Kulturë

Zjarri i pashuar me heronjtë që ëndërruan

Descriptive Text

Edhe zjarri hyjnor që Prometeu e vodhi nga perënditë ishte një akt prej ilegali. Një “zjarr” si ky, por në formë ideje e ëndrre, ishte filli që përshkoi njërin dhjetëvjetësh te tjetri, që prej Luftës së Dytë Botërore e deri te lufta e fundit çlirimtare. Produksion i Teatrit ODA, shfaqja “Zjarri i Ilegales” është një dialog brezash e kohërash. Më shumë sesa kronologji ngjarjesh, zhdërvjelltësia tekstore e autorit Çelaj e bën “Zjarrin…” si bashkecje paralele e historisë ashtu siç ka ngjarë, dhe një historie tjetër siç mund të ngjante sikur të mos ishin “njerëzit e zjarrit”

Kur kauzat e dikurshme janë fosilizuar në histori, shumëçka nga e sotmja merret si një realitet i mirëqenë. Është kjo topitja e ndjesisë mbi të kaluarën që vjen prej asaj që dikur Umberto Eco e quante “e tashmja e përjetshme”.

Në të rrëmbyerin shekull të njëzet, Lufta e Ftohtë mund të ishte një nocion thuajse i huaj për dramën që po zinte vend në hapësirat shqiptare që prej Luftës së Dytë Botërore që mbetën nën Jugosllavi.

Ajo që për gjysmë shekulli u narrativizua si barazi kombesh nën flamurin e socializmit, në fakt ndrynte realitete të tjetërsojshme. Ashtu si në një nga tregimet e Anton Pashkut kur hëna fshihet pas reve për të mos parë një vrasje lebetitëse, vëmendja e Perëndimit as nuk shquante dëbimin e qindra mijëra shqiptarëve në Anadoll, fryt i marrëveshjeve xhentëlmene mes Jugosllavisë dhe Turqisë, terrorin sistematik të ministrit të Brendshëm, Aleksandër Rankoviq, pabarazinë ngjethëse e skamjen e kudondodhur.

Mbi këtë sfond historik, shfaqja “Zjarri i Ilegales”, me tekst dhe regji të Lirak Çelajt, shkoqit një mikrokozmos të tërë që shtrihet në mbi pesëdhjetë vjet histori.

E reprizuar të enjten mbrëma në Teatrin ODA, pas premierës që e pati më 11 shkurt, shfaqja përftoi një dialog brezash e kohërash.

Në një lojë të ngjeshur situatash e emocionesh, pesëshja e aktorëve të rinj Allmir Suhodolli, Blend Sadiku, Blerta Gubetini, Florent Salihu e Gentrit Shala tipizojnë në mënyrë vivide karaktere, ndjesi e identitete të kohës.

“Hero apo viktimë e një kohe me dyer të mbyllura?”

Sado që sipari i “Zjarrit të Ilegales” hapet me zërin e narratorit (i interpretuar nga Allmir Suhodolli), si një lexim i një historie fundi i të cilit dihet, zhdërvjelltësia tekstore e Çelajt e shmang mjaft mirë parashikueshmërinë e plotit.

Kryepersonazhi me emër disi sugjestiv Zjarr Berisha (i interpretuar nga Blend Sadiku), shoku i tij i pandarë i jetës ilegale (Florent Salihu) dhe Drita (Blerta Gubetini) janë tre të rinjtë që vihen në sprova që sakaq i tejkalojnë mundësitë e tyre. Idealizmi mund të jetë e ardhmja e bartur në kohë në të tashmen, por çmimi i saj është tejet i rëndë e veçmas për ata që zgjedhin të bëhen “ilegalë”.

Kur Hamdiu përfundon i arrestuar nga organet e sigurisë jugosllave, duke përjetuar egërsinë e dhunës në orët që nuk kanë të mbaruar në hetuesi, inspektori (Allmir Suhodolli) bën edhe një shkëputje si kjo: “Gjithçka ka ciklin e vet e jo kur do ti, Hamdi. Duhet ta kuptosh ritmin e të bëhesh hero kur të hapen dyert. Por kur të mbyllen dyert mund të jesh viktimë e madje edhe palaço”.

Por a nuk ishte edhe vjedhja e zjarrit hyjnor nga Prometeu në Olimpin e zotave, e parë nga çdo thjerrëz morale e kohërave, ilegale po ashtu?

Kështu, “ilegaliteti” shqiptar lexohet si një negacion i domosdoshëm i realitetit, me fuqi, sado të vegullt e të paqartë, për të vizionuar një të ardhme ku shqiptarët mund të vendosnin lirshëm për veten e tyre.

Dy histori paralele: Sikur të fitonte jugosllavizmi?

Zhurmat e këndshme të tasteve të makinës së shkrimit, me të cilat shkruhen traktet, mund të jenë një notë e tingullt tarkovskyane për të ndier ajrin e ethshëm të vendit ku rrinë “ilegalët”. Dashuria mes Zjarrit dhe Dritës kalon në një sprovë kërshërindjellëse: ajo është e bija e një nëpunësi jakëbardhë që punon në administratën jugosllave (i interpretuar nga Gentrit Shala). Tek ky i fundit pasqyrohet edhe një dilemë e tërë që mund të jetë vërtitur në kokat e atyre që ishin bërë pjesë e superstrukturës jugosllave.

