Kulturë

Cenimi i liderëve të lëvizjeve paqësore kombëtare

Descriptive Text

Në cepin e oborrit në formë hajmalie të tempullit të papërfunduar, u vendos kundërligjshëm shtatorja e Ibrahim Rugovës. Jo edhe e Anton Çettës. Shteti heshti, pavarësisht shkeljeve të konfirmuara. Familja e presidentit Rugova e ka aprovuar në heshtje. Heshtjen ka zgjedhur edhe LDK-ja, e cila thirret – edhe më shpesh gjatë fushatave zgjedhore – në rugovizëm si një prej vlerave politike e kombëtare. Por asnjëra palë s’ka mundur ta heshtë debatin se shtatorja e presidentit cenon figurën e tij, e bashkë me të edhe tentativa për ta inauguruar edhe atë të pajtuesit të gjaqeve

Natën e sollën. Ditën e shpalosën. Pa lavdinë e dëshiruar. Por e kryen vetëm gjysmën e punës. Qëllimi ishte t’i vendosnin bashkë dy shtatoret. Edhe shkëlqimi i të ngjyrosurës mbeti në hije të debatit se presidentit të parë të Kosovës po provohet për së vdekuri t’i vishet petku fetar. Edhe ceremonia kaloi në heshtje. Duartrokitjet e të pranishmëve u përzien me zhurmën e makinave përgjatë katedrales që mban emrin e shenjtores shqiptare Nënë Tereza. Në cepin e oborrit në formë hajmalie të tempullit të papërfunduar u vendos kundërligjshëm shtatorja e Ibrahim Rugovës. Jo edhe e Anton Çettës. Shteti heshti, pavarësisht shkeljeve të konfirmuara. Kundërshtimi publik i dy të bijave të urtakut të lëvizjes për pajtimin e gjaqeve, në thelb ngërthente ruajtjen e misionit të “profesor Çettës”, sepse “veprimtaria e tij ka qenë në sferën e shkencës, arsimit, politikës kombëtare në një kuptim mbipartiak e mbifetar”. Me Çettën në krye, Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve kishte arritur të pajtonte 1.170 gjaqe kur Kosovës i ishte shtrënguar laku në fyt. E shoqëronin imamë e priftërinj kur shtrihej dora e pajtimit në emër të kombit. Njëherësh, Rugova ishte vënë në krye të lëvizjes politike paqësore.

Familja e presidentit Rugova e ka aprovuar në heshtje. Heshtjen ka zgjedhur edhe LDK-ja, e cila thirret – edhe më shpesh gjatë fushatave zgjedhore – në rugovizëm si një prej vlerave politike e kombëtare.

“Në rastin e përmendores së Anton Çettës ndërhyri familja e tij dhe bëri mirë. Në rastin e Rugovës, familja po hesht”, ka thënë Enver Robelli, kolumnisti i rregullt i “Kohës Ditore”. Robelli në kolumne ua kujton shpesh zyrtarëve të LDK-së përdorimin e rugovizmit për hesape të ngushta politike.

“Opinioni duhet ta mbrojë Rugovën nga përqafimet ngufatëse. Ai ka pasur raporte të mira si me prijës të Kishës Katolike, ashtu edhe me kryeimamin e Kosovës, Rexhep Boja, një atdhetar dhe besnik i Kosovës”, ka thënë Robelli.

Kombëtaren e ka zënë në gojë edhe dom Fatmir Koliqi, sekretar i Ipeshkëvisë së Kosovës kur është pyetur pas kundërshtimit të të bijave të pajtuesit të gjaqeve. “Ipeshkëvia e Kosovës ka dashur që t’i nderojë dy figura të mëdha të kombit, dr. Ibrahim Rugovën dhe prof. Anton Çettën”, ka thënë Koliqi.

“Fetarizimi” i figurave kombëtare

Në rrjetet sociale ka shpërthyer debati i madh, menjëherë pasi të bijat e Çettës publikuan letrën dërguar autoriteteve më të larta katolike në vend. Shumëkush ka shprehur shqetësimin se kjo mund të jetë përpjekja e parë për t’i fetarizuar figurat më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës.

“’Fetarizimi’ i figurave politike e kombëtare është i dëmshëm dhe i rrezikshëm dhe nuk duhet të ndodhë. Përvetësimi i këtyre figurave, nga cilado fe, do të dëmtonte rëndë trashëgiminë e një shoqërie si e jona, trashëgiminë shtetformuese e patriotike, duke i dhënë konotacion e petk fetar”, është shprehur opinionisti Imer Mushkolaj, duke thënë se fetë i kanë figurat e tyre. “Andaj duhet ndaluar sa më shpejt para se të jetë vonë dhe e gjitha të shpjerë drejt një përçarjeje dhe mosdurimi fetar e shoqëror”.

