Kulturë

Njeriu i edukatës poetike

Jevrem Brkoviq me shtat të lartë e mjekër të gjatë, me qëndrim dhe pamje princi, si i dalë nga ambienti i faqeve të ndonjë libri kalorësiak, më thoshte se përherë e mbante me vete bastunin e praruar me serm, se brenda atij bastuni mbante edhe një lloj shpate, e cila mund të tërhiqej nga bastuni në rast nevoje. Mbante edhe rruzaret që herë-herë i tërhiqte me gishta. Ajo pamje karakteristike jepte shkas që të hetohej nga kalimtarët, mbase edhe nga mysafirët e restoranteve dhe kafeneve...

E kisha njohur, s’e kisha parë. Për atë njohje, që e mbaja si një shënim të një flete të gjetur rastësisht, e kisha mbështetjen te vargjet mbi jehun e trimërisë dhe burrërisë: “Edhe kur të pushkatojnë, kokën mbaje lart...” Me atë qëndrim të tillë, me kokën lart, do të pësojë vrastari; do mbetej i ngurosur. Poezia nga e cila huazova këtë varg të mësipërm më dha shkas ta gjeja Jevrem Brkoviqin, krijimtarinë e tij, por as ide nuk kisha pasur se, në ndonjë rast, do të takohesha me të dhe do të kalonim (dhe qëndronim) së bashku në Pragë të Çekisë (të Çekosllovakisë së atëhershme), por edhe në Bratislavë të Sllovakisë. Ishim bashkërisht atje, si përfaqësues të asaj ish-Jugosllavie për të nënshkruar një dokument bashkëpunimi mes shkrimtarësh, që të dy në cilësinë e kryetarëve të shoqatave të shkrimtarëve, ai për Malin e Zi, kurse unë për Kosovën. Ishte ky një shkas i mirë për t’u njohur me shkrimtarët çekosllovakë, por gjithsesi më e rëndësishme ishte se u njohëm deri në kuptimin e sinqertë me njëri-tjetrin. Asaj njohjeje fillimisht i ndihmoi “Edukata shtëpiake”, një libër i jashtëzakonshëm poetik i Jevremit, që më erdhi dhuratë pikërisht në Bratisllavë, më 2 prill 1985; e kishte me vete dhe ma dhuroi, duke më ofruar mundësinë që, asaj mbrëmjeje, të mos e përfillja gjumin.

“Edukata shtëpiake” ishte një kod jetësor mbi dinjitetin e njeriut, thënë me metafora; ishte një mbështetje për relaksim të mendjes dhe shpirtit, një vepër nga e cila krijohej bindja se autori i saj ishte shkrimtar i pakrahasueshëm, një bard.

Tani e njihja më mirë, jo vetëm moshën e tij (i lindur më 1933), por edhe preokupimin jetësor të tij që mbështetej vetëm mbi krijimtarinë letrare, e cila, në formë librash, nisi më 1954 me librin “Retorika e shiut”, pas të cilit vazhduan edhe dhjetëra e dhjetëra botime të tjera zhanresh të ndryshme.

Brkoviq me shtat të lartë e mjekër të gjatë, me qëndrim dhe pamje princi, si i dalë nga ambienti i faqeve të ndonjë libri kalorësiak, më thoshte se përherë e mbante me vete bastunin e praruar me serm, se brenda atij bastuni mbante edhe një lloj shpate, e cila mund të tërhiqej nga bastuni në rast nevoje. Mbante edhe rruzaret që herë-herë i tërhiqte me gishta. Ajo pamje karakteristike jepte shkas që të hetohej nga kalimtarët, mbase edhe nga mysafirët e restoranteve dhe kafeneve... Ndërkaq Jevremi s’e kishte gajlen tek ata të cilëve u linte përshtypje pamja e tij, kishte ai preokupimin tjetër: - Pse ne jemi aq idiotë, ne si shoqëri e asaj pjese të Ballkanit, që nuk nderojmë tanët? E sheh, - më flet derisa gjendemi në restorantin “Shfejk”, që mbante këtë emër sipas veprës së Hashekut “Ushtari i mirë Shfejk”, - e sheh çfarë respekti kanë ndaj personazhit letrar. Pa më thuaj, a keni ju në Prishtinë ndonjë restorant me emër të ndonjë protagonisti të veprës letrare të ndonjë shkrimtari tuaj? Ne në Mal të Zi nuk kemi, dhe kjo flet për primitivizmin kulturor tonin”.

