Kulturë

Mbreti i ekranit

Descriptive Text

Me një personalitet të hapur që prej lindjes, King intervistoi hiç më pak se 50 mijë njerëz të çdo profesioni. Intervistoi çdo president, që prej Richard Nixonit, liderë të botës, mbretër, figura fetare, viktima të krimit dhe katastrofave, komentues, “ekspertë” të UFO-ve dhe aktiviteteve paranormale

Larry King që përplasej me presidentët, fizikanët, yjet e filmave dhe dashakëqijtë – të gjithë ata që kishin diçka për të thënë – për më shumë se gjysmëshekulli në radio dhe televizion, përfshirë edhe 25 vjetët si nikoqir i “Larry King Live” në CNN – ka vdekur të shtunën në Los Angeles. Ishte 87 vjeç.

“Ora Media”, të cilën King e bashkëthemeloi në vitin 2012, konfirmoi vdekjen në llogarinë e Kingut në Twitter. Deklarata e kompanisë nuk ka specifikuar shkakun e vdekjes, por King në javët e fundit ishte trajtuar për COVID-19. Në vitin 2019 u shtri në spital për dhimbje të gjoksit dhe më vonë konfirmoi se kishte pësuar sulm në zemër.

I biri i refugjatëve evropianë që u rrit në Brooklyn dhe që kurrë nuk shkoi në kolegj, nisi karrierën si intervistues dhe komentues sporti në një radio lokale në Flordia në vitet ‘50 dhe ‘60. Bëri famë me emisionin e natës cep më cep Amerikës në vitin 1978. Fiks shtatë vjet më vonë e deri në vitin 2010 ishte nikoqir i programit më të vlerësuar dhe më jetëgjatë, duke arritur miliona shikues nëpër Amerikë dhe gjetkë.

Me një personalitet të hapur që prej lindjes, King intervistoi hiç më pak se 50 mijë njerëz të çdo profesioni. Intervistoi çdo president që prej Richard Nixonit, liderë të botës, mbretër, figura fetare, viktima të krimit dhe katastrofave, komentues, “ekspertë” të UFO-ve dhe aktiviteteve paranormale.

Yll i gjithçkaje

Image

King qe mysafiri më mbresëlënës i emisionit të vet; djaloshi që u bë një prej personaliteteve më të famshme të televizionit amerikan, kolumnist gazete, autori i një tubë librash dhe yll i disa filmave në rolin e vetes.

Jeta e tij personale ishte për revistat e varura nëpër supermarkete – i martuar tetë herë me shtatë gra, kumarxhi i moçëm që mbeti me duar në xhepa dy herë; i arrestuar për mashtrime, dhe i përfshirë në disa skandale që kurrë nuk ia errësuan karrierën, por e ngritën në piedestal.

Tha se kurrë nuk do të bëhej gazetar, ani pse emisioni shpesh i bëhej lajm. Për shembull, kur Ross Perot në emisionin e tij njoftoi se do të garonte për president në vitin 1992. Nuk u konfrontua me asnjërin mysafir çkado qofshin ata. Nuk u bënte pyetje të vështira a teknike, duke preferuar që me butësi të nxirrte më të mirën nga mysafiri. Ama njihet për pyetjet më goditëse. Presidentin Nixon e kishte pyetur: “Kur e drejtoni automjetin në Watergate, a ndiheni çuditshëm?”. Presidentin Ronald Reagan: “A është frustuese për ju që të mos ju kujtohet diçka?”. Ndërkaq Donald Trumpin, kur ishte i njohur si mogul i patundshmërive, e kishte pyetur: “A gjithqysh duhet të jenë ndërtesa?”.

Vazhdimisht kishte thënë se nuk përgatitej për intervista. Nëse i ftuari ishte një shkrimtar që promovonte librin, ai nuk e lexonte, por ia bënte pyetjet e thjeshta: “Për çka bëhet fjalë në libër?”, apo “Përse e ke shkruar?”.

As nuk shtirej si intelektual. Bisedën e tij e kriposte me: “A nuk është”. Për një skeptik, ai dukej si një moderator i zakonshëm: një djalë kurioz që bënte pyetje impulsive.

“Ka një numër moderatorësh që recitojnë tre minuta fakte para se ta bëjnë pyetjen”, kishte shkruar ai në librin e kujtimeve “My Remarkable Journey”. “Sikur duan të thonë: Lërmë të tregoj sa shumë di. Mendoj, mysafiri duhet të jetë eksperti”.

