Kulturë

Diskursi eseistik për kulturën shqiptare në opusin krijues të Basri Çapriqit

Descriptive Text

Trajtimi i çështjeve që kanë të bëjnë me opusin krijues, për autorë të ndryshëm paraqet obligim profesional që mund të trajtohet në shumë aspekte, varësisht prej qasjes së autorëve përkatës. Në rastin konkret, Basri Çapriqi te opinioni shqiptar është i njohur si poet, sepse si i tillë ishte i veçantë dhe vlerësohej nga kritikët e kohës, por nuk duhet harruar se ai ka dhënë një kontribut me peshë edhe në fushën e eseistikës, sidomos në dekadën e parë të veprimtarisë së tij krijuese.

Esetë e shkruara kanë trajtuar aktualitetin në botën shqiptare në periudhën e thyerjeve të mëdha shoqërore dhe ideologjike dhe janë botuar kryesisht në revistën “Fjala”, e cila ishte prestigjioze jo vetëm në Prishtinë por në hapësirën mbarëkombëtare, duke mbetur model për kohën kur janë shkruar e botuar. Andaj, edhe analiza e atyre eseve duhet trajtuar në varshmëri të kohës, por ndonëse kanë kaluar rreth tridhjetë vjet nga botimi i tyre, kanë vlerën e tyre edhe në kohën tonë.

Kalaja e Ulqinit dhe autorët shqiptarë

Për ata të cilët nuk janë nga Ulqini, por jashtë tij, të cilët në këtë qytet kanë ardhur gjatë verës për të kaluar pushimet, nuk kanë njohuri se autorët vendës nuk e kanë pasur mundësinë të shpalosin vlerat e tyre kulturore në mjediset e Kalasë dymijepesëqindvjeçare. Jo se diçka të tillë e kanë dëshiruar autorët shqiptarë, por ishte pushteti monist i kohës që ndaj kulturës shqiptare kishte qasje mohuese e më të edhe të vetë autorëve. Është dashur të ndryshojë sistemi shoqëror, ku nga viti 1990 u miratua pluralizmi ku filluan ndryshime edhe në fushën e kulturës, e atë kryesisht duke iu falënderuar shoqërisë civile, përmes formimit të subjekteve kulturore.

Në Kala të Ulqinit, prezantimi i autorëve shqiptarë ndodhi vetëm pas rënies së monizmit (1990) e atë pikërisht në gusht të vitit 1992, ku për të parën herë u prezantuan autorët shqiptarë, dr.Ruzhdi Ushaku me promovimin e librit “Ulqini në rrjedhë të shekujve”, më 12 gusht 1992 e më pas takimi me shkrimtarin Mehmet Kraja, ndërsa i treti autor ishte Basri Çapriqi, ku më 16.6.1993 iu organizua promovimi i librit “Aksidenti i orës shqiptare”, botuar nga “Fjala” në Prishtinë në vitin 1993.

Për ata të cilët nuk janë nga Ulqini, por jashtë tij, të cilët në këtë qytet kanë ardhur gjatë verës për të kaluar pushimet, nuk kanë njohuri se autorët vendës nuk e kanë pasur mundësinë të shpalosin vlerat e tyre kulturore në mjediset e Kalasë dymijepesëqindvjeçare. Jo se diçka të tillë e kanë dëshiruar autorët shqiptarë, por ishte pushteti monist i kohës që ndaj kulturës shqiptare kishte qasje mohuese e më të edhe të vetë autorëve

Ndërsa autori i katërt i cili është prezantuar në Kala të Ulqinit, pikërisht në Kullën e Balshajve, në muajin korrik 1997, është Milazim Krasniqi, ku është diskutuar për veprimtarinë e tij letrare e publicistike. Ishte kjo një mbrëmje e veçantë dhe e para e kësaj tematike deri atëherë në Ulqin, ndonëse kemi pasur pengesa në “defekt” të rrymës elektrike, ishim të detyruar që mbrëmja të mbahej me qirinj(!).

