Kulturë

Suksesi i vitit – vazhdimësia e kapërcimi i sfidave

“Exil” i regjisorit Visar Morina premierën botërore e pati në fillim të vitit 2020 në festivalin e filmit “Sundance” në SHBA dhe atë evropiane në shkurt në “Berlinale”

Kur dyert e teatrove, kinemave dhe hapësirave të tjera kulturore u mbyllën, skena kulturore u gjend në një ambient tjetër të komunikimit me audiencën.

Tashmë çdo ngjarje kulturore a përpjekje e festivaleve për të mos e shkëputur hallkën e traditës mund të vlerësohet si një hap suksesi në një realitet të ri. Prodhimet filmike kësaj here nuk depërtuan nëpërmjet ekraneve të kinemave, por kjo nuk ua ndali hovin e depërtimeve të suksesshme në botë.

Në kohën kur lajmet e trishta ishin bërë përditshmëri e raportimit në një kohë të pazakontë, prodhimet kinematografike kosovare gjatë gjithë vitit i sollën lajme të mira publikut kosovar.

Trofetë e filmave

Filmi që portretizon jetën e një emigranti shqiptar që rrallë lirohet nga ndjenja e të qenët i huaj u bë lajtmotiv i sukseseve.

“Exil” i regjisorit Visar Morina, që premierën botërore e pati në fillim të vitit në festivalin e filmit “Sundance” në SHBA dhe atë evropiane në shkurt në “Berlinale”, do të jetë kandidat i Kosovës për “Oscars 2021”. Qysh prej premierës botërore, filmi mori vëmendjen ndërkombëtare e u vlerësua nga kritika, që mori edhe një konfirmim tjetër suksesi në fund të gushtit kur filmi mori “Zemrën e Sarajevës”, më të madhin çmim në Festivalin e Filmit në Sarajevë. E në Kosovë erdhi si premierë online në festivalin “PriFilmFest”, që u mbajt virtualisht në mes të tetorit.

Lajme të mira për kinematografinë kosovare ka sjellë edhe filmi “Cirku fluturues”, nën regji të Fatos Berishës. Nga mesi i dhjetorit ky film është shpërblyer si filmi më i mirë debutues në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cottbus të Gjermanisë. E rrugëtimin e suksesshëm të prezantimit nëpër festivale, “Cirku fluturues” e dëshmoi qysh në fillim të vitit, kur u shpërblye si filmi më i mirë ndërkombëtar në Santa Barbara të Kalifornisë.

“Shpia e Agës” gjatë gjithë vitit e ka pasuruar historinë e sukseseve. Vetëm nga festivali “Aswan International Women’s Film Festival” në Egjipt, filmi me regji të Lendita Zeqirajt ka triumfuar me katër çmime. Filmi që ka dërguar traumën e grave kosovare pas luftës në shumë festivale të njohura është shpërblyer edhe në Festivalin e Filmit në Pulë, ku ka marrë “Arenën e Artë”, i cili konsiderohet si “Oscar kroat”.

Filmi “Zana” është një tjetër kapitull suksesi i kinematografisë kosovare. Prej premierës botërore në shtator të 2019-s në Toronto të Kanadasë, “Zana” ka shëtitur gjithandej botës në më shumë se dhjetë festivale ndërkombëtare, por edhe të tjera online. Së fundmi, është bërë i qasshëm edhe në dy platforma online: “Amazon Prime Video” dhe “Vimeo”. Nga janari do të jetë i qasshëm në “iTunes” dhe në platforma të tjera.

Adriana Matoshi, e cila luan rolin kryesor në këtë film, është shpërblyer me çmimin “Aktorja më e mirë” në festivalin “Fantaspoa” në Brazil. Këtë çmim e ka marrë edhe në “See A Paris” për rolin e saj në filmin “Nëntori i Ftohtë”, i cili po në këtë festival u shpërblye edhe me çmimin që jepet si konfirmim për vlerat e larta artistike të filmit.

Por, historia e sukseseve në fushën e kulturës nuk përfundoi me kaq. Si për ta vulosur 2020-n erdhi një tjetër projekt kinematografik.

Filmi debutues i metrazhit të gjatë i Blerta Bashollit, “Zgjoi”, pak pa përfunduar viti, u konfirmua se është në konkurrencë zyrtare në “Sundance Film Festival”, njëri prej festivaleve të kategorisë A në botë.

Image
Filmi debutues i metrazhit të gjatë i Blerta Bashollit, “Zgjoi”, pak pa përfunduar viti, u konfirmua se është në konkurrencë zyrtare në “Sundance Film Festival”, njëri prej festivaleve të kategorisë A në botë

Festivalet në mision të artit

Image
Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”, dëshmoi vendosmërinë e artit për kapërcim sfidash

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “DokuFest”, në edicionin e 19-të prej 2 deri më 10 gusht, pa gjallërinë e zakonshme në Prizren por me mesazhin e fortë për të ardhmen që duhet pritur, me temën “Transmision”, dëshmoi vendosmërinë e artit për kapërcim sfidash. S’i ndezi ekranet e mëdha, por u zhvendos nga kinematë fizike në hapësirën virtuale. Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar “Anibar” në Pejë, më 18 gusht filloi edicionin e 11-të të cilin ua dedikoi heronjve që sigurojnë vazhdimësinë e jetës. Rrjedhën e aktiviteteve të tyre e vazhduan edhe festivalet “ReMusica” me edicionin e 19-të me koncerte online, por të realizuara në salla të njohura evropiane ashtu sikurse edhe “PriVocalFest”, “PriFilmFest”, “FemArt”. Festivali i artit në hapësira publike “Hapu” u bë “Hapudemi”. Bashkë me festivalin e letërsisë “Polip”, qysh në hapje, përcollën një mesazh: me aktivitete të përbashkëta për solidarizim.

