Kulturë

“Flaka e Janarit” në vitet e okupimit, në luftë e në paqe

Prishtinë, 18 janar – Për tri dekada me radhë, nëpërmjet aktiviteteve kulturore, nderoi ata që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit. Kjo ishte edhe zanafilla e “Flakës së Janarit”. Ishte viti 1991 kur situata sa vinte e rëndohej. Shqiptarët u përjashtuan prej institucioneve. Atëherë, një grup krijuesish nga Shoqata e Pavarur Kulturore e Gjilanit mendonin sesi të realizonin një manifestim që nderonte martirët, dëshmorët dhe heronjtë e kombit. Por, edhe si ta mbanin gjallë jetën kulturore. Qe janari i vitit 1992 kur “Flaka...” mbajti edicionin e parë. Sivjet është edicioni i 30-të i kësaj ngjarjeje, e cila jubileun e shënon edhe si aktivitet i mbrojtur i trashëgimisë shpirtërore.

Manifestimi që s’u ndal as më 1999

Për themeluesit e atëhershëm gjërat nuk ishin të lehta, por kapërcimi i çdo sfide ia ka vlejtur. Shkrimtari Sabit Rrustemi, është njëri nga themeluesit.

“Nuk e kishim lehtë ta gjenim as emrin, sepse na duhej një lloj simbolike, një lloj metafore që i përfshinte të gjithë ata që kishin kontribuar për atdheun, por që do të duheshin të nderoheshin përmes veprave të artit qoftë të artit pamor, muzikor, skenik, apo letrar. Ishim lodhur nga fjalimet politike të asaj kohe, ishin fjalime patetike, deklarative dhe donim që edhe pjesa e kulturës – e cila thjesht mbeti tepër e shkapërderdhur në rrethanat e asaj kohe – që të bashkoheshin rreth këtij manifestimi”, ka thënë ai.

Frymëzim për këtë manifestim ishin vëllezërit Gërvalla, Jusufi dhe Bardhoshi, si dhe Kadri Zeka, të cilët organizatorët kishin vendosur që t’i përkujtonin në dhjetëvjetorin e rënies së tyre. Shënimi i këtij përvjetori nxiti realizimin e “Flakës së Janarit”. Katër shtyllat e këtij manifestimi u krijuan pikërisht mbi veprimtarinë e Jusuf Gërvallës: art letrar, muzikor, skenik dhe art pamor.

Manifestimi do të niste më 18 janar të 1992-s me përurimin e një shtëpie kulturore në fshatin Bresalcë, ku janë mbajtur pjesët skenike, për të vazhduar më pas në restorant “Kulla” në Gjilan, ku do të mbahej pjesa letrare dhe ajo e artit pamor. Do të përmbyllej të nesërmen në shtëpinë e kulturës në Përlëpinë me pjesën muzikore “Ju këndojmë dëshmorëve”.

“Pak para se të niste ‘Flaka e Janarit’ në Gjilan, përurimin me të mirë të ‘Flakës së Janarit” e bënë pushkët e Adem Jasharit më 31 dhjetor 1991, në Prekaz. Ato në një mënyrë e paralajmëruan ‘Flakën e Janarit’ e që nga ajo kohë e këndej është mbajtur çdo vit madje edhe gjatë vitit 1999. Atëkohë u mbajt në Gjilan, por edhe nëpër zona të cilat ishin të lira”, ka thënë ai.

Asnjëherë nuk qenë shmangur institucionet publike për realizimin e “Flakës së Janarit”.

“Asnjëherë nuk u kemi ikur sokakëve, por çdo herë në mënyrë publike, legale e kemi mbajtur manifestimin në rrethanat e kohës”, ka thënë ai. Sipas tij, të gjithë duhet që të kujdesen për këtë manifestim.

“Në kuadër të ‘Flakës së Janarit’ përherë e kemi lënë një derë të vogël përmes së cilës mund të vijë kushdo për t’i nderuar figurat e rëndësishme të kombit, por në aspektin kulturor, por jo politik”, ka thënë Rrustemi.

Për ata që dëshmuan se si fitohet liria

Vitin e kaluar, Ministria e Kulturës e përfshiu këtë aktivitet në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.