Nga ai restorant mund të kesh kujtim gjëra që, në një mënyrë apo tjetër, ishin pjesë e ushtarit Shvejk, siç ishte edhe copa e pëlhurës me portretin e Shvejkut që nxorëm nga aty si kujtim. Në ambientin e restorantit “Shfejk” na ofrohet një imazh i pëlqyer, me njerëz të cilët, sipas dukjes, linin përshtypjen e intelektualëve, pastaj mënyra e bisedës mes vete, askush pa penguar tjetrin. Jevremi thotë se kemi nevojë për shumë importe nga pjesa e Evropës së civilizuar, e jo vetëm teknikë e valutë. “Kjo atmosferë e këtushme intelektuale, - thotë me zë të ulët, që nuk i përshtatej natyrës së tij, - e vlen të ishte edhe në Cetinë, edhe në Prishtinë, e pse jo edhe në Beograd e gjetiu... Duhet ta zëvendësojmë mentalitetin ballkanas me kësi mentaliteti që hasim në Pragë...”

Më tutje nesh është tavolina tjetër rreth të cilës e bëjnë “sefanë” e tyre katër zonja apo zonjusha. Nga veshja nuk mund të kuptoheshin, ndërkaq nga mosha e tyre, moshë mesatare, mund të identifikoheshin me atë fjalën shqipe me shumë kuptim – lënesha. Por, ec e merre vesh, madje nuk ishim as në atë pozicion që të kërkonim afri me to, njësoj sikur edhe në Bratislavë kur e lëshuam restorantin shkaku i mysafireve në një tavolinë tjetër, të cilat, gjatë gjithë kohës, jo vetëm që mbanin shikimin drejt nesh, por “na shpërblenin” edhe me do grimasa që ne, thënë shtruar, nuk dëshironim t’i kuptonim, jo për shkak të “namuzllëkut”, sepse atje nuk kishim vajtur për të bërë pelegrinazh fetar, por thjesht e kishim parasysh misionin tonë prej shkrimtarësh dhe e dinim se ishim të përcjellë. Kur dolëm nga restoranti, duke qenë i sulmuar nga interesimi i Jevremit: - Çka kishin që na shikonin? Kush ishin ato? A nuk është burrërore ikja nga shikimet e tyre? E të tjera, ia ktheva me të qeshur: - Ato po na përcjellin, i sheh se si dolën nga restoranti? Shpejtuam hapat dhe u larguam, pastaj sapo u gjendëm në dhomën e hotelit: nxora nga xhepi një “deng” parash, nga ato 100 dinarët e dikurshëm, ashtu sikur i kishin mbështjellë në bankë, me një ndryshim. Para se të hynim në restorant atij dengu ia kisha shtuar nga dhjetë dollarë, në dy anët e mbështjelljes me atë shiritin e letrës. Derisa ishim në restorant brenda, rastësisht (pa qëllim) kisha nxjerr “dengun” e parave dhe, shpejt e shpejt, i kisha kthyer në xhep. Por në moment ato zonja a zonjusha i kishin parë, duke formuar bindjen se gjithë ai “deng” ishte me dollarë.

Këtë ia shpjegova Jevremit dhe me atë rast nxora paratë nga xhepi që vërtet dukeshin sikur të ishin të gjitha dollarë. Jevremi më shikoi, mandej qeshi:

- Ore ti, nuk e kam gajlen e atyre femrave, por të hajnave. Merre me mend sikur këtë deng parash ta kishin parë hajnat, ta merr mendja se do t’i shpëtonim ndonjë të keqeje?

- Ke të drejtë, - them. – Diku-diku janë të ndaluara edhe shakatë.

Qeshemi të dy.

“Fare mos u merakosni për vëllain tim shqiptar. Ky është i zgjuar tash e pesëqind vjet...”

Nga bisedat protokollare s’mbeti asgjë për t’u mbajtur në kujtesë; biseda të zakonshme të inercionit politik, të mbetur si evidencë procesverbali për t’u ruajtur diku në ndonjë sirtar, ndërkaq ajo pjesa tjetër e takimit me shkrimtarët çekë, fjala vjen, në orët e vona të natës rreth tavolinës së mbushur me pije, e ka rëndësinë sublime, jo vetëm për atë çast. Aty qenë të pranishëm edhe ata shkrimtarë që nuk kishin nënshkruar kurrfarë protokolli, edhe Kafka, edhe Jeresheku, edhe Skvoresku, ndonëse për të flitet me zë më të ulët, duke përkujtuar ikjen e tij pas okupimit të Çekosllovakisë nga ana e rusëve (më 1968). Me atë rast, si me shushuritje, u tha se Jozef Skvoreski bashkë me gruan e tij Zdenka Salivarova më 1971 themeluan shtëpinë botuese “Publicistët ‘68” ku, në dy dekadat e mëvonshme publikuan librat e ndaluar çekë dhe sllovakë...Në atë gjysmë errësirë të restorantit, të ndihmuar me dritat luhatëse të qirinjve mbi tavolina, këmbehen përvojat... Lodhja e ditës së kaluar gjithnjë në shëtitje ma humb drejtpeshimin dhe, që të mos koritesha gjer në fund duke e mbështetur kokën mbi tavolinë, hedh dy shuplakat e duarve pas qafe, me përpjekje që ta mbaj kokën lart, duke pasur parasysh vargjet e Jevremit: - Kokën lart, edhe kur të mundojnë, por... syve s’u kihet besë në atë kohë nate. Sytë tradhtojnë, siç më tradhtuan, domethënë kanë qëndruar një kohë të mbyllur dhe, natyrisht, mikpritësit ia përkujtuan Jevremit:

- Ky miku juaj po fle!

