikt ndërmjet dy feve monoteiste: islamit dhe judaizmit. Ka autorë të cilët mbrojnë një linjë filozofike se në bërthamën e këtij konflikti qëndron Evropa e cila ka qenë vërtetë sekulare vetëm gjatë shekullit të 19-të, kurse pastaj i është kthyer rrënjëve të saja religjioze.

Nga ana tjetër për Evropën edhe hebraizmi është rrezik, por rrezik më i vogël kurse islami rrezik më i madh. Konflikti i dukshëm dhe i padukshëm është pra, midis tri feve. Këtu lidhen shumë çështje të cilat janë si rrjedhim i drejtpërdrejtë i paraqitjes së antisemitizmit dhe islamofobisë në vendet e ndryshme të Evropës. Ndonjëherë flitet se hebrenjtë janë pakicë e kërcënuar në Evropë, kurse indikatorët statistikorë tregojnë se myslimanët kryejnë punë të paguara dobët, eksploatohen dhe janë të papunë. Myslimanët në Francë trajtohen me diskriminim, kurse hebrenjtë janë trajtuar dikur si kërcënim për popullin gjerman. Shqiptarët asnjëherë nuk kanë përkrahur antisemitizmin si dukuri e urrejtjes ndaj hebrenjve dhe asnjëherë nuk kanë qenë islamofob. Gjatë Luftës së Dytë Botërore me mijëra hebrenj gjetën mbrojtje nga e Drejta Kanunore shqiptare e Besës dhe mikut në shtëpi. Në Shqipëri e Kosovë ka tolerancë ndërfetare ku bashkëjetojnë më tepër religjione.

Ambasada në Jerusalem. Sa mundem t’i mbrojmë palestinezët?

A është problem Kosova dhe ambasada e saj e hapur të dielën e kaluar në Jerusalem, shkaktar i konfliktit apo jo? Sigurisht do të pajtohemi se roli i Kosovës në konfliktin mijëvjeçar është si një pikë uji në oqean. Historikisht edhe hebrenjtë edhe palestinezët kanë qenë objekt sulmesh dhe gjenocidi.

Rastin me Palestinën do ta ndërlidh me një ndodhi të jetës sonë dhe “Luftën tonë për të tjerët”. Në shkurt të vitit 2013, në rrugët e Shkupit rriheshin nxënësit, studentët dhe të rinjtë shqiptarë nga Komitët që i nxiste dhe i mbronte VMRO-ja, atëherë në pushtet. Studentët më vinin në ligjërata me vonesë dhe ankoheshin se ecnin në këmbë 2-3 kilometra sepse frikësoheshin të ngjiten në autobus.

Rituali i rrahjes së nxënësve në Shkup po ndodhte përsëri dhe përsëri. Rriheshin me dhjetëra dhe kjo ndodhte me muaj. Të rinjtë shqiptarë ishin një specie në zhdukje; nga kurbeti dhe nga ajo se askush nuk kujdesej për ata. As prindërit, as deputetët shqiptarë, as policia, askush…E kjo ndodhte para të gjithë neve. Asnjë protestë nga prindërit...

Ata përgjakeshin dhe hidheshin për tokë me hundë të thyer, me vija të thikës në fytyrë. Askush nuk bënte zë përveç televizionit “Alsat” që paraqiste plagët e tyre.

Studentëve të mi në Universitetin e Evropës Juglindore u propozova të mbajmë një tubim proteste në Kampusin e UEJL-it. Mora përsipër ta përgatis materialin në gjuhën shqipe dhe maqedone, t’i lajmëroj mediumet. Por ata nuk treguan interesim me arsyetimin se nuk merren me politikë. I shikoja gjithë të veshur mirë dhe të pasur. Njëri bile tha, duke qeshë, se atyre u intereson jeta, koha e lirë dhe shëtitja. E gjithë kjo bëhej në auditorin e mësimit në Tetovë.

I njëjti grup, javën tjetër, më ofruan një letër-peticion në gjuhën angleze që ta nënshkruaj, ku ata ishin nënshkruar të gjithë, që të ngrenë zërin për mbrojtjen e fëmijëve të pambrojtur të Palestinës. U çmenda nga hidhërimi. Pra, dikush punonte më shumë me ata se sa që punonim ne. Peticionin e ndala, sepse atyre u takonte të merren me rrahjen në Shkup e jo me viset dhe konfliktet që ata nuk ua dinin gjenezën. Por, debati me ata nuk ishte i lehtë. Shumica prej tyre ishin të manipuluar nga sektet fetare. Pra, rrahja e fëmijëve në Shkup për ata nuk ishte obligim moral dhe etnik.

Pra, ne duhet të shikojmë të mbrojmë veten tonë, interesin tonë ekonomik dhe politik, të mbajmë miqësi me ata të cilët në vitin 1999 na nxorën nga bataku dhe të krijojmë perspektiva qytetare për gjeneratat e reja. Të punojmë që rinia të mos na ikë jashtë. Secili le të kujdeset për oborrin e tij. Secili le ta mbrojë shtëpinë e vet. Problemin palestinez është një relacion i largët për Kosovën dhe shqiptarët.

Autori është profesor në Universitetin e Evropës Juglindore, Maqedoni e Veriut