Kulturë

“Shtëpia e Pavarësisë” me pak vizitorë, Rezidenca e Rugovës nën dry

Descriptive Text

Janë dy monumente me të cilët u konkretizua nisma për ruajtjen e shpalosjen e trashëgimisë jo vetëm politike të ish-presidentit Ibrahim Rugova. Muzeu “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës – dr. Ibrahim Rugova” është i hapur, por ka pak vizitorë. “Rezidenca e presidentit dr. Ibrahim Rugova” në “Velani” është e mbyllur edhe në ditën që shënon 15-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Kosovës

Në ditën kur u shënua 15-vjetori i vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, trashëgimia e tij u përkujtua zbehtë. Mjaftuan homazhe te varri nga grupe të ndryshme politike që më shumë ngjanin me parafushatë elektorale sesa nderim për ish-presidentin që udhëhoqi Kosovën në kohë okupimi, lufte e lirie.

Por, përkujtimi periferik nuk përfundon veç sa i takon ndonjë ceremonie që për këtë vit tek e fundit mund të arsyetohet edhe me rrethanat që ka krijuar pandemia.

Janë dy monumente me të cilët u konkretizua nisma për ruajtjen e shpalosjen e trashëgimisë jo vetëm politike të ish-presidentit Ibrahim Rugova. Por, përderisa muzeu “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës – dr. Ibrahim Rugova” është e hapur, rezidenca në “Velani” i ka dyert e mbyllura për vizitorë.

Objekti, i cili prej janarit të vitit 2008 është “Shtëpia e Pavarësisë” fillimisht kishte shërbyer si atelie e piktorëve e më pas si seli e “KosovaFilmit”. Por, në vitin 1987 do t’i jepej në shfrytëzim Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Asokohe, kryetari i Shoqatës, Ibrahim Rugova, do ta takonte arkitektin Sali Spahiu për të diskutuar rreth adaptimit të ndërtesës. Më 1989, kur u themelua LDK-ja, Rugova u zgjodh kryetar. Objekti u bë seli e partisë.

Arkitekti Sali Spahiu do të takohej me ish-presidentin dhe pas kërkesës së tij do të punësonte në detaje një projekt adaptimi.

“Më thirri për një takim. Tha: ‘Duhet ta adaptojmë diçka objektin, më tepër për arsye se do të kemi edhe takime të ndryshme e të tjera’. Projektin e kam punuar dhe rregullimin e ka bërë Habit Krasniqi me kompaninë e tij pa kurrfarë pagese. Kështu që dr. Rugova filloi me i mbajt këtu edhe takimet me delegacionet e huaja, mbledhjet e së premtes, për shtyp dhe televizione”, ka kujtuar të enjten Spahiu, i cili bashkë me ekipin e KOHËS ka vizituar muzeun jo edhe aq të njohur.

Në ditën kur janë mbushur 15 vjet nga vdekja e Rugovës, i cili ishte studiues i letërsisë, ai ka thënë se pas luftës, në gusht të vitit 2000, ish-presidenti e kishte ftuar prapë.

Rugova do ta takonte arkitektin e ish-Entit për Urbanizëm dhe Projektime për të biseduar në lidhje me të ardhmen e ndërtesës që gjendet në anën veriore të stadiumit të Prishtinës që ka marrë emrin e futbollistit Fadil Vokrri. Ish-presidenti, sipas Spahiut, kishte propozuar që përdhese të ishte muze e me anë të ndërtimeve shtesë të krijoheshin hapësira për rini e aktivitete kulturore.

“Thash që objekti është shumë i vogël për këto qëllime, dr. Rugova më dëgjoi me kujdes dhe u pajtua me mendimin tim. Unë i thashë se ky objekt duhet të ngelë si ‘Shtëpi e Pavarësisë’ ose nuk e di si ka me u quajt. Mirëpo, me shenjat e dhunës në fasadë dhe autentik në brendësi”, ka kujtuar ai, ashtu siç i ka shpjeguar takimet edhe në një tekst autorial të publikuar në Shtojcën për Kulturë të “Kohës Ditore” të dielën e javës së kaluar në prag të përvjetorit të vdekjes së ish-presidentit.

Por, Spahiu thotë se ndërtesës i ka humbur autenticiteti, gjë që nuk është dashur të ndodhë. Për këtë edhe është i zhgënjyer.

Ekspozita e fundit, që tash është vendosur aty, u përurua më 24 dhjetor të vitit të kaluar, në përvjetorin e themelimit të LDK-së. “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999”, është titulli i saj. “Shtëpia...” kishte të tjera artefakte. Ishin disa nga gjësendet personale të ish-presidentit Rugova, e që prej shkurtit të 2018-s u bartën në Muzeun e Kosovës kur për herë të parë institucioni më i lartë muzeor në vend u bë me ekspozitë të përhershme.

