Kulturë

Bota pas koronavirusit

Stuhia do të kalojë. Por, zgjedhjet që bëjmë tani mund të ndryshojnë jetën tonë në vitet në vazhdim

Njerëzimi tani po përfytet me një krizë globale. Mbase është më e madhja krizë e brezit tonë. Vendimet që njerëzit dhe qeveritë do të ndërmarrin në javët e ardhshme, me gjasë do të formësojnë botën në vitet në vazhdim. Ato do të fytyrësojnë jo vetëm sistemet tona shëndetësore, por edhe ekonominë, politikën dhe kulturën. Ne duhet të veprojmë shpejt dhe vendosmërisht. Ne gjithashtu duhet të mbajmë parasysh pasojat afatgjate të veprimeve tona. Kur zgjidhet mes alternativave, ne duhet të pyesim veten jo veç si të tejkalojmë kërcënimin e menjëhershëm, por edhe në çfarë lloj bote do të jetojmë pasi të ketë ikur shtrëngata. Po, shtrëngata do të kalojë, njerëzimi do të mbijetojë, shumica prej nesh do të jemi ende gjallë – por ne do të jetojmë në një botë të ndryshme.

Shumë prej masave afatshkurte emergjente do të bëhen pajisje të jetës. Kjo është natyra e emergjencave. Ato tejkalojnë proceset historike. Vendimet që në kohë normale mund të marrin vite përpjekjesh kalohen brenda orësh. Teknologji të papjekura, e madje të rrezikshme, futen në përdorim, për shkak se rreziqet e të mosbërit diçka janë të mëdha. Vende të tëra shërbejnë si minj për eksperimente sociale në shkallë të gjerë. Çfarë ngjan kur secili punon nga shtëpia dhe komunikon vetëm nga distanca? Çfarë ndodh kur shkolla e universitete të tëra bëhen online? Në kohë normale, qeveritë, bizneset dhe bordet arsimore kurrën e kurrës nuk do të pajtoheshin të kryenin eksperimente të këtilla. Por këto nuk janë kohë normale.

Në këtë kohë krize, ne po ballafaqohemi me dy zgjedhje veçmas të rëndësishme. E para është mes vëzhgimit totalitarist dhe fuqizimit të qytetarit. E dyta është mes izolimit nacionalist dhe solidaritetit global.

Përcjellja nën lëkurë

Me qëllim të frenimit të epidemisë, popullata të tëra kanë nevojë t’i përmbahen udhëzuesve të caktuar. Janë dy mënyra kryesore për ta arritur këtë. Njëra metodë është për qeverinë të mbikëqyrë njerëzit, e të ndëshkojë ata që shkelin rregullat. Sot, për të parën herë në historinë njerëzore, teknologjia e bën të mundur mbikëqyrjen e secilit gjatë gjithë kohës. Pesëdhjetë vjet më parë, KGB-ja nuk mund të ndiqte 240 milionë qytetarë sovjetikë për 24 orë gjatë ditës, dhe as nuk mund të shpresonte të procesonte me efekticitet gjithë informacionin e mbledhur. KGB-ja mbështetej në agjentë njerëzorë dhe analistë, dhe thjesht nuk mund të vendoste një agjent njerëzor që t’i qepej pas secilit qytetar. Por tani qeveritë mund të mbështeten në sensorë të kudondodhur dhe algoritma të fuqishëm në vend të hafijeve prej mishi e gjaku.

Vende të tëra shërbejnë si minj për eksperimente sociale në shkallë të gjerë. Çfarë ngjan kur secili punon nga shtëpia dhe komunikon vetëm nga distanca? Çfarë ndodh kur shkolla e universitete të tëra bëhen online?

Në betejën e tyre kundër epidemisë së koronavirusit qeveri të ndryshme tashmë kanë vënë në përdorim mjete të reja vëzhgimi. Rasti më i spikatur është Kina. Duke mbikëqyrur për së afërmi smartphonët e njerëzve, duke përdorur qindra miliona kamera që njohin fytyrat e duke detyruar njerëzit të kontrollohen e të raportojnë temperaturën e tyre trupore dhe gjendjen mjekësore, autoritetet kineze jo vetëm që mund të identifikojnë sakaq bartësit e koronavirusit, por mund të gjurmojnë lëvizjet e tyre dhe të identifikojnë secilin që ka kontakt me ta. Një varg aplikacionesh mobile paralajmërojnë qytetarët për afërsinë e tyre me pacientët e infektuar.

