Kulturë

Cimerat e 509-shes

Në janarin e vitit 2014, “Koha Ditore” kishte sjellë rrëfimin për dhomën 509 të konviktit nr. 1, që lidhet edhe me emrin e Ibrahim Rugovës si student. Disa prej cimerëve të tij, do ta ndanin rrëfimin për ditët studentore

Prishtinë, 23 janar 2014 - Askush nuk u përgjigjet tri-katër trokitjeve tak-tak në derën e bardhë të dhomës 509. Në 508-shen derën e hap Ardit Bukoshi, në pizhame. Libra e fletë të bardha A-4 ishin shpërndarë në tavolinën e dhomës me dy shtretër të brucoshit të Fakultetit të Ndërtimtarisë. Biondi shtatgjatë thotë se “cimerat” e 509-shen kanë vendosur të ndërrojnë dhomat me disa studentë të kateve të mëposhtme. Ndërrimet e vendeve janë të zakonshme në mesin e studentëve të konviktit numër një në qendrën studentore.

“Ua, fantazi!” reagon Bukoshi, kur i tregohet se në 509-shen kishte banuar presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, në fund të viteve gjashtëdhjetë dhe në fillim të viteve shtatëdhjetë. Menjëherë merr celularin që t’i thërrasë banuesit e dhomës ngjitur. Bisedën telefonike e zhvillon teksa qëndron në këmbë në shtratin e anës së djathtë.

“O Yll, presidenti Rugova paska banu në dhomën tane”, flet Arditi në telefon me Yll Veselajn, gjithashtu brucosh i Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës. Me dorën e majtë prek murin që i ndan dy dhomat. Arditi shpeshherë përbetohet për t’ia mbushur mendjen Yllit se nuk është punë shakaje ndërmjet studentëve.

“Më erdh çudi kur mora vesh se këtu ka banuar Rugova”, thekson Arditi, që dukej më i qetë pas entuziazmit fillestar. Në pritje të ardhjes së Yllit, i cili kishte çelësin e 509-shit, Arditi thotë se ndihet mirë që ka pasur mundësi të rrijë në dhomën ku tre vjet kishte banuar presidenti Rugova. Pas tre-katër minutash vjen Ylli. Me vete kishte marrë edhe katër studentë të tjerë, para të cilëve “fryhej”derisa sillte çelësin.

“Si hina brenda po më duket se duhet me ecë ma gjanë”, thotë me tallje Ylli.

“Dikush ishte ilegal”

Aty dikur kishte banuar presidenti Ibrahim Rugova, akademik Rexhep Ismajli, Xhemaledin Salihu, aktivist politik dhe kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë, dhe një student tjetër gjithashtu nga Lugina e Preshevës. Deputeti i vetëm shqiptar aktualisht në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, ishte prej mysafirëve më të rregullt të 509-shes në vitin akademik 1969-70. Rugova, Ismajli, Salihu dhe Halimi shihen në një fotografi bardhezi të vitit 1970-71, të cilën me fanatizëm e ruan Salihu. Fotografia është thyer, por duket qartë se Salihu qëndronte prapa treshes së ulur në shtratin e krahut të djathtë të dhomës.

Halimi e Ismajli kishin pizhame të njëjta me vija horizontale, ndërkaq Salihu e Rugova me këmisha të bardha. Me dorën e majtë sipër së djathtës të mbështetura për gjunjët e thyer dhe me cigaren në cepin e djathtë të gojës, Rugova nuk e shikon direkt syrin e aparatit.

“Fola me Diellin, edhe i thashë a je me PDK-në a me LDK-në? Tha se është me AAK-në, por i erdh mirë që kishte banuar deri tash në 509-she”, tregon Ylli bisedën që kishte bërë para disa minutash me Diell Pozhakun, me të cilin para katër ditëve kishte ndërruar vendet.

Duke treguar me tallje se larguan AAK-në nga pushteti në Therandë, ku në zgjedhjet e fundit ka fituar LDK-ja, Ylli e “nguc” cimerin Mursel Bajramin, student i vitit të dytë të Fakultetit të Shkencave Sportive, që është nga Drenica.

“Nuk i erdh mirë”, thotë një tjetër student nga Mitrovica, që njihet prej shokëve për “provokime”. Ai menjëherë hedh dyshime sesi mund të kenë banuar katër studentë në dhomën me dy shtretër dhe me një tavolinë me dy karrige, që nuk ka më shumë se dhjetë metra katrorë.

