Kulturë

Zërat e këngës së Nexhmije Pagarushës

Për zërat që e pasuan mbeti inspirim jo veç për këndimin e paraqitjen, por edhe si një grua që paragjykimet i mbante larg vizionit të saj prej artisteje. Popullit i dha perla të tejkohshme muzikore që e mbajnë zërin e saj ende të pranishëm. Sopranot Adelina Thaçi-Meta, Adelina Paloja e Arta Jashari jo rrallë ia këndojnë këngët. Për to Nexhmije Pagarusha është shembulli që duhet ndjekur, zë i papërsëritshëm

“Të jesh artiste nënkupton shumë adhurues, një vetmi e thellë dhe e errët. Rrëfimi për një artiste është rrëfimi për vetminë, shpirti krijues është vetmitar në kohën e tij...”, do të shkruante gjuhëtari e studiuesi Bardh Rugova në parathënie të Monografisë për Nexhmije Pagarushën, botuar më 2019. “...pastaj ndër breza, përmes ndikimit kulturor, lulëzon e shndërrohet në burim krijimesh të tjera”. Kështu në fakt edhe ndodhi.

Një vit nga vdekja e saj, këngët e Pagarushës vazhdojnë të jenë një udhërrëfim muzikor dhe jo vetëm. Emri i saj mbeti kumbues si refren kur flitet për arritjet e kulturës shqiptare. Për zërat që e pasuan mbeti inspirim jo veç për këndimin e paraqitjen, por edhe si një grua që paragjykimet i mbante larg vizionit të saj prej artisteje. Popullit i dha perla të tejkohshme muzikore që e mbajnë zërin e saj ende të pranishëm. Duartrokitjet që bëheshin një me këngët sa herë që ajo i dorëzohej tërësisht skenës bënë që emri i saj të mishërohej me epitetin Bilbil i Kosovës, e të triumfojë mbi paragjykimet e vështirësitë e kohës.

“Sa herë që flas për Nexhmijen, më dridhet zëri...”

Image
Adelina Thaçi-Meta: ”Ka pasur një ngjyrë shumë specifike dhe ai personaliteti i saj që karakterizohej me thjeshtësi, zotnillëk e humor, e bëjnë atë të papërsëritshme”

Për 40 vjet sa qëndroi e lidhur ngushtë me këndimin, në çdo paraqitje, me aftësitë e saj transformuese në raport me atë që këndonte lanë gjurmë të pashlyeshme në skenën e muzikës shqiptare. E këngët që e personifikojnë profilin e saj artistik vazhdojnë të mbesin si një trashëgimi që bëhet më e qëndrueshme gjatë viteve. Jehona e këngëve si “Baresha”, “Një lule”, “Vetë ke mbetë”, “Unë ty moj të kam dashtë”, mbesin ndër më të dëgjuarat edhe sot e kësaj dite. Gjurmët e pashlyeshme që hetohen edhe larg skenave, në studion e këngëtares së njohur kosovare Adelina Thaçi-Meta ajo vazhdon të jetë inspirim i përditshëm. Kujtimi për Bilbilin e Kosovës është i pranishëm kudo nëpër portretet që shihen në vendin ku ajo këndon.

Thaçi-Meta qysh në fillet e karrierës kishte nisur interpretimin e këngëve të Pagarushës e lidhja me këto këngë ndër vite veçse i është përforcuar. Në njëvjetorin e vdekjes se ikonës së muzikës, thotë se e kujton jo veç për muzikën, por edhe si një grua që i shembi barrierat e kohës e hapi shtigje të reja për këngëtarët e tjerë.

“Sa herë që flas për Nexhmijen, ndoshta mund të duket e hiperbolizuar, por mua më dridhen gjunjët dhe më dridhet zëri, pasi që mendoj që sado që ne si artistë jemi munduar që muzikën e saj ta sjellim në mënyrën më të bukur, prapë kam qenë kritike ndaj vetes, sepse e cilësoj si një ikonë të muzikës shqiptare”, ka thënë Adelina për KOHËN.