Rugova është bërë të premten me dy shtatore në qendër të Prishtinës. E reja pa leje. Dy shtatore i janë derdhur në bronz edhe Çettës. Pos të Hoxhës, një tjetër është punuar nga skulptori Agon Qose. Fillimisht u mendua të vendosej para Institutit Albanologjik, por në shkurt të vitit 2017 vendosjen e gurit themeltar për bazamentin e shtatores e kishin penguar mosmarrëveshjet midis Instituti Albanologjik të Prishtinës dhe Komunës së Prishtinës e Ministrisë së Arsimit. Ministria kishte marrë leje nga Komuna, por leja njëvjeçare skadoi pa e hedhur as gurin themeltar. Në korrik 2018, Instituti Albanologjik i Prishtinës kishte refuzuar edhe zyrtarisht që shtatorja e Çettës të vendosej në oborrin e tij. Komuna e Prishtinës në nëntorin e vitit të kaluar ia ka ndarë vendin në oborrin e Fakultetit Filologjik, por së paku edhe një vit e gjysmë nuk pritet të kryhen punimet për ndërtimin e parkingut nëntokësor.

Xhabir Hamiti, studiues i islamit, ka thënë se ende nuk po mund të besojë se Prishtina nuk i ka bërë ende vend shtatores së Çettës për shkak të fesë së tij katolike.

“Nëse kjo është e vërtetë, e që personalisht nuk guxoj të besoj në asnjë mënyrë, atëherë ky do të ishte lajm tepër shqetësues dhe i papranueshëm në asnjë formë”, ka shkruar postimi i Hamitit, duke nxitur reagime të shumta të ngjashme.

“Përcaktimi fetar i Anton Çettës, në raport me kontributin e tij kolosal për shoqërinë tonë, nuk do të duhej as të mendohej, e lëre më që dikush të marrë të drejtën që të shprehet dhe të deklarohet edhe publikisht në lidhje me të”, ka thënë studiuesi i islamit në universitetet e Medinës, Jordanisë, Libanit dhe Sarajevës. Ka vlerësuar se është i turpshëm dhe tepër i ulët debati për bindjet fetare të qytetarëve, e sidomos të figurave të shquara kombëtare, “të cilat i prinë mbarë popullit në orët më të liga të tij”.

“...e frikshme”

Image

Shtatorja e Anton Çettës dhe ajo e Ibrahim Rugovës të enjten e 14 janarit në oborrin e shtëpisë së skulptorit Fatmir Hoxha. Ajo e presidentit u vendos në bazamentin te Katedralja të enjten natën, por jo edhe ajo e Çettës


Shkrimtari e publicisti Bardh Frangu ka thënë se përplasja për lokacionin e Çettës është dëshmia më e mirë se shoqëria kosovare është e polarizuar skajshmërisht, dhe se “si e tillë funksionon sipas logjikës së partisë shtet”. Ai mendon se në vend nuk do të duhej të bëhej temë vendi për “plakun e urtë, që në kontekstin kohor të aktivizmit të tij është shfaqur si një orakull”.

“Kjo nuk është e turpshme, por njëkohësisht është edhe e frikshme”, ka thënë Frangu, duke e vlerësuar si me vend kundërshtimin e familjes Çetta për shkak se do të mund të kornizohej me karakter fetar.

“Mendoj se edhe vendosja e shtatores së arkitektit të pavarësisë sonë, dr. Ibrahim Rugova, në oborrin e Katedrales, nuk është ide e mirë, kjo për faktin se duhet të kihen parasysh polarizimet e mëdha në shoqërinë tonë, për më tepër kur dihet se përmendoret shpesh shërbejnë për ndarje e jo për bashkim”.

Edhe Frangu mendon se Rugova e Çetta janë figura mbifetare.

“Anton Çetta është një iluminist dhe ekumenist jofetar. Një qëmtues i zellshëm i kulturës popullore. Një pajtimtar, më i madhi i shekullit të 20-të ndër shqiptarë”, thekson ai, teksa shton se autoriteti i tij ndër shqiptarë nuk ka bazë fetare. “Autoriteti i tij buronte nga puna e tij si shkencëtar që me strajcë në shpinë shkonte nga fshati në fshat për të mbledhur gojëdhëna, anekdota, rrëfejza, urti. Rrjedhimisht, pa marrë parasysh se kush i ka marrë këto vendime brenda apo jashtë Katedrales – po bën gabim”.

