Kulturë

Teatri i operës dhe baletit në Prishtinë, me rëndësi kapitale dhe nacionale

Descriptive Text

Shumë qeveri në fillim të mandatit të tyre kanë folur ose kanë marrë vendime për ndërtimin e këtij objekti. Shumë herë, duke filluar që nga viti 2006, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka shpallur konkurs (tender) të ashtuquajtur “ndërkombëtar”, i cili asnjëherë nuk ka qenë i tillë, sepse ai gjithmonë duhet të shpallet në përputhje të plotë me rregullat dhe kriteret e Unionit Internacional të Arkitektëve (UIA)

Këtë shkrim, lidhur me lokacionin, programin dhe konkursin (tenderin) për projektimin dhe ndërtimin e objektit të teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë, i cili është me karakter nacional, po e filloj me një thënie të lashtë të ndërtuesit të Pekinit, Kublai Kan, i cili në fund të shekullit XIII kishte thënë: “Për të ndërtuar mirë duhet të fillojmë me ndërtimin e konceptit të mirë”. Pra, për këtë objekt shumë të rëndësishëm për kulturën dhe artin tonë skenik është folur e shkuar shumë që nga viti 2006, domethënë tash e 15 vjet, por akoma nuk kemi rezultate konkrete, sepse, sipas meje, mungon koncepti i mirë e profesional për realizim, ndërsa si në shumë raste të tjera në Kosovë, dominon koncepti politik.

Shumë qeveri në fillim të mandatit të tyre kanë folur ose kanë marrë vendime për ndërtimin e këtij objekti. Shumë herë, duke filluar që nga viti 2006, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka shpallur konkurs (tender) të ashtuquajtur “ndërkombëtar”, i cili asnjëherë nuk ka qenë i tillë, sepse ai gjithmonë duhet të shpallet në përputhje të plotë me rregullat dhe kriteret e Unionit Internacional të Arkitektëve (UIA).

Një milion euro, rezultati zero

- Deri tani janë shpenzuar mjete të konsiderueshme materiale (nëse nuk gaboj, diku rreth 1 milion euro), por rezultati është baras me zero. Pse ka ndodhur kjo? Sepse së pari për këtë objekt krucial duhet angazhuar ekspertët më të mirë që ka Kosova, profesionistët me dije e përvojë. Së dyti, këtu politika nuk duhet të ndërhyjë shumë. Ky objekt me rëndësi nacionale së pari u takon ekspertëve të domeneve të ndryshme, që të bëjnë analiza të hollësishme e gjithëpërfshirëse në aspektin urbanistik, arkitekturor dhe artistik. Natyrisht, edhe Ministria e ka rolin e vet, por fjala dhe argumentet e ekspertëve duhet marrë në konsideratë.

- Këto objekte janë shumë të shtrenjta, pasi kanë shumë veçori funksionale, arkitektonike, konstruktive, akustike dhe instalime të ndryshme specifike, të gjitha këto kërkojnë punë ekipore e të sinkronizuar maksimalisht.

- Sipas disa statistikave botërore, çmimi për 1m2 (metër katror) i këtyre objekteve në vende të ndryshme të botës sillet prej 4000-14000 dollarë. Kjo vlerë flet më së miri se sa i lartë është çmimi për realizimin e tyre. Cilët janë hapat më të rëndësishëm që duhen marrë për këtë objekt me karakter nacional? Po filloj radhazi:

- Përzgjedhja e lokacionit, pa dyshim, është e një rëndësie të veçantë. Ai duhet të jetë në qendër të qytetit dhe kërkon analiza të detajuara në aspektin urbanistik, arkitektonik, infrastrukturor e të tjera.

-Lidhur me këtë çështje do të mundohem të kontribuoj pak. Duke i njohur mundësitë hapësinore dhe urbanistike të Prishtinës, mendoj që nga organet kompetente duhet shqyrtuar këto lokacione për ndërtimin e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.

Lokacionet e mundshme

- Lokacioni i parë, sipas mendimit tim shumë i përshtatshëm, në qendër të qytetit është hapësira ku tani gjendet objekti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (ky objekt është shumë i vjetër dhe me strukturë konstruktive mjaft të amortizuar).

- Natyrisht që këtu mendoj në tërë hapësirën që shtrihet në mes të rrugëve “2 korriku”, rrugës “Sylejman Vokshi” (te Kolegium/Cantorum) dhe rrugës “Qamil Hoxha”. Krejt kjo hapësirë kufizohet edhe me sheshin “Nëna Terezë”.

