Kulturë

“Zgjoi” i Kosovës me tre trofe bën histori në “Sundance Film Festival”

Tri herë është dëgjuar “Hive”, titulli në anglisht i filmit “Zgjoi” të Kosovës, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të prestigjiozit “Sundance Film Festival”, transmetuar online në orët e para të së mërkurës, sipas kohës lokale. Ka marrë Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë (Blerta Basholli) dhe Çmimin e audiencës. Një sukses i tillë nuk është historik vetëm për Kosovën. Regjisorja Basholli e producenti Yll Uka e kanë cilësuar këtë si arritje kulmore

“Zgjoi” i Kosovës është fituesi i trefishtë në ngjarjen ndër më të njohurat botërore të kinematografisë. Në “Sundance Film Festival” ka rrëmbyer tre trofe në kategorinë kryesore “World Cinema Dramatic”. Ka marrë Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë (Blerta Basholli) dhe Çmimin e audiencës. Ceremonia e ndarjes së çmimeve është transmetuar online nga Utah e ShBA-së ku mbahet festivali, prej orës 02:00 pas mesnate, sipas kohës lokale. Në këtë festival të kategorisë A, “Zgjoi” ka pasur premierën botërore. Ka “goditur” me të parën. E suksesi i tij nuk është historik vetëm për Kosovën.

“’Zgjoi’ ka bërë histori, është filmi më i shpërblyer në historinë e ‘Sundanceit’ që është festivali më i madh i filmit në Amerikë. Pra, shpërblimi i trefishtë është diçka që do të lërë gjurmë në kinematografinë botërore e jo vetëm atë kosovare”, ka thënë për KOHËN, Yll Uka, producent i filmit.

Ai dhe regjisorja Blerta Basholli, në adresimin nëpërmjet videos që ia kanë dërguar festivalit, transmetuar në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, kanë thënë se ato “ia dedikojmë Kosovës”.

Image

Regjisorja Blerta Basholli dhe producenti Yll Uka i janë adresuar Festivalit nëpërmjet videos në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, që është transmetuar online në ueb-faqen e “Sundance Film Festival”


Për herë të parë – në ceremoninë që është transmetuar direkt edhe nëpërmjet ueb-faqes së festivalit – u ka rënë të adresohen kur u shpall fituesi i Çmimit të audiencës.

“Çmimi i audiencës është një çmim me rëndësi. Kur zgjedhim rrëfimet që dëshirojmë t’i tregojmë, kemi dëshirë që ato tregime të komunikojnë me njerëzit dhe të marrësh një çmim të audiencës është më të vërtetë një mirënjohje ndaj gjithë punës që kemi bërë të gjithë. Faleminderit shumë. Jemi krenarë që tregimi ynë, veçanërisht ky tregim, ka komunikuar me audiencën e gjerë”, ka thënë Basholli.

Uka e ka cilësuar mirënjohje për punën në realizimin e filmit.

“Kemi punuar shumë gjatë për këtë film që ta sjellim te ju dhe ju na keni dhënë çmim. Kjo është e mrekullueshme”, ka thënë ai.

Për shkak të pandemisë, e gjithë ceremonia e ndarjes së çmimeve është mbajtur online njëlloj si edicioni i sivjetmë i festivalit. Për këtë arsye edhe ekipi i filmit, ashtu sikurse edhe fituesit e tjerë, kanë festuar larg glamurit që e simbolizon çdo vit epiqendrën e festivalit Park City në Utah.

Pas atij të audiencës, titulli i “Zgjoit” u dëgjua edhe kur u shpall fituesi i Çmimit për regjinë më të mirë.