Kjo lloj teknologjie nuk është e kufizuar vetëm në lindje të Azisë. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka autorizuar Agjencinë e Sigurimit në Izrael që të përdorë teknologjinë e përcjelljes që normalisht është e rezervuar për të luftuar terroristët, për të gjurmuar pacientët e koronavirusit. Kur nënkomisioni relevant parlamentar kundërshtoi autorizimin e kësaj mase, Netanyahu e shtyu atë me një “dekret emergjence”.

Ju mund të thoni se nuk ka asgjë të re në gjithë këtë. Në vitet e fundit si qeveritë, ashtu edhe korporatat, kanë përdorur teknologji gjithnjë e më të tërholluara për të gjurmuar, mbikëqyrur dhe manipuluar njerëzit. E megjithatë, nëse ne nuk bëjmë kujdes, epidemia mund të shënojë një pikë të rëndësishme kthese në historinë e survejimit. Jo vetëm që mund të normalizojë përdorimin e mjeteve masive të survejimit në vendet që deri më tani i kanë ndaluar ato, por edhe më shumë për shkak se shenjon një kalim dramatik nga survejimi mbi “trup” në atë “nën trup”.

Deri më tani, kur gishti juaj prekte ekranin e smartphonit tuaj dhe klikonte mbi një vegëz, qeveria donte të dinte se çfarë saktësisht po klikonte gishti juaj. Por me koronavirusin, fokusi i interesit ka ndryshuar. Tani qeveria dëshiron të dijë temperaturën e gishtit tuaj dhe shtypjen e gjakut nën lëkurën e tij.

Puding emergjence

Një prej problemeve me të cilët po ballafaqohemi sa i përket survejimit është se askush prej nesh nuk e di saktë se si po vëzhgohemi, dhe se çfarë do të sjellin vitet në vazhdim. Teknologjia e survejimit po zhvillohet me shpejtësi marramendëse, dhe ajo çfarë dukej fanta-shkencë 10 vjet më parë sot është lajm i moçëm. Si një eksperiment mendje, merreni një qeveri hipotetike e cila kërkon që secili qytetar të mbajë një byzylyk biometrik që monitoron temperaturën trupore dhe rrahjet e zemrës për 24 orë. Të dhënat janë mbledhur dhe analizuar nga algoritmat qeveritarë. Algoritmat do ta dinë që je i sëmurë para se ta dini ju vetë, dhe ata do ta dinë edhe se ku ju ishit e më kë jeni takuar. Zinxhiri i infektimit mund të shkurtohet ndjeshëm, madje edhe të këputet në plotni. Një sistem i këtillë mund të frenojë epideminë brenda ditësh. Tingëllon bukur, apo jo?

Me qëllim të frenimit të epidemisë, popullata të tëra kanë nevojë t’i përmbahen udhëzuesve të caktuar. Janë dy mënyra kryesore për ta arritur këtë. Njëra metodë është për qeverinë të mbikëqyrë njerëzit, e të ndëshkojë ata që shkelin rregullat

Por ana tjetër është, sigurisht, se kjo do t’i jepte legjitimitet një sistemi të ri lemeritës të survejmit. Nëse ti e di, fjala vjen, se unë klikova në një vegëz të “Fox Newsit” më shumë sesa të CNN-it, kjo mund t’ju mësojë juve diçka mbi bindjet e mia politike e mbase edhe për personalitetin tim. Por nëse ju mund të monitoroni se çfarë ngjan me temperaturën time trupore, shtypjen e gjakut dhe të rrahurat e zemrës teksa shikoj një videoklip, atëherë ju mund të mësoni se çfarë më bën të qesh, të qaj e çfarë më bën vërtet të inatosem.