- Lokacioni i dytë, po ashtu në qendër të Prishtinës, është ai në vazhdim të sheshit “Skënderbeu”, aty ku sot ndodhet një hapësirë për parkim të automjeteve (përballë Kuvendit të Kosovës). Sheshi ku ndodhet shtatorja e presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova (sipas Komunës së Prishtinës) do të vazhdojë edhe përtej rrugës “Agim Ramadani”, kur kjo rrugë të futet nën nivelin e sheshit.

- Pra, kjo hapësirë kufizohet me rrugët “Halim Spahia”, “Agim Ramadani” dhe “Zejnel Salihu”.

- Lokacioni i tretë, i cili ndoshta mund të vijë në konsideratë, është ai tek ish-Pallati i Shtypit. Këtu mendoj për hapësirën ku sot ndodhet një pjesë e Qeverisë së Kosovës me disa ministri, e gjer tek objekti i NLB-Bankës.

- Përzgjedhja e lokacionit për këtë objekt duhet patjetër të bazohet në analiza gjithëpërfshirëse dhe programin për projektimin e objektit.

- Lokacioni i parë, sipas meje, ka përparësi absolute nëse sipërfaqja e tij i përmbush nevojat programore. Padyshim, ky lokacion, siç e dini, është mu në qendër të Prishtinës.

- Në të tria lokacionet lypet rrënimi i disa objekteve që kryesisht janë të vjetra dhe të amortizuara.

- Mendoj se kjo ia vlen, pasi kemi të bëjmë me objekt të rëndësishëm dhe me karakter nacional, i cili do të shërbejë për shumë e shumë gjenerata.

Dështimet e vazhdueshme

- Lokacioni te Fakulteti i ri teknik, sipas meje, nuk duhet të merret në konsideratë, pasi për këtë destinim të objektit lipset vendi në qendër të qytetit. Tek e fundit, kështu është në krejt botën. Pse ne duhet të bëjmë përjashtim?

- Këto objekte ndërtohen shumë rrallë gjatë historisë së një shteti, pra lipsen shumë analiza dhe hapa të kujdesshëm para se të merret çfarëdo vendimi.

- Sa për ilustrim se sa janë të rëndësishme këto objekte, do të mundohem t’i jap këto konstatime:

Ka shumë faktorë të rëndësishëm, por padyshim lokacioni i përzgjedhur mirë dhe programi për projektim janë të një rëndësie të veçantë.

- Në konkursin e shpallur nga Ministria e Kulturës janë dhënë shumë pak elemente. Nuk mjafton për këtë objekt të thuhet se duhet t’i ketë 800-1250 ulëse dhe hapësira komerciale. Nuk mund ta kuptoj pse në këtë objekt të kulturës duhet të ketë hapësira komerciale?

-Konkursi (TENDERI) i parë në fund të gushtit 2006, përveçqë nuk është në frymën e konkurseve të mirëfillta ndërkombëtare, ka pasur afat qesharak – vetëm 50 ditë.

- Natyrisht, rezultati ka qenë negativ. Për këtë është folur e shkruar shumë. Nuk do të hyj në detaje, por nga kjo dhe ecuritë e mëvonshme duhet nxjerrë mësime. Në vitin 2007, për këtë objekt konkurrojnë gjashtë kompani në tenderin e ri? Fituese shpallet kompania gjermane “ARW Architekten”.

- Në shkurt të këtij viti, Zyra e Prokurimit e anuloi këtë konkurs (tender), me arsyetimin se ka pasur shkelje ligjore.

- Në dhjetor të vitit 2009 vihet gurthemeli i pallatit (siç e kanë quajtur disa personalitete) të operës “Dr. Ibrahim Rugova”, po supozoj sipas projektit të “ARW Architekten”. Ky objekt, siç thuhej atëherë (sipas shtypit ditor), do të përfundojë brenda 5 vjetësh.

- Tani jemi në vitin 2021, domethënë kanë kaluar gati 12 vjet dhe vetëm flitet e shkruhet për këtë, e ne ende diçka konkrete nuk kemi parë.

- Në janar, mars, prill dhe nëntor të vitit 2016, në gazetën “Koha Ditore” ka pasur disa shkrime lidhur me këtë objekt kapital, gjegjësisht lidhur me shpërdorimin e buxhetit tonë. Konkursin (tenderin) ndërkombëtar për projekt të ri dhe truallin për ndërtim, që kësaj radhe doli se ka edhe kontest gjyqësor (për arsye juridiko-pronësore). Këto shkrime supozoj se janë bërë në bazë të vendimeve të marra nga ana e ministrisë gjegjëse. Sipas kronologjisë, del se nuk janë të ligjshme, por kjo ndodh në Kosovë.

