Kulturë

Gati 15 mijë nënshkrime për një ditë që “Netflixi” ta njohë Kosovën si shtet

Descriptive Text

Për 24 orë janë bërë mbi 14 mijë nënshkrime në një peticion online nëpërmjet të cilit synohet që Kosova të figurojë në platformën “Netflix”. Një prej platformave më të mëdha online që ofron përmbajtje filmike e prodhime të tjera në gjithë botën nuk e ka Kosovën si pjesë të hartës së shteteve të botës.

Peticioni është nisur nga studenti i gjuhës angleze nga Prizreni, Sovran Hoti. Deri në orët e mbrëmjes së të mërkurës ka arritur t’i afrohet numrit të synuar prej 15 mijë nënshkrimesh.

Në mbështetje të këtij peticioni ka dalë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh kandidate për deputete.

“Kur kosovarët hyjnë në ‘Netflix’, lokacioni i tyre paraqitet sikur të jenë në Serbi, edhe pse e përdorin ‘Netflixin” nga Republika e Kosovës”, shkruhet në arsyetimin e peticionit. “Personalisht kjo më ka ndodhur shumë herë. Nuk mund as ta verifikoj numrin e telefonit, pasi Kosova nuk është në listën e vendeve që u paraqitet kodi telefonik”, shkruhet në arsyetimin e dhënë nga iniciuesi i peticionit Sovran Hoti. Aty sqarohet se Kosova e ka shpallur Pavarësinë më 17 Shkurt të vitit 2008. Po ashtu tregohet se qysh prej asaj kohe janë 98 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur mëvetësinë e Kosovës, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Propaganda e Serbisë për ta penguar Kosovën në arenën ndërkombëtare, sidomos në platformat online, është shumë e madhe. Kjo duhet të ndryshohet”, shkruhet në arsyetim. Aty sqarohet se Serbia nuk ka kurrfarë juridiksioni në Kosovë. Sipas iniciuesit të peticionit “Netflix”, si kompani amerikane, duhet ta ketë Kosovën në listën e vendeve të kësaj platforme.

“Më ndihmoni që ta përmirësojmë këtë gabim. Ne jemi vendi më proamerikan në botë dhe e duam ‘Netflixin’. Me këtë peticion mendoj se ata do të na dëgjojnë neve”.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka shkruar në Twitter se njerëzit në Kosovë kënaqen me prodhimet e “Netflix”-it dhe e duan punën e tyre. “Ata meritojnë të njihen për shkak të kësaj. Është çështje e kohës vendosja e Republikës së Kosovës në hartën tuaj”, ka shkruar Osmani.

Vitin e kaluar ishte zhvilluar një fushatë për vendosjen e Kosovës në hartën e kompanisë “Apple”. Në gusht Kosova më në fund kishte arritur të futej në hartat e “Apple”. Zërit të studentes shqiptare në Londër, Megi Cara, i ishin bashkuar 197 mijë e 175 persona të tjerë, të cilët përmes nënshkrimit të peticionit “Put Kosovo on Apple Maps” kishin arritur ta bënin Kosovën pjesë të “Apple”. Fushatës asokohe i ishin bashkuar edhe artistet me nam botëror si Rita Ora, Dua Lipa e Bebe Rexha. Asokohe Vjosa Osmani si kryeparlamentare, Meliza Haradinaj si ministre e Punëve të Jashtme e Gent Cakaj si ministër në detyrë i Punëve të jashtme i Shqipërisë e kishin përkrahur fushatën.