Kulturë

Ministria ia huq me “drejtor artistik” të Teatrit, kërkohet anulimi i konkursit

 “Në konkursin me referencë 4163/2020 specifikohet titulli i punës i konkursit që është ‘drejtor artistik’. Kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Teatri Kombëtar i Kosovës ka vetëm një drejtor, atë të përgjithshëm”, shkruhet në kërkesën e Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës

Mungesa e kandidatëve që i kanë plotësuar kushtet ka çuar në anulimin e konkursit për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Por një gabim që e ka bërë Ministria e Kulturës mund të ndikojë që të anulohet edhe konkursi për “drejtor artistik” të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ky institucion, sipas Ligjit për teatro, nuk ka drejtor artistik por udhëheqës artistik. Kjo huqje e Ministrisë së Kulturës i ka shërbyer si vjegës Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) për të kërkuar anulimin e konkursit.

Kërkesa e Shoqatës është zyrtarizuar të hënën. Në shkresën e SHATK-ut që u është drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruhet se në kuadër të mandatit të Shoqatës është realizuar një vlerësim i dokumenteve bazike të konkursit zyrtar të hapur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Sipas shkresës, gjatë këtij vlerësimi është vënë re që njëri prej dy konkurseve është në kundërshtim me Ligjin për teatër.

“Në konkursin me referencë 4163/2020 specifikohet titulli i punës i konkursit që është ‘drejtor artistik’. Kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Teatri Kombëtar i Kosovës ka vetëm një drejtor, atë të përgjithshëm. Njëherësh ka edhe udhëheqës të ndryshëm, ndër ta edhe udhëheqësin artistik”, shkruhet në kërkesë. Aty kërkohet anulimi i konkursit.

“Pra, konkursi në fjalë është hapur për një pozitë të punës e cila nuk ekziston në strukturën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Si i tillë, ky konkurs nuk është valid, dhe është jolegjitim. Për këtë arsye SHATK-u kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë, dhe pa humbur kohë të hapet konkursi për udhëheqës artistik të TKK-së”, shkruhet në kërkesën që është dërguar në emër të anëtarëve të Bordi ekzekutiv të Shoqatës: Armend Smajli, Erson Zymberi, Faris Berisha, Kushtrim Koliqi dhe Rebeka Qena.

Deri në vitin 2012 pozita e udhëheqësit artistik sipas Ligjit për teatro ishte e emëruar si “drejtor artistik”. Por me hyrjen në fuqi të Ligjit aktual, drejtor quhet vetëm drejtori i përgjithshëm.

Për udhëheqës artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë konkurruar regjisorët Sokol Plakolli dhe Ekrem Sopi. Pos tyre në garë është edhe dramaturgia Albana Muja. Pozita e udhëheqësit artistik kishte mbetur vakante qysh prej qershorit të vitit 2019. Mospranimi i detyrës nga Fatos Berisha kishte bërë që Këshilli Drejtues me shumicë votash të emëronte si ushtrues të detyrës së udhëheqësit artistik të TKK-së aktorin Adrian Morina. Konkursi për këtë pozitë, si dhe për drejtor të përgjithshëm të TKK-së ishte hapur në dhjetor të vitit të kaluar.

KOHA të hënën ka provuar të flasë me zëvendësuesin e sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Ibër Alaj. Ai nuk është përgjigjur nëse do të anulohet konkursi apo jo. Përgjigje nuk ka pasur as kryetari i Këshillit Drejtues të TKK-së, Agron Shala. Sa u përket procedurave të hapjes së konkursit, termeve dhe kritereve që përcaktohen, përgjegjëse është Ministria e Kulturës.

Javën e kaluar gazeta ka raportuar se mungesa e interesimit për të udhëhequr institucionet qendrore të kulturës ka nisur të jetë e dukshme edhe me përpjekjet për t’i bërë me drejtues Galerinë Kombëtare të Kosovës, Baletin Kombëtar të Kosovës dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës. Vetëm tetë ditë pas mbylljes së konkurseve është anuluar ai për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Nuk janë gjetur tre kandidatë të cilët i kanë plotësuar kushtet formale të përcaktuara me konkurs. Drejt dështimit është edhe konkursi për drejtor të Baletit Kombëtar të Kosovës. Në këtë rast del të jetë problem të gjenden tre kandidatë të përgjegjshëm siç përcaktohet me konkurs.

Pozitën e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës e synonin ish-drejtoresha Arta Agani dhe piktorët Jeton Rexhepi dhe Vlora Hajrullahu.

Pas verifikimit të aplikacioneve, Divizioni i Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Kulturës kishte ardhur në përfundim se Vlora Hajrullahu nuk i plotësonte kushtet.

Për këtë pozitë kërkohej që kandidatët të ishin profesionistë të fushës që mbulon institucioni. Duhej të kishin nga shtatë vjet përvojë pune profesionale. Për Galeri kërkohen katër vjet përvojë pune në udhëheqje. Sipas dokumentacionit, Hajrullahu nuk e kishte këtë përvojë pune në udhëheqje. Konkurrentë ishin edhe ish-drejtoresha Arta Agani dhe piktori Jeton Rexhepi.

Kurse sa i përket konkursit për drejtor të Baletit Kombëtar të Kosovës, kësaj pozite ia kanë mësyrë balerini dhe ushtrues aktual i detyrës së drejtorit, Kreshnik Musolli dhe koreografët Labinot Rexhepi, Driton Saqipi dhe Luljeta Braha. Kërkohet që ata të kenë nga shtatë vjet përvojë pune profesionale. Në këtë rast merret përvoja e punës pas diplomimit në studimet bachelor. Pikërisht ky kriter ka bërë që të mos jenë tre kandidatë që i plotësojnë kushtet për të vazhduar me procedurën e rekrutimit.

“Në këtë rast, ne në Kosovë nuk kemi shkollim universitar për balet. Kemi kandidatë që kanë më shumë se shtatë vjet përvojë në balet, por nuk e kanë këtë përvojë nga diplomimi e më pas”, kishte thënë udhëheqësi i Divizionit për Burime Njerëzore në MKRS, Taulant Balaj.