Kulturë

Dimensioni artistik në veprën dokumentare të Demaçit

Shkrimtari Demaçi ka arritur t’i shkrijë elementin politik dhe artistik nga një qasje dokumentare në një sintezë artistike imagjinare. Pra, nëpërmjet realitetit arrin të krijojë një fiksion artistik, që del në sfond si një betejë e gjatë, e cila ka vonuar shumë si e vërtetë, kurse pranimi i saj ka kushtuar lot e gjak

Adem Demaçi është ndër figurat tepër të rralla jo vetëm në arealin shqiptar, por në tërë rruzullin, i cili me veprimtarinë e tij politike, atdhetare e letrare diti të udhëheqë një epokë të tërë me veprimet e tij, duke synuar konkretisht atë që synon dhe tërë kombi ynë – lirinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare!

Rruga e tij jetësore është dëshmi e qëndrimit dinjitoz për të qëndruar vertikalisht si personalitet me përmasa ndërkombëtare, që dëshmojnë çmimet më të larta që jepen për të nderuar figurat e këtilla që vërtet janë tepër pak në botë.

Sot po shënojmë 85-vjetorin e lindjes së Demaçit, prandaj figura e tij lidhet drejtpërdrejt me luftën e përhershme për lirinë e paqen, që do të jetë amanet i brezave tanë të tërë deri në realizimin e kauzës së shtrenjtë e të mundimshme prometeiane.

Sintezë e realitetit të trazuar shqiptar

Mbase më mirë e më qartë pikëpamjet e synimet e Demaçit jepen në veprën e tij letrare e publicistike, ku ndërtohet portreti sintetik i atdhetarit dinjitoz, që synon lirinë, të drejtën për vetëvendosje. Pikërisht duke pasur parasysh këtë fakt dhe duke vlerësuar veprat sintezë të realitetit të trazuar shqiptar nën pushtim, me një bazë të theksuar dokumentare, rrjedhin si një perceptim i historisë dramatike të kësaj pjese të pushtuar të Shqipërisë, ndërtuar mbi një bazë simbolike sintetizuese të përjetimit të pushtimit dhe të diskriminimit kombëtar, politik e njerëzor. Veprat e tij në aspektin teorik mund të radhiten në disa zhanre, mirëpo në radhë të parë ato duhet cilësuar si krijime letrare e politike, ku autori në mënyrë karakteristike rrëfen e shpalos rrugën e rëndë e me shumë sakrifica të figurës-personazh, që simbolizon jetën dhe përpjekjet e një populli për të dalë nga zgjedha e robërisë. Madje vetëm një herë figura-personazh në veprat e tij “shfaqet” me emrin Adem (f. 208 – botim i mëparshëm i romanit “Dashuria kuantike e filanit” – Sh. G.), kurse tejetej veprës së tij në këtë rast është Filani. Kësisoj, autori krijon një vepër origjinale, duke realizuar në mënyrë inventive “kalimin nga realiteti në trillim, nga objektiviteti në subjektivitet, nga materia gjuhësore në gjuhën e artit.” (F. Dado) Nëpërmjet dimensionit semantik do të arrijë dimensionin metaforik, që artikulon në mënyrë dokumentare-artistike një zhvillim dinamik të proceseve historike për t’i përmbushur synimet me të cilat identifikohet figura-personazh dhe duke sintetizuar në mënyrë retrospektive një periudhë dramatike të terrorit e të gjenocidit serb.

Rrëfimi në vetën e parë ka mundësuar që më gjerësisht e më thellësisht të spikaten përjetimet e personazheve dhe historia e tyre jetësore. Ky fleksibilitet, që mundëson një formë e tillë rrëfimi dhe mundësia e gjerë që ka proza si mënyrë artistike e shprehjes, pastaj liria e kompozicionit, mundësia e përdorimit të lëndës joletrare, qëndrimi kritik ndaj realitetit, si dhe rrëfimi në vetën e parë, e bëjnë veprën e tij autobiografike më të besueshme dhe të veçantë, si një interpretim e ndërtim i figurës së autorit: gjuhës, kulturës, ideologjisë etj. (Zhan Tibodo)

Shkrimtari Demaçi ka arritur t’i shkrijë elementin politik dhe artistik nga një qasje dokumentare në një sintezë artistike imagjinare. Pra, nëpërmjet realitetit arrin të krijojë një fiksion artistik, që del në sfond si një betejë e gjatë, e cila ka vonuar shumë si e vërtetë, kurse pranimi i saj ka kushtuar lot e gjak. (Eko)