Në një pasdite, derisa ekipi i KOHËS ka qëndruar në studion e saj muzikore, ajo në nderim të emrit të Pagarushës ka kënduar këngën “Ti moj bukuroshe”. Sa herë që këndon këngët e saj, ajo thotë se bindet edhe më shumë se Pagarusha i ka dhënë jehonë muzikës shqiptare në një dimension krejtësisht tjetër. Kjo përveçse i jep shumë emocion ia shton edhe më shumë përgjegjësinë e këndimit.

“Kur i këndoj këngët e saj ndihem shumë mirë, për shkak të ambitusit që kam dhe si këngëtare lirike që jam. Po ashtu, teksti dhe melodia më prekin aq shumë. Me shumë emocion i këndoj këngët e saj. Dashtë Zoti që kjo traditë e këngëtarëve të tjerë të vazhdojë. Mendoj se sa të ketë jetë mbi këtë tokë, kënga dhe vepra e Nexhmijes kanë me qenë gjithnjë gjallë”, është shprehur këngëtarja kosovare.

Nexhmije Pagarusha është cilësuar si një këngëtare me potencialin vokal të një sopranoje, duke e çuar kështu këngën e lehtë shqipe dhe atë popullore në një nivel tjetër.

Emri i saj mishërohet me veprën “Baresha” e kompozuar nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi e që ka shpërfaqur më së miri shtrirjen e zërit të saj. Kjo vepër është interpretuar edhe në koncertin që Filarmonia e Kosovës e mbajti në kujtim të Nexhmije Pagarushës, më 19 dhjetor të vitit të kaluar në Shkup. Këngët e saj janë interpretuar jo pak herë nga institucioni më i lartë muzikor në vend.

“Ajo ka përfaqësuar zërin e femrës kosovare”

Image
Adelina Paloja: “Edhe pse pak ka pasur femra në atë kohë që kanë qenë aktive në muzikën serioze, ajo si e tillë e ka përfaqësuar zërin e femrës kosovare. Jam e lumtur që sot shembullin e saj e ndjekin jo vetëm të gjeneratës sime”

Sopranoja kosovare Adelina Paloja në vitin 2011 e kishte interpretuar këngën “Nji lule”, në koncertin e dirigjuar nga Rafet Rudi. Interpretimi i kësaj këngë para Pagarushës thotë se ia kishte shtuar shumëfish barrën asaj.

“Krahas përgjegjësisë për ta kënduar atë vepër që kërkon impenjim, mu shtua edhe barra tjetër, sepse nuk e dija si t’i përballoja ato emocione pasi që isha krenare që po këndoja përballë saj dhe në njërën anë doja pak t’ia lija atë shijen se qysh ajo e ka interpretuar, duke i dhënë edhe një dozë nga unë”, tregon Paloja e cila kujton se lëvdatat që ia kishte bërë pas koncertit Pagarusha, kishin qenë një pikë e fortë stimuluese më pas gjatë zhvillimit të karrierës së saj.

Këngët e Pagarushës vijnë të interpretuara edhe përmes “cover”-ave të ndryshëm që këndohen nga emrat që synojnë tregun muzikor. Sopranoja Paloja, e cila është edhe ligjëruese në Degën e Muzikës në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, thotë se figura e saj nuk është zbehur gjatë viteve. Edhe studentet e reja, sipas saj, po rriten profesionalisht duke e ndjekur shembullin artistik të Nexhmije Pagarushës.

“Edhe pse pak ka pasur femra në atë kohë që kanë qenë aktive në muzikën serioze, ajo si e tillë e ka përfaqësuar zërin e femrës kosovare. Jam e lumtur sot që shembullin e saj e ndjekin jo vetëm të gjeneratës sime apo me një karrierë më të madhe sa u përket viteve, por edhe studente të reja” , ka thënë Paloja.

“Këngët e saj nuk duhet të preken...”

Image
Arta Jashari: “Këndimi i këngëve të saj është shumë i vështirë, pasi që shtrihet në dy regjistra të ndryshëm: edhe të ulët dhe të lartë. Mendoj që këngët e saj nuk duhet të preken

Në koncertin që Filarmonia e Kosovës ka mbajtur në fundvit në Shkup, sopranoja Arta Jashari në nderim të Pagarushës kishte interpretuar këngën “N'jat zaman t'asaj furie” të kompozitorit Çesk Zadeja. E këtë vit ka nisur të hulumtojë veprat e Pagarushës, dy prej të cilave veç i ka interpretuar. Kjo thotë se e ka nxitur t’i rreket studimit të veprave të saj dhe t’i përmbledhë në një projekt të veçantë.

