Kulturë

Zejnullah Gruda – në panteonin e dijetarëve të botës

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës prof. Grudës, arsimtarit dhe kolegut tonë të nderuar, shpirti i përndritshëm i të cilit do na mungojë përjetë. Lavdi veprës së prof. Zejnullah Gruda, madhështia e së cilës prek qiejt e tokën, ku shpirti i tij prehet përgjithmonë, në panteonin e dijetarëve të botës

Profesor Zejnullah Gruda, profesori i të gjithë neve, njeriu i urtë e i mençur, që me fjalën e tij edukoi për dekada të tëra brezat e shqiptarëve në Kosovë dhe ish-Jugosllavi. Në këtë kohë pandemie ne detyrohemi të kuptojmë për humbjet e kolegëve tanë përmes mediave.

Kështu ndodhi edhe me profesorin tonë Gruda: mediat na treguan që kishim humbur kolegun e profesorin tonë të dashur, të cilin s’kishte veçse pak javë qëkurse disa prej nesh e kishim takuar duke ecur me hapa të lehtë mesit të qytetit të Prishtinës, aty ku ishim mësuar ta shohim me dekada të tëra, stoik e dinjitoz, duke cicëruar idetë dhe mendimet e tij me ata që ishte dhe me ne që e ndalonim forcërisht për t’i dëgjuar nga ai më të rejat nga bota.

Profesor Grudën, ne që patëm fatin ta kemi profesor, do ta mbajmë mend për ligjërimet e tij në sallat e Juridikut, në gjuhën shqipe, që na bënte krenarë kundrejt fqinjëve tanë që kishin pasur privilegjin e mësimit në gjuhën e tyre, sepse jetonin në shtetin që e dinin si të vetin. Neve na dukej krenari mësimi në gjuhën tonë, diçka që do të duhej të ishte krejt e natyrshme; na dukej krenari të dëgjojmë për çështjet ndërkombëtare në gjuhën shqipe, sepse ishte vendi i vetëm ku mund të mësonim për të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të kohës së Luftës së Ftohtë.

Kjo kohë qe mbushur me shumë mistikë dhe të panjohura për ne që nuk kishim idenë pse dhe si vepronte ligji ndërkombëtar. Këtë mistikë na shpjegonte prof. Gruda, në sallë dhe në korridore, kudo që mundej. Na shuante etjen për dije mbi gjërat që kishin të bënin me funksionimin e botës, në një kohë shumë mistike dhe të dhunshme, kur ky vend ishte i robëruar, së bashku me krejt trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi. Ne që patëm nderin të punojmë më pastaj me të, pas studimeve tona, do ta kujtojmë përplasjen e zëshme të prof. Grudës me serbët hegjemonë, duke ua rrahur tavolinën e sallës së arsimtarëve që sot është e njëjtë, për t’u treguar fqinjëve tanë që na u sulën dhunshëm pas ardhjes në pushtet të Milosheviqit, se ne ishim në shtëpinë tonë.

Këto përplasje po kumtonin ardhjen e një kohe të vështirë për shqiptarët, kohën e nxjerrjes së tërësishme nga sistemi. Prof. Gruda ka qenë ndër të parët që me të njëjtin zell si në sallat e Juridikut kishte përkrahur idenë e rektorit tanimë të ndjerë, prof. Ejup Statovci, për rifillimin e mësimit nëpër shtëpitë-shkolla, me po atë përkushtim që kishte mësuar studentët për gjenerata të tëra. Shumë prej tyre sot janë ambasadorë të shtetit të Kosovës, që bartin dijen e prof. Zenës në katër anët e botës, siç bëjmë ne që e trashëguam atë në katedër, me secilën gjeneratë derisa të shkojmë te prof. Zena në amshim, duke provuar kështu t’i ndjekim hapat e tij në shkencë dhe dije. Kështu me zell kishte vepruar prof. Zena edhe ditën kur u themelua Universiteti i Prishtinës, fakt që me forcë ua kishte hedhur në fytyrë serbëve, fqinjëve tanë, që pas ardhjes së Milosheviqit në pushtet nisën të persekutonin dhe uzurponin çdo institucion, duke na shtyrë në plan të dytë.

