Kulturë

Triumfi i “Zgjoit” – rrëfimi universal nga vendi i vogël, shembull për botën

Descriptive Text

As në ëndrrat më të guximshme nuk ishte përfytyruar që historia e një gruaje shqiptare nga Kosova do të behej shembull për botën. Një dekadë më parë, regjisorja dhe skenaristja, Blerta Basholli, do t’i rrekej punës që me historinë e Fahrije Hotit të endte fijet e projektit për një film. Mes vështirësive jo të pakta gjatë realizimit fjafuriste shpresa që të paktën filmi të kishte premierë…në “Sundance Film Festival”. Të mërkurën, guximi për të ëndërruar u shpërblye në edicionin e sivjetmë të më të madhit festival amerikan të filmit që mbahet në Utah. Nga aty, “Zgjoi” doli me tre trofe stolisur: Çmimin e Madh të Jurisë, atë të audiencës dhe Çmimin për regjinë. E ky është veç fillimi i hapërimit para premierës evropiane të paralajmëruar në vjeshtë

Prishtinë, 3 shkurt – Atë që e nisën gratë krushjane, bota e filmit e ka vlerësuar si një rrëfim mbresëlënës për vullnetin për të mbijetuar. Shpirti rezilient i Fahrije Hotit është përkthyer si shembull universal për qëndrueshmërinë, transcendencën dhe përpjekjen për liri.

Për katër ditë radhazi, ekipi i filmit “Zgjoi”, nën regjinë e Blerta Bashollit, ka qenë gati në një agoni ekzaltimi. Nuk kishin kaluar veçse pak orë pas premierës të dhënë më 31 janar, kur vërshuan kritikat në superlativ për filmin debutues.

Edhe ditët në vijim ishin plot kumte ndjellamira për diçka që po bënte histori në Festival e në kinematografinë shqiptare. Ekipit çdo ditë i mbërrinin lajme për trofe.

Orët e para të së mërkurës, sipas kohës lokale në Kosovë, do ta bënin të prekshme ëndrrën.

“Zgjoi” – me historinë frymëzuese të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe – mori trofe të trefishtë: “Grand Jury Prize”, “Audience Award” dhe “Directing Award” në kategorinë “World Cinema Dramatic”.

Ndarja e çmimeve ka kaluar me një ceremoni që zgjati një orë e gjysmë, së cilës moderatori i njohur, Patton Oswalt, i dha plot mëlmesa humori.

Me një dedikim të veçantë për audiencën e festivalit, drejtoresha e programimit në “Sundance”, Kim Yutani, ka falënderuar ekipin që ishte në prapavija dhe e bëri të mundur edicionin e sivjetmë.

“Ishte një festival i pabesueshëm dhe i jam mirënjohëse audiencës, ku secili e përqafoi festivalin në një mënyrë që as nuk e kisha ëndërruar”, ka thënë ajo.

31 filmat fitues në gjashtë kategoritë kryesore (Shorts, NEXT, World Cinema Documentary, World Cinema Dramatic, US Documentary dhe US Dramatic ) janë vlerësuar nga juria e përbërë prej Zeynep Atakan, Raúl Castillo, Ashley Clark, Julie Dash, Tacita Dean, Cynthia Erivo, Isaac Julien, Inge de Leeuw, Kim Longinotto, Laura Mulleavy, Kate Mulleavy, Joshua Oppenheimer, Mohamed Ouma Saïd, Jean Tsien, Daniela Vega, Lana Wilson dhe Hanya Yanagihara.

Gongu rrah..

Minutat rridhnin njëra pas tjetrës me shpalime fituesish kur anëtari i jurisë, Isaac Julien, shqiptoi titullin në anglisht të filmit të Bashollit “Hive” si fitues të çmimit për regji. Duke lexuar vlerësimin e jurisë, ai ka thënë se ky film sjell rrëfimin për vullnetin për të mbijetuar. Sipas tij, “filmbërësja demonstron angazhim rigoroz dhe integritet në rrëfimtarinë e fuqishme”.

