Kulturë

Sindikatat e institucioneve kulturore me “ofertë” në këmbim të votave

“Vota ime, vota jonë, vota e komunitetit artistik shkon për ata që garantojnë ligjin për krijuesit dhe performuesit e artit”, është fjalia me të cilën mbyllet komunikata e Këshillit organizativ sindikal i përbërë nga përfaqësuesit sindikalë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Filarmonisë së Kosovës, ansamblit “Shota” dhe Asociacionit të Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës nëpërmjet të cilit përfaqësohen teatrot e qyteteve

Prishtinë, 5 shkurt – Shoqatat sindikale të institucioneve të kulturës për dallim prej fushatave të tjera elektorale, kësaj radhe janë bërë pjesë e negocimit me partitë politike. Kanë dalë me ofertë sa u përket votave të tyre.

“Vota ime, vota jonë, vota e komunitetit artistik shkon për ata që garantojnë ligjin për krijuesit dhe performuesit e artit”, është fjalia me të cilën mbyllet komunikata e Këshillit organizativ sindikal i përbërë nga përfaqësuesit sindikalë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Filarmonisë së Kosovës, ansamblit “Shota” dhe Asociacionit të Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës nëpërmjet të cilit përfaqësohen teatrot e qyteteve. Komunikata është lëshuar të premten, në ditën e tretë të fushatës elektorale.

Sipas komunikatës, Këshilli i Bashkuar Sindikal në vazhdimësi ka ngritur e trajtuar çështje e problematika të shumta që kanë prekur të drejtat e komunitetit artistik, si të institucioneve publike, për specifikat e veçanta, po ashtu edhe të interesave të artistëve të pavarur.

Aty shkruhet se çështjet që janë ngritur nga këto Shoqata sindikale kanë qenë të interesit të përgjithshëm si në aspektin organizativ, menaxherial, juridik dhe financiar duke përfaqësuar institucionet që janë nën ombrellën e Ministrisë së Kulturës si edhe institucioneve në nivel lokal.

“Pas takimeve të veçanta të secilës shoqatë me anëtarët e vet sindikalë, duke evidentuar problemet me të cilat po ballafaqohemi dhe duke skanuar gjendjen reale në të cilën gjenden institucionet e kulturës kemi evidentuar një numër të madh problemesh që cenojnë të drejtat e komunitetit artistik, si: mënyrat e rekrutimit, sistematizimit, gradimit, pensionimit”, shkruhet në komunikatë.

Aty sqarohet se gjithashtu janë evidentuar edhe problematikat e ndryshme menaxheriale, organizative, teknike e deri te infrastruktura e objekteve që është̈ larg standardeve dhe kërkesave minimale konform fushës së veprimtarive përkatëse. Është përmendur fakti se disa herë kanë bërë kërkesa për rishikime e amendamentime të ligjeve përkatëse të cilat duhet të jenë në përputhje me kërkesat dhe nevojat e brendshme për funksionim dhe organizim të veprimtarisë së këtyre institucioneve.

“Si pasojë e një neglizhence totale, besa edhe për shkak të ndërrimit të shpeshtë të qeverive, nuk kemi marrë përgjigje për adresim të këtyre çështjeve”, shkruhet në komunikatë. Aty për qeverinë e re sqarohet se do të ndërmerren veprime sindikale për të kërkuar miratimin e një ligji për krijuesit dhe performuesit e artit. Propozohet që Ministria e Kulturës të bëjë procedimin e koncept-dokumentit, brenda 100 ditëve të para të qeverisjes të themelohet grupi punues dhe të ketë përfshirje të të gjitha grupeve të interesit duke përfshirë përfaqësuesit sindikalë të institucioneve dhe organizatave të pavarura të kulturës që funksionojnë në Kosovë.

“Komuniteti artistik në Kosovë që 21 vjet pas luftës, 13 vjet pas shtetësisë së saj ka qenë bashkëpunues në strukturimin, rregullimin, ngritjen dhe formësimin e institucioneve dhe jetës kulturore në Kosovë duke mirëkuptuar dhe duke anashkaluar interesat e drejtpërdrejta të vetë komunitetit me qëllim të interesit shtetëror”, shkruhet në komunikatë.

Sipas shoqatave sindikale, ky komunitet, në mungesë të këtij ligji, trajtohet përmes akteve te ndryshme normative, në mënyrë jo të duhur dhe të padinjitetshme.

“Andaj është emergjente për ne si komunitet Ligji në fjalë, si akt i parë dhe më i lartë normativ. Theksojmë se kjo kërkesë mbi statusin e artistëve ka qenë temë e diskutimeve nga të gjitha qeverisjet e kaluara, por nuk kemi gëzuar këtë̈ të drejtë, si rezultat i politikave ‘ad hoc’, të paqëndrueshme, joserioze, të politikëbërjes së papërgjegjshme, pa dallim”, shkruhet në komunikatë. Aty kritikohen programet kulturore të partive politike, duke i konsideruar si të njëjta nga ato parapraket.

“Pra, ta kenë të qartë të gjithë ata që synojnë ‘pushtetin’, aq më shumë ata që pretendojnë të marrin drejtimin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, se do të ballafaqohen me çështje dhe problematika të pazgjidhura tash e 21 vjet”, shkruhet në komunikatë.

Aktori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Shkëlzen Veseli, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ofertë ndaj partive politike. Sipas Veselit, i cili është pjesë e Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, partitë nuk mund të flasin për kulturën pa njerëzit që e bëjnë atë.

“Po tregojmë qe ky komunitet nuk përkrah më partitë që flasin për kulturën si diçka e shkëputur prej njerëzve që e bëjnë atë (kulturën)”, ka thënë ai.