Kulturë

Arti i përballjes me pandeminë: kreativitet në izolim, rizbulim për kapitull të ri

Askush nuk e kishte menduar se diçka që po ngjante si e tjetërbotshme në një çip të Kinës së largët do t’i jepte fund gjithë zallamahisë së jetës në Perëndim e më pas në krejt rruzullin. Për pak ditë, në fillim të marsit u shkërmoq vetëbesimi se amenitetet e jetës bashkëkohore janë diell i paperëndueshëm. Derisa ditët shtyheshin në një agoni që u bë e kudondodhur në të gjitha skajet e dheut, frika e një rreziku ekzistencial bëri që të etabloheshin masa që në rrethana të tjera do të kreshpëronin protesta deri në kaos.

Udhëzuesit mjekësorë, që kësaj here u ndajmbathën me fuqinë shtrënguese të qeverive, sollën izolim të plotë e të pjesshëm. Për javë të tëra, peizazhet urbane ngjanin si shkretëtira distopike me një qetësi që kumbonte si një skenar trillan totalitarizme.

“Es de ten Athenaion polin eksapinaios esepese” (papritur ra në qytetin e Athinës), shkruante Tukididi në librin e tij të dytë për murtajën që pllakosi tokën atikase në vitin 430 para erës sonë. Pashpresa e njerëzve kundrejt virusit të ri yshti leximin e rileximin e përshkrimit të gjeneralit e historianit athinas, njësoj sikundër u bë papritur një stivë titujsh për murtajën me Daniel Defoen, Albert Camusin, Stephen Kingun e Gabriel Garcia Marquezin. Si gjatë gjithë historisë, njerëzit ndjenë edhe nostalgji për të kaluarën e ndjesuar si diçka e artë dhe qetësisht trallisëse me idilin e vet. Këto “vizione arkadiane”, që përfytyrojnë një botë në virgjërinë e agimeve boreale, u gjuhësuan me art e përmes artit.

Ai që infektologë, virusologë e epidemologë e përkufizuan si sindrom akut respirator – SARS-CoV-2 – për një shumicë njerëzish u bë përcaktuesi që kohën do ta ndajë si para dhe pas gjëmës. E megjithatë, ky izolim nuk ishte dënim sipran për racën e artistëve. Në një mënyrë, sado bizare, ajo ishte diçka inherente e qenies krijuese, ose siç e kishte përshkruar një kritik letrar nga Gjirokastra në vitet ’30, krijimi ka në vetëvete edhe diçka “demoniake”.

Në dialogun me veten e nën shoqërimin e pasioneve jetësore, shkrimtarë, regjisorë, dramaturgë e muzikantë shkëpusin vepra që në dritën e sotme, jehojnë edhe më fort me mesazhe e kuptime. Kështu, vepra letrare, muzikore e kinematografike të Roberto Arltit, Karl Orffit, Dante Alighierit, Roberto Benignit e Wolfgang Amadeus Mozartit, përveçse antidot për fatalizëm, bëhen edhe mesazhe për një të ardhme të re të njerëzimit.

Çhelmimi me muzikë dhe letërsi të mirë

Ishin krejt kohëra të tjera kur Thomas Mann kishte shkruar për nevojën e një “burgu krijimi” për shkrimtarët. Megjithatë, ata janë gjithnjë në një “karantinë”: në dhomën e tyre mes librash e dorëshkrimesh, dikur mbi makinën e shkrimit e tani përballë ekranit të kompjuterit.

Shkrimtari dhe poeti, Agim Vinca, thotë se mbyllja e detyrueshme, çfarë e përftoi pandemia e sivjetme, ishte shumë më e rëndë sesa ajo që është zgjedhje e vetë njeriut.

Kur pandemia pllakosi vendin, ai zgjodhi të mbante shënime të përditshme për gjithçka ndodhte përreth nesh.

“Në përjashtësi dhe përbrendësi si do të thoshte Lasgushi i ‘Valles së Yjve’”, tregon Vinca i cili nga këto shënime solli në dritë librin “Ditari i pandemisë. Rrëfime nga karantina”.

Kështu, ditari i tij u bë një dialog me vetën dhe rrethin, e tutje edhe me shoqërinë dhe kohën që po e jetojmë.