Jevremi zgjati dorën, e vuri në qafën time dhe tha:

- Fare mos u merakosni për vëllain tim shqiptar. Ky është i zgjuar tash e pesëqind vjet përpara, nuk fle kurrë!

U tranda. Këto fjalë më erdhën si stërpikje me ujë të ftohtë. Kjo domethënë se u kthjella tërësisht dhe mora qëndrimin e njeriut që nuk kishte fjetur, dhe as që do të mund të flinte... dhe qesha:

- Jevrem, - i thashë. - A mos janë shumë shekujt e pagjumësisë?

Qeshi:

- Jo, jo, ti vazhdon të jesh syçelë. Nuk fle dot. Mjafton të them se je shqiptar dhe se mban armiqësi me gjumin, se po të kishte ndodhur e kundërta, duke e njohur historinë e shqiptarëve, kush e di se në cilin shekull do të kishit humbur tërësisht, - tha dhe, meqë ra fjala te shekujt, iu drejtua shkrimtarëve çekë:

- Ju e dini, pra, se ky miku im është shqiptar, siç ishte edhe Skënderbeu. E dini ju se Skënderbeu mbrojti krishterimin evropian? E dini ju se Sulltani, duke luftuar njëzet e pesë vjet me të dhe duke u kthyer me humbje nga fushëbetejat, kishte kërkuar nga Skënderbeu që t’ia jepte shpatën të shihte se çfarë mrekullie ishte ajo shpatë që nuk mposhtej. Skënderbeu ia kishte dërguar shpatën, kurse Sulltani kur e sheh se ishte një shpatë e zakonshme, ia ktheu duke kërkuar shpatën e vërtetë. Skënderbeu i tha të dërguarit të Sulltanit: - Thuaj Sulltanit se nuk mund t’ia dërgoj dorën time, nuk kam tjetër shpatë.

Kështu, mbrëmja vazhdoi me heroizmat mbi shqiptarët të cilët i thoshte Jevrem Brkoviq.

Edhe pas kthimit në hotel, Jevremit nuk i flihej. Vazhduam bisedën, ndërkaq i thashë se e ndieja veten mirë nga rrëfimet mbi trimërinë e Skënderbeut, kurse ai më tha se nuk kishte rrëfyer për shkak se unë isha aty, por me të tilla rrëfime i “ilustroj ndejat, edhe kur nuk ndodhet i pranishëm ndonjë shqiptar. Në Moskë, për shembull, në mesin e shkrimtarëve në një ndejë të ngjashme siç e kishim me shkrimtarët çekë, tërë kohën pata folur për historinë e shqiptarëve, kurse ata më shikonin habitshëm.”

“Përmes birit tim mbaj lidhjet me mesjetën”

M’u kujtua emri i të birit të Jevremit, Balsha, që i përngjan babait me vokacion poeti (autor u librave poetikë që dëshmojnë për talentin e tij të jashtëzakonshëm)

- Lidhja me atë pjesë të historisë së shqiptarëve më duket interesante, pavarësisht se malazezët ishin dhe janë fqinj të shqiptarëve. Më duket interesante edhe pagëzimi i të birit me emrin Balsha...

- Me Balshajt kemi lidhmëri etnike. Mesjeta ishte ndryshe, definohet përmes strukturës së principatave. Marrëdhëniet mes principatave janë cilësuar edhe përmes martesave dhe në atë kohë lidhjet e principatave nuk janë bazuar vetëm në aspektin e përkatësisë kombëtare. Fundja, nëse shfletojmë faqet e historisë që i dedikohen asaj kohe, shohim se princërit kanë luftuar mes vete, qofshin ata princër edhe të një gjaku. Balshajt i konsideroj paraardhësit e mi, ndërkaq Balshajt ishin kushërinj me familjen e Kastriotit, në të vërtetë njëra nga pesë motrat e Skënderbeut, Vlajka, u martua me Pal Stres Balshën.