Këto takime u organizuan nga shoqata “Art Club”, si subjekti i parë joqeveritar i shqiptarëve në Mal të Zi, i themeluar më 28.12.1990, në Ulqin, duke dëshmuar përkushtimin për kulturën shqiptare e cila ishte injoruar dhe e anatemuar në monizim, sepse ekzistonte një refuzim i vazhdueshëm institucional. Por, përmes kësaj shoqate u bë një kthesë e madhe në organizimin e veprimtarive të ndryshme kulturore, shkencore, artistike, si dhe në botimet në gjuhën shqipe, qofshin ato revista apo botime të veçanta të profileve të ndryshme, kryesisht të autorëve vendorë.

Ngjarjet në vitin 1989-1990 dhe shqiptarët

Ngjarjet që kanë të bëjnë me vitet 1989-1990 kanë pasur përmasa të gjëra në nivel regjional e evropian dhe si të tilla nuk kanë pasur mundësi të anashkalojnë edhe shqiptarët. Janë pikërisht këto vite që iu paraprinë ndryshimeve të mëdha, ku kemi fillimin e fundit të falimentimit të sistemit socialist, përkatësisht të dështimit të ideologjisë komuniste dhe shpërbërjen e shteteve të ish-kampit socialist në Evropën Juglindore.

Pas vitit 1981, në saje të demonstratave të studentëve në Kosovë dhe masave represive të pushtetit jugosllav të kohës ndaj shqiptarëve, viti 1989 ishte me ngjarje dramatike për shqiptarët në Kosovë, sepse më 23 mars 1989, Kosovës iu hoq autonomia, duke e bërë një provincë në kuadër të Serbisë. Ishte ky fillimi i shpërbërjes së shtetit me emrin Jugosllavi që u shpërbë në vitin 1991, me rastin e pavarësisë së Sllovenisë e Kroacisë, duke pasuar më pas në saje të luftërave pushtuese të drejtuara nga politika serbe në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe së fundi në Kosovë(1998-1999).

Në Shqipëri jehona e ndryshimeve në Evropën Juglindore e bëri të veten, ndonëse më vonesë, që arsyetohet me pushtetin e diktaturës si askund në vendet e ish-kampit socialist. Pas protestës së parë antikomuniste, më 14 janar 1990 në Shkodër, më pas ka pasur edhe protesta të tjera, ku duhet veçuar atë më 2 korrik 1990, eksodin e rreth 5000 qytetarëve të Tiranës e disa qyteteve të tjera, në disa ambasada të shteteve perëndimore (kryesisht në RFGJ), si dhe emigrimin e tyre më pas me anije nga Porti i Durrësit për në Brindizi (Itali) dhe më pas në Gjermani, përmes Kryqit të Kuq Gjerman

Në aspektin ndërkombëtar, më 9 nëntor 1989, përfundimisht u shemb Muri i Berlinit, duke sinjalizuar shembjen e komunizmit në Evropën Juglindore.

Në dhjetor 1989, revolta popullore në Rumani, likuidimi i ish-presidentit N. Çaushesku me bashkëshorten, përshpejtoi rënien e komunizmit.

Më 23 dhjetor 1989, në Prishtinë themelohet LDK, partia e parë shqiptare ku vulosi fillimin e pluralizmit te shqiptarët dhe përfundimin e komunizmit te shqiptarët në Kosovë e kudo ku kishte shqiptarë në ish-Jugosllavi.

Ndërsa viti vijues 1990 vazhdoi me dinamikën e vet, ku më 2 korrik u bë shpallja e Deklaratës Kushtetuese, ndërsa më 5 korrik mbyllja e RTP-së, si dhe e gazetës së vetme ditore “Rilindja“, ndërsa nga vjeshta u mbyllën shkollat dhe Universiteti i Prishtinës, ku nga pushteti serb u inaugurua aparteidi kolonial nga pushteti serb si rast specifik në Evropë.