“Erdha në përfundim edhe një herë se arti, letërsia, fjala e shkruar, është një lloj terapie, që na mbron, nëse jo nga virusi i padukshëm COVID-19, atëherë nga virusi i politikës gënjeshtare e demagogjike gjithsesi”, thotë Vinca. “Çhelmoni shpirtin me muzikë dhe letërsi të mirë. Lexoni veprat e shkrimtarëve të mëdhenj, që ngërthejnë të vërteta për të gjitha kohët, përfshirë edhe kohën në të cilën jetojmë, që po na e bëjnë edhe më të rëndë PAN-elistët tanë, që luftojnë për pushtet si çakejtë”, është shënimi i Ditarit që mban datën 8 mars.

Ndonëse panairet e përvitshme të librit në Prishtinë e Tiranë nuk u mbajtën, Vinca nuk është shkëputur nga librat. Kishte lexuar “Të fshehtat e treguara” të Rexhep Qosjes, ku eksperimentohet me zhanrin e romanit “omnibus” që gërsheton prozën, dramën e dokumentin.

Për poezinë, ai veçon librin poetik të Rudolf Markut “Rrathë të brendashkruar”, ku krijohet poezi “e një mbushullie emocionale e kuptimore dhe e një erudicioni funksional”.

Por, mbi të gjithë, Vinca veçon librin e shkrimtarit nga Argjentina, Roberto Arlt, “Gravura nga Buenos Airesi” që kronikon hollësi nga përditshmëria e jetës në metropolin në jug të Amerikës Latine.

“Libri është botuar në origjinal tetëdhjetë e sa vjet më parë, por vazhdon t’i flasë edhe lexuesit të kohës sonë”, shton Vinca.

Fati në dorë të popullit

Rockeri Bujar Berisha nuk është fort i mendimit që vetmia e izolimi nxisin krijimtarinë artistike.

“Sikur kjo të ishte e vërtetë atëherë kjo i bie që burgjet do të ishin fabrika të kreativitetit”, thotë ai.

Kur flet për një vit që as nuk mori frymë nga pandemia, Berisha thotë se shpreson që qytetarët të kenë nxjerrë mësim mbi rëndësinë e të pasurit shtet. Është fjala te sektorët vitalë si shëndetësia, vijon ai, që nëse nëpërkëmben nga korrupsioni “e paguajmë me çmim të lartë” në momente dramatike.

Ish-vokalisti i bendit “Troja” – i cili u shpërbë në qershorin e vitit 2020 pas një rrugëtimi të sukseshëm prej tri dekadash – ka treguar se pak para pandemisë kishte bërë një zyrë brenda shtëpisë për t’iu shmangur xhurulldisë në trafikun e qytetit.

“Ka vite që e mendoj se zhvillimin e teknologjisë duhet ta përdorim në mënyrë sa më të logjikshme e praktike në jetën tonë”, thotë Berisha.

Ndër biseda digjitale që kishte bërë me miq në gjithë botën ishte pëlqyer ideja që njerëzimi, për hir të mbrojtjes së planetit, duhet t’i kufizojë lëvizjet e tepërta fizike “duke i zëvendësuar me komunikim digjital”.

Tutje, Berisha është i prerë që gjendja në Kosovë ishte e rëndë edhe para pandemisë.

“Krejt kjo pasojë e politikave të dëmshme që e përcollën këtë vend prej pasluftës”, shton ai.

E veçon veprën “Fortuna Impeatrix Mundi” të kompozitorit gjerman, Karl Orff si diçka që, sipas tij, e përshkruan gjendjen në vend.

“Ne, si popull, duhet ta krijojmë fatin tonë vetë, duhet ta ndërtojmë atë me punë e përkushtim, e jo të shikojmë qiellin gjithë jetën e të presim mëshirën e fatit të krijuar nga të tjerët”, thotë Berisha.

“Rizbulim i vendndodhjes, hapësirës dhe njerëzve”

Poetja nga Prishtina, Ervina Halili, është e bindur që ka dallim mes vetmisë e izolimit të një individi dhe izolimit të një kolektiviteti.

Për të, vetmia e natyrës krijuese e prodhuese nuk ekziston në kuptimin e izolimit.

“Pikërisht në izolim njeriu takohet me universin që ka brenda, qoftë atë metafizik, apo thjesht me një memorie të ruajtur në psikën e tij që ka nevojë për më shumë vëmendje që të sheshohet”, thotë Halili.