“Tridhjetë vjetët e këtij manifestimi na obligojnë ta ruajmë, zhvillojmë dhe afirmojmë edhe në përmasa ndërkombëtare, si manifestim ndër më të veçantët, i cili përmes vlerave të kulturës nderon figurat më të ndritshme të kulturës dhe të kombit”, shkruhej në arsyetimin për këtë vendim.

Vlora Dumoshi, ministrja në detyrë e Kulturës, ka thënë se ky është një manifestim i vlerave, andaj duhet ruajtur dhe kultivuar. E potencoi këtë të dielën kur mori pjesë në “Akademinë e Flakës”.

“Ky festival shumëdimensional e që mbledh mijëra artistë që e duan artin nga të gjitha trevat shqiptare, për tri javë rresht shndërron Gjilanin në një kryeqendër të kulturës shqiptare”, ka thënë ajo.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në të njëjtin aktivitet ka thënë se ky përvjetor është më i veçantë, pasi që “Flaka e Janarit” tashmë është pjesë e manifestimeve të trashëgimisë shpirtërore.

“Ne në mënyrë të veçantë i nderojmë ata që na mësuan se si fitohet liria me sakrificë. Se si kryengritet për të drejtat dhe se si duhet atdheu. Jo duke i urryer të tjerët, por duke e dashur tënden, duke punuar për të e duke luftuar për interesa të përgjithshme kombëtare dhe këto qëllime, këto ëndrra u bënë realitet”, ka thënë ai.

Këtë vit “Flaka e Janarit” i është kushtuar jetës dhe veprës së Kadri Zekës. Veprimtarit të shquar iu dedikua “Akademia e Flakës”, një nga shtyllat e manifestimit, pikërisht në ditën e përvjetorit të Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, më 17 janar më 1982.

“Kadri Zeka u brumos me ide patriotike që nga rinia, ai bashkëpunoi me Rexhep Malën e Nuhi Berishën, edhe si student pati veprimtari në lëvizjen për çlirim, derisa në mërgim, pos që publikoi në revista të ndryshme, ai së bashku me vëllezërit Gërvalla bëri përpjekjet për bashkim të lëvizjes së shkapërderdhur në mërgim, si dhe për pavarësimin e klubeve shqiptare në mërgim”, ka thënë atdhetari Bejtullah Tahiri.

Shtoi se pas demonstratave të vitit 1981, Kadri Zeka organizoi demonstrata në Evropë, internacionalizoi çështjen e Kosovës në botë. Sipas tij, Zeka dha shembullin më të mirë për bashkim.

“Vrasja e Kadri Zekës dhe e vëllezërve Gërvalla ishte goditje e rëndë, por vepra e këtyre atdhetarëve kishte lëshuar rrënjë te populli shqiptar, që u kurorëzua me luftën çlirimtare të UÇK-së”, ka thënë Tahiri. E në emër të familjes së Kadri Zekës, fjalën e mori Izmi Zeka.

“U jemi mirënjohës të gjithë qytetarëve të Kosovës. Gjilani e Anamorava e kanë historinë e vet. Kur nderojmë heronjtë nderojmë veten tonë, kur nderojmë të kaluarën e nderojmë të ardhmen tonë”, ka thënë Zeka. Ai pranoi edhe mirënjohje, pasi që familja e heroit Kadri Zeka u nderua për kontributin për lirinë e shqiptarëve. Mirënjohje morën edhe themeluesit e këtij manifestimi, Sabit Rrustemi e Hasan Bunjaku dhe Filarmonia e Kosovës. Mirënjohje post mortum për kontributin në artin letrar dhe atë dramatik, iu nda edhe Beqir Musliut.

Institucion kulturor

Manifestimi konsiderohet një mënyrë e denjë për t’i nderuar ata që ranë në altarin e lirisë e që shtynë përpara kauzën kombëtare dhe ishin të palëkundshëm në kërkesën e tyre për liri.