Në Shqipëri jehona e ndryshimeve në Evropën Juglindore e bëri të veten, ndonëse më vonesë, që arsyetohet me pushtetin e diktaturës si askund në vendet e ish-kampit socialist. Pas protestës së parë antikomuniste, më 14 janar 1990 në Shkodër, më pas ka pasur edhe protesta të tjera, ku duhet veçuar atë më 2 korrik 1990, eksodin e rreth 5000 qytetarëve të Tiranës e disa qyteteve të tjera, në disa ambasada të shteteve perëndimore (kryesisht në RFGJ), si dhe emigrimin e tyre më pas me anije nga Porti i Durrësit për në Brindizi (Itali) dhe më pas në Gjermani, përmes Kryqit të Kuq Gjerman.

Ngjarjet e 2 korrikut 1990 në Prishtinë e Tiranë ndodhën brenda një dite, duket si koincidencë, por mbetet të hulumtohet në të ardhmen, për të dhënë përfundime të argumentuara e jo me paragjykime e konspiracione për kohën.

Njëri nga ata që ka bërë kthesë në eseistikën e publicistikën tonë te opinioni shqiptar është edhe poeti B. Çapriqi, me librin “Aksidenti i orës shqiptare”.

Në Shqipëri, këto ngjarje vazhduan më pas në vjeshtë e duke u mbyllur me protestat e studentëve të Universitetit të Tiranës në dhjetor 1990, si dhe me lejimin e pluralizmit politik, me themelimin e Partisë Demokratike më 9 dhjetor 1990. Ishte ky një moment historik duke përfunduar periudha e diktaturës 46-vjeçare, dhe hapja e Shqipërisë më botën e lirë demokratike.

I kemi cekur këto ngjarje, sepse të tillat ndikuan edhe te shqiptarët si brenda kufijve politikë në shtetin amë në Shqipëri, por edhe jashtë saj në hapësirën etnogjeografike shqiptare, si dhe në diasporë.

Ndikimet e para ishin te krijuesit e fushave të ndryshme shkencore, kulturore, artistike e në veçanti të mediat, të cilat tash kishin një frymëmarrje të lirë që e kishin të ndaluar dekada më radhë.

Në këtë aspekt, në Kosovë, mediat e shkruara i paraprinë zhbllokimit informativ, ku në veçanti dallohet revista “Fjala“, me përmbajtjen dhe temat e trajtuara nga autorë të profileve të ndryshme shkencore e kulturore.

Revista “Fjala“ – tribunë e mendimit të lirë

Image

Ballina e librit “Aksidenti i orës shqiptare”


Nga numri i revistave të ndryshme të cilat botoheshin në Prishtinë, duke filluar nga viti 1990, vendin parësor e kishte revista “Fjala“, e cila dallohej me përmbajtjen e saj, duke qenë revistë e hapur, përkatësisht tribunë e mendimit të lirë dhe e krijimit të tolerancës e të kulturës së re politike.

Artikujt e botuar në këtë revistë, nga personalitete të fushave të ndryshme si në atë kohë por edhe tash pas tri dekadave e them pa hezitim se ishin model për studiuesit e profileve të ndryshme shkencore, kulturore e publicistike. Pikërisht duke marrë parasysh tematikën dhe përmbajtjen e trajtuar si asnjëherë deri në atë kohë, do të ishte me interes për opinionin e përgjithshëm kulturor botimi i disa vëllimeve duke bërë përzgjedhje të artikujve të botuar në “Fjala“ (1990-1992).