Fill pas kësaj është ndërfutur videoja me adresimin e regjisores Blerta Basholli, e cila ka thënë se çmimi ka vlerë të madhe për të, për stafin, si dhe për Fahrijen si “shembull i madh”.

“Nuk mund ta fsheh ngazëllimin tim për festivalin që na dha mundësinë për ta treguar rrëfimin tonë”, ka thënë regjisorja e skenaristja 38-vjeçare.

Pak minuta më vonë, “Zgjoit” iu kumtua i dyti çmim: “Grand Jury Prize”. Duke përcjellë arsyetimin e jurisë, anëtarja Daniela Vega ka thënë se filmi fitues synon të bëjë një portretim të përpjekjeve të grave për pavarësim.

“Është një film për qëndrueshmërinë, transdencën dhe përpjekjen për liri. Vendosmëria dhe shpirti për të tejkaluar represionin ndihet ende nga shumë gra gjithandej botës”, ka thënë Vega.

Ishte ky çmim që e shfaqi regjisoren nga Prishtina të përlotur e në emocione para audiencës së “Sundance”.

Me zërin që i fërgëllonte, ajo ka thënë se ky çmim është për secilën grua që kishte nevojë t’i dëgjohej zëri në festival e në botë.

“Ky çmim është tepër për mua ta përballoj dhe mezi pres t’ia kumtoj secilit”, ka thënë Basholli në adresimin e dytë. “Zgjoi”, sipas saj, është edhe një mirënjohje për njerëzit që punuan në film për të dhënë storien e grave nga Krusha e Madhe si frymëzim për botën.

Se “Zgjoi” veçse ka bërë për vete audiencën amerikane është dëshmuar nga çmimi i tretë që mori, atë të audiencës.

Duke vlerësuar edicionin e sivjetmë të “Sundance”, që ishte jetik për lidhjet e rëndësishme mes filmbërësve dhe audiencës, prezantuesi Diego Luna ka thënë se filmi i Bashollit tregon se si kjo lidhje po bëhet gjithnjë e më e fortë.

Në adresimin që pasoi çmimin në fjalë, Basholli ka thënë se “tashmë e di që filmi ka komunikuar me audiencën”.

Fahrije Hoti: “Filmi që përmbledh 22 vjet vuajtje”

Kur veç kishte gdhirë mëngjesi i së mërkurës, ajo që ishte bërë mishi i historisë së filmit, Fahrije Hoti, mori vesh që rrëfimi i saj u bë fitues i trefishtë në tokën amerikane.

“Është shumë mirë që njerëzit të cilët e kanë parë filmin e kanë kuptuar që lufta në Kosovë ka ndodhur me të vërtetë dhe kanë kuptuar gjithçka përmes rrëfimit tim, pasojat që kanë ngelur prej saj”, ka thënë Hoti për KOHËN.

51-vjeçarja me shpirt të pathyer e punëtore, ka shprehur bindjen se rrëfimi i saj shpërfaq sfidat e secilës grua të ve në Kosovën e pasluftës.

“Ky film më së miri i përmbledh 22 vjet të jetës sime me vuajtjet, paragjykimet, por edhe përpjekjet për t’ia dalë mbanë”, ka shtuar ajo.

Këto emocione ajo ia tejçoi përmes telefonit edhe regjisores Basholli dhe procudentit, Yll Uka, në studion “Ikonë”, ku ekipi i “Expressit” kaloi mëngjesin e së mërkurës duke ia dedikuar gjithë emisionin triumfit të “Zgjoit”.

Blerta Basholli: “Reagimi i publikut është me rëndësi”

Me fytyrën e lodhur nga pagjumësia e festa për çmimet, regjisorja Basholli ka treguar sesi pas çdo njoftimi gati sa nuk iu besonte veshëve, ndaj edhe i pyeste shpesh stafin e “Sundance” që ua kumtonin trofetë.

“Jam ende në huti”, ka thënë ajo. Nuk e ka fshehur as padurimin që “Zgjoi” të shfaqet para publikut në Kosovë.

“Reagimi i publikut është me rëndësi, ndaj edhe pyetja kryesore që ia bëja vetes kur punoja me skenar ishte si do të ishte pritja”, ka shtuar Basholli.