Edhe Robelli, autori i “Veç pavarësi, asgjë më pak”, libër i Botimeve KOHA në të cilin ka zgjedhur intervista të Rugovës për mediat gjermane, thotë se lideri që i priu Kosovës nën pushtim e në liri, është angazhuar dhe i ka jetësuar vlerat perëndimore. Ka thënë se këto i ndërmjetësonte dhe ia afronte popullit të Kosovës.

Evropa Perëndimore, “Heimati” i Rugovës

“Ai, Evropën Perëndimore e ka parë si shtrat kulturor të shqiptarëve. ‘Heimat’, siç do të thoshin gjermanët. Këtu një rol të rëndësishëm ka luajtur formimi intelektual i Rugovës dhe interesimet e tij shkencore, që lidhen shumë me letërsinë mesjetare shqiptare, të cilën Rugova, më shumë se dijetarë të tjerë, e ka lartësuar dhe kthyer aty ku e ka vendin: si trashëgimi të rëndësishme të historisë shqiptare”, ka vlerësuar Robelli, duke kujtuar kontributin e Rugovës me studimin figurës së shquar të letërsisë shqipe e të çështjes kombëtare. “Pa studimet e Rugovës, Pjetër Bogdani nuk do të bëhej aq i njohur siç u bë në vitet ‘80, kur edhe revista ‘Zëri’ botonte posterë të tij, të cilët shpërndaheshin në tërë Kosovën dhe në viset e banuara me shqiptarë”.

Rugova edhe gjatë viteve nëntëdhjetë e mbante në zyrë një fotografi me Papa Gjon Palin e Dytë, të cilit i njihet botërisht kontributi i madh për përkrahjen e popujve të ish-bllokut komunist që kulmoi me rënien e Murit të Berlinit. Gjatë të gjitha konferencave të së premteve, Rugova i kërkonte ndihmë Perëndimit për lirinë e pavarësinë e Kosovës deri në çlirim.

“Është e vërtetë se Ibra, si arkitekt i pavarësisë, është edhe arkitekt i Katedrales, gjë kjo e cila në një mënyrë i jep të drejtë Ipeshkvisë, por kur dihet se në anën tjetër ka një parti politike që me çdo kusht provon të përvetësojë emrin dhe vlerat e tij, kjo e bën të refuzueshme vendosjen e shtatores në hapësirat e Katedrales. Dhe besoj se nuk është mirë që kleri të sillet si partitë politike, të cilat i shfrytëzojnë për nevojat e veta figurat më të rëndësishme kombëtare”, ka thënë Frangu.

Koketimi i politikës me fenë

Mushkolaj mendon se veprimi i fundit i Ipeshkëvisë së Kosovës ishte i panevojshëm, madje përçarës. “Por, në këtë mënyrë, Ipeshkëvia po përpiqet të tregojë se Rugova ka qenë katolik. Në këtë mënyrë, Kisha Katolike po përpiqet ta përkufizojë figurën e Rugovës vetëm në aspektin fetar – një gabim i pafalshëm ky dhe një precedan i rrezikshëm”, paralajmëron Mushkolaj. “Rugova nuk ka folur asnjëherë për përkatësinë e vet fetare, ai nuk ka qenë kurrfarë kleriku fetar, andaj është e pakuptimtë që shtatorja e tij të zërë vend para një objekti të kultit”.

Megjithatë, ka pasur shumë diskutime joformale të ndërtuara shpesh mbi konspiracione që shkonin deri aty – edhe në të gjallë të Rugovës – sa politikën e palëkundshme properëndimore të tij, shumëkush e lidhte me atë se vetëm rreshtimi në krah të botës së krishterë perëndimore mund të rezultonte me përkrahjen e pavarësisë.

Mushkolaj thotë se partitë politike kanë koketuar e po koketojnë me parti më të vogla që kanë sfond fetar. “LDK-ja vazhdimisht e ka bërë një gjë të tillë me PSHDK-në, gjë që tash po e bën AAK-ja. PDK-ja iu ka dhënë hapësirë partive si ajo e Drejtësisë, përderisa VV-ja ka anëtarësuar persona kontroversë, po ashtu me sfond fetar”, thekson Mushkolaj. “Në këtë mënyrë, politika e mban përgjegjësinë më të madhe pse ka lejuar eksperimente të tilla shumë të dëmshme dhe të rrezikshme, që vendit i kanë kushtuar jo vetëm me dëmtim imazhi”.