Çapriqi kryesisht ka qenë i preokupuar me kulturën si bazament i identitetit kombëtar, e cila pati po të njëjtin fat si populli. Ajo jo vetëm që pësoi ndryshime, por njëherësh në kulturë filluan të dominonin qasjet ideologjike, duke mënjanuar pothuaj tërësisht bazamentin kombëtar

Një veprim i tillë do të ishte nderim dhe respekt për autorët për angazhimin e tyre profesional dhe kombëtar për të shpalosur çështje të ndryshme të panjohura deri atëherë për opinionin e gjerë. Nuk ka dilemë se meritë kryesore ka pasur kryeredaktori Milazim Krasniqi së bashku me stafin e redaksisë, të cilët nuk hezituan të botojnë materiale më vlerë shumëdimensionale, që më kënaqësi lexohen edhe tash, ndonëse janë bërë rreth tri dekada nga botimi i tyre. Madje, kam bindje të plotë se brezi i ri i cili nuk ka pasur mundësi t’i lexojë këto materiale të revistës “Fjala“, ka mundësi të mësojë nga autorët e asaj kohe për shumë çështje që mund të jenë në fokusin e tyre të formimit profesional, sepse janë shkruar me profesionalizëm dhe qasje intelektuale.

Botim i veçantë eseistik për kohën

Në gamën e botimeve të cilat i ka botuar revista “Fjala“ bën pjesë edhe libri i Basri Çapriqit, “Aksidenti i orës shqiptare“, botuar në vitin 1993. Kemi të bëjmë me një botim eseistik, i veçantë për kohën kur është shkruar e botuar, duke sfiduar rrethanat e kohës në saje të ndryshimeve të sistemeve shoqërore, ku as shqiptarët nuk ishin përjashtim. Andaj, të lexohen sot këto ese, do të thotë rreth 30 vjet më herët, duhet kuptuar kontekstin kohor, ku vetëm në këtë mënyrë mund të kemi një opinion për çështjet e trajtuara.

Në kohën bashkëkohore nuk janë të rralla rastet që intelektualë të ndryshëm, që përveç fahut të tyre profesional, në opusin e tyre krijues të jenë të njohur edhe në lëmenj të tjerë, siç është eseistika apo publicistika. Në këtë aspekt në dy-tre vjetët e fundit edhe në hapësirën etnokulturore shqiptare me shkrimet e tyre eseistike e publicistike filluan të paraqiten një numër i konsideruar individësh, kryesisht shkrimtarë, që në njëfarë mënyre ishin edhe nismëtarët e lëvizjeve demokratike tek ne. Kështu, një ndër më të zellshmit nga ky aspekt i cili ka bërë kthesë në eseistikën e publicistikën tonë te opinioni shqiptar është edhe poeti B. Çapriqi me librin “Aksidenti i orës shqiptare”. Është ky një libër i cili në vete përmbledh shumë artikuj të botuar më parë(1990-1992) në revistën “Fjala”, që së bashku trajtojnë një tërësi unike nga aktualiteti i kulturës shqiptare dikur dhe sot. Me një fjalë, trajtimi i problemeve gjegjëse në këtë libër paraqet një freski dhe risi për eseistikën e publicistikën shqiptare dhe më gjerë, sepse është botimi i parë i këtij lloji tek ne.

Autori aksidentin e kulturës shqiptare e ka trajtuar në plan të gjerë kultural për tërë hapësirën etnokulturore shqiptare, pothuaj duke filluar nga Rilindja Kombëtare Shqiptare e deri në ditët tona. Kjo goditje për fat të keq ka përfshirë të gjitha dimensionet e qenies kombëtare dhe materiale të kulturës shqiptare, duke nisur me shthurjen e hapësirës kulturore gjithëshqiptare e duke përfshirë hapësirën informative, intelektuale, shkencore, arsimin fillor, të mesëm e universitar, të gjitha llojet e artit e duke përfunduar me deformime të ndryshme në kulturën politike.