Është e rëndësishme të mbahet mend që inati, gëzimi, mërzia dhe dashuria janë dukuri biologjike njësoj si gripi apo kolla. Nëse korporatat dhe qeveritë fillojnë të korrin masivisht të dhënat tona biometrike, ata mund të na njohin neve shumë më mirë sesa që e njohim vetën, dhe atëherë ata mund jo vetëm të parashikojnë ndjenjat tona, por edhe t’i manipulojnë ato e të na shesin gjithçka duan – qoftë ai produkt apo politikan. Mbikëqyrja biometrike mund t’i bëjë të dhënat taktike të “Cambridge Analytica” të duken si diçka nga koha e gurit. Imagjinojeni Korenë e Veriut më 2030, ku secili qytetar duhet të mbajë një byzylyk biometrik për 24 orë. Nëse dëgjoni një fjalim të liderit të madh dhe nëse byzylyku përkap shenjat e tërbimit, atëherë ju keni mbaruar.

Natyrisht se ju mund të thoni sigurisht se survejimi biometrik është një masë e përkohshme e marrë gjatë gjendjes së emergjencës. Do të hiqet sapo emergjenca të ketë kaluar. Por, masat e përkohshme kanë tabiatin e çuditshëm të stërzgjatjes së emergjencave, veçmas nëse gjithnjë ka një emergjencë të re që ngre kryet në horizont. Fjala vjen, vendlindja ime, Izareli ka shpallur gjendjen e emergjencës gjatë Luftës për Pavarësi më 1948, që përligji një sërë masash të përkoshme nga censurimi i shtypit e konfiskimi i tokave deri te rregulla të veçanta për të bërë pudding (nuk po tallem). Lufta e Pavarësisë ka kohë që është fituar, por Izraeli kurrë nuk e ka deklaruar të përfunduar gjendjen e emergjencës, dhe ka dështuar të shfuqizojë shumë prej masave të “përkohshme” të 1948-s (dekreti emergjent për pudingun u shfuqizua më 2011).

Edhe kur infektimet prej koronavirusit të kenë rënë në zero, disa qeveri të uritura për të dhëna mund të argumentojnë se kanë nevojë që t’i vazhdojnë sistemet biometrike të survejimit për shkak se kanë frikë prej një vale të dytë të koronavirusit, apo se një degëzim i ri i Ebolas po evoluon në Afrikën Qendrore, apo për shkak se…e kapët idenë. Një betejë e madhe është duke u zhvilluar viteve të fundit sa i përket privatësisë sonë. Kriza e koronavirusit mund të jetë pikë kthese e betejës. Se kur njerëzve u duhet të zgjedhin mes privatësisë dhe shëndetit, ata zakonisht zgjedhin shëndetin.

Politika e sapunit

Image

Sheshi “Beato Roberto” në Peskara (Foto: Graziano Panfili)


T’u kërkosh njerëzve të zgjedhin mes privatësisë dhe shëndetit është në fakt, e gjithë rrënja e problemit. Për shkak se kjo është një zgjedhje e rreme. Ne mund dhe duhet të gëzojmë edhe privatësinë, edhe shëndetin. Ne mund të zgjedhim të mbrojmë shëndetin dhe të frenojmë epideminë e koronavirusit jo duke insistuar regjime totalitariste të survejimit, por më tepër duke i fuqizuar qytetarët. Në javët e fundit, disa prej përpjekjeve më të suksesshme për të frenuar epideminë janë bërë prej Koresë së Jugut, Tajvanit dhe Singaporit. Derisa këto vende kanë përdorur aplikacionet e gjurmimit, ata janë mbështetur më shumë në testime masive, në raportim të ndershëm dhe bashkëpunimin e vullnetshëm të publikut të mirinformuar.