“Më parë nuk i kam prekur ato vepra pasi që mendoj se janë shumë të vështira për t’u realizuar në aspektin që deri sot kam kënduar vetëm arie operistike. Për herë të parë i kam provuar se si po tingëllojnë vokalisht dhe më kanë pëlqyer shumë, andaj jam ende në hulumtim të këngëve të tjera”, ka treguar sopranoja Arta Jashari.

Nexhmije Pagarusha vlerësohej për karizmin e aftësitë artistike në skenat e Evropës e gjer në Moskë. Atje dhe këtu, ajo vlerësohet si markë për gjithë ish-Jugosllavinë. Shtrirja e ngjyrat e zërit të saj mbesin sfidë edhe në ditët e sotme për ato që i këndojnë këngët e saj.

“Këndimi i këngëve të saj është shumë i vështirë, pasi që shtrihet në dy regjistra të ndryshëm: edhe të ulët, edhe të lartë. Mendoj që këngët e saj nuk duhet të preken. Ne artistet e tjera duhet t’i lëmë ashtu siç janë, por pse jo të rikrijojmë në kujtim të saj këngët e saj në mënyrë sa më të denjësishme”, ka thënë Jashari.

Derisa emri i Nexhmije Pagarushës përfaqëson një zë emancipues për shoqërinë, në muzikë vlerësohet si zë i papërsëritshëm. Një zë origjinal që plotësohej me paraqitjen skenike.

Shembull ideal, figurë e paarritshme

Tri sopranot thonë se Nexhmija mund të shërbejë si një shembull ideal për t’u ndjekur, por mbetet një figurë e paarritshme për shumë arsye.

“Për shkak se e ka pasur ambitusin shumë të gjerë sa ka kënduar shumë ulët, ka këndur edhe lart. Ka pasur një ngjyrë shumë specifike dhe ai personaliteti i saj që karakterizohej me thjeshtësi, zotnillëk e humor, e bëjnë atë të papërsëritshme. Ajo për ne është veç një shembull qoftë si femër, qoftë si artiste. Disa njerëz nuk përsëriten. Ne mund t’i ofrohemi asaj, por asnjëherë si Nexhmija nuk mund të bëhemi”, ka thënë këngëtarja dhe sopranoja Adelina Thaçi-Meta.

Pagarusha vazhdon të cilësohet si primadonë e muzikës popullore dhe asaj zbavitëse. Interpretimi i saj origjinal, në manifestime dhe në festivale në Kosovë dhe në të gjitha viset e tjera, duke arritur popullaritet të madh për potencialin e saj vokal në ish-Jugosllavi. Ajo u vlerësua se posedon një ambitus të gjerë interpretues me elemente kolorature pa vibrime orientale, andaj ndër dekada arriti të ketë repertor interpretues tejet të gjerë dhe të larmishëm.

“Ajo nuk ka qenë as tipike e muzikës klasike që ka këndu, as tipike e muzikës popullore, por i ka gërshetuar shumë bukur këto të dyja dhe ky gërshetim e ka nxjerrë një muzikë prej shpirtit, gjithmonë duke e ndjekur logjikën e këndimit dhe melizmat tona popullore që e shquajnë folklorin tonë. Si e tillë Pagarusha është e papërsëritshme dhe mua më pëlqen t’i referohem si zëri i përjetësisë”, thotë sopranoja Adelina Paloja.

Nexhmije Pagarusha vdiq më 7 shkurt të vitit 2020. Përmes zërit të saj janë interpretuar mbi 150 këngë në periudhën mes viteve ’50 dhe mesit të viteve ‘80. Ajo është nderuar me medalje presidenciale për veprimtari jetësore. Ka marrë titullin “Nderi i kombit” dhe është nderuar me çmime të shumta, përfshirë edhe “Rexhai Surroi” për vepër jetësore.