Ndërsa, ka kërkuar përkrahje më të madhe institucionale, regjisorja ka shprehur bindjen se Kosova ka filmbërës të jashtëzakonshëm, aktorë, si dhe tregime që mund të ekranizohen.

As producenti Yll Uka nuk fshihte ngazëllimin për suksesin e korrur në festivalin më të madh amerikan të filmit. Me ditë të tëra ishte zhytur në leximin e vlerësimeve që bënin kritikët amerikanë që sapo kishin parë debutimin nga Kosova.

“Gjithçka filloi me recensionet e mira dhe nga aty filluam të mendojmë se mund të marrim ndonjë çmim”, ka thënë Uka.

Duke iu rikthyer historisë së bërjes së filmit kur gjithçka kishte filluar me leximin e skenarit që i kishte dhënë Basholli, Uka ka vlerësuar se “receti” i suksesit ishin puna, sinqeriteti dhe energjia pozitive e gjithë ekipit.

“Është një histori që duhet të tregohet dhe këto suksese do ta bëjnë edhe më të shikueshëm filmin në botë”, ka thënë producenti, teksa ka paralajmëruar që premiera evropiane do të jetë në tetor, në Zvicër, e po në të njëjtën kohë edhe në Kosovë.

Edhe aktorja kryesore që luan Fahrijen, Yllka Gashi, ka thënë se ky nuk është vetëm sukses i kinematografisë kosovare, por edhe i asaj mbarëshqiptare e jo vetëm kaq.

“Nuk është sukses vetëm rajonal, por edhe i krejt Evropës”, ka shtuar Gashi. Aktorja, performanca e së cilës është vlerësuar nga kritikët amerikanë, ka thënë se e gëzon fakti që shpërblehet “një punë tepër e vështirë për të cilën ka pasur dashuri, përkushtim, lot gëzimi, hidhërimi e dhimbje”.

Përveç aktores Gashi që jeton në Amerikë, kastin e filmit e përbëjnë edhe Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja dhe Shkëlqim Islami. Drejtor i fotografisë është Alexander Bloom, montazhi i filmit është bërë nga Enis Saraçi dhe Félix Sandri.

Kritika amerikane: “Një grua që ndryshon jetë”

Pasditen e së mërkurës, ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka pritur në takim regjisoren Basholli, si dhe producentin Yll Uka. Duke vlerësuar se filmi “Zgjoi” ka shpalosur me sukses tragjedinë e familjes Hoti në Krushë të Madhe, ajo ka përgëzuar ekipin e filmit dhe rezultatin e arritur.

“Suksesi i filmit ‘Zgjoi’ është një fitore për tërë Kosovën në arenën ndërkombëtare, ku është treguar cilësia dhe tradita në kinematografi që tashmë është ndërtuar në vendin tone”, ka thënë ministrja Dumoshi.

Derisa “Zgjoi” ka pushtuar si njoftim me dhjetëra mediume botërore, kritiku Richard Whittaker ka vlerësuar se drama nga Kosova po e merr rrugën e ngadaltë të lirisë për gra.

Në një recension të botuar në “The Austin Chronicle”, ai ka theksuar se regjisorja Basholli mban një sens intimiteti që qëllimisht e zvogëlon rëndësinë e arritjes së Fahrijes.

“Nuk është për një qëndrim të madh politik, por për më shumë nevoja personale: për të paguar faturat, të kesh shpresë, miq, dinjitet e të mos jetosh në frikë”, ka shkruar Whittaker.

Sipas tij, performanca e Gashit është një homazh për një grua që qetësisht ndryshon jetë, pa u bërë asnjëherë hagiografi. “Në këtë balancë, kjo vërtet e nderon atë”, ka përfunduar Whittaker.

Edhe ministrja e Kulturës në Republikën e Shqipërisë, Elva Margariti, ka ndarë njoftimin për fitoren e trefishtë të “Zgjoit” në festivalin e njohur.

”Një lajm i mirë për kinematografinë shqiptare”, ka shkruar Margariti në faqen e saj në “Facebook”.