Komunizmi në shoqërinë shqiptare ishte më i tmerrshëm se askund tjetër. Një konstatim i tillë nuk është vetëm shprehje e rastit, por një dëshmi autentike

Ky botim bën përpjekje që të tregojë shkaqet e aksidentit, që për fat të keq shqiptarët i përjetuan rreth gjysmë shekulli. Është çështje tjetër se a e përjetuan këtë tragjedi kombëtare shqiptarët me dëshirën e tyre apo diçka e tillë ka qenë e imponuar nga të tjerët. Por, në lidhje me këto çështje autori i këtij libri nuk është imun, por ai i bën një vështrim kritik gjendjes ekzistuese, duke dëshmuar se tragjedia shqiptare, ndonëse filloi më herët, ajo pikën kulmore e arriti në periudhën e ashtuquajtur socialiste. Nëse faktet e periudhave të kaluara mund të shërbejnë për të bërë një analizë diakronike, për kohën e socializmit, analiza sinkronike është e tepërt, sepse faktet flasin vetë.

Nga leximi i këtij libri vërehet se autori kryesisht ka qenë i preokupuar me kulturën si bazament i identitetit kombëtar, e cila pati po të njëjtin fat si populli. Ajo jo vetëm që pësoi ndryshime, por njëherësh në kulturë filluan të dominojnë qasjet ideologjike, duke mënjanuar pothuaj tërësisht bazamentin kombëtar. S'ka se si të tregohet ndryshe e dhëna, kur ca figura të rëndësishme të letërsisë në veçanti, e të kulturës në përgjithësi, si p.sh. Faik Konica, Gjergj Fishta etj., u injoruan për pesë dekada. Një veprim të tillë e ka bërë pushteti për hir të ideologjisë, por pasojat ishin të mëdha, sepse gjenerata të tëra shkollarësh, jo vetëm që kanë mbetur analfabetë për shumëçka, por në njëfarë mënyre ata janë dezinformuar për mjaft personalitete letrare, kulturore e historike të popullit tonë.

Aksidenti i shkaktuar nga bartësit e komunizmit në hapësirën etnokulturore shqiptare në Evropën Juglindore, në shikim të parë nuk ishte i veçantë për shqiptarët, por nëse i bëhet një analizë më e detajuar, pa hezitim mund të thuhet se komunizmi në shoqërinë shqiptare ishte më i tmerrshëm se askund tjetër. Një konstatim i tillë nuk është vetëm shprehje e rastit, por një dëshmi autentike.

Jemi të sigurt se në të ardhmen e afërt individë të penave të ndryshme do të shkruajnë faqe të tëra për këtë murtajë që ia solli tragjedinë kombit tonë. Në këtë aspekt edhe kjo vepër trajton ca çështje në mënyrë eksplicite, që njëherësh jep mundësi për teza të ndryshme të trajtimit të çështjeve përkatëse.

Duhet thënë me këtë rast se me rastin e botimit të ca artikujve të këtij libri, ka pasur edhe reagime nga individë të ndryshëm në revista të kohës, që në njëfarë mënyre ishin akuzë ndaj autorit. Reagimet e tilla ishin pa mbështetje faktografike, të shkruara me emocione nga individë dogmatikë, që çdo gjë që ishte shqiptare e kanë idealizuar, ndërsa realiteti ka qenë tjetër fare. Por fatmirësisht koha dëshmoi shumëçka, andaj edhe artikujt e këtij libri duhet lexuar në varshmëri me kohën, sepse shkrime të tilla atëherë pakkush ka pasur guximin të shkruajë.

Por autorit të këtij libri, i njohur në opinionin shqiptar dhe më gjerë si poet, nuk i ka munguar guximi intelektual e qytetar që të merret me shkrime eseistike e publicistike nga aktualiteti shqiptar, që për opinionin e gjerë pothuaj ishin tema tabu. Andaj i trajtuar me një akribi publicistike, ky botim paraqet një qasje intelektuale për kulturën dhe shoqërinë shqiptare sipas standardëve bashkëkohore dhe si i tillë është i mirëseardhur për opinionin kulturor shqiptar.