Kulturë

Sponsorizimi i kulturës me 629 mijë euro për një vit, larg nga sporti

Ministria e Kulturës ka lëshuar gjithsej 227 vërtetime për sponsorizime gjatë vitit 2020. Prej tyre, vetëm 22 janë për aktivitete kulturore. E 205 janë për aktivitete sportive. Prej 3 milionë e 578 mijë eurove të dhëna nga bizneset, vetëm 629 mijë prej tyre janë për aktivitete apo projekte kulturore. Për komunitetin artistik, këto janë efektet e diskriminimit të kulturës të paralajmëruar qysh se u miratua Ligji për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe të sportit

Ajo që u cilësua si hile që iu bë kulturës para katër vjetësh kur u miratua Ligji për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe të sportit, është duke dhënë efekte konkrete. Numri i aktiviteteve kulturore të sponsorizuara nga bizneset gjatë vitit të kaluar, ka dallim të madh me ato sportive.

Ministria e Kulturës ka lëshuar gjithsej 227 vërtetime për sponsorizime gjatë vitit 2020. Prej tyre, vetëm 22 janë për aktivitete kulturore. E 205 janë për aktivitete sportive. Kur sponsorizimet përkthehen me mbështetje financiare, dallimi po ashtu është tejet i madh.

Prej 3 milionë e 578 mijë eurove të dhëna nga bizneset, vetëm 629 mijë prej tyre janë për aktivitete apo projekte kulturore.

Se sporti do të jetë më atraktiv për sponsorizime është ditur qysh kur është hartuar Ligji. Por rezultatet sikurse ky i vitit të kaluar qenë paraparë qysh prej miratimit të Ligjit në shkurt të vitit 2017.

Kabineti i Qeverisë e kishte votuar këtë ligj në dhjetor të vitit 2016, nja dhjetë vjet pasi janë hartuar disa drafte e janë zotuar disa ministra të Kulturës se këtë ligj e kanë prioritet.

Asokohe, një pjesë e komunitetit artistik nuk ishte pajtuar me Projektligjin. Ishte konsideruar se i është bërë me hile fushës së kulturës. Lehtësitë e njëjta fiskale për bizneset pavarësisht se a do të sponsorizojnë fushën e kulturës apo atë të sportit, ishin konsideruar diskriminuese për kulturën.

Ligji përcakton se sponsorizuesve në aktivitetet e kulturës u njihet zbritja nga tatimi në fitim vetëm 20 për qind. Për aktivitete sportive është 30 për qind. I bie që nëse një biznes ka fitim vjetor prej 100 mijë eurosh, të ketë të drejtë të sponsorizojë ngjarje kulturore deri në 20 mijë euro dhe për ato mjete të lirohet nga tatimi në fitim.

Por, sipas atyre që organizojnë ngjarje a janë producentë në fushën e kulturës, një biznes shumë më shumë ka leverdi që të sponsorizojë një ngjarje sportive sesa kulturore, pasi sporti gëzon më shumë popullaritet dhe reklama eventuale e biznesit do të shihet më shumë.

Aktori Fatmir Spahiu është shumë aktiv si producent i filmave vendorë e po ashtu edhe bashkëproducent në projekte ku përfshihen edhe shtete të tjera. Ai qysh më 2017 kishte paralajmëruar se bëhet fjalë për diskriminim të kulturës.

“Tash shihet që është një diskriminim jo i vogël në përqindje”, ka thënë ai të mërkurën. Sipas Spahiut, është e natyrshme që sporti të jetë pak më joshës me efekt marketingu më të madh, sesa kultura dhe kjo është një prej arsyeve që nuk është dashur të zvogëlohet përqindja për kulturën. Në vitin 2017 fillimisht ishte paraparë që përqindja të jetë e njëjtë. Por, lobimi i deputetëve që janë të përfshirë edhe në klube e federata sportive ishte shumë i fortë, gjë që çoi në versionin që është në fuqi.

“Zgjidhja më e mirë do të ishte sikur të amendamentohet ai Ligj nga përbërja e re e Kuvendit. Në vend që të avancohej kultura për shkak të disfavoreve të marketingut, këta ia kanë zvogëluar përqindjen. Do të provoj që sivjet të mundohem ta shfrytëzoj sponsorizimin nëpërmjet atij ligji”, ka thënë Spahiu. Në vitin 2018 me gjithë dallimet, zbatimi ishte goxha sfidë. Administrata Tatimore e Kosovës në vitin 2018 i jepte prioritet Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave pasi ky ligj përcakton sponsorizime e donacione vetëm deri në 10 për qind të fitimit vjetor. Bile, në nëntor të vitit 2018, vetë zyrtarët e ATK-së kishin thënë se për ata prioritet janë ligjet tatimore. Por, tash kanë ndërruar gjërat.

Midis 22 projekteve që kanë përfituar sponsorizime është edhe ai i organizatës joqeveritare “Burrneshat”, që udhëhiqet nga regjisorja Burbuqe Berisha. Ajo ka thënë se proceduralisht nuk kanë pasur probleme.

“Mundësia për promovim edhe në kulturë është shumë e madhe. Por, bizneset janë duke shkuar më shumë nga sporti pasi atje shihen më shumë. Në anën tjetër, buxheti publik për kulturë është shumë më i vogël se për sport”, ka thënë ajo.

Regjisori Florent Mehmeti, i cili menaxhon me teatrin “Oda” ka thënë se numri i aplikimeve për vërtetim të sponsorizimit tregon se si është gjendja. Ai ka treguar se pas miratimit të Ligjit kanë provuar të marrin sponsorizime, por fryma e bizneseve ka qenë më shumë e shprehur në sport.

“Ne jemi të diskurajuar. Ashtu siç ndodhin shumë politika në Kosovë, është bërë edhe kjo. Sporti ka lobuar më shumë dhe është bërë kështu. Nuk është interesante për asnjë sponsor që të përkrahë projekt në kulturë duke pasur parasysh diskrepancat”, ka thënë ai. Sipas Mehmetit, nëse kultura do të ishte 10 për qind më lart se sporti sa i përket mundësisë së sponsorizimit, atëherë do të ndryshonte edhe interesimi i bizneseve për sponsorizim.

Por, Qeveria aktuale që është në detyrë nuk planifikonte që të amendamentohet Ligji për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe të sportit. Amendamentimi nuk ishte pjesë e pakos ligjore të vitit të kaluar e nuk planifikohet as për këtë vit. Disa prej anëtarëve të komunitetit artistik do të vazhdojnë kërkesën për amendamentim edhe ndaj përbërjes së ardhshme të Qeverisë.