Në romanin “Dashuria kuantike e filanit” paraqitet në mënyrë simbolike një dashuri moshash të ndryshme, por që në realitet është një dashuri e përjetshme, një gjakim që ndihet në zemrën, në shpirtin e saj, siç thotë shkrimtari. Është meditimi ai që zgjedh autori për të drejtuar imagjinatën e tij, kuantin e tij në Univers (kuanti – përbërësi më i vogël i sasisë fizike që mund të ekzistojë pavarësisht, veçanërisht si sasi e fshehtë e rrezatimit elektromagnetik) si shqetësim krijues dhe jetik të një kohe kur të qenit shqiptar përkonte me të mosqenit, kurse, në anën tjetër, të gjithë ishin njerëz të lumtur, që jetonin dhe s’u pëlqente të vdisnin... (Eko)

Janë portrete ekzemplare ca në këtë vepër që veprojnë si karaktere integruese, por dhe refuzuese në procesin e pandalshëm, që aktivizohen varësisht nga idetë, pikëpamjet dhe synimet e tyre. Janë këto karaktere që paraqiten në raport me mjedisin, me proceset shoqërore dhe gjithsesi me figurën-personazh.

Nëse nuk ia vlen të jetosh – ia vlen të paktën të vdesësh

Rrjedha e rrëfimit ndërlidhet me ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore e këndej, duke nxjerrë në shesh veprimet e OZNA-s e të UDB-së, duke stigmatizuar qëndrimet e egra të pushtuesit, deri në një çast kur figura-personazh shpalos arsenalin e tij intelektual e kombëtar, duke numëruar një nga një krimet e trishtueshme e poshtëruese që i bëheshin popullit të tij. Këto tragjedi, që kishin larë në gjak Drenicën, Tivarin, Ferizajn, Gjilanin, Shalën, “strelishtën” e Prishtinës, si dhe shpërngulja e tmerrshme për në Turqi, aksioni i armëve, largimi i nxënësve nga shkolla e shumë krime të tjera, sidomos copëtimi i tokave shqiptare, do të bëhen për figurën-personazh të tilla që – nëse nuk ia vlen të jetosh – ia vlen të paktën të vdesësh. (Eko) Mbase ky është lajtmotivi i romanit, ku ndërthuren diçka e pashpjegueshme për dikë dhe diçka shumë e qartë për një tjetër.

Vepra e tij qëndron jashtë skemave të rëndomta romanore, duke sjellë në letërsinë shqipe një vepër karakteristike, me drama që pasurojnë imazhin kri­jues dhe përçojnë mesazhe për të qën­druar vertikalisht, pavarësisht nga rretha­nat, mundimet e sak­ri­ficat. Kjo vepër plotëson kërkesën e receptuesit për të njo­hur një botë shqetësimesh e peripecish nëpër të cilat ka kaluar populli ynë i pushtuar dhe vetë autori i romanit, shkrimtari i tale­n­tuar e atdhetari i paepur e fisnik, i cili për lirinë e atdheut nuk do të pushojë asnjëherë. Edhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës do të jetë pikërisht në ballë - përfaqësues politik i UÇK-së së lavdishme.

Vepra e Demaçit sjell një mesazh të jashtëzakonshëm për lirinë. Është dashuria më e madhe e më dinjitoze e njeriut, i cili me të gjithë qenien i përkushtohet atdheut dhe bëhet sinonim i lirisë, i asaj rruge të mundimshme, mbi të cilën bie vetëm dashuria. Në të vërtetë, vepra ngërthen një qasje moderne ndaj një përvoje të hidhur jetësore, e cila ndërtohet mbi filo­zo­finë e qëndresës dhe dashurinë e njeriut për lirinë e atdheut.

Kështu është në natyrën e letërsisë bashkëkohore, që të kërkojë një lexim poetik: jo si paraqitje e një bote tjetër, por si ndërtim semantik. (Dykro-Todorov) Ky gërshetim sheshon edhe mënyrën e transmetimit të rrëfimit dhe bartësin e atij tregimi, ndërsa pikërisht në këtë vepër shihet qartë rruga e përgjakshme, duke dalë nga një teatër e duke hyrë në një teatër tjetër, ku vërtet kujtesa ngatërrohet me ëndrrën.

Në fakt, ky është koncepti që shtrihet tejetej veprës së përgjithshme të Demaçit politikan, publicist e krijues. Pa dyshim, vepra ngërthen tipare të veçanta, sepse i veçantë ishte dhe autori i saj.