Kulturë

“Artistët për artistin” nëpër Kosovë me art e solidarizim

Për rreth dy muaj, çdo të enjte, artistët janë bashkuar duke respektuar distancën në kafenenë “Speak Easy” në kryeqytet. Por nga aty veprat do të rrugëtojnë nëpër galeri të qyteteve të tjera të Kosovës. “Edhe një javë jemi këtu dhe pas kësaj do të vazhdojmë nëpër atelietë e kolegëve nëpër Kosovë. Do të fillojmë me Suharekë, pastaj Rahovec, Prizren, Klinë, Mitrovicë dhe qytete të tjera. Në mars planifikojmë ta bëjmë koloninë artistike”, ka thënë arkitekti Veton Gusia, iniciator i nismës e pronar i “Speak Easy”

Në kohën kur pandemia u bë kryefjala e vitit, arkitekti Veton Gusia qysh në ditët e para, kur dolën rastet e infektimeve me koronavirus, hapi në Facebook grupin e titulluar “’Ngujimi’ Viza+Covid-19 Arti, kultura gjatë ‘ngujimit’”. Ky grup tanimë numëron mbi 880 anëtarë, e ata që iu rrekën realizimit të veprave të artit gjatë këtyre ditëve e mbajnë aktiv atë, duke publikuar vazhdimisht punime.

Gusia e kishte ndier nevojën për t’i bërë disi bashkë artistët dhe për të sfiduar distancën e krijuar nga pandemia. Derisa muajt po kalonin e rastet e të infektuarve veç rriteshin, me to shtoheshin edhe vështirësitë e artistëve, pasi që pandemia për disa muaj ua vuri drynin edhe institucioneve të kulturës. E Gusia kishte vendosur që artistët t’i nxirrte nga “ngujimi” gjatë qershorit duke bërë bashkë artistët në kafenetë e lagjes “2 korriku” në kryeqytetet në pjesën që njihet si “Te kafet e rakisë”.

Piktura, poezia e performanca u bënë bashkë për një fundjavë në këtë lokacion. Por kjo iniciativë vazhdoi edhe më. Arkitekti dhe piktori Veton Gusia e çoi këtë nismë përpara duke e hapur atelienë “Speak Easy” në lagjen “Aktash” në Prishtinë. Ai ka bërë që kjo hapësirë të hapë dyert vetëm për artistët e veç misionit artistik të përçojë edhe atë humanitar.

Për rreth dy muaj, çdo të enjte, artistët janë bashkuar duke respektuar distancën në kafenenë “Speak Easy” në kryeqytet, por që veprat nga aty do të rrugëtojnë tashmë nëpër galeri të qyteteve të tjera të Kosovës. Ata që hyjnë në këtë atelie e “paguajnë” të drejtën e votës për të vlerësuar punimet e vendosura aty, me biletë prej dy eurosh, në mënyrë që të ardhurat e mbledhura të shkojnë për atë që shpërblehet me vendin e parë.

“Kam menduar që ‘Artistët për artistin’ mund të mbledhë të gjithë bashkë në një participim që ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të ruajmë pikturat dhe të stimulojmë artin, dhe artdashësit që të jenë më të vetëdijshëm për artin në Kosovë”, ka thënë Gusia.

Piktori Musë Prelvukaj, përveç ditëve kur ka qenë i infektuar me koronavirus, çdo të enjte tjetër ka ardhur në këtë atelie ku ka ekspozuar punimet e tij në organizimet e përjavshme. Por ajo që e ka shtyrë të jetë më i rregullt janë edhe diskutimet me kolegët e moshave të ndryshme me të cilët shkëmbejnë përvoja dhe ide.

“Ne këtu bëjmë bisedë edhe profesionale dhe relaksuese, si dhe shkëmbejmë përvoja. Këtu njoftohemi me të gjitha gjeneratat dhe ndihmohen edhe artistët e rinj. Siç dëgjova nga Vetoni, nga kjo ndihmë modeste dy studentë u janë rikthyer studimeve pas një pauze. Andaj këtu në mesin e punimeve dhe kolegëve të mi ndihem jashtëzakonisht mirë”, ka treguar Prelvukaj.

Atelieja “Speak Easy” hapi dyert gjatë pandemisë për t’u bërë një shpresë e re për artistët që po kalojnë këtë kohë të vështirë edhe për artin.

Piktori Naim Spahiu ka thënë se me zhvillimin saj, nisma mori kuptim të shumëfishtë.

“Kjo iniciativë erdhi si një lloj freskimi duke e kthyer komunikimin që na mungoi me muaj të tërë. Ka qenë një mundësi e mirë që të mblidhemi të bisedojmë për disa nga punimet tona të fundit. Dhe vetë iniciativa që u krijua si një lloj ndihmese dhe motivimi për artistët e rinj duke e ditur që ata kanë nevojë shumë më të madhe për përkrahjen”, ka thënë tutje Gusia.

Por lagjja “Aktash” nuk është destinacioni i fundit ku do të përfundojë shtrirjen kjo iniciativë. Ajo do të vazhdojë të rrugëtojë edhe nëpër qytete të tjera.

“Edhe një javë jemi këtu dhe pas kësaj do të vazhdojmë nëpër atelietë e kolegëve nëpër Kosovë. Do të fillojmë me Suharekë, pastaj Rahovec, Prizren, Klinë, Mitrovicë dhe qytete të tjera. Në mars planifikojmë ta bëjmë koloninë artistike, përmes së cilës do t’i vizitojmë artistët në periferi”, ka thënë Gusia për KOHËN.

“Artistët për artistin” do të vazhdojnë aktivitetet e tjera në lokacione të tjera, por me misionin e njëjtë që të bëjnë bashkë artistët dhe ta ndihmojnë njëri-tjetrin.