Duke përsiatur mbi izolimin kolektiv që ishte realiteti i cili brendashkroi këtë vit, ajo ka thënë se në të duket sikur të gjithë njerëzit janë të bashkuar. Së këndejmi, ka vijuar ajo, njerëzit e kanë ndier izolimin kolektiv.

“Izolimi për të qenë funksional, duhet ta ketë lirinë e tij, ose edhe po të mos e ketë atë liri, duhet të jetë individual”.

E vetmja gjë e prekshme për nga ndikimi, sipas Halilit, ishte kundrimi në plan më të gjerë i të gjitha sferave politike, sociale, fetare e ndërnjerëzore. Tani ajo e ka më të njohur thënien se njerëzit e vendet kuptohen më së miri në gjendjet e tyre më të rënda e më të vështira.

“Ky observim ka qenë më shumë akumulim, por jo rizbulim i vetes”, thotë Halili, “ndoshta vetëm rizbulim i vendndodhjes sime, hapësirës, njerëzve e rrethanave”.

Kur bëhet fjalë për të zgjedhur një vepër që përthekon dramën e sivjetme, poetja 34-vjeçare pëlqen të sugjerojë diçka që shpreh gjendjen emocionale kolektive. Pjesa e Ferrit te “Komedia Hyjnore” e Dante Alighierit del si një interpret i vetvetishëm i momentit të pikërishëm historik.

“Duket sikur po paguajmë një dëm që e kemi shkaktuar vetë e nëpër të cilin duhet të kalojmë tani ose me sy hapur dhe të zgjohemi në mbrojtjen tonë, ose të rrimë në gjumë edhe të vazhdojmë të shtresëzojmë rrezikun tonë”, thotë Halili.

Mbrojtja e mirëqenies, njeriut, ajrit e tokës, sipas saj, evokohet nga një pjesë e këtij libri të cilin zgjedh ta citojë: “njeriu që qëndron në gjumë, kurrë nuk do të ngjallë nam dhe dëshira e tij e tërë, jeta e tij do të kalojë si në ëndërr, gjurmët e kujtesës do të zbehen nga koha si tymi në ajër ose si valëzimet në lumë”.

E në këtë evokim dantesk, poetja prishtinase sheh në këtë gjendje edhe koston e të shndërruarit të qenies sonë “në qenie mbikonsomuese dhe dembele”.

Njeriu që sfidon çdo vështirësi

Pandemia i bëri njerëzit më humanë, kurse ndjeshmëria ndaj virusit solli ndjenjën e të qenit të barabartë.

Këtë ndjesim të gjendjes ka regjisorja, More Raça e cila thotë se brishtësia sjell forcë për të qenë pranë atyre që janë në nevojë.

“Kjo gjendje në të vërtetë na jep një palë sy të rinj me të cilët mund të shohim gjithçka që kemi përreth, çfarë vlere ka dhe nëse mund të ndajmë me të tjerët”.

Filmbërësja 28-vjeçare ka bindjen se edhe pas pandemisë, puna e artistit do të mbetet një filtër përmes të cilit do të përshkruhet “ekzistenca e të gjithë njerëzimit”.

“Artisti do të vazhdojë të krijojë të njëjtën gjë si më parë, sepse kur e mendoj kurrë nuk ka pasur e as nuk do të ketë kohë të mira për artin”.

Teksa evokon kohën kur edhe gjenerata e saj kishte përjetuar karantinën, orët policore, bombardimet, luftën, eksodin e jetën e refugjatit, Raça thotë se vuajtja tashmë është e përbashkët në të gjithë globin. Dhe është filmi “La Vita e bella” i Roberto Benignit që, sipas saj, jep mesazhin që përkon me gjendjen e këtyre kohërave.

“Njeriu gjatë tërë ekzistencës së tij ka treguar se di dhe mund të sfidojë çdo vështirësi”, shton me optimizëm Raça.

“Artistët, ndërgjegjja e kombeve në ekuilibrin e ri”

Dramaturgu e regjisori, Fadil Hysaj, ka përshtypjen që periudha e kaluar në vetmi e izolim do të ndikojë në një pjesë të krijuesve.

Edhe nëse nuk do të jetë më cilësore, sipas tij, krijimtaria e ardhshme do të jetë e një lloji tjetër dhe më inovative.

