Kulturë

Leximi në kafenenë “Kadare”

Etleva Islami shpesh viziton librarinë për të kërkuar veprat e Ismail Kadaresë.

I shikon me vëmendje titujt e tij, në mënyrë që ta shtojë në raftin e saj edhe një tjetër nga ky autor. E pasuron bibliotekën e saj me librin e radhës të shkrimtarit të shquar shqiptar. Koleksioni përbëhet nga 33 tituj të Kadaresë.

Studentja e Shkencave Kompjuterike ka vendosur që në ditëlindjen e 85-të të emrit botëror të letërsisë të lexojë në kafenenë “Kadare” në qendër të Prishtinës.

Ka qenë pikërisht autori Ismail Kadare, që e ka bërë atë të lidhet më shumë me letërsinë, ani pse studion në një fushë tjetër.

Etleva edhe sot e ruan veprën e parë me të cilën filloi dashuria e saj për letërsinë e veprat e Kadaresë.

“Libri i parë që e kam lexuar ka qenë në klasën e gjashtë dhe ka qenë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe jam mahnitur prej Ismail Kadaresë, dhe mandej nuk kam mundur të ndalëm së eksploruari letërsinë e tij”, tregon Etleva Islami. “Sa herë që nuk mund ta gjej një element tek Letërsia Botërore gjithmonë kthehem dhe e gjej tek Ismail Kadare dhe kjo është thjesht e mrekullueshme. Tjetër çka mund të them është se Ismail Kadare ka treguar një simbiozë perfekte me të cilën ai ka shkruar veprat e tij, pasi që jo vetëm që ka shprehur mendimet e thella, por është munduar ta reprezantojë kulturën tonë shqiptare”, shtoi ajo.

Islami, e cila e ka ëndërr që një ditë ta takojë shkrimtarin, e përcjell vazhdimisht veprimtarinë e tij.

“Sa herë që ka ndonjë event që ka të bëjë me Ismail Kadarenë gjithmonë mundohem me e ndjekë, po ashtu i përcjelli edhe analizat e tij dhe nëse ka publikuar diçka të re, edhe pse kohëve të fundit realisht nuk është diçka e pritshme, mirëpo është shumë ndjenjë e mirë kur e sheh që një shkrimtar i cili të pëlqen e vazhdon veprimtarinë e tij edhe sot”, ka thënë studentja Etleva Islami.

“Njeriu në jetë ka nevojë për 1 filxhan shkencë, 1 shishe kujdes, dhe 1 oqean durim”, shkruhet në kafenenë “Kadare”. Një kafe përballë fotografisë së shkrimtarit të madh mund ta pinë të gjithë ata që shkojnë në kafenenë që hapi dyert para tre vjetësh me synimin për të krijuar një ambient me libra.

“Kemi vendosur për Ismail Kadarenë për shkak se jam inspiruar prej tij si fëmijë. Veprat ‘Kështjella’, ‘Gjenerali i Ushtrisë së vdekur’ kanë qenë disa prej veprave që mua personalisht më kanë mësuar të lexoj dhe të hyj në botën e librit”, ka thënë pronari i kafenesë “Kadare”, Lorik Binaku.

28 janari shënon ditëlindjen e 85-të të Ismail Kadaresë, i cili është shkrimtari më i njohur dhe më i përkthyer i letërsisë shqipe.