“Dikush ka qenë ilegal edhe atëherë”, thotë ai. “Mos ka qenë Rugova?” thotë një tjetër nga rajoni i Istogut, ku kishte lindur edhe presidenti Rugova në vitin 1944.

Aty dikur kishte banuar presidenti Ibrahim Rugova, akademik Rexhep Ismajli, Xhemaledin Salihu, aktivist politik dhe kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë, dhe një student tjetër gjithashtu nga Lugina e Preshevës. Deputeti i vetëm shqiptar aktualisht në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, ishte prej mysafirëve më të rregullt të 509-shes në vitin akademik 1969-70

“Vjet kemi qëndruar shtatë veta në një dhomë treshe. E kurdisshim telefonin me u çu në ora tre me ndërru krahun”, ndërhyn mitrovicasi që nxit të qeshura.

Net të gjata

Ylli me seriozitet thotë kushedi një ditë edhe “ai mund të bëhet i madh” si presidenti Rugova.

Riza Halimi, i cili ishte student i fizikës kur banonte në të njëjtin kat, thotë se asnjëherë nuk u kishte shkuar në mendje se ”cimeri” Rugova do të merrte përsipër udhëheqjen e Lidhjes Demokratike dhe më vonë edhe të Kosovës para e pas luftës.

“E kemi pasur të qartë se do të bëhej shkrimtar apo akademik si njeri i letrave, por se do të bëhej politikan, jo, jo, jo. As që është marrë me mend kjo, duke gjykuar prej kritereve të politikës së asaj kohe”, ngulmon Halimi. “Thjesht ka pasur interesim të merrej me letërsi”.

Në ueb-faqen e Presidencës së Kosovës thuhet se Rugova në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve, “Bota e Re” dhe në revistën shkencore “Dituria” gjatë viteve 1971-72, që botoheshin në Prishtinë. Një kohë kishte punuar edhe në revistën “Fjala”.

Salihu dhe Halimi mbajnë mend kohën kur Rugova qëndronte deri në orët e hershme të mëngjesit duke shkruar kritika dhe ese letrare. 509-shi ishte dhoma ku mblidheshin edhe studentë të tjerë. Ismajli dhe Rugova ishin kolegë të Degës së Gjuhës Shqipe. Rugova e nxiste edhe Salihun, student të pedagogjisë, të shkruante për rolin e rilindësve në arsimin shqip.

“Rrinim deri vonë sikur gjithë studentët dhe më inkurajonte të shkruaja për figurat patriotike të arsimit”, thekson Salihu, që refuzon të flasë për “vakitë” e cimerave.

Halimi thotë se Rugova flinte vonë dhe zgjohej herët. Asnjëherë nuk hante mëngjes. Deri në kohën e drekës në mensë, tymoste shumë cigare.

“I pinte cigaret një pas një derisa u mbushte tablla plot me duça”, kujton Halimi, teksa me një preshevar “të kosovarizuar” të mërkurën mbrëma pinte makiato në kafenenë “Republika” mbi “Kurriz” në Prishtinë. Prapa tij në mur ishte varur një kornizë me fotografinë e një cigareje që digjej.

Një qese najloni e mbushur me pako të zbrazëta të cigareve qëndronte të mërkurën paradite në raftin e dhomës 509. Ylli thotë se me shokë e kishin bërë shprehi t’i ruanin pakot, që ishin të brendeve të ndryshme. Të Yllit ishin prej më të shtrenjtave. Vetëm njëri prej shokëve bartte çantë. “Ky na i bart librat deri në bibliotekë, e ne mësojmë”, thotë njëri prej tyre.

“Avangard”

 

Image
Dhoma 509 e konviktit nr. 1

Halimi, i cili vazhdimisht përsërit se “askush nuk kishte besuar se Rugova do të hynte në politikë”, thotë se reflektimi paqësor i presidentit në politikë ishte mënyrë jetese për të. Përshkruan pak momentin kur duhej të pritej në radhë të gjatë për të marrë drekën në mensë.