“Nuk po mund ta fsheh emocionin tim, pikë së pari që kemi pasur rastin që të tregojmë filmin tonë në ‘Sundance Film Festival’, festivalin tim të preferuar dhe tani të pranoj Çmimin për regji, për mua nënkupton si të më kenë dhënë gjithë botën”, ka thënë regjisorja Basholli në adresimin nëpërmjet videos. Ajo ka shkruar edhe skenarin e filmit, i cili në qendër ka rrëfimin e vërtetë të Fahrije Hotit, gruas nga Krusha e Madhe, e cila duke sfiduar konvencat shoqërore merr fatin e saj në dorë dhe bashkë me gra të tjera hapin një biznes. Basholli edhe te pjesa e falënderimeve s’e ka harruar gruan që ia besoi rrëfimin e saj jetësor.

“Jam e sigurt që nënkupton shumë edhe për ekipin, prandaj dëshiroj që ta ndaj këtë çmim me gjithë ekipin, por veçanërisht me Fahrije Hotin, gruan të cilën që kur e kam takuar e kam shumë për zemër e të cilën e falënderoj për shembullin e mirë që është për të gjithë ne”, ka thënë Basholli jo pa emocione. “Një grua tjetër të cilën dua ta falënderoj është nëna ime, e cila ka qenë një shembull i mrekullueshëm për mua e që më ka ndihmuar shumë gjatë gjithë kohës, burrin tim dhe dy fëmijët e mi dhe gjithë ekipin, përsëri, për gjithë punën e tyre. Por gjithashtu edhe Festivalin dhe veçanërisht Kim dhe John, që na kanë dhënë mundësinë të ndajmë me të tjerët zërin e padëgjuar të grave të Kosovës e të cilët përmes punës së tyre i kanë dhënë mundësinë shoqërisë që të ndryshojë botën në një vend me të shëndetshëm”.

Për “Zgjoin”, në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, trofetë s’u ndalën me kaq. Suksesin e vulosi me çmimin kryesor, atë “Grand Jury Award”. I pabesueshëm ka qenë lajmi edhe për ekipin.

“Ende nuk po na besohet. Me shumë mundësi nuk do të jem në gjendje që të them diçka të mençur, por dua të falënderoj kolegët e mi Valon Bajgora dhe Agon Uka që kanë bërë po aq sa edhe unë për këtë film. Aktoren kryesore Yllka Gashi, personazhin në të cilin është bazuar filmi, Fahrije Hoti, ekipin, dhe veçanërisht familjen time: nënën, gruan, dy fëmijët e mi. Këtë çmim ia dedikojmë vendin tonë të bukur, Kosovës”, ka thënë producenti Uka në adresim nëpërmjet videos.

Edhe Basholli ka thënë se nuk e ka pritur Çmimin e jurisë, e atij, sipas saj, peshën ia shton edhe një tjetër fakt.

“Nuk e kemi menduar asnjëherë. Unë isha me të vërtetë e frikësuar që ta mendoja këtë. Të hyja në Sundance ishte një nder e të marr këtë çmim, nuk e di nëse ka fjalë për ta përshkruar këtë për mua, për Yllkën, për Fahrijen, për të gjithë të përfshirët në këtë film. Por veçanërisht për shkak të rrëfimit që tregon, prandaj edhe jemi të gëzuar pa masë”, ka thënë Basholli.

Por “Zgjoi” ra në sy të kritikës botërore qysh në premierë, të dielën. U konsiderua si njëri prej filmave më të mirë jo vetëm në “Sundance...”. U përshkrua si një rreze shprese që ngrihet nga rrëfimi i një gruaje, që përçon mesazhet e veta universale duke tejkaluar caqet e kinematografisë kosovare. Filmi me kohëzgjatje prej 1 orë e 24 minuta bëhet i pari projekt kineast i metrazhit të gjatë nga Kosova që shpërblehet në prestigjiozin “Sundance”. Siç është përshkruar, filmi përmbledh në mënyrë të përkryer jetën në Kosovë, ndikimin e pasojave të luftës dhe jetën e grave në një mjedis tradicional. Duke tejkaluar kufijtë e Kosovës, “Zgjoi” shndërrohet në një film që komunikon lehtë me të gjithë. Ky aspekt, krahas lojës së aktores Yllka Gashi, si dhe qasjes origjinale të regjisores Basholli, paralajmëron se për “Zgjoin” mund të vijnë edhe shumë çmime e shpërblime të tjera ndërkombëtare.

