Kulturë

Muzeu që ruan kujtimet e fëmijëve të vrarë

“Ka aq shumë dhimbje në këto mure…e ndjeva deri në palcë”, ka shkruar njëri nga vizitorët e ekspozitës “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”.

Që nga maji i vitit 2018, në katin përdhese të bibliotekës “Hivzi Sylejmani” ruhen gjësende të fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për të kaluar aty, vizitori përballet me emrat 1.133 fëmijëve të vrarë, për të kaluar në gjësendet që dëshmojnë për një fëmijëri të lënë në gjysmë.

“Në këtë dhomë janë pothuajse të gjitha objektet ekspozuese, të gjitha gjësendet e fëmijëve. Kemi vendosur që kjo të jetë një hapësirë me dritë, një hapësirë gati paqeje, që të sjellë edhe një lloj ndjesie që mund të përshkruhet si një bashkëndarje e kësaj dhimbjeje”, shprehet kuratorja e ekspozitës, Blerta Hoçia.

Kjo biçikletë është në mesin e gjërave që e kanë pasuruar ekspozitën në vitin 2020. “Ekspozita qysh kur është hapur ka pasur edhe disa objekte që janë shtuar pasi që disa familjarë e kanë shprehur dëshirën e tyre që t’i sjellin ato. Ky edhe ka qenë qëllimi i ekspozitës që të plotësohet me materiale dhe dëshmi të tjera”, ka thënë tutje ajo.

shkak të pandemisë u pamundësua shfaqja e ekspozitës në Beograd gjatë vitit të kaluar. Qysh në vitin e parë ekspozita pati rreth 5 mijë vizitorë e gjatë kohës së pandemisë, ajo është publikuar virtualisht, duke arritur tek një numër më i madh të njerëzve.

Nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë thonë se ekspozita po zgjerohet dhe janë vazhdimisht duke kërkuar nga institucionet një hapësirë për ekspozim të përhershëm të saj.

“Që një kohë jemi duke avokuar tek institucionet e shtetit në mënyra të ndryshme se si kjo ekspozitë kish mujt me mbetë permanente në një hapësirë, këto gjësende të fëmijëve ruhen në mënyrë adekuate dhe në mënyrë permanente që më mujtë edhe gjenerata e ardhshme më e pa”, është shprehur menaxherja e Qendrës së Dokumentimit.

Familjarët të cilët i kanë dhënë gjërat më të çmuara të fëmijëve për ekspozitën e kanë ndier si një përpjekje në drejtësinë e munguar.

“Përtej vizitorëve ka qenë edhe reagimi i familjarëve që ka qenë shumë pozitiv. Për mua ka qenë gati e pabesueshme dhe si kanë thënë edhe ata vetë në intervista të ndryshme për katalogun, ka qenë si një moment sikur diçka është venë në vend”, ka shtuar tutje kuratorja e ekspozitës Blerta Hoçia.

Së fundmi është publikuar edhe katalogu i ekspozitës, që përmbledh historitë e 1.133 fëmijëve të vrarë e të zhdukur në Kosovë gjatë vitit 1998- 2000.