Kulturë

Shtatorja e Mary Wollstonecraft – vepra më polarizuese e vitit 2020

(The Guardian) – “Është e mrekullueshme, mendoj se është jashtëzakonisht e bukur”, thotë Hilary Everett, një punonjëse sociale në pension, gjersa kalon pranë një prej veprave më të diskutueshme, më të debatuara dhe më polarizuese të artit publik të këtij viti.

Por Michaela Crimmin, studiuese e artit, e cila kalon disa minuta më vonë, nuk pajtohet: “Unë e urrej atë. Nuk ka asgjë estetike në të. Kjo është një nga shumë pak hapësirat e jashtme publike në zonën tonë dhe ta vendosësh këtë këtu është shumë e pacipë. Unë e kundërshtoj materialin që është përdorur, formën dhe mendoj se skulptura aktuale duket qesharake në atë bazament”.

“Kjo” – është një skulpturë e Maggi Hambling për shkrimtaren, filozofen e aktivisten angleze, Mary Wollstonecraft (1759 – 1797) e cila është inauguruar muajin e kaluar në Newington Green, në veri të Londrës. Pak minuta pasi që “The Guardian” bëri të ditur ekzistencën e saj, rrjetet sociale u bombarduan. Çfarë dreqin është kjo? Pse po manifestohet nëna e feminizmit me një barbi të zhveshur në krye të saj? Me siguri një gabim kolosal i gjykimit?

Qëkur shtatorja u vendos, figura e vogël e zhveshur në krye, që synonte të ishte një frymë e femërores dhe jo Wollstonecraft, është mbuluar rregullisht nga njerëz që e ndienin se përçonte mesazh të gabuar.

“Isha absolutisht e zemëruar kur një shok më tregoj për të”, tregon Everett. “Mendova: çfarë po ndodh me ne gratë? Dua të them se trupi im nuk është si i saj, por thjesht u ndjeva kaq krenare… po! Këto jemi ne! Është e përsosur për Mary Wollstonecraft”.

Shtatorja u zbulua pas një fushate 10-vjeçare të komunitetit për të grumbulluar 143,000 funte, për atë që është statuja e vetme përkujtimore në botë për Wollstonecraft, filozofen dhe edukatoren e cila jetoi dhe punoi në zonë dhe është e njohur më së shumti për “A Vindication of the Rights of Woman”, botuar në 1792.

Një qëllim ishte që të nxiste debat. Të thuash se e ka bërë këtë është nënvlerësim.

“Ne u futëm me kokë në një stuhi mediatike ndërkombëtare”, thotë Bee Rowlatt, shkrimtare që drejtoi fushatën. “Shumë debatues ishin me të vërtetë të keqinformuar. Nuk e kam problem nëse njerëzve nuk u pëlqen. Unë e kam problem që ishte keqinterpretuar. Kam parë shumë në TV dhe ajo që ata do të bënin është të tregoj një version të prerë, të zmadhuar, vetëm gjinjtë dhe zonën publike, e cila natyrisht dukej e çuditshme. Jemi ulur këtu në këtë park dhe ‘copat e vrazhda’ janë gjëja e fundit që shihni”.

Shumë nga zërat më të ashpër, të nxitur kundër statujës ishin nga feministe të profilit të lartë. “Nuk kishte një sasi të madhe motërzimi në disa komente”, thotë Rowlatt. “Dikush bëri shaka me mua duke më thënë se Wollstonecraft, si shenjtore mbrojtëse e grave shkrimtare të pavarura, do të kishte thënë: “E po mirë, të paktën të gjithë morën një spektakël live nga ajo”.

“Është për të ardhur keq dhe unë nuk doja të përfshihesha, sepse është spektakël antik i luftës së maceve feministe, nuk dua asnjë pjesë të saj. Kam mësuar se shumë njerëz e ndiejnë sikur e posedojnë Mary Wollstonecraft dhe natyrisht askush nuk e ka atë”.

Reagimi ndikoi emocionalisht te Rowlatt, por ajo tha se nuk u pendua. “Unë mendoj se Maggi Hambling është një artiste e jashtëzakonshme. Kam besim të plotë në të dhe jam krenare që kam mbrojtur punën e saj. Unë besoj në të. Tani më pëlqen më shumë...”.

Në mëngjesin e ftohtë të mjegullt të dhjetorit që “Guardian” e vizitoi skulpturën pothuajse askush nuk mund të kalonte pranë saj pa u ndalur, duke biseduar me njerëzit për të, ose duke bërë një fotografi.

Do ta transformojë parkun “Newington Green”, thotë Lizzy Bassham, pronare e kafenesë “Lizzy's on the Green”. “Është bërë një atraksion turistik. Të gjithë, çfarëdo gjinie që të jenë, kanë një mendim për të dhe kjo është e bukur. Është një zhurmë. Opinionet mund të jenë të polarizuara, por të gjithë flasin për Marinë, njerëzit po e diskutojnë atë ndërsa janë duke marrë një kafe. Mary Wollstonecraft ishte një grua radikale dhe mendoj se do të kishte dashur tollovinë që ka shkaktuar”.

Skulptura është vepër e një artisteje që nuk është e huaj sa u përket polemikave rreth artin publik. Vepra e saj si nderim për Benjamin Britten, në Aldeburgh beach, dhe ajo për Oscar Wilde, në qendër të Londrës, ishin po aq përçarëse.

Krijimtaria e Mary Wollstonecraft ka për qëllim të personifikojë një frymë, se çdo grua e zhveshur del nga një vorbull formash femërore. Po t’i vishja rroba t’i jepte asaj një identitet”, thotë Hambling.

Figura e zhveshur duket të jetë problemi më i madh për shumicën e kalimtarëve që ka ndaluar “Guardian”. "Më pëlqen vizualisht ... Unë mendoj se është e lezetshme”, tha Celia Marr. “Vetëm se lakuriqësia më duket e paqëndrueshme. Nuk e kuptoj pse ishte e nevojshme që ajo të përfshinte një formë femërore të zhveshur për një ikonë feministe”.

Katie Doyle, konsulente e sigurisë kibernetike, shprehu shqetësime të ngjashme. “Unë me të vërtetë nuk e kuptoj zonjën në krye, nëse ka të bëjë me gratë dhe fuqizimin e grave ... Nuk e kuptoj pse ajo është lakuriq”.

Për Will McDonald, i cili punon në këshillim, ishte mirë që Wollstonecraft po përkujtohet në zonën ku ai jeton. “Por unë mendoj se është pak e çuditshme”.

Përktheu: Alberina Haxhijaj