Politikanë, investues, adhurues të teorive konspirative dhe mediume fetare e donin emisionin e tij që joshi audiencë të madhe pa pasur nevojë për pyetje sfiduese. Kingu e quajti “infotainment” dhe për miliona njerëz në Amerikë e në nja 130 shtete të tjera të botës ishte emision i mirë, nëse jo shpesh bizar, me informacione hibride dhe argëtim që vinte në pikun e mbrëmjes për një orë.

King jetoi në Beverly Hills. Emisionet e tij transmetoheshin nga studioja e CNN-it në Los Angeles, por shpesh nga New Yorku ose Washingtoni, shtete në të cilat qe intervistues radioje për “Mutual”. Në ditët e radios merrte pyetje dhe komente nga telefonuesit, të cilëve shpesh është dashur t’u ndërpritej lidhja shkaku i fyerjeve dhe banalitetit.

Intervistuesi miqësor

King kishte ato që një shkrimtar e quante fytyrë të bërë për radio. Me trup të gjerë, hundë të madhe, flokë me stil, buzë të trasha dhe sytë e thellë nën xhamat me ram të zi. Ishte një grabitqar dhe njeri dietash që prej vitit 1987, kur pësoi sulm në zemër. Me mëngët e përvjela dhe rripa, ulej në karrige para tavolinës me mysafirin. Zëri i tij kumbues i përshtatur me humorin dhe me pyetje të shkurtra dhe miqësore.

Temat ishin çfarëdo: politikë, krim, fe, sport, biznes, ngjarje lajmesh, si ajo e procesit gjyqësor ndaj O.J. Simpson të vitit 1995. Mirëpo kurrë nuk u shkonte thellë temave. Gazetarët e njohur e kritikonin për trajtimin e butë dhe teknikat prej një djaloshi. Por audienca dhe sponsorët i ishin besnikë.

Pas dekadave suksesi, “Larry King Live” nisi t’i zbehej fama dhe të famshmit e refuzonin. Shikuesit kthyen kanalin kah zërat politikë si Rachel Maddow dhe Sean Hannity i FOX-it. Deri në vitin 2010, audienca e Kingut kishte rënë përgjysmë me atë që kishte në pikun e shikueshmërisë. Ai dha dorëheqje në dhjetor, ndërkaq CNN-i e zëvendësoi me “Piers Morgan Tonight”.

Në vitin 2012, King kaloi vetëm në internet me emisionin që transmetohej nëpër rrjetet sociale “Larry King Now”. Ama kurrë nuk qe i njëjti.

Magnet për radio

Larry King lindi me emrin Lawrence Harvey Zeiger në Brooklyn më 19 nëntor 1933. Ishte djali i dytë i Edward dhe Jennie Gitlitz Zeiger, refugjatë nga Austria dhe Bjellorusia. Djali i madh, Irvin, vdiq më herët. I vogli, Martini, u bë avokat. Babai i Kingut menaxhonte një kafene. Vdiq nga sulmi në zemër në vitin 1943.

I pikëlluar nga humbja e babait, Lawrence, nxënës i mirë që kishte lënë klasën e tretë, la anash edhe mësimet dhe nisi të dëgjonte radio – lojërat e Brooklyn Dodgers, “The Lone Ranger”, “The Shadow” dhe Arthur Godreyn. Ai e kreu shkollën e mesme në vitin 1951 me nota të dobëta.

Martesa e tij me Frada Millerin në vitin 1952 ishte e shkurtër. Më vonë u martua me Annete Kaye. Kishin një djalë, Larryh Jr, të cilin King nuk e njohu për 33 vjet. Në vitin 1961 u martua me Alene Akins, që kishte një djalë nga martesa e mëparshme. U shkurorëzuan dy vjet më vonë.

Ai dhe bashkëshortja e katërt, Mickey Sutphin, u shkurorëzuan në vitin 1966 dhe kanë vajzën Kelly. Një vit më vonë përsëri u martua me Akins, lindën vajzën Chaia. U shkurorëzuan në vitin 1972. Katër vjet më vonë u martua me Sharon Lepore, menjëherë u shkurorëzua. Edhe martesa me Julia Alexander në vitin 1989 përfundoi me shkurorëzim. Në vitin 1997 u martua me Shawn Southwick, kishin dy djem, Chance dhe Cannon.

Fëmijët e Kingut me Akinsin, Andy dhe Chaia vdiqën gjatë vitit 2020. Ka lënë pas vetes tre djem, një të birësuar, dhe një kallaballëk nipa e stërnipa.

Shkëputur nga “The New York Times”. Përktheu: Gent Mehmeti