Kulturë

“Rebelët, besimtarët, të mbijetuarit…” për shqiptarët në pesë shekuj

Për historianin britanik Noel Malcolm, historia e tokave shqiptare është ligsht e njohur dhe pak e studiuar, “një fakt zhgënjyes, por jo edhe befasues”. Pasojë e një shpërfilljeje dhe ndjesie izolimi gjatë kohës së komunizmit, megjithatë tokat shqiptare, sipas historianit të njohur, kanë një histori të gjatë të ndërveprimit me të tjerët. 12 studime që rrokin një varg temash interesante shqiptare – të tilla prej shekullit të pesëmbëdhjetë e deri te shkërmoqja e mitit serb për të ashtuquajturën “dyndje e madhe” – ndërthuren edhe me politika të ndërliqshme ndërkombëtare, pikëtakimin mes krishterimit dhe islamit, si dhe çështjen e identiteteve

Gjatë një gjysmëshekulli të kaluar nën zgjedhën e komunizmit, Shqipëria mbeti më e shpërfillur se kushdo tjetër. Por një kundrim mes për mes historisë shumëshekullore shqiptare shpalos përmasa të pafundme bashkëpunimi e lidhje me të tjerët.

Dymbëdhjetë studime depërtuese – që rrokin një histori mbresëlënëse që nis prej shekullit të pesëmbëdhjetë – tashmë janë të qasshme për lexuesit me librin më të ri të historianit britanik Noel Malcolm.

Disa muaj pasi u botua në anglisht nga “Oxford University Press”, libri “Rebelët, besimtarët, të mbijetuarit: Studime mbi historinë e shqiptarëve”, është botuar në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Botime Artini”.

Nëpërmjet këtyre studimeve dhe përqasjeve zhbiruese, libri gjakon të tregojë se si tokat shqiptare kanë qenë një pikëthyerje mes krishterimit dhe islamit, një kanal përmes të cilit Venediku lidhej me Ballkanin osman; një vend interesi për Habsburgët dhe një vatër për lakmitë e fuqive fqinje në periudhën e vonë osmane.
Qysh në parathënie të librit, historiani anglez vë re se arsimi në gjuhën shqipe në periudhën osmane nuk gëzonte kurrfarë mbështetjeje. Kështu, sipas tij, Beogradi kishte një institucion të arsimit të lartë, më vonë universitet, që prej vitit 1808, kurse Athina kishte një të tillë që prej 1837-s.

“Prandaj, si në Serbi, ashtu edhe në Greqi, veprat kryesore të historisë u shkruan dhe u botuan në një kohë kur pak shqiptarë kishin mësuar të shkruanin gjuhën e tyre”, shkruan në parathënie Malcolm. “Në fushën e studimeve ballkanike, ndikimi relativisht më i madh i këtyre shkollave të historiografisë kombëtariste ka vazhduar gjer më sot”.

 Nëpërmjet studimeve dhe përqasjeve zhbiruese, Malcom tregon se si tokat shqiptare kanë qenë një pikëthyerje mes krishterimit dhe islamit, një kanal përmes të cilit Venediku lidhej me Ballkanin osman; një vend interesi për Habsburgët dhe një vatër për lakmitë e fuqive fqinje në periudhën e vonë osmane

Në përmbledhjen, e cila në shqip është përkthyer nga Ana Haxhi dhe Enes Lekiqi, janë përfshirë studimet: “Vështrim mbi Shqipërinë e shekullit XV”, “Kelmendi: Shënime mbi historinë e hershme të një fisi katolik shqiptar”, “Një tregim i panjohur për Shqipërinë otomane”, “Traktati i Antonio Brunit mbi Beylerbeylik-un e Rumelisë (1596)”, “Shtojcë: Huazimet e Soranzo-s nga Traktati i Brunit”, “Kriptokrishterimi dhe amfibianizmi fetar në Ballkanin ottoman”, “Shqiptarët e periudhës së hershme moderne në duart e Inkuizicionit”, “Cuneus Prophetarum e Pjetër Bogdanit (1685)”, “Emigrimi në masë i serbëve nga Kosova (1690)”, “Ali Pasha dhe Britania e Madhe gjatë Luftërave Napoleonike”, “Diplomacia britanike dhe Lidhja e Prizrenit, 1878-1880”, “Autobiografia e parë shqiptare Ernesto Cozzi (1870-1926): Figurë e shpërfillur në studimet shqiptare dhe në historinë e Shqipërisë” dhe “Mitet e identitetit kombëtar shqiptar”.

Artin Ahmeti nga “Botime Artini” ka thënë se me librat e Noel Malcolmit tashmë kanë vite që bashkëjetojnë në punët e përditshme në librari. Teksa ka ndërmendur kur vetë historiani anglez kishte vizituar librarinë “Toena – Artini”, ai ka treguar se kjo shtëpi botuese, tashmë e profilizuar në libra studimorë për historinë dhe kulturën shqiptare, ishte interesuar për të siguruar të drejtën për botim në gjuhën shqipe.