Është e rëndësishme të mbahet mend që inati, gëzimi, mërzia dhe dashuria janë dukuri biologjike njësoj si gripi apo kolla

Mbikëqyrja e qendërzuar dhe ndëshkimet e rrepta nuk janë e vetmja mënyrë për t’i bërë njerëzit të zbatojnë udhëzuesit përfitues. Kur njerëzve u thuhen faktet shkencore dhe kur njerëzit u besojnë autoriteteve publike për t’iu thënë këto fakte, qytetarët mund të bëjnë gjënë e duhur edhe pa vëzhgimin e Vëllait të Madh mbi supet e tyre. Një popullatë e vetëmotivuar dhe e mirëinformuar është zakonisht më e fuqishme dhe më efektive sesa një popullatë e policuar dhe injorante.

Merreni për shembull larjen e duarve me sapun. Kjo ka qenë një prej përparimeve më të mëdha në higjienën njerëzore. Ky veprim i thjeshtë shpëton me miliona jetë çdo vit. Derisa ne e marrim atë si të mirëqenë, ishte vetëm në shekullin XIX kur shkencëtarët zbuluan rëndësinë e larjes së duarve me sapun. Më herët, edhe mjekët e infermierët kalonin nga një operacion kirurgjik në tjetrin pa i larë duart. Sot miliarda njerëz i lajnë çdo ditë duart, jo për shkak se kanë frikë politikat e sapunit, por për shkak se i kuptojnë faktet. Unë i laj duart e mia me sapun, për shkak se kam dëgjuar për viruse e baktere, e kuptoja se këta organizma të vegjël shkaktojnë sëmundje, dhe e di se sapuni mund t’i largojë ato.

Por të arrish një nivel të tillë bindjeje e bashkëpunimi, ju duhet të keni besim. Njerëzit duhet t’i besojnë shkencës, autoriteteve publike e mediave. Gjatë viteve të kaluara, politikanë të papërgjegjshëm qëllimisht kanë rrëgjuar besimin në shkencë, në autoritete publike e media. Tani po këta politikanë mund të tundohen për të marrë rrugën e autoritarizmit, duke thënë se nuk mund t’i besohet publikut për të bërë gjënë e duhur.

Normalisht, besimi që është shkërmoqur për vite nuk mund të rindërtohet brenda natës. Por këto nuk janë kohëra normale. Në momente krize, edhe mendjet mund të ndryshojnë shpejt. Mund të kesh zënka me vëllezërit e motrat e tua për vite, por kur ngjajnë emergjenca, ju sakaq e zbuloni hambarin e fshehur të besimit dhe miqësisë, dhe ju mund të ngarendni të ndihmoni njëri-tjetrin. Në vend të ndërtimit të regjimit të surbvejimit, nuk është tepër vonë për të rikthyer besimin e njerëzve në shkencë, në autoritetet publike dhe në media. Ne doemos duhet të përdorimin teknologjitë e reja, por ato duhet të fuqizojnë qytetarët. Unë jam krejt në favor të monitorimit të temperaturës sime trupore dhe shtypjes së gjakut, por këto të dhëna nuk duhet të përdoren për të krijuar një qeveri të gjithëfuqishme. Më shumë, këto të dhëna duhet të më mundësojnë të bëj zgjedhje më të informuara personale dhe edhe t’i kërkojë qeverisë llogari për vendimet e saj,

Nëse unë mund të gjurmoj gjendjen time mjekësore 24 orë, unë nuk do të mësoj vetëm nëse unë jam bërë rrezik shëndetësor për njerëzit e tjerë, por edhe cilat sjellje kontribuojnë për shëndetin tim. Dhe nëse unë mund t’i qasem dhe analizoj statistikat e besueshme mbi shpërndarjen e koronavirusit, unë do të jem në gjendje të gjykoj nëse qeveria po e thotë të vërtetën dhe nëse po i ndërmerr politikat e duhura për të luftuar epideminë. Kurdo që njerëzit flasin për survejim, mos harroni që e njëjta teknologji e survejimit zakonisht mund të mos përdoret vetëm nga qeveritë për të monitoruar individët, por edhe nga individët për të monitoruar qeveritë.

