Kulturë

Muzeu thur rrëfimin për heroin dhe artin shkëmbor në ekspozitat e 17 Shkurtit

Descriptive Text

Ditën e Pavarësisë e ka shënuar në mënyrë të veçantë edhe Muzeu Kombëtar i Kosovës. Ka pasur vizitorë prej mëngjesit. E ajo çfarë kanë mundur të shihnin aty, përveç ekspozitës së përhershme, janë edhe dy ekspozita të hapura enkas për 17 Shkurt. “Veprimtaria atdhetare e heroit të kombit Sali Çekaj” ka ardhur bashkë me thirrjen për dokumentimin e dëshmive nga lufta e fundit në Kosovë, e “Arti shkëmbor i Kosovës” si ftesë për njohjen e trashëgimisë kulturore parahistorike

Muzeu Kombëtar i Kosovës në Ditën e Pavarësisë së Kosovës nëpërmjet dy ekspozitave i është kthyer së kaluarës. Më një frymë të fuqishme patriotizmi ka shpalosur ekspozitën “Veprimtaria atdhetare e heroit të kombit Sali Çekaj” të autorëve Besnik Rraci dhe Sadik Krasniqi.

Aty gjithçka i takon komandantit të shquar të UÇK-së, i lindur në qershor të vitit 1956, në Beroliq të Pejës. Çekaj ra dëshmor më 19 prill të vitit 1999 në Koshare, gjatë luftimeve me forcat serbe.

Ekspozita e hapur në katin e parë të Muzeut vjen me rreth 300 fotografi që pasqyrojnë veprimtarinë e Salih Çekajt, si dhe gjësendeve personale që janë ruajtur me kujdes, dashuri e krenari.

Mes eksponateve, vizitorët mund të gjejnë telefonin satelitor me pajisje të tjera përcjellëse i përdorur për nevoja të komunikimit gjatë luftës nga Sali Çekaj, uniformat e tij ushtarake, ora, flamuri kombëtar, emblema të UÇK-së, çantë krahu, portofolio, lap-top personal me pajisje përcjellëse, e dokumentet arkivore që pasqyrojnë veprimtarinë e tij politiko-ushtarake e të ngjashme.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, ka thënë se ekspozita përtej rëndësisë kulturo-historike e shkencore, ngërthen në vetë porosinë që përpjekja e popullit shqiptar për liri e pavarësi të vlerësohet dhe të trajtohet edhe nga institucionet relevante.

“Ne si Muze Kombëtar i Kosovës do të jemi gjithmonë në përkrahje të vlerave të trashëgimisë sonë kombëtare dhe të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi që vetëm duke e respektuar të kaluarën tonë historike, ne mund të ndërtojmë një të ardhme”, ka thënë ai.

E Vlora Dumoshi, ministrja në detyrë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë thirrje që të mblidhen fotografi dhe gjësendet e tjera në mënyrë që të krijohet një dokumentacion i plotë për luftën e fundit në Kosovë.

“Po ashtu ju njoftoj që me vendimin tim, do të ndërtohet kulla e Sali Çekajt në fshatin e tij dhe sivjet menjëherë do të fillojmë me projektin”, ka thënë ajo.

Abdullah Hoti, kryeministri në detyrë, po ashtu ka theksuar rëndësinë e dokumentimit të periudhës së luftës.

“Kanë kaluar 20 vjet pas luftës dhe është tepër e rëndësishme që t’i sistemojmë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm arkivor për gjeneratat e ardhshme për njerëzit që kanë sakrifikuar më së shumti për lirinë të cilën e gëzojmë sot”, ka thënë ai

Besnik Rraci, bashkautori i ekspozitës, ka thënë se qëllimet janë që ky projekt të shërbejë si një ekspozitë lëvizëse, e cila do të shpalosë veprimtarinë e komandantit të Brigadës 134 edhe në vendet e tjera të Evropës.

“Faza e parë i ka paraprirë hulumtimit të materialeve në terren si në Kosovë ashtu edhe jashtë vendit në Shqipëri, Gjermani, Zvicër e vende të tjera. Kështu kemi një fond me koleksione të ndryshme si objekte origjinale, regjistra të ndryshme dhe fotografi të ruajtura të Sali Çekajt që pasqyrojnë në mënyrë faktografike veprimtarinë atdhetare të heroit të kombit Sali Çekaj dhe të bashkëpunëtorëve dhe bashkëqytetarëve të tij”, ka thënë ai.

Image

Po të mërkurën, vizitorët në katin e dytë të Muzeut, kanë mundur të rrugëtojnë nëpër tri rajone të Kosovës në njohje të artit shkëmbor, unik jo vetëm në këto anë


Por “Veprimtaria atdhetare e heroit të kombit Sali Çekaj” nuk ka qenë oferta e vetme për vizitorë më 17 Shkurt. Në katin e dytë të Muzeut, është hapur edhe “Arti shkëmbor i Kosovës” e sociologut Shemsi Krasniqi. E ka kthyer publikun në kohën e parahistorisë. Krasniqi ka hulumtuar artin shkëmbor të Kosovës e nëpërmjet imazheve ia ka shpalosur atë edhe publikut. Arti shkëmbor është ndër llojet më të vjetra të trashëgimisë kulturore dhe pa dyshim ndër më të veçantët.

“Në rend të parë kjo është një trashëgimi kulturore shumë e lashtë, shumë e vjetër, parahistorike dhe nuk ka qenë e njohur shumë, sidomos për publikun e gjerë kështu që kjo ekspozitë është edhe një mënyrë e informimit të publikut për një trashëgimi shumë të veçantë, shumë të vlefshme të cilën e kemi pasur por nuk po e njohim sa duhet”, ka thënë ai. Sipas tij, në njëfarë formë kjo tregon edhe shprehjet, simbolike, estetike, metaforike të cilat i kanë përdorur njerëzit në lashtësi.

Në këtë ekspozitë, Krasniqi është fokusuar në tri rajone të Kosovës, me synim për ta deshifruar këtë formë të lashtë arti. Bëhet fjalë për artin shkëmbor të Zatriqit, ku simbolet janë në stilin abstrakt dhe gjeometrik, kurse motivet janë të ngjashme me ato të artit shkëmbor të vendeve të tjera të Evropës dhe të botës. Motive si asterike, asboleti, vulva, rrjeti, kryqi, pentagoni, dielli, hana e të tjera, janë ato që përthekohen në shkëmbinj. E motive e artit të Vlashnjes janë dreri dhe spiralja. Në Cërkolez gjendet vetëm motivi i asteriksit i cili dallon prej atyre të Zatriqit, sepse nuk ka një pikë qendrore në mes, por ka një vijë boshtore prej së cilës shpërndahen rrezet në të dy anët.

Të dyja ekspozitat do të qëndrojnë të hapura së paku për një muaj, në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ku prej vitit 2018, ka zënë vend edhe ekspozita e përhershme.