Urime për punën e regjisores Basholli, ka shprehur edhe Ambasada franceze në Prishtinë. Në një njoftim të afishuar në faqen e saj në “Facebook”, filmi i metrazhit të gjatë është vlerësuar se ka bërë histori në kinemanë kosovare.

“Në të vërtetë, nuk është vetëm një vlerësim fitues i çmimeve, por tre çmimet kryesore të Festivalit të Filmit Sundance që Blerta Basholli ka arritur, përkatësisht: ‘Filmi më i mirë’, ‘Regjia më e mirë’ dhe së fundmi ‘Çmimi i Publikut’”.

Po ashtu, sipas Ambasadës franceze, filmi “Zgjoi” ka një temë për vëmendje që mund t’iu përkiste shumë shoqërive.

Një sukses të pazakontë në edicionin e sivjetmë të “Sundance” ka korrur edhe filmi dramë i Siân Hederit “CODA”, që mori katër çmime në kategorinë “U.S Dramatic Competion”: Çmimin e madh të jurisë, Çmimin e audiencës, Çmimin special të jurisë dhe Çmimin për regji.

Në të njëjtën kategori, pos katër çmimeve të Siân Hederit, kanë fituar çmime Clifton Collins Jr. në “Jockey” (Special Jury Award for Acting), si dhe Ari Katcher dhe Ryan Welch “On the Count of Three” (Waldo Salt Screenwriting Award).

Krahas tri çmimeve të filmit të Bashollit, në kategorinë “World Cinema Dramatic” kanë rrëmbyer çmime edhe Jesmark Scicluna në “Luzzu” (Special Jury Award for Acting); filmi “One for the Road” i Baz Poonpiriya (Special Jury Award for Creative Vision).

“Zgjoi”, për të cilin Basholli ka shkruar edhe skenarin, ishte një nga 73 filmat e metrazhit të gjatë që janë shfaqur në kuadër të Festivalit të organizuar nga “Sundance Institute”.

Filmi me kohëzgjatje prej 1 orë e 24 minutash, thekson origjinalitetin kinematografik të regjisores Blerta Basholli. Nëpërmjet lojës së natyrshme të Yllka Gashit, filmi shfaq sfidat e Fahrije Hotit në përballje me vështirësi të shumëfishta.

E mbara për “Zgjoin” filloi pak orë pas premierës të së dielës kur kritikë të njohur të filmit dhanë vlerësimet e para.

U konsiderua si njëri prej filmave më të mirë jo vetëm në “Sundance...”. U përshkrua edhe si një rreze shprese që ngrihet nga rrëfimi i një gruaje, që përçon mesazhet e veta universale duke tejkaluar caqet e kinematografisë kosovare. Ky aspekt, krahas lojës së aktores Yllka Gashi, si dhe qasjes origjinale të regjisores Basholli, paralajmëron se për “Zgjoin” mund të vijnë edhe shumë çmime e shpërblime të tjera ndërkombëtare.

“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Ikonë Studio dhe Industria Film, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK.

Por, pikëtakimi i Kosovës me festivalin që mbahet në Utah kishte nisur në vitin 2012 me regjisoren Blerta Zeqiri. Filmi i saj i shkurtër “Kthimi” u bë i pari film që u paraqit në këtë festival dhe u shpërblye me çmimin për filmi më i mirë i shkurtër në festivalin prestigjioz. Por, pas këtij suksesi, pati rrugëtim të shkurtër në festivale. Kjo, pasi që organizata joqeveritare “Nine Eleven” e udhëhequr asokohe nga producenti Blerim Gjoci, në tetorin e 2012-s e tërhoqi “Kthimin” nga nominimi për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit, i njohur si “Oscar” evropian. Ai kishte kërkuar që të vërtetohej e drejta e pronësisë autoriale mbi filmin “Kthimi”, dhe e kishte paditur regjisoren. Epilogu u mbyll në korrik të vitit të kaluar, duke vendosur përfundimisht në favor të regjisores Blerta Zeqiri. E “Zgjoi” veç sa e ka nisur rrugën. Dhe atë me tre trofe.