Një prej problemeve me të cilët po ballafaqohemi sa i përket survejimit është se askush prej nesh nuk e di saktë se si po vëzhgohemi, dhe se çfarë do të sjellin vitet në vazhdim

Kështu epidemia e koronavirusit është një sprovë madhore për qytetarinë. Në ditët në vazhdim, secili nga ne duhet të zgjedhë t’u besojë të dhënave shkencore dhe ekspertëve shëndetësorë mbi teoritë e pathelta konspirative dhe politikanët vetëshërbyes. Nëse nuk ia dalim të bëjmë zgjedhjen e duhur, ne mund ta gjejnë vetëm duke u shkëputur nga liritë më të çmuara, duke menduar se kjo është e vetmja mënyrë për të ruajtur shëndetin tonë.

Na duhet një plan global

Image

Plazhi te porti “San Giorgio”, buzë Adriatikut (Foto: Graziano Panfili)


Zgjedhja e dytë e rëndësishme me të cilën ballafaqohemi është mes izolimi nacionalist dhe solidariteti global. Edhe vetë epidemia dhe kriza ekonomike si rrjedhojë e saj janë probleme globale. Ato mund të zgjidhen si duhen vetëm ndërmjet bashkëpunimit global.

Mbi të gjitha, me qëllim të mposhtjes së virusit ne duhet të ndajmë informacionin globalisht. Kjo është epërsia e madhe e njerëzve mbi viruset. Një koronavirus në Kinë dhe një koronavirus në ShBA nuk mund të merren vesh se si të infektojnë njerëzit. Por Kina mund t’i besojë ShBA-së mësime të vlefshme mbi koronavirusin dhe si ta trajtojë atë. Atë që një mjek italian zbulon në Milano herët në mëngjes mund të shpëtojë jetë në Teheran, në mbrëmje. Kur Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ngurron mes politikave të ndryshme, ajo mund të marrë këshilla prej koreanëve që janë ballafaquar me ndërdyshje të tilla një muaj më parë. Por që kjo të ndodhë, ne duhet të kemi një frymë të besimit dhe bashkëpunimit global.

Njerëzit duhet ta duan ndarjen e informacionit hapur e të kërkojnë këshilla dhe duhet të jenë në gjendje të besojnë të dhënat dhe përqasjet që marrin. Neve na duhet edhe një përpjekje globale për të prodhuar e shpërndarë pajisje mjekësore, sidomos teste dhe makina respiratore.

Në vend që secili vend të provojë ta bëjë këtë krye më vete e të mbledhë çdo lloj pajisjeje që arrin të marrë, një përpjekje e bashkërenduar globale mund të përshpejtonte me të madhe prodhimin dhe të siguronte që pajisjet për shpëtimin e jetëve po shpërndahen siç duhet.

Njerëzimi ka nevojë të bëjë një zgjedhje. A do të vazhdojmë të ecin në rrugën e përçarjes, apo do të përvetësojmë rrugën e solidaritetit global? Nëse zgjedhim përçarjen, kjo jo vetëm do ta tejzgjasë krizën, por me gjasë do të rezultojnë me katastrofa edhe më të rënda në të ardhmen

Njësoj si vendet i shtetëzojnë gjatë luftës industritë kryesore, lufta njerëzore kundër koronavirusit mund të na kërkojë të “humanizojmë” vijat kruciale të prodhimit. Një vend i pasur me pak raste të koronavirusit duhet të jetë i vullnetshëm për të dërguar pajisje të vlershme te një vend i varfër e me shumë raste, duke besuar që kur të ketë nevojë, të tjera vende do t’i gjenden në krah.

Ne duhet të marrim parasysh një përpjekje të ngjashme globale për të mbledhur personelin mjekësor. Vendet që tani janë më pak të prekura mund të dërgojnë stafin mjekësor në rajonet më së shumti të goditura në botë, edhe për t’i dalë në ndihmë në orën e nevojës, por edhe për të fituar një përvojë të vyeshme. Nëse ndryshon fokusi i epidemisë më vonë, ndihma mund të fillojë të rrjedhë në drejtimin e kundërt.

Bashkërendimi global është jetësisht i nevojshëm edhe në frontin ekonomik. Duke pasur parasysh natyrën globale të ekonomisë dhe zinxhirët e furnizimit, nëse secila qeveri e bën krye në vete në shpërfillje të plotë të të tjerëve, rezultati do të jetë kaos dhe thellim krize. Ne kemi nevojë për një plan veprimi, dhe atë shpejt.

