Kulturë

“Kamerieri” – i pambrojtur nga portretet e figurave politike

Descriptive Text

Billbordi “Heronj të luftës dhe paqes”, me portretet e ish-presidentit Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Veseli, e ka mbuluar atë që për jo pak vendës është simbol i qytetit të Ferizajt. Është iniciativë e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e leje kanë dhënë autoritetet komunale

Efektet e Gjykatës Speciale kanë mbërritur te vepra simbol e Ferizajt – “Kamerieri”. Në kuadër të fushatës “Heronj të luftës dhe paqes”, murali që gjendet në qendër të Ferizajt vitin e kaluar është mbuluar me imazhin e Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit. Nuk ka një afat se kur do të largohet billbordi i madh që është vendosur aty. Me iniciativë të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, mbulimi i muralit të punuar në vitet ’60 është bërë me leje të Komunës. Vepra e artit ndër të parat në Kosovë sa i përket këtij lloji, gjendet në murin e një hoteli që dikur ishte pronë e shtetit e tash është privatizuar. “Kamerieri” pos vlerave artistike është shndërruar edhe në simbol e pikë referuese për qytetin që ndahet nga hekurudha. Problemet e “Kamerierit” që në dorë të djathtë mban lart tabakun me pije, janë të vjetra. Është mbuluar shumë herë. Reklamat e bankave komerciale, billborde koncertesh e të tjera, jo rrallë e kanë “zhdukur” atë. Pas luftës së fundit vetë Komuna e Ferizajt tentonte që pikërisht aty ku gjendet “Kamerieri” të vendohet logoja e Komunës. Ka pasur edhe ndërhyrje të tjetra, duke ia ndryshuar ngjyrat.

Lebibe Topalli, e cila drejton festivalin “Mural Fest”, thotë se kanë kërkuar që “Kamerieri” të zbulohet në prag të edicionit të gjashtë të festivalit.

“Në periudhën e fundit është mbuluar dy herë. Herën e parë kemi reaguar publikisht pasi ishte një poster për një koncert. Kësaj radhe nuk kemi reaguar publikisht shkaku i situatës në të cilën jemi”, ka thënë Topalli. Sipas saj, ky mural duhet të jetë gjithmonë i dukshëm, pasi me këtë vepër identifikohet qyteti. Për këtë çështje ajo me bashkëpunëtorë janë takuar edhe me kryetarin e Komunës, Agim Aliu.

“Kemi diskutuar me kryetarin e Komunës dhe na ka thënë se është një mbulim i përkohshëm. Shpresojmë që herëve të tjera të gjendet ndonjë mur tjetër për vendosjen e pankartave. Të gjithë artistët e huaj që vijnë, kanë dëshirë ta shohin muralin e parë të qytetit”, ka thënë ajo.

Zyrtarët komunalë, si arsyetim të vendosjes së imazheve të ish-presidentit Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Veseli, kanë dhënë faktin se bëhet fjalë për një fushatë të përkohshme.

Image
Kartolinë e Ferizajt e vitit 1967

Lulzim Aliu, që është drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit, ka thënë se sulmet politike që po i bëhen Kosovës sa i përket shtetësisë kanë pasur një efekt emocional.

“Shoqata e Veteranëve e ka nisur këtë fushatë dhe ne e kemi lejuar një gjë të tillë pasi është e përkohshme. Figura e kamerierit do të jetë e përhershme. Murali nuk mbrohet si trashëgimi kulturore. Pastaj është pronë private dhe gjatë privatizimit nuk ka pasur kusht që të ruhet”, ka thënë ai.

Aliu ka sqaruar se si qeverisje lokale janë duke bërë përpjekje që qyteti të mos identifikohet vetëm me këtë mural. Ka përmendur faktin se Ferizaj shquhet për Festivalin e muraleve.

“Vizioni ynë është që të përkrahet ky festival. Vijnë artistë nga e mbarë bota dhe krijojnë vepra këtu. Ne e përkrahim idenë që të jemi qytet i muraleve. Planifikimet tona synojnë që kamerieri të jetë një nga pikat identifikuese, gjithmonë duke e ruajtur. Është pikë identifikuese”, ka thënë Aliu.

Vendësit thonë se murali është një pikëtakimi e rëndësishme. “Te kamerieri”, është vendtakimi i shumë mysafirëve dhe nikoqirëve në Ferizaj. Me dekada kamerieri si profesion promovohet nëpërmjet muralit që zë vend në objektin e hotelit “Lybeten”. I punuar me vija gjeometrike që shtrihen me një dinamikë të kubizmit, murali ka nxjerrë karakterin e një kamerieri të gatshëm për të shërbyer me ndjenjën e mikpritjes tradicionale.

KOHA vazhdimisht ka raportuar për tendencën e mbulimit të vazhdueshëm të muralit ashtu sikurse edhe të ndërhyrjeve me ngjyra. Më 2008 do të përjetonte një transformim ngjyrash, duke ruajtur vetëm të zezën. Ai ishte ngjyrosur me të verdhë, ngjyrën identifikuese të “Reiffeisen Bankës” duke i ngjarë kësisoj më tepër një “maskote” të bankës, sesa kamerierit të dikurshëm në aksion.

Murali i punuar nga një autore maqedonase në njëfarë forme është shndërruar në imazh të çdo panorame të qytetit rrëzë Lubotenit. Pas luftës së fundit në Kosovë është ngjyrosur disa herë, por duke ruajtur bazën.

Debat i vjetër sa vetë “Kamerieri” është vlera që ka kjo vepër. Më 2008, kishte edhe kërkesa nga qarqet akademike që murali të mos ruhej.

Grafisti Shyqri Nimani kishte konsideruar se të thuhet se Ferizajn e simbolizon “Kamerieri” ishte e papranueshme.

“Aty është paraqitur një kamerier, dhe në çfarë forme mund të jetë metafore apo simbolikë e qytetit, për mendimin tim nuk paraqet asgjë me interes. Është figurë krejtësisht banale”, kishte vlerësuar ai. Kishte shtuar se imazhi i qytetit nuk do të humbte asgjë edhe po të fshihej fare murali. “Ferizaj ka me çka të mburret, ka me dhjetëra motive të cilat do ta simbolizonin. Ai mural simbolizon një kamerier dhe si mund të simbolizojë diçka me rëndësi?”, kishte pyetur Nimani. Përveç kësaj, edhe stili me të cilin është realizuar, sipas Nimanit, është i tejkaluar. “Si stil figurativ ai është i tejkaluar. Ai trend sigurisht ka qenë para 50 apo 60 vjetësh, sitilizmi i tillë i figurës në mënyrë gjeometrike. Për mua, absolutisht nuk paraqet kurrfarë vlere”, kishte thënë Nimani.