“Të drejtat për botimin shqip i kemi siguruar në kohën kur libri ende nuk kishte dalë nga shtypi as anglisht, në mënyrë që edhe lexuesi shqiptar ta ketë mundësinë ta lexojë librin në kohën kur botimi anglisht është sa më aktual”, ka thënë Ahmeti për KOHËN gjersa ka falënderuar edhe studiuesin Bejtullah Destani.

Tutje, Ahmeti ka treguar për procesin e përkthimit të librit për të cilin vetë autori, duke qenë njohës i mirë i shqipes, kishte qenë gjatë tërë kohës në kontakt. Madje, Malcolmi e kishte kontrolluar variantin përfundimtar të përkthimit dhe kishte shprehur falënderime për korrektësinë e tij.

“Sigurisht, ai ishte shumë entuziast dhe madje ka edhe gatishmërinë që në momentin kur pandemia të marrë një zgjidhje, të kemi një promovim të librit në Prishtinë”, ka thënë ai.

Përndryshe, Malcolm librin ia ka kushtuar në kujtim të albanologut të ndjerë, Robert Elsie, me të cilin ishin njohur prej kohësh. Që në parathënie, ai e ka vlerësuar Elsien “jo vetëm si një studiues jashtëzakonisht i rrallë dhe prodhimtar, bujar, por edhe një mik i çmuar; ikja e tij ndihet thellë tek të gjithë ata që e njohën, dhe nga secili në fushën e studimeve shqiptare”.

E “Botime Artini” më parë kishte botuar edhe disa libra të Elsiet si “Fiset shqiptare” e “Bektashintjë shqiptarë: Historia dhe kultura e një rendi dervishësh në Ballkan”, ashtu si dhe tituj nga Jason Tomes, Nicholas Bethell, Tim Judah, e të tjerë.

Ndryshe, në librin “Rebelët, besimtarët, të mbijetuarit…”, Malcolm i kushton një rëndësi të veçantë figurës së Ali Pashë Tepelenës. Sipas tij, shqiptari i lindur në Tepelenë “pas Skënderbeut, është figura më së shumti e njohur në historinë shqiptare para shekullit njëzet”.

“Aliu mbetet një figurë tejet e rëndësishme, jo vetëm për shkak të joshjes së tij romantike, por sepse ai luajti një rol krucial në gjeopolitikat e Evropës Juglindore përgjatë periudhës së Luftërave Napoleonike. Tokat që ai kontrollonte ishin me rëndësi të madhe potenciale sa i përket një invazioni francez në Perandorinë Osmane. Napoleoni e dinte këtë, e kështu edhe britanikët, që mbanin agjentë diplomatikë për shumë vjet në oborrin e Aliut”, shkruan Malcolm në parathënie.

Qysh në parathënie të librit, historiani anglez vë re se arsimi në gjuhën shqipe në periudhën osmane nuk gëzonte kurrfarë mbështetjeje. “Si në Serbi, ashtu edhe në Greqi, veprat kryesore të historisë u shkruan dhe u botuan në një kohë kur pak shqiptarë kishin mësuar të shkruanin gjuhën e tyre”, shkruan në parathënie Malcolm

E interesimi i akademikut e studiuesit të njohur për historinë shqiptare është thelluar gjithnjë e më shumë gjatë viteve të fundit. Pesë vjet më parë, Malcolm botoi librin “Agents of empire: knights, corsairs, Jesuits and spies in the sixteenth-century Mediterranean world”, që fillonte si kronikë e dy familjeve të shquara shqiptare, Bruni dhe Bruti, për t’u mpleksur me histori më të mëdha në kontekstin e përplasjeve mes Perëndimit dhe Perandorisë Osmane. Sipas recensentëve të ndryshëm, ky libër ishte konsideruar si një nga më të rëndësishmit në studimet për Mesdheun, pas atij të historianit francez Fernand Braudel.

I lindur në Surrey të Anglisë, më 1956, Noel Malcolm është historian, akademik dhe gazetar i njohur në Mbretërinë e Bashkuar. Pas shkëputjes nga bota e gazetarisë më 1995, ai u bë pjesë e Royal Society of Literature dhe më pas edhe i Akademisë britanike. Që prej 2002-s, Malcolm është angazhuar si kërkues senior për All Souls College në Oxford. Nga librat e tij të njohur janë “George Enescu: His Life and Music (Toccata Press, 1990), “Aspects of Hobbes” (Oxford University Press, 2002), “Bosnia: A Short History” (New York University Press, 1994), “Useful Enemies: Islam and The Ottoman Empire in Western Political Thought, 1450-1750” (2019), etj.

I vlerësuar nga kritika është veçmas “Kosova, një histori e shkurtër”, (Botimet KOHA, 2001), që në fakt është një nga librat e parë në botën anglishtfolëse që dokumenton historinë mijëravjeçare të Kosovës duke shkërmoqur shumë nga mitet rreth saj, sidomos ato nga historiografia serbe.