Kulturë

Prej planeve për copëtimin e Shqipërisë deri te mëtimet për “Epirin Verior”

Descriptive Text

“Mëvetësia e Shqipërisë u përball me një rrezik të mortshëm gjatë Luftës së Parë Botërore, kur u zaptua nga ushtritë aleate – kryesisht ato franceze dhe italiane. Traktati i Fshehtë i Londrës, i arritur më 1915 dhe i shpërfaqur nga bolshevikët rusë pas Revolucionit të Tetorit, parashihte copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Greqisë, Italisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919-20, Greqia nisi prapë mëtimin për jugun e Shqipërisë, Serbia dhe Mali i Zi kërkonin pjesët veriore, ndërkaq Italia limanin e Vlorës. Pavarësisht kësaj, kryetari amerikan Wilson ngulmoi që të kthehet pavarësia e Shqipërisë sipas parimit të vetëvendosjes”, shkruante CIA në qershorin e vitit 1994

Vijon nga numri i kaluar i Shtojcës për Kulturë

Më 1994, CIA, ndër të tjerash, alarmonte se nëse Athina dhe Tirana nuk arrijnë t’i vendosin marrëdhëniet në lartësinë e duhur, popullata etnike greke në Shqipëri mund të bëhet pikë kyç e një krize serioze dhe destabilizuese mes dy vendeve. Raportimi i shërbimeve sekrete gjendet në një dokument tetëfaqësh, i klasifikuar për dy dhjetëvjeçarë si konfidencial. KOHA sjell pjesën e dytë të këtij raporti.

Memorandum i Inteligjencës

Zyra për Analiza Evropiane

30 qershor 1994

Viset në jug të Shqipërisë – të quajtura Epiri i Veriut nga grekët – kanë qenë për dhjetëvjeçarë të tërë burim tendosjesh midis dy vendeve. Pjesë e Perandorisë Osmane prej shekullit të 15-të deri në shekullin e 20-të, Shqipëria u njoh si vend i pavarur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1912. Kufiri verior qe vendosur nga Konferenca në mars të vitit 1913, duke ia dhënë Kosovën Serbisë, por Greqia ia hodhi sytë pjesës jugore të vendit. Kufiri jugor mbeti pezull derisa u ravijëzua nga Protokolli i Firences, i shestuar nga fuqitë perëndimore evropiane. Megjithatë, protokolli në fjalë nuk kaloi në Kuvendin e Greqisë. Mëvetësia e Shqipërisë u përball me një rrezik të mortshëm gjatë Luftës së Parë Botërore, kur u zaptua nga ushtritë aleate – kryesisht ato franceze dhe italiane. Traktati i Fshehtë i Londrës, i arritur më 1915 dhe i shpërfaqur nga bolshevikët rusë pas Revolucionit të Tetorit, parashihte copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Greqisë, Italisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919-20, Greqia nisi prapë mëtimin për jugun e Shqipërisë, Serbia dhe Mali i Zi kërkonin pjesët veriore, ndërkaq Italia limanin e Vlorës. Pavarësisht kësaj, kryetari amerikan Wilson ngulmoi që të kthehet pavarësia e Shqipërisë sipas parimit të vetëvendosjes. Greqia pushtoi sërish jugun e Shqipërisë në vitin 1940 pas mposhtjes së forcave italiane që kishin sulmuar territorin grek përmes Shqipërisë dhe bëri thirrje për bashkimin e tij me “mëmëdheun”. Konferenca e Paqes në Paris, në vitin 1946, hodhi poshtë pretendimin grek dhe siguroi sovranitetin shqiptar. Në vitin 1971 Athina vuri lidhjet diplomatike me Tiranën, që nënkuptoi edhe njohjen e kufirit ekzistues.

Burimet e mosbesimit

Tendosjet greko-shqiptare duken të jenë shtyrë kryesisht nga frika e Tiranës se Greqia fsheh pretendime irredentiste ndaj vendbanimeve të pakicës greke në jug të Shqipërisë dhe nga shqetësimi i Athinës se të drejtat e vëllezërve të tyre janë cenuar. Kundërshtimi i Athinës gjatë dy vjetëve të fundit për të lidhur një marrëveshje dypalëshe mbi kufirin greko-shqiptar – edhe pse Greqia e ka njohur atë tërthorazi përmes nënshkrimit të Marrëveshjes CSCE dhe duke shprehur përkushtimin e saj për pacenueshmërinë e kufijve në rajon – ka ushqyer dyshimet e Tiranës për plane greke në Shqipërinë Jugore.

Drejtuesit shqiptarë besojnë se pretendimet provokative të përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Greke mbi keqtrajtimin e pakicës greke miratohen në njëfarë mënyre nga Athina. Një radiostacion i drejtuar nga një prift i Kishës Ortodokse Greke shpërndan programe irredentiste në Shqipëri dhe disa zyrtarë të Kishës pretendojnë se u kanë dhënë grekëve etnikë stërvitje paraushtarake dhe i kanë kthyer në Shqipëri për të “luftuar për helenizmin”, sipas njoftimeve të shtypit francez. Athina beson se ka përgjegjësi të veçantë për t’i mbrojtur të drejtat e bashkatdhetarëve të saj jashtë vendit dhe kjo çështje është një pikë e fortë në politikën e brendshme greke.