Shembujt botërorë

- Në fund duhet të ndalem shkurtimisht në konkurse dhe realizime të ndryshme të këtyre objekteve në disa vende të botës. Arsyeja e vetme është për ta ilustruar rëndësinë e tyre.

- Po filloj në mënyrë kohore, kur ka qenë konkursi ose kur janë ndërtuar këto objekte. Për operën në Sydney (Australi), konkursi ndërkombëtar është shpallur në vitin 1957 (para 64 vjetësh). Këtë konkurs e ka fituar arkitekti danez Jorn Utzon. Objekti i kësaj opere është realizuar në bazë të projektit të tij. Besoj se publiku i gjerë e di se këtu është fjala për një objekt me arkitekturë shumë unikate dhe mjaft impresive.

-Konkursi për Operën e Beogradit (ish-Jugosllavi) po ashtu është ndërkombëtar. Ai është shpallur më 1970 (para 51 vjetëve). Detyra projektuese ka pasur 32 faqe, pra kemi të bëjmë me një objekt shumë të veçantë. Materialin për konkurs e kanë marrë 512 të interesuar nga 33 vende të botës. Janë dërguar 140 projekte nga 26 vende të botës. Në përzgjedhje të ngushtë kanë hyrë 23 projekte. Vendin e parë e kanë marrë dy arkitektë nga Danimarka: Hans dall dhe Torben Lindharsen. Projekti i objektit ka një arkitekturë mjaft bashkëkohore, por objekti nuk është realizuar. Juria ndërkombëtare për Operën e Beogradit ka mbajtur 21 takime pune. Pos çmimit të parë, janë ndarë edhe 7 çmime të tjera për projekte me vlera të larta arkitektonike e funksionale. (Shënimet janë marrë nga revista “Arkitektura-Urbanizam” Nr. 67 e vitit 1971). Projekti dhe maketi janë mjaft bashkëkohorë, shumë vizionarë si dhe shumë funksionalë.

- Konkursi ndërkombëtar për Operën e Sofjes (Bullgari) ka qenë në vitin 1973 (para 48 vjetëve). Çmimin e parë nga 123 punime prej 21 vendeve të botës e kanë fituar dy autorë nga Sarajeva (BeH), arkitektët Ivan Shtraus dhe Halid Muhasilloviq. Projekti i objektit, me arkitekturën e vet, është shumë modern dhe funksional. Ky projekt nuk është realizuar, por objekti është ndërtuar me një projekt tjetër.

-Për të dëshmuar rëndësinë e këtij projekti, kësaj radhe do të marr një shembull, jo të operës, por të sallës koncertale “Vatroslav Lisinski” në Zagreb (Kroaci). Objekti është ndërtuar më 1972 (para 49 vjetëve). Për këtë objekt janë hartuar 18 projekte të ndryshme.

-Shënimet janë marrë nga revista “Covjek i Prostor”- (“Njeriu dhe Hapësira”) Nr. 252, viti 1974.

- Projektin e akustikës (që është shumë i rëndësishëm) e kanë hartuar eksperti i njohur botëror Heinrich Keilholz nga Hanoveri i Gjermanisë dhe Albert Pregernik nga Zagrebi. Me qëllim i përmenda këta shembuj që janë para disa dekadash, ku shihet qartë se sa të rëndësishme dhe komplekse janë këto objekte, pavarësisht nga koha e projektimit dhe ndërtimit të tyre.

-Duke u nisur nga rëndësia e këtij objekti për kulturën tonë dhe Kosovën si shtet, më 12 janar 2021 kërkova një takim me znj. Vlora Dumoshin, ministre në Ministrinë e Kulturës, për të biseduar lidhur me këtë temë. Takimi nuk është realizuar akoma. Të njëjtën ditë (12 janar 2021) për këtë temë po ashtu kërkova takim me z. Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës, edhe ky takim mjerisht nuk është realizuar gjer tani. Nuk i di arsyet e vërteta. Po supozoj (besoj që nuk e kam gabim) se te ne në Kosovë njerëzit e politikës nuk kanë shumë dëshirë të takohen me profesionistë dhe ta kërkojnë a dëgjojnë mendimin e tyre.

- Opinionit duhet t’i ofrohen argumente për rëndësinë e këtij objekti. Pra, jo improvizime, por analiza dhe vendime të mbështetura në profesionalizmin dhe përvojën e mirë, të cilën duhet ta marrim edhe ne në Kosovë para se të vendosim për gjëra të rëndësishme nacionale, e në këtë rast edhe për objektin e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”, i cili duhet të ndërtohet në kryeqytetin e Kosovës – në Prishtinë.

Autori është arkitekt. Qëndrimet në këtë artikull janë të z.Spahiu dhe nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të redaksisë.