Po në këtë frymë, ai vlerëson se jeta nën frikën e përditshme se mund të jesh njëri nga numrat e paemër që nuk e përballuan dot luftën me virusin, madje edhe mungesa e përcjelljes së denjë mortore, veçse ka bërë ndryshime psikosociale në strukturën mendore e kulturore.

“Është përmbysur tashmë rendi i vlerave që ka mbajtur një lloj ekuilibri dhe do të duhet kohë derisa ta gjejmë vetën në një mjedis tjetër kulturor, social e ekzistencial”, thotë Hysaj.

Për të, realiteti i ri global do të sjellë përmbajtje, tema e stile të reja në krijimtarinë artistike dhe atë letrare. “Ashtu sikurse ilaçet që do të na mbajnë shëndetin në nivelin e duhur, besoj se edhe arti e kultura do të perceptohen si kura e vetme shpirtërore për njerëzit me shpirt të lënduar”.

Profesori në Degën e Arteve Dramatike në Fakultetin e Arteve është i bindur tashmë që do të ketë humbje të mëdha në sektorët ku kërkohet punë e përbashkët artistike e ekipore, njësoj siç do të thellohet frustrimi i shumë artistëve të margjinalizuar nga shoqëria që kanë shpërfillur artin e tyre.

“Por pas katastrofave makabre të luftërave e pandemive, gjatë historisë ka pasur lulëzim të artit e letërsisë”, thotë Hysaj.

Është ky momenti kur artistët e mëdhenj bëhen “ndërgjegjja e re” e kombeve të tyre duke sjellë një ekulibër të ri.

E po të njëjtën bindje ka edhe për artistët në vend ku, sipas tij, mbështetja për kulturën ka qenë gjithnjë e pamjaftueshme.

“Por si pas çdo përmbytjeje, të fortit mbijetojnë dhe rigjejnë veten në rende të reja shoqërore e kulturore me pikëpamje të reja mbi jetën, shoqërinë, njeriun dhe ekzistencën e tij”, shton ai.

Hysaj e përsërit me emfazë bindjen e tij se ata që do t’ia dalin janë artistët me vepra që janë rezultat i kreacioneve individuale, teksa teatrit e filmit do t’i duhet kohë për ta rimarrë vetën.

“Do të jemi dëshmitarë të lulëzimit të dramaturgjisë, letërsisë dhe arteve figurative që vijnë nga laboratorët individualë krijues”, thotë ai. E që të ndodhtë një “ringjallje”, Hysaj vlerëson se Kosovës i nevojitet çlirimi nga politikanët e padijshëm e të pandërgjegjshëm.

“Arti krijohet për jetën”

Sopranoja Besa Llugiqi ka thënë se i gjithë viti ishte vdekje për artin në përgjithësi, pavarësisht përpjekjeve për t’u afruar me veprat artistike. Ndonëse komunikimi mes publikut e artistit si “frymëzim i dyanshëm” ishte ndërprerë, ajo megjithatë psherëtin e lehtësuar që jeta është mbi të gjitha.

“Asgjë nuk mund të krahasohet me mirëqenien e secilit, sepse arti krijohet për një jetë njeriu dhe ajo vlen më shumë”, thotë Llugiqi.

Sopranoja e cila ka performuar në skena gjithandej Evropës, kishte shfrytëzuar muajt e izolimit për të jetësuar të gjithë ato projekte për të cilat nuk kishte pasur kohë.

Ishte përgatitur për role të reja, kishte mësuar gjuhë të re, kishte punuar në doktoraturë, por edhe kishte bashkëpunuar me profesionistë të tjerë për një platformë online.

“Jam shumë e lumtur që arrita ta shfrytëzoj gjithë këtë kohë dhe shpresoj që në të ardhmen do të reflektojë edhe më shumë investimi i bërë me shumë pasion”, shton Llugiqi.

Kur ndërmendet i gjithë viti i trishtë me statistika lemeritëse vdekjesh, sopranoja 34-vjeçare thotë se një requiem mund të shërbejë si përkujtesë për të gjithë ata që nuk janë më. Ajo zgjedh veprën “Lacrimosa” të Mozartit, atë pjesë që kompozitori emërmadh e shkroi në fund të jetës por pa i përfunduar tetë aktet e fundit.

“Është një mrekulli e një gjeniu që përkon me gjendjen e sotme, gjendja e cila na lë në mëdyshje për përfundimin e saj”, shton Llugiqi.

 

Image

“Arti pas pandemisë”, ilustrim i Katherine Hardyt