“Ky festival, si 30-vjeçar në të gjithë arenën e etnisë sonë ka një domethënie të veçantë. Janë artistë të ndryshëm të etnisë sonë që kur vijnë në Gjilan kanë parasysh një Festival, i cili ka ditur që të mbijetojë 30 vjet, që ka kultivuar dhe farkuar një art të mirëfilltë në tri shtyllat e saj, duke e bërë atë si një institucion të veçantë kulturor, e do të thosha të paparë në shtetin tonë”, ka thënë poeti e sociologu gjilanas, Xhevat Latifi.

Muzika ishte një ndër shtyllat e “Flakës së Janarit” që prej themelimit. Synimet janë që pikërisht kjo pjesë e Festivalit të fuqizohet edhe në edicionet e ardhshme.

Koncerti i Filarmonisë së Kosovës, të dielën, ishte një prej dëshmive.

Image
Filarmonia e Kosovës të dielën në Teatrit e Gjilanit, në “Akademinë e Flakës” ku u shënua “Viti i Kadri Zekës” (Foto: Arben Llapashtica)

Mbrëmja nisi me fragmente nga poema simfonike “Skënderbeu” e kompozitorit Çesk Zadeja, që çdoherë që luhet ngjall emocione te publiku shqiptar. Koncerti vazhdoi me veprën “Legjendat këndoja me mall”, të Sami Pirajt e Kreshnik Aliçkajt, ku soliste ishte sopranoja Arta Jashari. U luajt edhe “Uvertura shqiptare” e kompozitorit Hajrullah Syla, si dhe “Unë biri yt Kosovë” e Feim Ibrahimit, orkestruar nga Valton Beqirit, ku solist ishte tenori Liridon Sadriu. Pastaj sopranoja Adelina Paloja u paraqit me “Agimet shqiptare” të Avni Mulës.

Ajo ka thënë se veprat e përzgjedhura e që kishin karakter patriotik, përkojnë edhe me anatominë e manifestimit.

“Është nder dhe privilegj për ne që të perfomojmë në këtë 30-vjetor të ‘Flakës së Janarit’ dhe përmes veprave të artit t’i nderojmë martirët”, ka thënë ajo.

Dirigjenti Hajrulla Syla ka thënë se ideja e programit ishte e tillë që t’i përshtatej aktivitetit.

“Ky manifestim i nderon të rënët për liri të vendit, kështu që jemi munduar që të kemi një program me vepra më patriotike të cilat edhe e ngjallin atë emocionin kur i dëgjojmë”, ka thënë Syla. Sipas tij, manifestimet, si “Flaka e Janarit”, vënë në pah vlerat e vendit dhe ndihmojnë që ato të ruhen. Ka thënë se edhe koncerti qe një hap i Filarmonisë për ta ndërlidhur folklorin me muzikën klasike.

“Këto aranzhime e vepra që janë luajtur ne i kemi tashmë të ruajtura si vepra dhe ato ekzistojnë, prandaj është shumë e rëndësishme, pasi që po të mos kishte aranzhime të tilla, këto vepra as që do të ekzistonin si partitura. Ky koncert ndërlidh, nëse mund të them, punën artistike dhe muzikën folklorike”, ka treguar ai.

Orkestra e Filarmonisë luajti edhe veprën “Gryka e Kaçanikut” të Endrit Rexhepit e Hajrullah Sylës, ku u paraqitën solistët Liridon Sadriu, Sokol Latifi, Shqipërim Isufi e Endrit Rexhepi. Interpretimi i kësaj vepre u përcoll gati gjatë gjithë kohës me duartrokitje nga publiku. Koncerti u përmbyll me veprën “Jam Kosovë e Shqiptarisë” të Edmond Zhulalit, orkestruar nga Valton Beqirit, me solistë sopranon Arta Jashari dhe tenorin Liridon Sadriu.

Koncerti qe veç një pjesë e aktiviteteve të shumta që po mbahen sivjet në edicionin që ka nisur me 11 janar dhe do të përfundojë më 31 janar. “Talia e Flakës”, që është një nga shtyllat kryesore të manifestimit, nis të shtunën me shfaqjen e Teatrit të Gjilanit “Kosovo for Dummies” për të vazhduar edhe për katër mbrëmje të tjera me shfaqje nga teatrot e Mitrovicës, Podujevës, Ferizajt dhe Teatri Kombëtar i Kosovës.