Kulturë

Komuna e Ministria me thirrje për projekte kulturore, shmangin pandeminë

Në ditën e 11-të të këtij muaji, Komuna e Prishtinës ka hapur thirrjen publike për organizatat joqeveritare, individët dhe bizneset që të konkurrojnë me projekt-propozime për organizimin e aktiviteteve kulturore sa u përket artit vizual e figurativ, botimeve, kinematografisë e teatrit. Kurse të mërkurën mundësi për të konkurruar u është dhënë edhe atyre që planifikojnë të organizojnë festivale, që kanë aktivitete vjetore në kulturë, organizatorëve të ngjarjeve muzikore dhe shoqërive kulturore e artistike. Por, ashtu sikurse Ministria e Kulturës, as Komuna nuk ua përshtat thirrjet rrethanave të pandemisë e për këtë kritikohet nga komuniteti kulturor

Për Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Kulturës pandemia nuk ekziston kur bëhet fjalë për mbështetjen e projekteve të pavarura kulturore. Si njëra ashtu edhe tjetra, sivjet kanë hapur thirrje publike për mbështetjen e projekteve kulturore e artistike në të njëjtën formë si vitet e kaluara. Përderisa Ministria kishte hapur thirrjen në shkurt, Komuna e Prishtinës këtë e ka bërë në mars.

Në ditën e 11-të të këtij muaji, Komuna ka hapur thirrjen publike për organizatat joqeveritare, individët dhe bizneset që të konkurrojnë me projekt-propozime për organizimin e aktiviteteve kulturore sa u përket artit vizual e figurativ, botimeve, kinematografisë e teatrit. Kurse të mërkurën mundësi për të konkurruar u është dhënë edhe atyre që planifikojnë të organizojnë festivale, që kanë aktivitete vjetore në kulturë, organizatorëve të ngjarjeve muzikore dhe shoqërive kulturore e artistike. Këto thirrje janë hapur në kuadër të fazës së parë të mbështetjes së skenës së pavarur kulturore. Mundësia e aplikimit është e hapur deri në ditën e 20-të pas publikimit nga Komuna. Në këtë fazë institucioni lokal ka planifikuar që të shpërndajë 300 mijë euro. Në linjën e subvencioneve dhe transfereve në kulturë, Komuna sivjet ka në dispozicion 700 mijë euro. Vitin e kaluar, në fazën e parë, Komuna kishte planifikuar të ndante 350 mijë euro. Konkursi ishte hapur në janar, përderisa në fazën e dytë me 100 mijë e konkursi ishte hapur në shtator. Por pos thirrjeve tradicionale, në prill ishin dhënë edhe 30 mijë euro si ndihmë për aktivitetet në kushte pandemie në thirrjen publike që u titullua “#rriNshpi me neve”.

Vitin e kaluar me subvencione dhe transfere te kategoria “Përkrahja për kulturën” kishte ndarë 1.3 milionë euro. Sivjet, me konkursin e rregullt, te po kjo kategori janë 1.9 milionë krahas përkrahjes në emër të “Programit për rimëkëmbje ekonomike” që ka buxhet të veçantë, por kritere gati të njëjta e që s’e përmendin pandeminë.

Por bartësit e aktiviteteve kulturore, nuk e shohin si të udhës trajtimin që u bëhet në formë të njëjtë sikur pandemia nuk ekzistonte ashtu edhe kur ajo kushtëzon shumë gjëra, përfshirë edhe aktivitetet kulturore.

Regjisori Florent Mehmeti, i cili udhëheq me teatrin “Oda” ka thënë se Komuna është kundërthënëse në veprimet e saj. Sipas tij, me Rregulloren për ndarjen e subvencioneve nuk mund të mbështetë dy herë brenda vitit një organizatë, e në anën tjetër ka dy faza në vit për subvencionimin e organizatave.

“Nuk e di përse kanë nevojë të bëjnë ndarje. Atë buxhet që e kanë, po e shpërndajnë në disa vende. Nuk e kuptoj pse duhet të jenë dy thirrje. Prerja në sa më shumë vende do të thotë shpërndarje potenciali. I ke dy thasë miell dhe ke ambicie me shpëtu gjithë lagjen”, ka thënë ai. Sipas Mehmetit, ka shumë pikëpyetje se si bëhet vlerësimi i projekteve. Ka thënë se ky nuk është një fenomen i ri.

