Kulturë

“Replikë” në ritëm me realitetin e kundërshti ndaj situatës

Descriptive Text

Klarinetistja Ilire Avdiu në albumin e saj të fundit të titulluar “Replikë” – ashtu sikurse edhe koncerti i saj i cili u transmetua premierë në Kohavision – ka gërshetuar jazzin dhe tradicionalen. Është një replikë ndaj padrejtësive që ndodhin në vend. Ka thënë se nëpërmjet muzikës kundërshton mungesën e kujdesit të duhur shëndetësor në vend, nepotizmin dhe padrejtësitë e tjera që u bëhen qytetarëve

Prishtinë, 18 shkurt – Klarinetistja Ilire Avdiu, për promovimin e albumit të saj të dytë, ka bërë bashkë disa nga instrumentistët më të dalluar të skenës muzikore kosovare: Driton Bejtullahun në kitarë, Fatjon Miftarin në piano, Fatlind Feratin në kontrabas dhe Teoman Ukçan në bateri. “Replikë”, është titulli i albumit të saj me të cilin reflekton realitetin a i bën një lloj kritike situatës në vend.

Me tinguj jazzi që gërshetohen me melodi tradicionale, Avdiu i ka qëndruar besnike frymës së albumit edhe gjatë promovimit ani pse kompozimet të cilat janë luajtur ndryshojnë nga ato që janë përmbledhur në CD-në e lansuar para dy vjetësh. Klarinetistja, që ka bërë edhe kompozimet, e lidh muzikën me ndjenjat e saj dhe pikërisht këto janë bërë shkas për riaranzhime.

Koncerti televiziv i promovimit të albumit, që erdhi premierë të mërkurën mbrëma në Kohavision, nisi me një këngë që nuk është përfshirë në “Replikë”. Megjithatë, Avdiu kishte një arsye për këtë. “Në kujtim të babait tim”, e ka titulluar kompozimin që ia ka kushtuar të atit tashmë të ndjerë. Në këtë këngë, muzikantja sikur ka derdhur tërë dashurinë për babanë e saj e po ashtu edhe mallin për të. Kompozimi është mjaft i qetë e melankolik, por që nis të ngjallet me lojën më të theksuar në bateri, piano e kitarë. Në pjesën e fundit të këtij kompozimi rolin kryesor e ka klarineta e që krijon përshtypjen që përmes tingujve shpalos një rrëfim goxha sfidues. “Django” – që po ashtu nuk është pjesë e 6 kompozimeve të përfshira në album – sjell një atmosferë krejtësisht tjetër e shumë më ritmike.

E te “Replikë”, dallohet një ritëm repetitiv në bateri, që sikur përshkruan rrethin vicioz në të cilin pamundësohet ndryshimi. Por, është klarineta ajo që nis të dëgjohet më shumë krahasuar me instrumentet e tjera, e që vjen si një kundërshtim ndaj përsëritjes. Edhe kompozimet “Ritëm i dashurisë”, “Dis-balancë” e “Samba” janë luajtur po ashtu në koncertin promovues. Në anën tjetër, albumi përbëhet edhe nga “Ritëm i dashurisë”, “Funk note”, “Vallja fshatare” dhe “Gëzuar”.

Klarinetistja Ilire Avdiu ka thënë për KOHËN se albumi “Replikë” vjen si një replikë ndaj disa padrejtësive që ndodhin në vend, në çdo aspekt.

“Fillimisht kur babai im ishte i sëmurë unë nuk jam ndarë e kënaqur me trajtimin që ai ka marrë nga stafi mjekësor, por kjo lidhet edhe me muzikën – kur punon me njerëz të papërgjegjshëm – pastaj neglizhencën e nepotizmin”, ka thënë ajo.

Ka treguar se për kompozimet e saj gjen frymëzim te përditshmëria. Po ashtu, elementet frymëzuese i gjen edhe kur dëgjon lojën e instrumentistëve të tjerë, të cilët i lënë mbresa për nga stili.

“Ata që kanë një stil që më pëlqen edhe mua pasi që jam kryesisht e fokusuar në stilin ‘balkan jazz’ me pak elemente të Shqipërisë së Jugut, kryesisht muzikë popullore të gërshetuar me tinguj jazzi”, ka thënë ajo. Avdiu ka treguar se kompozimet bazë i bën në piano dhe pastaj të njëjtat i aranzhon edhe për klarinetë e instrumente të tjera përcjellëse. Por, ndonjëherë, gjërat sipas saj duhet të jenë më të thjeshta dhe jo aq të komplikuara sa përfundon duke i bërë, prandaj riaranzhimet – sidomos gjatë lojës me instrumentistë të tjerë – janë të nevojshme.

“Tek albumi i parë kam dashur që të nis me një temp të ngadaltë dhe të dal te një ritëm më i shpejtë, dhe në kompozimet e albumit të parë kam pasur shumë ndryshime ritmike pastaj modulime në muzikë. Por, për këto duhen prova më gjatë dhe instrumentistët nuk kanë shumë kohë, e pasi që unë kam dëshirë që të punoj me ata që janë më të mirë sesa unë, e kam parë që gjërat duhet të thjeshtësohen pasi që vetë interpretimet e tyre e bëjnë më të mirë kompozimin. Prandaj, disa edhe i kam riaranzhuar”, ka thënë ajo.

Instrumentistja e lindur në Prishtinë, në vitin 1987, ka përfunduar studimet për klarinetë në Universitetin e Prishtinës. Ajo kishte nisur që të merrej me muzikë që në fëmijëri. Fillimisht nisi lojën në piano e në shkollë të mesme kishe nisur që të luante edhe në klarinetë. Që atëherë ky instrument e ka shoqëruar gjatë gjithë kohës.

Promovimi i albumit “Replikë” është transmetuar online në Kohavision dhe pa praninë e publikut për shkak të masave anti COVID-19. Projekti u mbështet nga Komuna e Prishtinës, Kohavision dhe “Perla - Te Linda”. Koncerti i plotë gjendet edhe në “YouTube” në kanalin “KTV-Kohavision”.

Albumi i parë i klarinetistes, “A Night In Prishtina”, ishte lansuar në shkurt të vitit 2017. Pjesë e tij janë gjashtë kompozime: “Shqiptarçe”, Mezze & Raki”, “Jazz n’ Tea” , “Sublime”, “Balkan Jazz Groove” dhe “A Night in Prishtina”. Avdiu ka thënë se i është përveshur punës edhe për albumin e tretë.