Kulturë

Vepra me Tintinin pret të shitet për mbi 2 milionë euro

Një ilustrim nga romani grafik me heroin Tintin, që me vite ka qëndruar i palosur në sirtar, do të dalë të enjten në shitje në një shtëpi ankandi në Paris. Çmimi fillestar është llogaritur më shumë se 2 milionë euro.

Piktura është realizuar nga ilustruesi belg Georges Remi. Ai njihet me emrin e tij artistik Herge dhe ishte autor i romanit grafik “Tintin”. Herge vdiq në vitin 1983.

Këtë vepër Herge ua kishte propozuar redaktorëve si kopertinë për serinë “The Blue Lotus” para Luftës së Dytë Botërore, thuhet në një deklaratë të shtëpisë botuese “Artcurial”.

Por botuesit e Herges kishin refuzuar këtë punim me arsyetimin se ngjyrat e zgjedhura do ta bënin atë shumë të shtrenjtë për t’u shtypur. Një punim tjetër i Herges u përdor për kopertinën dhe ilustruesi ia dha punimin e refuzuar si një dhuratë Jean-Louis Casterman, trashëgimtar i shtëpisë botuese që botoi librat e “Tintinit”.

Piktura u mbajt nga Casterman, e palosur në një sirtar. Eric Leroy, ekspert i romantik grafik në “Artcurial”, ka thënë se Casterman sa ishte gjallë refuzoi ofertat për të shitur pikturën, duke thënë se ai e konsideron atë një dhuratë të çmuar nga Herge.

Vepra nuk ka dalë asnjëherë në një ankand, ka thënë Leroy. Shtëpia e ankandit ka vlerësuar se piktura ka vlerë prej 2.2 milionë eurosh deri në 2.8 milionë euro. Në vepër shihet reporteri i ri i guximshëm, Tintin. Ai është me veshje orientale dhe shoqërohet nga qeni i tij, Snowy. Të dy janë në një vazo, të fshehur nga dragoi i kuq i shfrenuar. Në pikturë vërehen qartë vijat e palosjes. "Është vepra më e bukur për momentin në tregun privat”, ka thënë Leroy. \ Reuters