Kulturë

“Të barabartë, veç jo aq shumë” përballë realitetit diskriminues

Dokumentarit “Të barabartë, veç jo aq shumë” s’i duhen më shumë se pesë minuta për ta përthekuar realitetin e zymtë të diskriminimit ndaj komuniteteve. Përballë kësaj përditshmërie, megjithatë, rrezon shpresa

Në përditshmërinë e shpejtë e të zhurmshme, si në heshtje kalojnë imazhet e diskriminimit nga komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian. Vetë ata përballen çdo ditë me të. “Të barabartë, veç jo aq shumë”, është një rrëfim i thjeshtë me frakturë të fortë dokumentare e s’i duhet fort për ta dëshmuar realitetin diskriminues që është i ashpër jo më larg se dhjetë kilometra nga Prishtina

Prishtinë, 4 shkurt – Zëri i një djali rreth shtatëvjeçar mbizotëron intron e filmit. I këndon dashurisë së humbur. I mban sytë direkt në kamerë. Më pas pamjet fillojnë të lëvizin nëpër lagjen ku dominojnë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Fushë-Kosovë.

Në vendin jo më shumë se dhjetë kilometra larg kryeqytetit, imazhin e thyejnë objektet muresh të zhveshura. Kontrasti janë të rinjtë dhe fëmijët. Kështu filmi i shkurtër dokumentar i titulluar “Të barabartë, veç jo aq shumë” në pesë minuta tenton ta paraqesë jetesën e komuniteteve pakicë në Kosovë.

Ky film i shkurtër dokumentar është dhënë premierë në fillimjavë, ndërsa më pas është publikuar edhe në “Youtube”. Derisa pamjet dokumentojnë skuta nga kjo lagje, realiteti pasqyrohet nga perspektiva e të rinjve. Rrëfimet e tyre në vetën e parë nxjerrin në pah eksperiencat personale që dëshmojnë për diskriminim në shkolla dhe jo vetëm.

Albiona Belani tregon se diskriminimi e kishte përjetuar qysh si filloriste kur nxënësit e komunitetit ashkali kanë zënë vend në një rresht të klasës, duke mos u përzier me të tjerët. Ndarja kishte qenë e theksueshme edhe gjatë pushimeve mes orëve kur janë veçuar nga pjesa tjetër e nxënësve të komunitetit shumicë. Rrëfimi i saj në film tregon se këtë diskriminim e kanë përforcuar edhe më mësuesit.

“Mësuesja ka qenë shumë raciste. Ka thënë: ‘Hajt se ti s’din’”, shprehet Albiona në film. Ajo thotë se nëpërmjet dokumentarit, ka nxjerrë një pjesë të asaj me çka përballen çdo ditë. Ajo thotë se i ka treguar ato në mënyrë që ata që e shohin filmin t’i shmangin situatat që i bëjnë të ndihen të diskriminuar.

“Pasi që e pashë dokumentarin jam ndier shumë mirë dhe rehat, sepse i kam folur shumë sene të komunitetit tim, se qysh ndihen dhe cilat janë kushtet dhe sfidat me të cilat përballen”, ka thënë ajo.

“Për neve termi ‘magjup’ dhe ‘RAE’ janë shumë fyese”, thotë gjatë dokumentarit i riu Ardijan Krasniqi.

Filmi përveçqë flet për pabarazitë me të cilat përballën të rinjtë e këtij komuniteti, ai nxjerr në pah ëndrrat e tyre. E ato janë që një ditë të mos flasin më për diskriminimin, temë kjo e cila i detyron të ngrenë zërin në vazhdimësi. Albiona Belani dhe Ardijan Krasniqi kanë luajtur në shfaqjen “Racizmi vret”. Krasniqi, i cili në film tregon se ëndërron të bëhet aktor, thotë se pret që një fenomen i tillë të mos jetë më temë.

“Unë shpresoj që në të ardhmen s’kam me servu shfaqje për racizmin. Pse jo romancë? Pse të mos bëhet Romeo dhe Zhulieta. Një shfaqje dhe shumë shfaqje të tjera ku tregohet romancë dhe dashuri dhe jo me tregu urrejtjen ndaj neve”, thotë ai gjatë dokumentarit.

Aktivisti i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, Gazmend Qyqalla, e ka vlerësuar filmin për ndërlidhjen vizuale dhe përfshirjen e personazheve.

“E kanë përfshirë një pjesë shumë të madhe të lagjes dhe e kanë bërë një ndërlidhje shumë të mirë përmes fjalëve dhe aspektit vizual. Paraqitet gjendja ashtu siç është në terren”, ka thënë Qyqalla për KOHËN.

Filmi është realizuar nga “Truaktiv” në bashkëpunim me “Civil Rights Defenders” dhe “Katarze Film”, me synim që vetë personazhet të flasin për veten dhe jo të ngarkohen me narracion.

“Këqyre filmin me t’shpisë: Diskuto për diskriminimin dhe racizmin” titullohet eventi i radhës që fton pjesëmarrësit e programit “Truaktiv” që ta shikojnë filmin së bashku me familjet e tyre në mënyrë që sadopak të njihen edhe ata me mënyrën e jetesës, diskriminimin në baza ditore, neglizhimin institucional dhe ëndrrat e personave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

“Qëllimi primar ka qenë me e shfaqë realitetin dhe me ba në një mënyrë që ata po flasin për veten e jo ne për ata. Të mos shfaqemi sikur ne dimë më mirë për problemet e tyre se vetë ata, andaj qëllimi ka qenë me shfaqë anën personale dhe sociale të tyre” , ka treguar Albanoi Retkoceri, aktivist në “Sbunker”.

Dokumentari i shkurtër “Të barabartë, veç jo aq shumë” do të vazhdojë të transmetohet gjatë shkurtit edhe nëpër qytete të tjera të Kosovës.