“Komuna ka pasur mundësi të mos e imitojë Ministrinë e Kulturës. Ta kundërshtojë këtë që e bëjnë është shumë jopopuliste. Nëse mjetet shpërndahen në shumë konkurse, skena e pavarur nuk shpëton. Mënyra e administrimit nuk është shumë vizionare. Ka shumë hapësirë për subjektivitet në vlerësim”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, ka kritikuar thirrjen sa i përket mospërshtatjes me pandeminë. Ka thënë se nuk ka kuptim që të hapet thirrje për aktivitete kur nuk dihet se a mund të mbahen ato aktivitete shkaku i pandemisë. “Sektori publik nuk është në krizë të ekzistencës, por jo edhe kultura e pavarur. Ishte dashur të bëhet kompensim i dëmit. Nuk kemi zgjedhur ne të qëndrojmë mbyllur. Shteti na ka mbyllur dhe janë krijuar dëme financiare e edhe në vitalitet”, ka thënë ai. Sipas tij, në vend të përkrahjes strukturore, Komuna hap thirrje për aktivitete.

“Kultura do të duhej të trajtohej si sektorët e tjerë. Pozitat tona sivjet janë më të rënda”, ka thënë ai.

Edon Zeneli, i cili udhëheq me Shoqatën e Botuesve të Kosovës, ka thënë se në parim ishte dashur të reagojë Ministria e Kulturës sa u përket dëmeve të shkaktuara nga pandemia.

“As ndihmat e vitit 2020 ende nuk i ka përfunduar. Komuna nuk është se u ka ndihmuar shumë botuesve. Komuna vazhdimisht viteve të fundit blen vlera të konsiderueshme të librave dhe i shpërndan në biblioteka”, ka thënë ai. Sipas Zenelit, për MKRS-në nuk ekziston pandemia.

“Po sillen sikur i kemi punët shumë mirë dhe nuk kemi nevojë për ndihmë”, ka thënë ai.

KOHA gjatë ditës së enjte i ka adresuar pyetje drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha. Por ai nuk është përgjigjur nëpërmjet postës elektronike. Këtë nuk e ka bërë as nëpërmjet porosive e thirrjeve telefonike. Përgjigje nuk ka kthyer as kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti.

Sipas thirrjeve, shuma minimale e mbështetjes financiare që mund të alokohet për çdo projekt është 500 euro, ndërsa shuma maksimale është 14 mijë euro. Të drejtë aplikimi kanë OJQ-të dhe bizneset të cilat janë të regjistruara në Republikën e Kosovës, të cilat veprojnë në Komunën e Prishtinës dhe realizojnë aktivitetin e tyre në Komunën e Prishtinës, individët të cilët janë rezidentë të Komunës së Prishtinës.

Në thirrje sqarohet se bizneset dhe individët mund të subvencionohen vetëm një herë brenda vitit nga Komuna e Prishtinës. Po ashtu, sqarohet se OJQ-të, bizneset dhe individët, të cilët nuk e kanë përmbyllur raportin e subvencioneve të viteve paraprake, nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga subvencionet e Komunës së Prishtinës.

“Objektivat e përgjithshme të kësaj thirrjeje janë që Komuna e Prishtinës të ofrojë përkrahje për individët, bizneset, si dhe OJQ-të, programi i të cilëve është i fokusuar në fushën e kulturës dhe ofron mbështetjen e tyre me transparencë të plotë dhe pa kurrfarë diskriminimi”, sqarohet në thirrjen e së mekurës. Objektivat specifike të Komunës janë fuqizimi i krijuesve të pavarur dhe krijuesve të rinj që veprojnë në Komunën e Prishtinës, të sigurohet mbështetje për institucionet e pavarura kulturore dhe për punën në grupe. “Të përkrahen punët me përmbajtje kritike, të cilat synojnë të sfidojnë pabarazi sociale dhe ekonomike, të përkrahen punët me përmbajtje feministe, të stimulohet inovacioni teknologjik në të gjitha fushat kulturore dhe të inkurajohen personat me nevoja të veçanta për pjesëmarrje dhe prodhim në sektorin artistik dhe kulturor”, shkruhet në thirrje.

Kurse sa i përket Ministrisë së Kulturës, pos thirrjes vjetore, sivjet ka në plan që t’i ndihmojë edhe individët dhe organizatat që merren me trashëgimi kulturore. Këtë do ta bëjë në kuadër të mjeteve nga “Programi për rimëkëmbje ekonomike”. Për këtë thirrje do të ketë 200 mijë euro, sipas vendimit të Qeverisë. E në fund të vitit të kaluar kishte hapur thirrje për projekte individuale në kulturë. Këtë e kishte bërë në kuadër të “Programit për rimëkëmbje ekonomike dhe kishte në dispozicion 461 mijë euro. Këtë javë ka marrë nga Qeveria edhe 300 mijë euro të tjera për t’i mbuluar obligimet e konkursit të vitit të kaluar.