Kulturë

“Kujtesa e Kosovës: Rambouillet” në prapaskenat e ngjarjes historike

Prishtinë, 16 shkurt – Për fotografin Asllan Krasniqi, pasqyrimi fotografik i asaj që i ka ndodhur popullit të tij ka qenë dhe mbetet si një lloj misioni. Në prag të shënimit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, ai e ka kthyer vëmendjen e publikut dy dekada pas. Nëpërmjet fotografive të papublikuara më parë ka shpërfaqur një copëz të ngjarjeve nga Konferenca e Rambouilletit e vitit 1999. Në hollin e Bibliotekës Kombëtare janë ekspozuar rreth 50 fotografi.

Në mesin e figurave që spikaten në fotografi është ish-presidenti i Kosovës dhe kryetar i atëhershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ishte anëtar i Delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të Rambouilletit. Rugova shihet para Kështjellës gjersa përshëndet mediat bashkë me shefin e protokollit, Adnan Merovci. Mes fotografive vërehet lideri politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte udhëheqës i Delegacionit të Kosovës, Veton Surroi, anëtari i pavarur i Delegacionit, Boris Majorski, i dërguari special i Federatës Ruse për Kosovën, njëkohësisht kryenegociator në bisedimet e paqes. Shihet edhe Wolfgang Petritsch, i dërguari special i BE-së për Kosovën në bashkëbisedim me Edita Tahirin, pjesëtare e LDK-së, si dhe Christopher Hill, i dërguari special i SHBA-së për Kosovën, James Rubin, zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, anëtar i Grupit Ndërkombëtar për Ballkanin, Robin Cook. Pastaj edhe kongresisti Eliot Engel duke mbajtur fjalim në një manifestim në Rambouillet – ku sipas përshkrimit poshtë fotografisë kishte thënë: “Sot nuk jam kongresist amerikan, por jam shqiptar i Kosovës”.

Image

“Kujtesa e Kosovës: Rambouillet”, sjell fotografi të cilat nuk janë parë më parë kështu siç janë dhe japin detaje të Konferencës prej 6 deri më 23 shkurt të 1999-s

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, tha se fotografitë e paraqitura tregojnë vetëm një pjesë të veprimtarisë së fotografit, i cili jeton në Bruksel. Fotografi Krasniqi u lind në Tugjec të Kosovës dhe në vitin 1967 emigroi në Belgjikë, ku edhe vazhdoi veprimtarinë.

“Kjo është ekspozita për Rambouillet, fotografi të cilat nuk janë parë më parë ndonjëherë kështu siç janë dhe janë fotografi që japin detaje të Konferencës së Rambouilletit dhe të Parisit si ngjarje, apo konferenca më të mëdha dhe më themelore në përcaktimin e fatit të Kosovës”, ka thënë ai. Ka shtuar se Krasniqi është fotoreporter që ka dokumentuar më mirë se askush tjetër historinë e dhimbshme të Kosovës, historinë e lavdishme të saj.

“Sepse në të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur, të dhunshme dhe ato të gëzueshme të Kosovës, Asllan Krasniqi ka qenë në këto ngjarje dhe e ka dokumentuar përmes fotografisë gjithë këtë histori të Kosovës”, ka thënë ai.

Engelbert Zefaj, zëvendësministër në detyrë i Kulturës, tha se ekspozita ishte një mënyrë kreative për të shënuar përvjetorin e 13-të të Pavarësisë së Kosovës.

“Kur i shohim këto fotografi kthehemi mbrapa dhe kujtojmë ato ditë shumë të rëndësishme historike për Pavarësimin e Kosovës. Shohim këtu figura, personalitete tepër të rëndësishme të spikatura edhe kombëtare, edhe ndërkombëtare të cilat ishin shumë të rëndësishme për të arritur në këtë ditë ku jemi sot”, ka thënë ai.

Regjisori Dibran Fylli vlerësoi krijimtarinë e Krasniqit, e cila merr formë përmes rreth një milion fotografive që ai ka realizuar ndër vite. Veçoi edhe ato që u ekspozuan.

“Këto fotografi ose një pjesë e këtyre fotografive i paraprijnë asaj që do të festojmë nesër. Këtu është biseduar, këtu janë marrë vendime, nëpër këto vende ku i shohim këto fotografi dhe jemi këtu ku jemi”, ka thënë ai.

Asllan Krasniqi veprimtarinë e tij si fotograf autodidakt e nisi në vitin 1963, duke fotografuar refugjatët e parë kosovarë, të cilët në atë kohë strehoheshin përkohësisht në Maqedoni, për t’u zhvendosur më pas në Turqi. Që atëherë fotoaparati e shoqëron çdoherë.

Lehtësisht mes fotografive të varura në hollin e BKK-së vërehet edhe kryetari i Lidhjes së Bashkuar Demokratike, Rexhep Qosja, anëtar i Delegacionit te Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të Rambouilletit. Qosja shihet edhe përkrah Bajram Kosumit, si dhe gjatë një takimi me anëtarë të Delegacionit të Kosovës në atë konferencë. Krasniqi gjersa ka shpleksur fotografitë e realizuara ka treguar se ato gjatë takimit i kishte shkrepur pa marrë leje.

“Jam munduar që të kap atë që është me rendësi aq sa kam mundur të kapi raste si këto në Kështjellë brenda e që ka qenë e ndaluar, por unë jam futur brenda, më kanë zënë, nuk me kanë dënuar, kam shpëtuar”, ka thënë ai. Fotografitë i ruan me shumë xhelozi, pasi që e kishte pasur të vështirë realizimin e tyre.

“Jetoj në Bruksel dhe nga Brukseli është dashur të shkoj në Paris, pra po flas për këtë rast dhe atje herë pas here është dashur të kthehem, sepse kam lënë shtëpinë, familjen, firmën, edhe një punë tjetër. Të gjitha për këto ngjarje”, ka thënë fotografi i cili ka hapur mbi 50 ekspozita në qytete të ndryshme të Belgjikës, Kosovës, Shqipërisë dhe të Francës.

Të ekspozuara të martën në hollin e BKK-së ishin po ashtu edhe 13 fotografi nga cikli “Grafiti i lirisë”, të realizuara gjatë viteve 1999-2008, përmes të cilave ka kapur grafite të ndryshme të realizuara në hyrje të Gjilanit.

Image

Të ekspozuara të martën në hollin e BKK-së ishin po ashtu edhe 13 fotografi nga cikli “Grafiti i lirisë”, të realizuara gjatë viteve 1999-2008

Asllan Krasniqi është anëtar i Organizatës Botërore të Shtypit Periodik, i Shoqatës së Gazetarëve në Shqipëri, i shoqatës së fotografëve “Gjon Mili”, i Akademisë Evropiane të Arteve, anëtar i Lidhjes së të Drejtave të Njeriut, anëtar i Reporterëve Pa Kufij, si dhe anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe të Arteve me seli në SHBA. Ekspozita e tij “Kujtesa e Kosovës: Rambouillet” do të qëndrojë e hapur deri javën e ardhshme.