- Ajo periudhë kohore e mesjetës më zgjon kërshëri, prandaj përpiqem të siguroj sa më shumë materiale për atë kohë. Për Balshajt, për shembull, kam lexuar se ishin zot të principatave shqiptare të shekullit XIV dhe se, nga kjo familje, më e rëndësishmja ishte ajo e qytezës Balëz në afërsi të Shkodrës. Gjatë pushtimit serb të atyre anëve, siç thuhet, emri i kësaj familjeje mbetet në errësirë, por megjithëkëtë Balshajt u takonin dyerve fisnike shqiptare, për të cilët flitet që nga viti 1331, sipas mësimeve të kryepeshkopit të Tivarit, Gulijemit të Adës. Pas mesit të shek. XIV, tre vëllezërit Balsha, Strazimiri, Gjergji I dhe Balsha II, e vunë këtë familje në ballë të politikës dhe të proceseve shtetformuese shqiptare, duke shfrytëzuar edhe momentin e përshtatshëm që pasoi vdekjen e car Stefan Dushanit. Me vdekjen e tij humb autoriteti serb që ishte pengesë e zhvillimit të principatës së Balshajve. Vdekja e Stefan Dushanit, shthurja e perandorisë së tij, bëri që Balshajt, pastaj, duke ngritur principatën e vet, prenë çdo lidhje me oborrin e carit të ri serb, Stefan Uroshi, i cili i konsideronte Balshajt “rebelë” dhe i trajtonte si kundërshtarë të papajtueshëm të tij. Balshajt, më tutje, përveç që bënë principatën e tyre si principatë detare, u zgjeruan edhe në shumë pjesë. Zotëruan Ulqinin, Tivarin, vazhduan në Budvë dhe ishin në gjendje të kontrollonin tregtinë në Adriatik. Thuhet se më e rëndësishmja prej tyre ishte rruga që fillonte në pikën doganore të Dejës, ku bashkoheshin rrugët që vinin nga portet e Shëngjinit, të Ulqinit e të Tivarit, dhe vazhdonte nëpër luginën e Drinit për të arritur në Rrafshin e Dukagjinit, nga ku degëzohej në qendërbanimet kryesore të Kosovës... vëllezërit Balsha kishin bashkuar atë kohë, nën sundimin e tyre, viset e Lezhës, Matit, Kosovës, Dibrës, Ohrit e Kosturit... Këtë zgjerim Balshajt e kishin arritur në vitin 1367, domethënë tridhjetë vjet para Luftës së Kosovës. Ndërkaq principatat, siç ishin Balshajt e Topiajt (më 1385-1389) morën goditjet e para nga sulmet turke...

- E sheh prej nga vij unë? – qeshet Jevrem Brkoviqi. – Përmes birit tim mbaj lidhjet me mesjetën.

- Mbani edhe qëndrimin e princit, me pamje, vese e qëndrime burrërore, - i them.

Qeshet dhe vazhdon...

- Desha të të pyes diçka... – tha duke më shikuar gjatë, sikur të ishte në dilemë.

- Thuaje, tashmë më ka ikur gjumi, nuk jam i përgjumur si në restorant. Ti ma nxore gjumin meqë ma bëre me dije se pesëqind vjet vazhdoj i zgjuar...

- E lëmë mesjetën, ma thuaj të vërtetën për demonstratat e 81-shes në Kosovë. Nuk jam i prirë t’u besoj kumtesave zyrtare. Çka ka ndodhur, në të vërtetë?

- Kanë kaluar tre vjet nga ato demonstrata, - i them. – Për tre vjet është thënë mjaft; është shkruar së tepërmi. Aq shumë shkrime e vlerësime, aq shumë njollosje në adresë të shqiptarëve, kurse e vërteta është diçka tjetër, e bazuar në kërkesën e përhershme që, edhe ne shqiptarët, më në fund të jemi të barabartë. Kushdo që të jetë në lëkurën tonë do ta ndiejë veten të poshtëruar. Është vështirë të jesh gjithmonë i poshtëruar dhe gjithmonë nën hetime... Për shqiptarët hetimet kurrë nuk ndalen.

- Po të kuptoj. Sinqeriteti yt më nxit të të përqafoj dhe të të tregoj se, gjatë atyre demonstratave dhe asaj fushate të egër kundër shqiptarëve më ftoi, me telefon, poeti Radovan Zogoviq, dhe më tha: “Jevrem, të lutem, rreth Kosovës asgjë mos fol e mos shkruaj...” Nuk e kisha të qartë pse ma pati thënë këtë. Ai më së miri e njihte shpirtin e popullit shqiptar. Me “Këngët e Ali Binakut” në mënyrën më bindëse është shprehur për vuajtjet e popullit shqiptar gjatë kohës së kolonizimit në ish-Jugosllavinë mbretërore. Tash po kuptoj, faleminderit për këtë shpjegim!

Vazhdojmë tutje...

Vijon në numrin e ardhshëm të “Shtojcës për Kulturë”. Shkëputur nga “Buzëqeshje miqsh”