Por, tisi pikant i shfaqjes “Zjarri i Ilegales” është paralelizmi i historive: asaj që e dimë e që ngjau dhe asaj që do të mund të ngjante “sikur”.

Filozofi francez dikur kishte sajuar termin “uchronie”, koncepti i të cilit është goxha i ngjashëm me atë të një historie alternative. Është një letërsi e tërë që kërshërohet pas skenarëve hipotetikë me gjithfarë pyetjesh: çfarë nëse osmanët do ta merrnin Vjenën, çfarë nëse Gjermania hitleriane do ta fitonte luftën…

Me nga një realitet të ri për çdo 13 vjet, vitet 1968, 1981, 1994 e 2007 janë ato të njerëzve që guxuan të veprojnë për ëndrrën. Skenat paralele sipas modelit të ukronisë rikthehen në po të njëjtat vite: çfarë do të ndodhte sikur ilegali Zjarr Berisha të vritej, çfarë nëse Drita do të dëgjonte babanë e saj e të martohej me një funksionar serb e biri i saj as të mos pranonte të fliste gjuhën “selački” të nënës.

“Jugosllavët janë të fortë dhe ndikimi kulturor i tyre është shumë i madh”, thotë gjithë rrëmbim Hamdiu në një moment kur ilegalët janë fyt-me-fyt me gjithë makinerinë e pushtetit.

Zjarri që mbijeton

Në rreth një orë e gjysmë sa zgjat drama, “Zjarri…” bëhet një kryqëzim intrigues përplasjesh, kontrastesh e pikëpyetjesh personale e mbipersonale. Ndërkohë që në prapavijë dëgjohet kënga “Heu Kaçanik e shkëmb e gur…” që ishte kënduar në Kongresin e Tetë të Partisë së Punës së Shqipërisë, pak muaj pas demonstratave studentore në Kosovë, ilegalët janë gjithë shpresë për ndihmën që prisnin të vinte nga Shqipëria. Regëtimave të zemrave ilegale iu shtohet edhe një tjetër grimasë realiteti: kur nga radioja zyrtare dëgjojnë rrëfimin zyrtar të pushtetit për të cilin demonstratat janë veçse irredentizëm shqiptar, me atë të frekuencave nga Radio “Tirana” që fliste në të mirë të revoltës në Kosovë.

Në plan qendror të dramës është vërtet fakti që “zjarri” mbijeton e trashëgohet, por përkapja e çdo dileme, cikërrime a ndjesie të kohës, edhe kur këto ngjajnë të jenë banale, bëjnë që drama të jep heronjtë e vërtetë pa luspa.

Më shumë sesa personazhe

Duke folur për rolin e vet, aktori Blend Sadiku ka thënë se puna kishte filluar me mbledhjen fillimisht të informatave për ngjarjet e dramës e më pas personifikimi i “Zjarrit”.

“Më shumë sesa karakter, personazhi im ka qenë simbol që është bartur nëpër të gjitha periudhat kohore”, ka thënë Sadiku për KOHËN. Kështu, karakteri i tij në linjën baba, djalë e nip, ruan ideologjinë e zjarrit” veçse të tejbartur në vite. “Puna me personazhin ka qenë sfiduese për mua, ndoshta sepse vetë nuk i kam përjetuar ato ngjarje, por fakti që jam rritur në rrethana ku nuk mungonte gjetja e mendimit të së kaluarës, e ka bërë më të lehtë rolin”, ka shtuar Sadiku.

Si përvojë të veçantë e ka përshkruar edhe aktori Gentrit Shala kur kishte vendosur të interpretonte një tekst që bënte fjalë për një të kaluar jo të largët. Përgatitja për rolin, sipas tij, i kishte mundësuar të njihej më me hollësi për sakrificat e njerëzve në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.

“Sa herë kam hulumtuar për këtë rol, më është rrëqethur trupi e shpesh edhe qaja. Kam pyetur veten çdo herë se a do të kisha guxim të përballesha me gjithë ato tmerre që i kanë përjetuar njerëzit që i interpretuam në shfaqje”, ka thënë aktori Shala.

Me të njëjtin entuziazëm e ka përshkruar edhe aktorja Blerta Gubetini interpretimin e saj të rolit të Dritës.

“Jam përkushtuar shumë dhe e kam bërë me qejfin më të madh”, ka thënë ajo teksa ka shtuar se periudha e përfshirë në shfaqje kishte qenë e panjohur për të.

E gjatë punës me kolegët, bashkë edhe me informacionet e dhëna nga regjisori Çelaj, ajo arriti të zhytej në atmosferën e kohës për të cilën bëhet fjalë në dramë.

“Mishërimi me rolin erdhi natyrshëm, sepse edhe procesi i provave zgjati më shumë se zakonisht”, ka thënë Gubetini. Për të, Drita është personazhi i një revolucionareje të hekurt që nuk i nënshtrohet asnjë uragani, duke qenë humaniste dhe grua e fuqishme.

“Është përfaqësuese e individëve që kanë dhënë kontributin më të madh e që sot ne shumë pak i kujtojmë”, ka shtuar Gubetini.