Në sistemin paralel që u ndërtua, prof. Zena me zell e përkushtim punoi në Këshillin e Kosovës për të Drejtat e Njeriut, zëdhënësit të rrallë të viktimizimit të shqiptarëve në Kosovë, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në përgatitjen e dosjeve për Hagë, kundër regjimit të diktatorit serb Milosheviq dhe klikës së tij fashiste. Do ta shohim për një dekadë prof. Grudën nëpër sallonet e Evropë, duke ngritur zërin kundër dhunës dhe represionit serb, bashkë me avokatin Bajram Kelmendi, profesorin Pajazit Nushi dhe shumë e shumë të tjerë që sot nuk janë në mesin tonë. Këshilli do të identifikohet fuqishëm me prof. Grudën dhe kualifikimet e tij juridike të veprimeve gjenocidale të pushtetit të instaluar serb në Kosovë, të atij pushteti që bëri gjenocid në Srebrenicë, të cilën prof. Zena kurrë nuk e lëshonte nga goja sa herë që flitej për regjimin serb. I mbaj mend mirë përpilimet e tij të teksteve juridike, që shërbenin si bazë për formimin e rezolutave për Kosovën, që i bënte OKB-ja përgjatë dekadës së fundit të shekullit që e lamë pas.

Pas çlirimit të Kosovës nga regjimi gjenocidal i Milosheviqit, prof. Gruda do t’i kthehet katedrës si në kohët e vjetra, me plot zell e gëzim. Na thoshte shpesh se kishte rilindur që në ditën kur pa këmbët e tij të shkelnin sallat nga të cilat dikur ishim dëbuar me dhunë. Kishte të drejtë! Ishte ndjenjë që të gjithë e ndanim. Na u kthye dinjiteti sërish. Ndiheshim njerëz. Për dallim nga ne, megjithatë, prof. Zena kishte një qasje pak më të matur, na thoshte se duhet të jetojmë, por duhet t’i lëmë edhe të tjerët të jetojnë. Nuk duhet të bëhemi si ata. Kishte pasur shumë të drejtë. Koha e dëshmoi se kishte pasur shumë të drejtë. Përvoja e tij jetësore, puna e gjatë për kauzën e lirive dhe të drejtave të njeriut, edukimi një jetë i të gjithë brezave të juristëve të Kosovës, e bënin këtë konstatim shumë vizionar, aq shumë sa nuk mund të kuptohej në kohën që shprehej dhe ndahej me ne të tjerët.

Edhe pse në moshë të shtyrë kundrejt nesh, prof. Zena nuk ndenji anash temave të rëndësishme kombëtare, siç nuk kishte bërë tërë jetën e vet. Do të mbahen në mend ligjërimet e tij për demarkacionin me Malin e Zi, shkrimet dhe intervistat e shumta për këtë temë. Nuk ka rëndësi që politika nuk e bëri punën e saj. Janë munduar disa politikanë ta përvetësojnë ligjërimin e prof. Grudës për politikën ditore, por me kohë është parë dhe do të shihet çdo ditë e më shumë se shkenca nuk duron përvetësim, se me politikën i kanë rrugët e ndara. Këtë do ta shohin edhe më shumë gjenerata që do të vijnë, kur ne të jemi bashkuar në amshim me prof. Grudën, kur të tjerët do të lexojnë dhe dëgjojnë se çfarë ka thënë prof. Gruda për kufijtë e Kosovës së shkretë. Rënkimi i kufijve të Kosovës dhe fati i tyre, i martirëve që aq shumë i qau prof. Gruda gjatë tërë jetës së vet, do të ndjekin sikur hije, për jetë dhe mot, ata që dje gabuan dhe sërish mëtojnë ta përsërisin gjënë e njëjtë.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës prof. Grudës, arsimtarit dhe kolegut tonë të nderuar, shpirti i përndritshëm i të cilit do na mungojë përjetë. Lavdi veprës së prof. Zejnullah Gruda, madhështia e së cilës prek qiejt e tokën, ku shpirti i tij prehet përgjithmonë, në panteonin e dijetarëve të botës.

Fjalë rasti e lexuar në komemoracionin në nderim të prof. Zejnullah Grudës, më 9 mars 2021