Këtë bindje ka edhe producenti Yll Uka, i cili për KOHËN ka thënë se së shpejti do të bëhen të ditura edhe premierat evropiane dhe ato rajonale, ashtu sikundër edhe pjesëmarrja në festivale të tjera të njohura.

“Sundance Film Festival”, historia e të cilit daton që prej vitit 1978, këtë vit zgjati vetëm shtatë ditë. Filmat e edicionit të sivjetmë, që nisi më 28 janar e përfundoi me ndarjen e çmimeve të martën, u shfaqën vetëm në disa kinema për vetura pasi që pjesën më të madhe të programit u shfaqën online.

Për dallim nga publiku amerikan që pati rastin të shihte “Zgjoin” në “World Cinema Dramatic Competition” – si kategoria kryesore e garës në edicionin e sivjetmë virtual të “Sundance” – ai në Kosovë ende nuk e ka parë filmin e Bashollit. Të vetmet imazhe të këtij projekti kineast janë nga trileri gati 2-minutësh të afishuara në portalin e njohur “IndieWire”. Duke e vlerësuar filmin si portret feminist, mediumi që merret me kinematografinë ka theksuar se “Zgjoi” është një rrëfim i fuqishëm për gruan që lufton patriarkatin në Kosovë.

“Regjisorja Blerta Basholli i mban gjërat me këmbë në tokë, duke na vënë aty me Fahrijen dhe familjen e saj, sikundër edhe me gra të tjera që i bashkohen asaj në rropatjen e guximshme, gjersa ato bëhen bleta punëtore që e ndihmojnë Mbretëreshën e tyre”, ka shkruar Patrick Gibbs në një recension të botuar në “Slug Mag”, e cila është një nga revistat më jetëgjatë në Utah, mu aty ku ndodhet zemra e festivalit “Sundance”.

Kritiku amerikan ka rezervuar vlerësime të larta edhe për aktoren kryesore, Yllka Gashi, e cila, sipas tij, është sublime në rolin kryesor. Ka veçuar edhe Çun Lajçin (që në film interpreton Haxhinë, vjehrrin e Fahrijes) në performancën e tij si një burrë kryeneç dhe konservativ që, edhe pse kundërshton zgjedhjet kundërthënëse të Fahrijes, ngadalë nis të vlerësojë heroizmin e saj për ta mbajtur gjallë e bashkë familjen.

Përveç dyshes së njohur të aktorëve kryesorë, Yllka Gashi dhe Çun Lajçi, kastin e filmit e përbëjnë edhe Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja dhe Shkëlqim Islami. Drejtor i fotografisë është Alexander Bloom, montazhi i filmit është bërë nga Enis Saraçi dhe Félix Sandri.

Njohja e festivalit “Sundance” me Kosovën kishte nisur në vitin 2012 me regjisoren Blerta Zeqiri. Filmi i saj i shkurtër “Kthimi” u bë i pari film që u paraqit në këtë festival dhe u shpërblye me çmimin për filmi më i mirë i shkurtër në festivalin prestigjioz. Por pas këtij suksesi, pati rrugëtim të shkurtër në festivale. Kjo, pasi që organizata joqeveritare “Nine Eleven” e udhëhequr asokohe nga producenti Blerim Gjoci, në tetorin e 2012-s e tërhoqi “Kthimin” nga nominimi për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit, i njohur si “Oscar” evropian. Ai kishte kërkuar që të vërtetohej e drejta e pronësisë autoriale mbi filmin “Kthimi”, dhe e kishte paditur regjisoren. Epilogu u mbyll në korrik të vitit të kaluar duke vendosur përfundimisht në favor të regjisores Blerta Zeqiri.

E “Zgjoi” veç sa e ka nisur rrugën. Dhe atë me tre trofe.