Një tjetër kërkesë është arritja e një marrëveshjeje globale sa i përket udhëtimit. Duke suspenduar gjithë udhëtimin ndërkombëtar për muaj të tërë do të shkaktojë vështirësi të hatashme, dhe do të pengojë luftën kundër koronavirusit. Vendet kanë nevojë të bashkëpunojnë me qëllim që të paktën një pjesë e udhëtarëve të domosodoishëm të vazhdojnë t’i kalojnë kufijtë: shkencëtarët, mjekët, gazetarët, politikanët dhe biznesmenët. Kjo mund të bëhet duke arritur një marrëveshje globale mbi para-kontrollimin e udhëtarëve nga vendet e tyre. Nëse e di që vetëm udhëtarët e kontrolluar me kujdes janë lejuar në avion, atëherë ju do të jeni më të prirë për t’i pranuar ata në vendin tuaj.

Fatkeqësisht, vendet tani zor që po i bëjnë këto gjëra. Një paralizë kolektive ka kapluar bashkësinë ndërkombëtare. Duket se nuk ka adoleshentë në dhomë. Dikush ka pritur që javë më parë të shihte një takim emergjent të liderëve globalë që shestojnë një plan të përbashëkt veprimi. Liderët e G7-s ia dolën të organizojnë veç një videokonferencë, e që nuk u pasua me ndonjë plan të tillë.

Në krizat e mëparshme globale – të tilla si kriza financiare e 2008-s dhe epidemia e Ebolas më 2014 – ShBA-ja mori rolin e liderit botëror. Por administrata e tashme amerikane ka hequr dorë nga detyra e liderit. Ajo e ka bërë të qartë se asaj i intereson vetëm madhështia e Amerikës më shumë se sa e ardhmja e njerëzimit.

Kjo administratë madje ka braktisur edhe aleatët e vet më të afërt. Kur ndaloi krejt udhëtimin nga BE-ja, ajo as nuk e çau kokën për t’i dhënë asaj një njoftim paraprak – aq më pak të konsultohej me BE-në për një masë drastike. Ajo ka skandalizuar Gjermaninë me një ofertë prej 1 miliard dollarësh ndaj një kompanie farmaceutike gjermane për t’i blerë të drejtat e monopolit për vaksinën e re ndaj COVID-19. Edhe nëse administrata e tanishme ndryshon qasje dhe vjen me një plan global veprimi, të paktë do të ishin ata që do të ndiqnin një lider që nuk merr kurrë përgjegjësi, që kurrë nuk pranon gabime, dhe që në mënyrë rutinore e merr gjithë kreditin për vete, kurse fajin ua lë të tjerëve.

Nëse boshllëku i lënë prej ShBA-së nuk mbushet prej vendeve të tjera, jo vetëm që do të jetë më i vështirë frenimi i epidemisë së tashme. Por, trashëgimia e saj do të vazhdojë të helmatisë marrëdhëniet ndërkombëtare në vitet që vijnë. Megjithatë secila krizë është edhe një mundësi. Ne shpresojmë që epidemia aktuale do të ndihmojë njerëzimin për të kuptuar rrezikun akut që sjell përçarja globale.

Njerëzimi ka nevojë të bëjë një zgjedhje. A do të vazhdojmë të ecin në rrugën e përçarjes, apo do të përvetësojmë rrugën e solidaritetit global? Nëse zgjedhim përçarjen, kjo jo vetëm do ta tejzgjasë krizën, por me gjasë do të rezultojnë me katastrofa edhe më të rënda në të ardhmen. Nëse ne zgjedhim solidaritetin global, kjo do të jetë fitore jo vetëm kundër koronavirusit, por edhe kundër të gjitha epidemive dhe krizave të ardhshme që mund të rrezikojnë njerëzimin në shekullin XX.

Yuval Noah Harari është autor i “Sapiens”, “Homo Deus” dhe “21 Lessons for the 21st Century”. Marrë nga “Financial Times”. Përktheu: Salih Mehmeti