Shqetësimet greke janë ashpërsuar edhe nga alarmi i Qeverisë së Papandreut mbi rritjen e lidhjeve të Shqipërisë me Turqinë. Athina frikësohet se Ankaraja e sheh Shqipërinë si një kanal për shtrirjen e ndikimit mysliman në rajon.

Athina po përballet më një trysni në rritje nga elementët e Kishës Ortodokse Greke dhe grupet nacionaliste të cilat po e promovojnë çështjen e pakicës greke. Gjatë muajve të fundit ato duken të jenë bërë më aktive.

Vërshimi i afër 150-200 mijë emigrantëve ekonomikë shqiptarë – kryesisht ilegalisht – në Greqi ka përforcuar qëndrimet negative ndaj Shqipërisë.

Një mundësi për paqëndrueshmëri

Nëse Athina dhe Tirana nuk arrijnë t’i vendosin marrëdhëniet në lartësinë e duhur, popullata etnike greke në Shqipëri mund të bëhet pikë kyç e një krize serioze dhe destabilizuese mes dy vendeve.

Kryetari Berisha ka bërë të ditur se do të bëjë përpjekje për ta siguruar pakicën se Tirana është e përkushtuar për të drejtat etnike, duke u përqendruar në legjislacionin për pakicën dhe duke rritur numrin e vizitave në nivel të lartë zyrtar në vendbanimet minoritare. Këto masa do të mirëpriteshin si nga grekët, ashtu edhe nga shqiptarët, të cilët janë të shqetësuar se tensionet mes Tiranës dhe Athinës do të shkëndijojnë probleme etnike në Shqipëri.

Trembja e Tiranës nga ajo që shihet si irredentizëm grek mund t’i shtyjë autoritetet shqiptare që t’i kufizojnë veprimtaritë politike të grekëve, gjë që do ta nxiste reagimin e Athinës, përfshirë edhe dëbimin e një numri të madh të punëtorëve shqiptarë në Greqi.

Tensioni i vazhdueshëm me Greqinë do të kishte një ndikim të brendshëm negativ në Shqipëri.

Dhjetë për qind e fuqisë punëtore shqiptare po kërkon punë në Greqi dhe ekonomia shqiptare mbështetet jo pak në fitimet e tyre. Humbja e këtyre remitencave dhe dëbimi i punëtorëve do t’i zvogëlonte ndjeshëm të ardhurat e familjeve dhe kështu do të lulëzonte papunësia – e cila tashmë vlerësohet të jetë 18 për qind.

Pengimi i vazhdueshëm i ndihmave të BE-së dhe vendeve të tjera evropiane do ta ndërlikonte programin e Tiranës për stabilizim. Shqipëria dështoi në borxhin e saj tregtar më 1990 dhe varet nga ndihmat ndërkombëtare – të cilat jepen nga BE-ja më shumë se 50 për qind.

Një kthesë e rëndësishme në ekonominë shqiptare do të prodhonte një vërsulje kundër Partisë Demokratike nga shqiptarët e lodhur me programin qeveritar për reformën në ekonomi.

Athina dëshiron t’i shmangë tensionet e tanishme nga fërkimet në një përballje të fortë dhe është e gatshme më shumë të bëjë trysni ekonomike dhe diplomatike ndaj Shqipërisë, sesa të ndërmarrë ndonjë veprim ushtarak. Greqia e sheh veten në një afat më të gjatë si partneri më i rëndësishëm ekonomik i Shqipërisë dhe konsideron se izolimi i Tiranës do ta dëmtonte ndikimin e Athinës në emër të pakicës greke.

Në maj (1994 v.j.) Papandreu përjashtoi mundësinë e hapave ushtarakë. Greqia do të përgatitej për ndërhyrje ushtarake vetëm nëse do të besonte se pakica greke ishte e kërcënuar nga ndonjë vërshim i shqiptarëve që po ikin nga dhuna në Kosovë.

Nëse tensionet vazhdojnë dhe grekët në Shqipëri shihen si caqe të “spastrimit etnik”, Athina do të vihet përballë një trysnie të furishme publike për të ndërmarrë ndonjë veprim më të skajshëm, përfshirë edhe veprimin ushtarak.

Keqinformimi ka gjasë të vazhdojë të ushqejë mosbesimin në të dyja anët, nëse nuk do të ketë ndonjë ndihmë nga demokracitë e fuqishme në Perëndim.

Në terma më afatgjatë, armiqësia e dyanshme – pavarësisht përpjekjeve të të dyja palëve për t’i fashitur diferencat – do t’i rrëgjojë ambiciet greke për të qenë prijatare ekonomike në rajon. Në të njëjtën kohë, intrasigjenca greke në Ballkan do t’i distancojë edhe më tej grekët nga partnerët e tyre evropianë dhe amerikanë.

Përgatiti: Salih Mehmeti