“Për shembull, ishin nga 100 studentë para nesh dhe kishte prej atyre që hynin pa rend. Atij nuk i linte përshtypje, nuk u mërzitke, as që është lodh se dikush po ia zë rendin”, kujton Halimi. “Bile-bile bënte hajgare: ‘Nashta u lodh se s’ka ngrënë as dje’”, qesh Halimi.

Studentët nuk e huqnin shëtitjen në korzonë e dikurshme të viteve shtatëdhjetë. “Cimerat” e 509-shes bënin një xhiro deri te Teatri Kombëtar dhe anasjelltas. Halimi e Salihu nuk dëshirojnë të flasin për “dashuriçkat” apo “simpatitë” eventuale të presidentit të ndjerë.

“Unë po them se ata kanë qenë në të njëjtën dhomë dhe i kanë ditur muhabetet e njëri-tjetrit”, i bishtnohet Halimi me diplomaci pyetjes. Gazeta nuk ka arritur të vërë kontakt me akademikun Ismajli, me të cilin Rugova ishte më i afërt.

Thotë se Rugova ishte avangard për kohën në të cilën jetonte. “Qysh atëherë ka qenë i veçantë. Çdo sjellje e ka pasur pa shabllone, pa korniza”. Të njëjtën qasje e kishte hetuar te Rugova edhe gjatë takimeve zyrtare që i kishte me përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. “Ama i ka thyer shabllonet e përditshme”, thotë Halimi.

Ai mendon se formimi i Rugovës ishte rezultat i frymës familjare. Rugovës, komunistët jugosllavë ia kishin vrarë babanë, Ukë, dhe gjyshin, Rrustë.

Në nekrologjinë e BBC-së dy ditë pas vdekjes më 21 janar të vitit 2006 shkruante se njeriu që kishte pasion poezinë, gurët mineralë dhe qenët e Sharrit, asnjëherë nuk kishte ndryshuar përmbajtjen e deklaratave që “nganjëherë dukeshin profetike - për të mos thënë jorealiste në shkallë mizore”.

Teoria e relativitetit dhe “misteriozi”

“Por përsëritja dhe mungesa misterioze e detajeve duket se po funksionin për çudi tek elektorati që i besonte atij”, shkruante BBC-ja, duke përmendur faktin se ai ishte takuar me Slobodan Milosheviqin në Beograd në pranverën e vitit 1999 pasi ishte marrë peng prej forcave policore në Presidencë në Prishtinë. Televizioni britanik vlerësonte se politikani që rrallëherë shihej pa shallin e mëndafshtë, “ishte një figurë dalluese”.

E Richard Holbrookut, i dërguar special i Shteteve të Bashkuara për Kosovën, Rugova do t’i thoshte se shallin do ta varte vetëm kur ta shihte vendin të lirë.

“Çfarë kënaqësie ishte ta shoh më në fund në Prishtinë pa shallin e tij!”, shkruante Holbrooke i ndjerë pas vdekjes së Rugovës, të cilin e konsideronte “shok”.

Halimi tregon se Rugova i merrte shtruar gjërat edhe në planin personal. Nuk e mban mend asnjëherë të vetme të ketë humbur kontrollin, madje as në rastet kur ai ishte thelluar në librat që i linte shtrirë në shtrat.

“Ka pasur rast kur studentë të dhomave të tjera kishin pirë nga dy birra dhe kapeshin në hajgare. Janë shtyrë dhe janë rrëzuar midis dhomës së tij. Ai u thoshte me qetësi, pa e ndalur leximin: ‘Çka po bani, bre, batakçinj’”, kujton Halimi.

Në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ish-Bashkimi Sovjetik po luftonin për dominim në hapësirë, Rugova kërkonte shpjegime shkencore prej studentit të fizikës. Neil Armstrongu kishte shkelur më 1969 i pari në Hënë.

“Mandej, me mua ka biseduar edhe për teorinë e relativitetit”, thekson Halimi. Përsëri thotë se Rugova kurrë nuk ndryshoi. “Tiparet e jetës private Ibra i ka ruajtur edhe në udhëheqje”, thotë Halimi, duke treguar se “presidenti historik”, siç vlerësohet në biografinë e shkurtër të Presidencës, kishte durim t’i dëgjonte të gjithë dhe të tregohej i vendosur në bindjet e veta.

E Ylli mezi po pret të kthehet në fundjavë në Therandë dhe t’u tregojë me krenari të gjithë miqve se po banon në dhomën 509.