Image
“Anibari” edicionin e 11-të ua dedikoi heronjve që sigurojnë vazhdimësinë e jetës

“DamFesti” erdhi me një edicion tektonik i cili u hap më 7 tetor me dokumentarin “Juliana”, i cili përcjell rrëfimin e mexosopranos serbe që bëri zgjidhjen më të jashtëzakonshme gjatë viteve ‘90 në Kosovë. Por, jo vetëm kaq. Solli performanca unike me “Një koncert, një dëgjues”, që riformuluan konceptin e ngjarjeve kulturore tek erdhën si dëshmi se dështimi nuk është opsion në kohë të errëta. Sepse, në fakt, ky është misioni i artit.

Çdo ngjarje kulturore a përpjekje e festivaleve për të mos e shkëputur hallkën e traditës mund të vlerësohet si një hap suksesi në një vit pandemik

“ReMusica” e “PriVocalFest” këtë vit interpretimet e muzikës klasike i sollën përmes koncerteve online.

Në fushën e muzikës, “Peja Jazz” kapërceu sfidat duke nisur rrugëtimin pikërisht në vitin e pandemisë.

Pandemia e pamundësoi mbajtjen e përvitshme të panairit të librit e ky vit ishte i vështirë edhe për botuesit e libraritë, që megjithatë u munduan të qëndrojnë pranë lexuesve me oferta të reja. Në gusht, Botimet KOHA solli “Mini-Panairin e KOHËS” me tituj të rinj e ofertë tërheqëse në kohë pandemie. Përderisa vazhdoi traditën me ndarjen e shpërblimeve vjetore “Rexhai Surroi” për gazetari e letërsi.

Image
“DamFesti” erdhi me një edicion tektonik. Solli performanca unike me “Një koncert, një dëgjues”, që riformuluan konceptin e ngjarjeve kulturore

Te promovimet, gjatë vitit 2020, është rrumbullakuar një punë e nisur më 2015.

Ndonëse ishin gati qysh prej pesë vjetësh në Degën e Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës, veprat e plota të profesor Anton Çettës janë botuar tek në nëntor, përderisa një histori zvarritjesh përbën edhe përpjekja për vendosjen e shtatores së pajtuesit të gjaqeve.

Arritjet individuale

Të tjera suksese në disa fusha kulturore qenë individuale. Sopranoja kosovare, Elbenita Kajtazi, e cila emrin e saj vazhdimisht e ka lidhur me Kosovën, është vlerësuar në superlativ vazhdimisht për performancat e saj. Në shtator të këtij viti, ajo është prezantuar në rolin e Violettes, e performancën e saj faqja franceze “Forum Opéra” e ka përshkruar si “zbulim i vërtetë për publikun artdashës francez”.

Si “zëri që dridh zemrat” është vlerësuar vazhdimisht sopranoja shqiptare Ermonela Jaho. Albumi i saj “Anima Rara” u rendit në mesin e 100 incizimeve më të mira të vitit nga “Sunday Times”.

As emrat e artit pamor nuk kanë mbetur pa e prezantuar punën e tyre këtë vit nëpër botë. Vëmendje botërore mori ekspozita e Petrit Halilajt “Një korbi dhe uraganeve që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar” në Spanjë, ashtu sikurse edhe refuzimi që ia bëri Bienales Ndërkombëtare të Artit në Beograd. Mozaiku me portretin e heroit kombëtar Agim Ramadani, i realizuar nga artisti Besart Gashi, zyrtarisht u bë pjesë e librit të rekordeve “Guinness”. Në një sipërfaqe prej më shumë se 26 metrash katrorë është mozaiku më i madh në botë i llojit të vet.

Jazz-kitaristit Taulant Mehmeti këtë vit u radhit në mesin e 10 fituesve të çmimit “Pathways To Jazz”, duke fituar çmimin që u ndahet performuesve të talentuar. Në fundvit solli albumin e tij të dytë.

Kurse autori kosovar, Shpëtim Selmani, me librin e tij “Libërthi i dashurisë”, e ka fituar çmimin e Bashkimit Evropian për Letërsi.

Dua Lipa është një kapitull më vete. E pakonkurrencë në botë, ajo është ylli i vitit.

Image
Dua Lipa është një kapitull më vete. E pakonkurrencë në botë, ajo është ylli i vitit. Me “Studio 2054” hapi kapitull të ri për ngjarjet kulturore

Me sukseset e saj vazhdimisht po e vendos Kosovën në hartën e botës. Revista “People” ka zgjedhur albumin “Future Nostalgia” të Dua Lipës si më të mirin e vitit 2020. Pas dy çmimeve që kishte fituar vitin e kaluar, në edicionin e 63-të për Çmimet “Grammy” këtë vit ajo ka dominuar me gjashtë nominime. 25-vjeçarja nga Prishtina ka dhuruar eksperiencë intime virtuale dhe rifreskuese me koncertin e saj online, të titulluar “Studio 2054”.

Përkundër vështirësive që e lëkundën skenën artistike këtë vit, është kultura ajo që edhe i dërgoi historitë e Kosovës nëpër vende të botës. Sfidoi edhe izolimin.