“Deformim i personalitetit”

Dhe insistimin e Kishës Katolike për të vendosur shtatoret e Rugovës dhe të Çettës para Katedrales, e sheh si “manipulim të pastër me këto dy figura gjithëkombëtare”, që kurrsesi prijësit katolikë nuk është dashur t’ia lejonin vetes. “Vetëm mund ta paramendojmë situatën po qe se Bashkësia Islame do t’iu ndërtonte shtatore para xhamive veprimtarëve të fesë myslimane. As Rugova, e as Anton Çetta nuk e kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre bazuar në përkatësinë fetare, përkundrazi, ata kanë provuar t’i zhdukin ndasitë fetare”, thotë Mushkolaj.

Robellit i duket deformim i personalitetit dhe i punës së Rugovës, madje edhe “përpjekje e panevojshme për ta reduktuar atë në ‘aktivist fetar’”.

“Ai s’ka qenë i tillë. Veç kësaj: oborri i Katedrales nuk është kopsht privat i dinjitarëve fetarë që tregojnë muskujt dhe sfidojnë shtetin. Ibrahim Rugova ka një përmendore të mirë në Prishtinë. E ka me meritë. Ka një shesh – me meritë. Kaq mjafton. Sepse nderi i tepërt lehtë shndërrohet në antinder”, thekson Robelli. “Dhe këtë po e vërej në veprimet e fundit të shefave të Katedrales, të cilët veprojnë kokë më vete duke marshuar me kamionë e traktorë për të vendosur një përmendore.

Shtatorja e Rugovës te Kuvendi i Kosovës u inaugurua më 27 shtator të vitit 2013. Është fiks 900 metra larg kësaj te Katedralja. Diku në mes, dy shtatoret e kanë bustin e Rugovës, te ajo që quhet “Shtëpia e Pavarësisë dr. Ibrahim Rugova”, dikur selia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

“Kthetrat e historisë”

Frangu mendon se krejt puna e shtatoreve vjen si rezultat i një krize të thellë shoqërore në Kosovë.

“Për më keq po përjetojmë një krizë shoqërore me theks të veçantë kulturore, duke shpërfaqur kështu edhe krizë identitare, ndërsa kultura e kujtesës është një nga segmentet e rëndësishme të kësaj”, thekson ai, duke shtuar se ngulmi i pasluftës për vendosje të shtatoreve po shërben më shumë për propagandë politike. Dhe polarizimi, thekson Frangu, i bën shërbim të keq të ardhmes, duke kujtuar se Ballkani paraqet hapësirë të ngufatur nga mitet, legjendat dhe përmendoret.

“Në këtë kontekst nuk bëjmë përjashtim as ne, përkundrazi. Mbase ne kemi ardhur në një gjendje kur nuk mund të gjenden hapësira publike për vendosjen e busteve dhe shtatoreve. Nuk është vetëm rasti me shtatoren e Anton Çettës, por me raste të shumta gjithandej Kosovës”, thekson ai, duke shtjelluar se krejt kjo ndodh edhe për shkak të “kthetrave të historisë”. Debat, mbi të gjitha për vlerat artistike të tyre, nxitën edhe shtatoret e Skënderbeut e të Adem Jasharit në Prizren, inauguruar më 28 nëntor të vitit të kaluar në Prizren. Një, disa pas ceremonisë, ajo e heroit të luftës së vitit 1999, punuar prej një berberi, u hoq prej aty.

“Së pari dhenë, pastaj fenë!”

Robelli vlerëson se Kisha Katolike nxiti debat të panevojshëm. “Për fat të keq Kisha Katolike e Kosovës qe disa vjet në krye të saj nuk ka një dinjitar që shquhet për ndjeshmëri intelektuale. Kjo është një rënie cilësore në krahasim me figurat si Nikë Prela apo Mark Sopi”, thekson ai. “Një regres i tillë vërehet edhe te komuniteti mysliman. Nga Rexhep Boja te Naim Tërnava, zyrat e të cilit prodhojnë lajme duke u marrë me blerje qengjash për Bajramin e Vogël”.

Hamiti, studiuesi i islamit – që vazhdimisht ka shprehur haptas kritika për mënyrën e qeverisjes së Bashkësisë Islame të Kosovës – e vë atdheun para fesë. Në reagimin e tij në Facebook në natën kur Rugova u dërgua nëpër terr para Katedrales me emrin e shenjëtores së vetme shqiptare, Hamiti shkroi: “Të krishterë e myslimanë, ne shqiptarët kemi një vatan, një gjuhë e një dhe. Së pari kemi dhenë e pastaj fenë. Ata që na shohin ndryshe e mundohen të na ndajnë, janë armiqtë të Zotit e të kombit tonë!”