Në ekspozitën “Rezistenca...” me kurator Shkumbin Brestovcin, në katër ndarjet e hapësirës janë shpalosur fotografi historike, shpjegime të kontekstit politik e social të viteve ’90, si dhe ngjarjet kryesore që përvijëzuan historinë e periudhës më përcaktuese të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Gjithçka nis në ish-zyrën e Rugovës prej 11 metrave katrorë. Brenda një kornize të xhamtë është ngërthyer edhe periudha tragjike e helmimeve të nxënësve në shkollat e mesme gjithandej Kosovës.

“Në periudhën 19 mars - 6 dhjetor 1990 u helmuan rreth 7.000 persona me helmin ushtarak sarin. Ky helmim filloi 3 ditë pas përfundimit të procesit të segregacionit të shkollave…”, shkruhet brenda tekstit të shoqëruar edhe me një hartë të Kosovës që paraqet vendet ku ndodhen helmimet masive të nxënësve.

“Pjesa e ish-zyrës së Rugovës është një histori që fillon prej antikitetit, prej miteve shqiptare, mesjetës, sundimit të perandorisë osmane dhe një kronologji të ngjarjeve të asaj kohe duke ardhur deri te viti 1989”, ka sqaruar ciceroni i “Shtëpisë së Pavarësisë”, Bekim Gashi.

Gjithçka përfundon me fotografitë e Rugovës me shumë personalitete të botës e citate të tij sa i përket zgjidhjes së çështjes së Kosovës gjatë viteve ’90. Mungesën e interesimit të vizitorëve e ka arsyetuar me pandeminë.

“Gjatë muajve të verës kemi numër të shtuar të vizitorëve. Ka shumë edhe të huaj. Por, gjatë vitit 2020 dhe në fillim të këtij viti, pandemia e ka bërë të veten”, ka thënë Gashi.

Për dallim nga “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës”, Rezidenca e ish-presidentit është e mbyllur. Nuk duket se zgjon shumë interes për vizitorët, por as institucionet kompetente s’e promovojnë e funksionalizojnë si muze.

Image

“Rezidenca e Presidentit dr. Ibrahim Rugova” në “Velani”, ka marrë statusin e monumentit qysh prej prillit të vitit 2016. Prej atëherë Ministria e Kulturës paguan 12 punonjës që të kujdesen për atë hapësirë. Por, edhe të enjten ka qenë e mbyllur për vizitorë


Rezidenca ka marrë statusin e monumentit qysh prej prillit të vitit 2016. Prej atëherë Ministria e Kulturës paguan 12 punonjës që të kujdesen për atë hapësirë. KOHA edhe në të kaluarën ka raportuar se “Rezidenca e presidentit dr. Ibrahim Rugova” nuk është e qasshme për vizitorë.

Të enjten, shumë shkurt para Rezidencës është parë njëri prej punonjësve, i cili mbylljen e ka arsyetuar me rrethanat pandemike. Sipas lëndës në të cilën arsyetohet dhënia e statusit të monumentit, sqarohet se gjatë shqyrtimit të dokumentacionit janë konstatuar pesë hapësira që janë nën mbrojtje: në përdhese, është Salla e pritjes, Salloni kryesor, me hapësirat përcjellëse, Kabineti i punës së ish-presidentit, Dhoma e Kristaleve dhe Salla solemne.

“Brenda ‘Rezidencës së presidentit dr. Ibrahim Rugova’ ka piktura, fotografi të shumta të takimeve të presidentit Rugova me personalitete të vendit dhe të huaj. Guri në oxhakun e kabinetit të punës së presidentit është punuar nga gjyshi i presidentit Rugova. Ky gur është punuar në vitin 1910, si pjesë e kullës së ndërtuar në fillim të viteve 1900”, shkruhet në arsyetim. Aty sqarohet se gjatë viteve 1996 deri 1999 në këtë rezidencë, Rugova zhvilloi takime intensive me ambasadorët amerikanë, Richard Holbrooke, Christopher Hill, senatorin amerikan Bob Dole, ambasadorin britanik, Brian Donnelly, ambasadorin gjerman, Wolfgang Ischinger, ambasadorët austriakë Wolfgang Petritsch e Albert Rohan, të cilët realizuan organizimin e Konferencës së Rambouillet, e cila rezultoi me fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, më 24 mars 1999. Por, krejt këto vizitori s’mund t’i shohë. As në ditën që shënon 15-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Rugova.